Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Për lexuesit tanë

Për lexuesit tanë

Për lexuesit tanë

DUKE filluar nga ky numër, revista Zgjohuni! do të ketë disa ndryshime. Ndonëse disa gjëra do të ndryshojnë, pjesa më e madhe do të jetë njësoj.

Qëllimi i Zgjohuni! mbetet po ai që ka qenë për dekada me radhë. Siç shpjegohet në faqen 4, «kjo revistë botohet për ndriçimin e gjithë familjes». Duke shqyrtuar ngjarjet botërore, duke treguar për njerëz të kulturave të ndryshme, duke përshkruar mrekullitë e krijimit, duke folur për shëndetin dhe duke shpjeguar tema shkencore në mënyrë që të gjithë mund t’i kuptojnë, Zgjohuni! do të vazhdojë t’i informojë lexuesit, që ta kuptojnë më mirë botën që na rrethon.

Në revistën Zgjohuni! të 22 gushtit 1946 (anglisht), bëhej ky premtim: «Besnikëria ndaj së vërtetës do të jetë synimi kryesor i kësaj reviste.» Duke e mbajtur këtë premtim, Zgjohuni! është përpjekur gjithnjë të botojë informacione të sakta. Prandaj, janë bërë kërkime të thella për artikujt dhe janë kontrolluar me kujdes që të jenë të saktë. Kjo revistë ka treguar ‘besnikëri ndaj së vërtetës’ në një aspekt edhe më të rëndësishëm.

Zgjohuni! gjithnjë i ka drejtuar lexuesit te Bibla. Megjithatë, duke filluar nga ky numër, kjo revistë do të ketë edhe më shumë artikuj të bazuar në Bibël. (Gjoni 17:17) Gjithashtu, Zgjohuni! do të vazhdojë të botojë artikuj që tregojnë se si këshillat praktike të Biblës mund të na ndihmojnë që jeta jonë të ketë kuptim e të jemi të lumtur. Për shembull, seritë «Të rinjtë pyesin . . . » dhe «Pikëpamja e Biblës», të cilat japin mjaft këshilla nga Bibla, do të vazhdojnë të botohen rregullisht në këtë revistë. Veç kësaj, Zgjohuni! do ta drejtojë gjithnjë vëmendjen e lexuesve te premtimi i Biblës për një botë të re paqësore që së shpejti do të zëvendësojë sistemin e sotëm të paligjshëm.​—Zbulesa 21:3, 4.

Ç’gjë tjetër do të ndryshojë? Që nga ky numër, në shumicën e 82 gjuhëve që botohet, Zgjohuni! do të dalë një herë në muaj (më parë botohej dy herë në muaj në shumë gjuhë). * Rubrika «Një vështrim rreth botës», botuar rregullisht që nga viti 1946, do të dalë në çdo numër, por do të jetë e shkurtuar, pasi nuk do të ketë më dy faqe, por vetëm një. Gjithashtu, në faqen 31 do të botohet rregullisht një rubrikë e re interesante me titull «Si do të përgjigjeshe?» Çfarë do të përmbajë ajo dhe si ta shqyrtoni?

Hapeni pak revistën në faqen 31. Disa pjesë të saj do të jenë me interes për fëmijët dhe të rinjtë; pjesë të tjera do të vënë në provë kujtesën e atyre që kanë njohuri më të thella për Biblën. Pjesa «Kur ka ndodhur?» do t’ju ndihmojë të krijoni një kronologji që tregon se kur jetuan personazhet biblike dhe kur ndodhën ngjarjet e rëndësishme. Përgjigjet e shumicës së pyetjeve do të dalin në një faqe të veçantë, në të njëjtin numër, dhe do të botohen mbrapsht, kurse përgjigjet e pjesës «Nga ky numër» gjenden nëpër artikujt e revistës. Përse të mos bëni ca kërkime para se të lexoni përgjigjet e pastaj të flitni me të tjerët për ato që keni mësuar? Gjithashtu mund ta përdorni rubrikën e re «Si do të përgjigjeshe?» si bazë për bisedat biblike në familje ose në grup.

Rreth 60 vjet më parë, Zgjohuni! bëri këtë premtim: «Në lidhje me temat e trajtuara, kjo revistë do të përpiqet që ta paraqitë informacionin nga një këndvështrim botëror dhe jo lokal. Ajo do të jetë me interes për njerëzit e ndershëm të të gjitha kombeve. . . . Materiali dhe përmbajtja e kësaj reviste . . . do të jetë informativ, edukativ dhe interesant për shumë njerëz, qofshin të rinj a të moshuar.» Lexues nga e gjithë bota janë dakord që Zgjohuni! e ka mbajtur fjalën. Ju sigurojmë se kjo revistë do të vazhdojë kështu edhe në të ardhmen.

Botuesit

[Shënimi]

^ par. 6 Në disa gjuhë, Zgjohuni! botohet një herë në tre muaj dhe rubrikat për të cilat po flitet në këtë artikull, mund të mos dalin rregullisht në këto gjuhë.

[Figurat në faqen 3]

Titulli «Epoka e artë», me të cilin kjo revistë doli në vitin 1919, u bë «Ngushëllim» në vitin 1937 dhe «Zgjohuni!» në vitin 1946

[Figurat në faqen 4]

Prej shumë kohësh, «Zgjohuni!» i ka drejtuar lexuesit te Bibla

[Burimet]

Armët: fotografi e Arkivit Kombëtar të SHBA-së; fëmijë që vuan nga uria: fotografi e OBSH-së nga W. Cutting