Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ Gjatë vitit 2000, në tërë botën pati 8,3 milionë raste të reja me tuberkuloz (TB), dhe rreth dy milionë të infektuar me TB vdiqën—pothuajse të gjithë ishin nga vendet e varfra.—REVISTA MJEKËSORE E AUSTRALISË
▪ «Dhjetë milionë të rinj janë të infektuar me HIV, dhe më shumë se gjysma e 4,9 milionë njerëzve që infektohen çdo vit në tërë botën, janë nga mosha 15 deri 24-vjeçare.»—FONDI I KOMBEVE TË BASHKUARA PËR POPULLSINË
▪ Me anë të një sateliti u vëzhguan udhëtimet e albatrosëve përqark botës. Më i shpejti i ra globit kryq e tërthor për 46 ditë.—REVISTA SHKENCA, SHBA.
▪ «Çdo orë që kalon, bota shpenzon mbi 81 milionë euro për ushtarët, armët dhe municionet.»—LIBRI VITAL SIGNS 2005, INSTITUTI WORLDWATCH.
Rritet dhuna kundër klerikëve
«Të jesh prift është një nga profesionet më të rrezikshme në [Britani]»,—raportonte Daily Telegraph e Londrës, në vitin 2005. Në vitin 2001, një sondazh i drejtuar nga autoritetet qeveritare zbuloi se thuajse tre të katërtat e klerikëve të intervistuar, ishin keqtrajtuar ose sulmuar fizikisht në dy vitet e shkuara. Që nga viti 1996, janë vrarë të paktën shtatë klerikë. Në një zonë urbane, në Mërsisajd, ndodh «mesatarisht çdo ditë një sulm, një vjedhje ose djegia e një ndërtese në një nga 1.400 vendet e adhurimit».
Llojshmëri e jashtëzakonshme biologjike
Gazeta The New York Times pohon se, pavarësisht se pylli i shiut po shkatërrohet, «ishulli i Borneos ka një llojshmëri të jashtëzakonshme biologjike brenda territorit të tij». Sipas Fondit Botëror për Natyrën, nga viti 1994 deri në 2004, biologët zbuluan 361 lloje të reja bimësh dhe kafshësh në këtë ishull, që është pjesë e Bruneit, Indonezisë dhe Malajzisë. Llojet e reja të zbuluara përfshinin 260 insekte, 50 bimë, 30 peshq, 7 bretkosa, 6 hardhuca, 5 gaforre, 2 gjarpërinj dhe një thithëlopë. Megjithatë, pyjet e shiut që gjenden në ishull, mund të rrezikohen nga prerja pa kriter e drurëve, që vjen nga kërkesa për drurin e fortë tropikal, për gomë dhe për vaj palme.
Rritet besimi te besëtytnitë
«Edhe sot kur teknologjia dhe shkenca kanë arritur kulmin, përsëri besëtytnitë vazhdojnë të tërheqin gjithnjë e më shumë njerëz»,—raporton instituti gjerman Allensbach i sondazhit të opinionit publik. Një studim afatgjatë tregoi se «njerëzit nuk kanë hequr dorë nga besimi jo i logjikshëm tek oguret e mira e të këqija, dhe madje është më i përhapur se 25 vjet më parë». Në vitet 70, 22 për qind e njerëzve besonin se yjet që bien, ndikonin në jetën e tyre. Sot, 40 për qind e besojnë këtë. Vetëm një në tre të rritur, nuk pranon asnjë formë të besëtytnive. Një tjetër studim me 1.000 studentë universitarë gjermanë, zbuloi se një e treta e tyre besonin te hajmalitë e vendosura në makina ose te çelësat.
Po shkrijnë akullnajat e Antarktikut
Gazeta Clarin e Buenos-Ajresit, raporton se «në 50 vitet e fundit, kanë shkrirë 87 për qind e 244 akullnajave që ndodhen në gadishullin e Antarktikut», dhe kjo ka ndodhur shumë më shpejt nga ç’pandehnin specialistët. Nga analiza e parë e plotë e akullnajave në këtë zonë, doli se edhe temperaturat janë rritur mbi 2,5 gradë celsius gjatë këtyre 50 viteve të fundit. Dejvid Voni, i Anketës Britanike të Antarktikut tha se shkrirja e madhe u shkaktua kryesisht nga ndryshimi i klimës. «A janë njerëzit përgjegjës për këtë?—pyet ai.—S’mund ta themi me plot gojën, por jemi një hap më afër përgjigjes së kësaj pyetjeje të rëndësishme.»