Shihni atje lart!
Shihni atje lart!
ËSHTË vjeshtë dhe ajri i freskët i mbrëmjes të fut pak dridhmat. Por qetësia thyhet shpejt nga gagaritjet e zhurmshme të një tufe me pata. Papritmas, na shfaqen sipër kokës. Janë nja 20 pata që formojnë një V gjigante ndërsa fluturojnë gjithë elegancë, duke përplasur krahët me forcë. Një prej tyre devijon tërë delikatesë nga e majta e saj dhe zë vend në fund të tufës. Kjo pamje mahnitëse më ngjall kureshtjen. Pse patat fluturojnë në formë V-je? Dhe për ku po shkojnë?
Pata është një shpend uji, që hyn në të njëjtën familje me rosën dhe mjellmën. Në të gjithë botën ka rreth 40 lloje patash, dhe zakonisht shihen në Azi, Evropë dhe në Amerikën Veriore. Pata kanadeze është një nga llojet më të njohura, me qafën e saj karakteristike të gjatë e të errët dhe me një njollë të bardhë përqark gushës. Meshkujt e rritur të një nënlloji, që quhet pata gjigante kanadeze, mund të peshojnë 8 kilogramë dhe krahët i shtrijnë deri në 2 metra. Kjo patë e kalon verën në veri, deri në Alaskë, si edhe në Kanadanë Veriore, dhe pastaj emigron në jug deri në Meksikë për të kaluar dimrin.
Kohëzgjatja e emigrimit është jetësore për patat. Nëse mbërrijnë para kohe në veri, uji do të jetë ende i ngrirë dhe bimësia e rrallë. Prandaj, pata kanadeze përparon drejt veriut me të njëjtën
shpejtësi që ndërrohet edhe stina. Kur mbërrijnë në destinacion, patat ndahen në çifte, dhe çdo çift përcakton territorin ku do të ngrejë folenë dhe do të ngrohë vezët.Fluturimi në formacion, bën që patat të shohin njëra-tjetrën dhe të reagojnë menjëherë kur pata që është në krye ndryshon drejtimin, shpejtësinë ose lartësinë. Përveç kësaj, disa specialistë mendojnë se rryma e ajrit që krijohet nga pata në krye, ia bën më të lehtë fluturimin pjesës tjetër të tufës, duke zvogëluar presionin e fortë të ajrit. Sidoqoftë, duket se tufa emigrante përbëhet nga disa familje, ku të rriturit marrin drejtimin me radhë.
Shpesh, pata kanadeze përdor të njëjtën fole vit pas viti. Zakonisht foleja ndërtohet me materiale të thjeshta, si shkopinj, bar dhe myshk. Patat kanë një partner për tërë jetën. Nëse njëri nga partnerët ngordh, tjetri mund të pranojë të çiftohet me një tjetër. Megjithatë, në përgjithësi mbetet vetëm.
Femra shtron katër deri tetë vezë, që i ngroh për gati 28 ditë. Prindërit janë mbrojtës të shkëlqyer. Ata bëhen shumë agresivë kur vetë ose të vegjlit janë në rrezik. Me krahët e tyre mund të godasin fort grabitqarët.
Patat e vogla fillojnë të komunikojnë që kur janë brenda në vezë. Thirrjet variojnë nga tingujt e fortë therës (që sinjalizojnë kënaqësi) deri te thirrjet plot frikë. Edhe të rriturit kanë thirrje të ndryshme për të komunikuar me të vegjlit e me njëri-tjetrin. Në fakt, studiuesit kanë identifikuar të paktën 13 thirrje të ndryshme mes patave kanadeze.
Patat e tregojnë qartë se janë «instinktivisht të mençura». (Proverbat 30:24) Pa dyshim, e gjithë merita i shkon Perëndisë Jehova, Atij që bëri të gjitha gjërat—përfshirë edhe krijesat me krahë të qiejve.—Psalmi 104:24.
[Kutia dhe figurat në faqen 17]
A e dini?
● Menjëherë sapo dalin nga veza, patat e vogla e lënë përgjithmonë folenë dhe shkojnë bashkë me babin dhe mamin për të gjetur ushqim. Zakonisht familjet qëndrojnë bashkë.
● Thuhet se patat me kokë në formë drejtkëndëshe, Anser indicus, emigrojnë për në malin Everest, i cili është 8.900 metra i lartë.
● Disa lloje patash mund të fluturojnë për 1.600 kilometra pa pushuar fare.
● Kur fluturojnë me të njëjtën shpejtësi që fluturon pata e vetme në krye, patat që fluturojnë në formacion i përplasin krahët më rrallë, dhe prandaj kanë rrahje më të ngadalta të zemrës.
[Burimi]
Sipër majtas: U.S. Fish & Wildlife Service, Washington, D.C./Duane C. Anderson
[Burimi i figurës në faqen 16]
Patat duke fluturuar: © Tom Brakefield/CORBIS