Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse t’i drejtohemi Biblës për udhëheqje?

Pse t’i drejtohemi Biblës për udhëheqje?

Pikëpamja e Biblës

Pse t’i drejtohemi Biblës për udhëheqje?

«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr.»​—2 Timoteut 3:16.

KUJT i drejtoheni për udhëheqje në jetën tuaj? Sot ka në dispozicion këshilla me bollëk për pothuajse çdo temë të mundshme. Gjithsesi, shumë veta u drejtohen shkrimeve të lashta të Biblës për udhëheqje.

Megjithatë, shumica e shohin Biblën si një libër jo me shumë vlerë, sidomos në këtë epokë të informacionit dhe të teknologjisë moderne. Disa edukatorë dhe shkencëtarë të respektuar përkrahin idenë se Bibla është një libër që nuk ka më peshë. A kanë të drejtë? Duke mbajtur parasysh burimet e shumta për udhëheqje që janë në dispozicion sot, përse çdokush duhet t’i drejtohet Biblës?

Libër i së vërtetës

Në një rast, Jezu Krishti po pushonte afër një pusi dhe pati një bisedë me një grua samaritane. Ai i tha asaj: «Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.» (Gjoni 4:24) Këto fjalë tregojnë se ka një formë adhurimi që është e pranueshme për Perëndinë. Që ta adhurojmë me të vërtetën, duhet që adhurimi ynë të jetë në harmoni me atë që Perëndia ka zbuluar rreth vetes në Bibël. Fjala e Perëndisë përmban të vërtetën.​—Gjoni 17:17.

Megjithatë, ka shumë fe që pohojnë se besojnë te Bibla, por secila duket se mëson gjëra të ndryshme. Si rezultat, ka shumë pështjellim rreth asaj që mëson vërtet Bibla. A është Jezui Perëndia, apo ai është Biri i Perëndisë? A ka jetë pas vdekjes apo jo? A është ferri një vend real ku njerëzit torturohen pas vdekjes? A është Satanai një person real? Ç’do të thotë të jesh i krishterë? A i interesojnë vërtet Perëndisë veprimet dhe mendimet tona? A e justifikon dashuria e vërtetë seksin para martesës? A është e gabuar të pish pije alkoolike? * Disa fe thonë se mësojnë të vërtetën për këto çështje. Por, doktrinat fetare shpesh janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. S’mund të jenë të gjitha të vërteta.​—Mateu 7:21-23.

Atëherë, si mund ta gjeni të vërtetën për Perëndinë dhe formën e adhurimit që i pëlqen atij? E zëmë se ju duhet të bëni një operacion për të zgjidhur një problem të rëndë shëndetësor. Çfarë do të bënit? Nëse do të ishte e mundur, do të bënit çmos të gjenit kirurgun më të zotë për atë lloj operacioni. Do të merrnit parasysh kualifikimin dhe përvojën e tij, do ta takonit vetë dhe do të flitnit me të. Në fund, pasi bindeni se është më i miri, në bazë të informacioneve që keni gjetur, do të kishit besim të plotë tek ai dhe do ta linit t’ju operonte. Të tjerët mund të mos mendojnë njësoj si ju për këtë kirurg. Megjithatë, ju e dini se tani besimi që keni krijuar te ky kirurg është me themel të shëndoshë.

Në të njëjtën mënyrë, nëse bëni një analizë të hollësishme dhe të sinqertë të fakteve që keni në dispozicion, mund të filloni të besoni te Perëndia dhe te Bibla. (Proverbat 2:1-4) Për të gjetur përgjigjet e pyetjeve lidhur me llojin e adhurimit që pranon Perëndia, keni një mundësi zgjedhjeje. Mund t’u drejtoheni mësimeve dhe opinioneve kontradiktore të njerëzve ose mund të shqyrtoni pikëpamjen e vetë Biblës.

E saktë dhe praktike

Nëse shqyrtoni me kujdes Biblën do të gjeni të dhëna të qarta që tregojnë se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm». * (2 Timoteut 3:16, 17) Për shembull, Bibla është plot me profeci të hollësishme. Historia dokumenton plotësimin e tyre. (Isaia 13:19, 20; Danieli 8:3-8, 20-22; Mikea 5:2) Edhe pse nuk është një libër shkencor, Bibla është e saktë shkencërisht. Ajo përmban fakte për natyrën dhe për shëndetin, të cilat u shkruan mijëra vjet para se shkencëtarët të arrinin në përfundime të ngjashme.​—Levitiku 11:27, 28, 32, 33; Isaia 40:22.

Për më tepër, Bibla na ndihmon të marrim vendime të mençura. Brenda faqeve të saj ka një thesar me këshilla praktike për jetën familjare, për shëndetin fizik dhe emocional, aktivitetet tregtare e për çështje të tjera të jetës së përditshme. Proverbat 2:6, 7 thotë: «Jehovai jep mençuri dhe prej gojës së tij burojnë njohuria dhe aftësia dalluese. Për të drejtët, ai do të ruajë si thesar mençurinë.» Duke u drejtuar te Bibla për udhëheqje, mund të stërvitni aftësitë tuaja perceptuese «për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën».​—Hebrenjve 5:14.

Gjithashtu, Fjala e Perëndisë na ndihmon të kuptojmë qëllimin e jetës. (Gjoni 17:3; Veprat 17:26, 27) Ajo shpjegon domethënien e kushteve botërore. (Mateu 24:3, 7, 8, 14; 2 Timoteut 3:1-5) Aty Perëndia na tregon si do të heqë ligësinë nga toka dhe do ta bëjë njerëzimin të gëzojë shëndet të përsosur dhe jetë të përhershme.​—Isaia 33:24; Danieli 2:44; Zbulesa 21:3, 4.

Miliona veta e kanë provuar vetë se Bibla është pa dyshim një burim i besueshëm i mençurisë praktike. Botuesit e Zgjohuni! ju ftojnë të shqyrtoni me kujdes serinë e artikujve të titulluar «Pikëpamja e Biblës», që do të dalë në çdo numër të kësaj reviste. Duke bërë kështu, mund të gjeni të dhëna të tjera që tregojnë se Bibla është burimi më i mirë për udhëheqje në jetën tuaj.

[Shënimet]

^ par. 8 «Pikëpamja e Biblës», rubrikë që del rregullisht në Zgjohuni!, do t’i shqyrtojë këto dhe pyetje të tjera në numrat e ardhshëm.

^ par. 12 Për prova se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia, shih librin Bibla​Fjalë e Perëndisë apo e njeriut? (anglisht), botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

A DONI TË DINI?

▪ Cilën formë adhurimi pranon Perëndia?​—Gjoni 4:24.

▪ Çfarë duhet të bëni që të përfitoni nga mençuria e Perëndisë?​—Proverbat 2:1-4.

▪ Në ç’mënyrë Bibla është një burim për udhëheqje praktike?​—Hebrenjve 5:14.