Pse e dëmtoj veten?
Të rinjtë pyesin . . .
Pse e dëmtoj veten?
«U preva kaq keq në kyçe, saqë m’u desh të bëja qepje. I thashë mjekut se u preva me një llambë, dhe kjo ishte e vërtetë—vetëm se nuk i tregova që e bëra me dashje.»—Sasha, 23 vjeçe.
«Prindërit i kanë vënë re të çarat e mia, por vetëm ato që nuk janë shumë të rënda dhe duken si gërvishtje. . . . Kur shohin ndonjë që nuk e kanë vënë re më parë, sajoj ndonjë justifikim. . . . Nuk dua që ta marrin vesh.»—Ariela, 13 vjeçe.
«Nisa ta dëmtoja veten që kur isha 11 vjeçe. E dija se sa shumë e vlerëson Perëndia trupin e njeriut, por as kjo nuk më frenonte.»—Xheniferi, 20 vjeçe.
NDOSHTA njeh dikë si Sasha, Ariela ose Xheniferi. * Mund ta kesh në shkollë. Mund të jetë motra a vëllai yt. Mund të jesh ti vetë. Është llogaritur se vetëm në Shtetet e Bashkuara, miliona njerëz, shumë prej të cilëve janë të rinj, e dëmtojnë veten me dashje, si për shembull duke u prerë, djegur, dërrmuar ose duke u gërvishtur. *
A e dëmtojnë vërtet me dashje veten? Në të kaluarën shumë veta do ta lidhnin këtë zakon me ndonjë modë ose kult të çuditshëm. Por, vitet e fundit, janë shtuar shumë informacionet për vetëdëmtimin, ku përfshihet edhe bërja e prerjeve në trup ose vetëgjymtimi. Me sa duket, është shtuar edhe numri i atyre që tregojnë se vuajnë nga ky problem. «Çdo mjek thotë se ky problem po rritet»,—thotë Majkëll Hollanderi, drejtor i një qendre trajtimi në Shtetet e Bashkuara.
Vetëdëmtimi rrallëherë bëhet vdekjeprurës, por është i rrezikshëm. Për shembull, le të marrim rastin e Betit. Ajo thotë: «Për të dëmtuar veten, përdor një brisk. Jam shtruar dy herë në spital. Një herë m’u desh të shkoja te urgjenca,
sepse kisha një çarje të thellë.» Ashtu si shumë të tjerë që vuajnë nga ky çrregullim, edhe tani që është e rritur, Beti vazhdon me zakonin e vetëdëmtimit. «E kam filluar që kur isha 15 vjeçe, kurse tani jam 30»,—thotë ajo.Mos ndoshta edhe ti ose dikush që njeh ka rënë në grackën e vetëdëmtimit? Nëse po, mos u dëshpëro. Mund të gjesh ndihmë. Në numrin vijues të Zgjohuni! do të trajtojmë se si mund të gjejnë ndihmë ata që dëmtojnë veten. * Megjithatë, do të ishte mirë që si fillim të shqyrtonim se cilët preken nga ky çrregullim dhe përse e bëjnë këtë.
Veçori të ndryshme
Është e vështirë t’i gruposh në një kategori të vetme ata që vetëdëmtohen. Disa vijnë nga familje me probleme; të tjerë nga familje të qëndrueshme e të lumtura. Disa janë ngelës në shkollë, shumë të tjerë janë nxënës të shkëlqyer. Shpesh, te këta individë mezi dallohet se kanë një shqetësim, madje nga jashtë mund të duket se gjithçka është në rregull, sepse ndodh që megjithëse dikë e kanë mbytur problemet, ai mund të mos japë asnjë shenjë. Bibla thotë: «Edhe në të qeshura zemra mund të ketë dhembje.»—Proverbat 14:13.
Veç kësaj, ky problem, te dikush mund të jetë më i rëndë, ndërsa te dikush tjetër disi më i lehtë. Për shembull, nga një studim u pa se disa njerëz vetëdëmtohen vetëm një herë në vit, kurse të tjerë mesatarisht dy herë në ditë. Është interesante se djemtë që dëmtojnë veten janë më të shumtë nga ç’mendohej dikur. Gjithsesi problemi ndeshet kryesisht te vajzat adoleshente.
Edhe pse kanë veçori të ndryshme, duket se disa nga këta individë kanë edhe gjëra të përbashkëta. Një enciklopedi për të rinjtë thotë: «Adoleshentët që dëmtojnë veten, shpesh ndihen të pafuqishëm, e kanë të vështirë t’u hapen të tjerëve për ndjenjat e tyre, ndihen të vetmuar ose u duket sikur nuk i duan, kanë frikë dhe kanë pak vlerësim për veten.»
Sigurisht, disa mund të thonë se ky përshkrim i përshtatet pothuajse çdo të riu që po përballet me frikën dhe pasigurinë që ndien teksa rritet. Megjithatë, për ata që dëmtojnë veten, kjo betejë është tepër e ashpër. Nëse dikush nuk arrin ta shprehë me fjalë se çfarë e mundon dhe nuk hapet me një mik tek i cili ka besim, streset e shkollës, kërkesat e punës ose grindjet në familje mund t’i duken mbytëse. Nuk sheh ndonjë zgjidhje dhe mendon se nuk ka më kë të flasë. Ankthi që ndien është i padurueshëm. Por, më në fund, ja tek zbulon diçka: kur dëmton veten fizikisht, i duket sikur lehtësohet disi nga angështia emocionale dhe mendon se mund të vazhdojë jetën, të paktën tani për tani.
Po përse përdor dhembjen fizike që të gjejë lehtësim nga dhembja emocionale? Për ta ilustruar, le të marrim rastin kur shkoni te mjeku për të bërë vaksinën. A të ka ndodhur që në çastin kur mjeku nis të të bëjë vaksinën, të pickosh mishin a ta shtrëngosh fort që të mos e kesh mendjen te shpimi i gjilpërës? Pak a shumë këtë bën edhe kush vetëdëmtohet, por në këtë rast veprimi është i rrezikshëm. Për këtë njeri, vetëdëmtimi është një mënyrë për të humbur pak mendjen e për t’u lehtësuar disi nga dhembja emocionale. E dhembja emocionale është kaq e madhe, saqë më mirë preferon dhembjen
fizike. Ndoshta kjo është arsyeja se përse një vajzë tha se vetëdëmtimi është «ilaç për frikën që ndiej».«Mënyrë për të përballuar stresin»
Për ata që nuk e njohin këtë çrregullim, vetëdëmtimi mund t’u duket tentativë për vetëvrasje. Por zakonisht nuk është kështu. «Në përgjithësi, këta njerëz përpiqen t’i japin fund dhembjes, jo jetës»,—shkruan Sabrina Solin Uaili, kryeredaktorja e një reviste për adoleshentë. Prandaj, një libër e përshkruan vetëdëmtimin si «‘jelek shpëtimi’ dhe jo si strategji vdekjeje». Gjithashtu, libri e quan këtë praktikë «një mënyrë për të përballuar stresin». Çfarë stresi?
Është parë se shumë njerëz që vetëdëmtohen, kanë vuajtur nga ndonjë traumë, siç është keqtrajtimi ose lënia pas dore në fëmijëri. Për të tjerë, shkaku është një prind që vuan nga alkoolizmi ose grindjet në familje. Për disa të tjerë, shkaku është ndonjë çrregullim mendor.
Por mund të ketë edhe shkaqe të tjera. Për shembull, Sara vuante e mbërthyer në darën e manisë vetakuzuese për përsosmëri, siç e quan ajo. Edhe pse kishte bërë gabime të rënda dhe kishte marrë ndihmë nga pleqtë e krishterë, ajo ndihej tepër fajtore për dobësitë e përditshme. «Mendoja se duhej ‘të isha e rreptë’ me veten,—thotë Sara.—Për mua, vetëdëmtimi ishte thjesht një vetëdisiplinë. Kjo ‘vetëdisiplinë’ nënkuptonte të shkulja flokët, të pritesha në kyçe e krahë, ta goditja veten, të dërrmohesha keq e ta ndëshkoja veten me dënime të tilla, si: ta mbaja dorën në ujë të përvëluar, të rrija jashtë në acar pa pallto ose të rrija gjithë ditën pa ngrënë.»
Për Sarën, vetëdëmtimi ishte pasojë e neverisë së madhe që ndiente për veten. «Kishte raste që e kisha të qartë se Jehovai m’i kishte falur gabimet,—thotë ajo,—por unë nuk doja. Doja të vuaja, sepse e urreja jashtë mase veten. Edhe pse e dija që Jehovai s’e kishte çuar kurrë nëpër mend të krijonte një vend torturash, siç është ferri që mëson i ashtuquajturi krishterim, doja që ai të krijonte një vetëm për mua.»
«Kohë kritike»
Disa mund të pyesin se përse një çrregullim i tillë po njihet vetëm në dekadat e fundit. Megjithatë, studentët e Biblës e dinë se këto janë «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Kështu, ata nuk habiten kur dëgjojnë se njerëzit, duke përfshirë të rinjtë, sillen në një mënyrë që është e vështirë për t’u shpjeguar.
Bibla thotë se «shtypja mund ta bëjë të mençurin të veprojë çmendurisht». (Eklisiastiu 7:7) Problemet e adoleshencës, të cilave në disa raste u shtohen edhe përvojat e dhembshme të jetës, mund të hapin terrenin për sjellje të dëmshme, duke përfshirë edhe vetëdëmtimin. Një adoleshent që ndihet vetëm dhe mendon se nuk ka me kë të flasë, mund të dëmtojë trupin në përpjekje për të gjetur lehtësim. Por çfarëdo lehtësimi që mund të duket se jep vetëdëmtimi, ai është jetëshkurtër. Herët a vonë, problemet rikthehen e po kështu, edhe vetëdëmtimi.
Në përgjithësi, ata që vetëdëmtohen duan të heqin dorë, por e kanë shumë të vështirë. Si kanë mundur disa ta lënë praktikën e vetëdëmtimit? Kjo do të trajtohet në rubrikën «Të rinjtë pyesin . . . », në artikullin «Ç’të bëj që të mos e dëmtoj më veten?» që do të dalë në revistën Zgjohuni! të shkurtit 2006.
[Shënimet]
^ par. 6 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.
^ par. 6 Vetëdëmtimi nuk duhet ngatërruar me body piercing (shpimin e trupit) ose me bërjen e tatuazheve. Zakonisht, këto nxiten më shumë nga moda, sesa nga ndonjë impuls i brendshëm. Shih Zgjohuni! të 22 shtatorit 2003, faqet 25-27.
^ par. 9 Te Levitiku 19:28 thuhet: «Mos bëni prerje në trup për një shpirt të vdekur.» Ky zakon pagan, që me sa duket kishte si qëllim të qetësonte perënditë që, siç mendohej, sundonin mbi të vdekurit, ndryshon nga zakoni i vetëdëmtimit për të cilin flitet në këtë artikull.
PYETJE PËR TË MENDUAR
▪ Përse disa të rinj vetëdëmtohen?
▪ Pasi të lexoni këtë artikull, a mund të gjeni disa mënyra më të mira për të përballuar ndjenjat lënduese?
[Diçitura në faqen 11]
«Edhe në të qeshura zemra mund të ketë dhembje.»—Proverbat 14:13
[Diçitura në faqen 11]
«Në përgjithësi, këta njerëz përpiqen t’i japin fund dhembjes, jo jetës»
[Diçitura në faqen 12]
Po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar»—2 Timoteut 3:1