Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Alhambra: Xhevahiri islamik i Granadës

Alhambra: Xhevahiri islamik i Granadës

Alhambra: Xhevahiri islamik i Granadës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

«Sa e sa legjenda dhe zakone, të vërteta dhe përralla; sa e sa këngë dhe balada arabe e spanjolle kushtuar dashurisë, luftës dhe kalorësisë, lidhen me këtë banesë orientale!»—UASHINGTON IRVING, SHKRIMTAR AMERIKAN I SHEKULLIT TË 19-TË.

VENDI i famshëm që frymëzoi këto fjalë është Alhambra, një pallat i veçantë që i jep hijeshi qytetit spanjoll të Granadës. Alhambra është një model i stilit të arkitekturës arabe ose perse në Evropën Jugore. Kalaja ose fortesa, ia detyron bukurinë e saj të pashoqe arabo-berberëve myslimanë, që për shekuj me radhë ushtruan ndikimin e tyre në Spanjë. *

Në shekullin e 11-të, emiri arab Zavi ben Ziri, themeloi mbretërinë e pavarur të Granadës. Ajo ekzistoi për rreth 500 vjet, e gjatë kësaj kohe lulëzoi nga ana artistike dhe kulturore. Rënia e saj ndodhi në vitin 1492, kur monarkët katolikë Ferdinandi dhe Izabela i dhanë fund sundimit mysliman në Spanjë.

Granada arabo-berbere e arriti kulmin e saj pasi Kordova u pushtua nga ushtritë kryqtare në vitin 1236. Granada u bë kryeqyteti i Spanjës myslimane dhe qeveritarët pasues ndërtuan një pallat—Alhambrën—diçka që evropianët s’e kishin parë kurrë. Një shkrimtar entuziast e përshkroi atë si «ndërtesën më të mrekullueshme në botë».

Vendi ku ndodhet Alhambra është po aq madhështor sa edhe vetë pallati. Pas saj ngrihen si një sfond madhështor majat e larta me dëborë të Sierra-Nevadës, mbi 3.400 metra të larta. Vetë Alhambra është e ndërtuar mbi një kodër me shtrirje për së gjati, plot pemë, që quhet Sabika, e cila ngrihet 150 metra mbi qytetin. Sipas poetit të shekullit të 14-të, Ibn Zamrakut, kodra e «sheh» Granadën ashtu si një bashkëshort kundron me admirim gruan e tij.

Qytet brenda qytetit

Emri Alhambra, që do të thotë «e kuqe» në arabisht, ka të ngjarë t’i referohet ngjyrës së tullave që arabo-berberët përdorën për të ndërtuar muret e jashtme rrethuese. Gjithsesi, disa preferojnë shpjegimin e historianëve arabë, të cilët thonë se ndërtimi i Alhambrës u bë nën «dritën e pishtarëve». Ata thonë se ky ndriçim natën, u jepte mureve një ngjyrë të kuqërreme, nga e cila pastaj mori edhe emrin ndërtesa.

Alhambra është shumë më tepër sesa një pallat. Ajo mund të përshkruhet si një qytet brenda qytetit të Granadës. Pas hendeqeve të saj të mëdha gjenden kopshte, streha, një kompleks pallatesh, Alkasaba (ose fortesa), e madje edhe një medina e vogël, që në arabisht do të thotë qytet. Projekti arabo-berber i Alhambrës dhe shtesat e tjera të mëvonshme, kanë sjellë si rezultat një paraqitje të veçantë të artit delikat dhe të ndërlikuar arab, krahas linjave më të forta dhe të ekuilibruara të stileve të Rilindjes evropiane.

Alhambra ia detyron bukurinë e saj stilit të përdorur nga arabo-berberët, si edhe nga grekët e lashtë. Së pari, duke kombinuar me mjeshtëri ngjyrën dhe përbërjen natyrore të gurëve, ata realizuan një ndërtesë që shquhej për harmoninë, përpjestimet dhe thjeshtësinë. Pastaj e zbukuruan ndërtesën e tyre elegante. Siç pohon dhe një specialist, «arabo-berberët gjithnjë kishin parasysh atë që arkitektët e konsiderojnë parimin kryesor të arkitekturës—ta zbukurosh një ndërtesë, kurrë të mos ndërtosh një zbukurim».

Eksplorojmë Alhambrën

Për të hyrë në Alhambra kalohet përmes një harku të madh në formë patkoi, që quhet Porta e Drejtësisë. Ky emër të kujton gjykatën e cila, gjatë periudhës së pushtimit mysliman, mblidhej aty për të dëgjuar ankesat e vogla. Administrimi i drejtësisë në portën e qytetit, ishte një zakon në të gjithë Lindjen e Mesme, dhe përmendet në Bibël. *

Zbukurimi i ndërlikuar, tipik për pallatet arabe si Alhambra, bëhej me stuko. Artizanët e gdhendnin këtë brumë në forma artistike si rrjetë, që pastaj përsëriteshin disa herë radhazi. Disa harqe të zbukuruara ngjajnë si stalaktite të vendosura në simetri të përsosur. Një tjetër aspekt i pallatit është zilizi—pllaka të smaltuara të prera, të cilat janë vendosur në forma të ndërlikuara gjeometrike. Këto pllaka me ngjyra të gjalla veshin pjesën e poshtme të mureve dhe bëjnë kontrast të përsosur me ngjyrën e zbehtë të stukos sipër.

Midis oborreve të Alhambrës, spikat Oborri i Luanëve, që është përshkruar si «shembulli më i çmuar i artit arab që ekziston në Spanjë». Një libër udhërrëfyes vendës shpjegon: «Në një vepër arti origjinale, ka diçka që i shpëton të gjitha imitimeve dhe riprodhimeve të mundshme. . . . Kjo është ndjesia që na krijohet kur jemi përballë këtij oborri në Granadë.» Harknajat e saj me përpjestime të përsosura dhe kolonat e holla rrethojnë një shatërvan, i cili qëndron mbi 12 luanë mermeri. Ky është një nga vendet më të fotografuara të Spanjës.

Kopshte që të kënaqin shpirtin

Gjithashtu, Alhambra ka kopshte të bukura, shatërvanë dhe pellgje zbukurimi. * Sipas Enrike Sordos, në librin e tij Spanja arabo-berbere (anglisht), «stili i kopshtit arab është një shijim i parajsës». Ndikimi i islamizmit shihet kudo. Shkrimtari spanjoll Garsia Gomez komentoi: «Në Kuran, parajsa myslimane përshkruhet me hollësi si një kopsht i harlisur . . . që ujitet nga përrenj të mrekullueshëm.» Në Alhambra përdoret shumë uji—një luks për njerëzit që jetonin në shkretëtirë. Projektuesit e kopshtit e kuptuan se uji do të freskonte ajrin dhe do të ishte i këndshëm për veshin, duke krijuar një melodi qetësuese me atë gurgullimën e vet. Pellgjet e zbukurimit në formë drejtkëndëshe që pasqyrojnë qiellin e kthjellët spanjoll, të krijojnë ndjesinë e hapësirës dhe të një vendi tërë dritë.

Jo shumë larg nga Alhambra, ndodhet Xheneralifi, një vilë arabo-berbere me një kopsht të veçuar që qëndron mbi kodrën Sero del Sol, përbri Sabikës. Xheneralifi, një shembull i shkëlqyer i stilit arab të modelimit të peizazhit, është quajtur «një nga kopshtet më të këndshme të botës». * Dikur, një urë e lidhte këtë vend me pallatin e Alhambrës dhe me sa duket shërbente si vilë ku pushonin sundimtarët e Granadës. Një oborr të çon te Shkallët e Ujit. Këtu vizitorët mund të kënaqen duke parë dhe shijuar dritat, ngjyrat dhe aromat e panumërta.

Psherëtima e Arabit

Kur mbreti i fundit i Granadës, Buabdili (Muhameti XI), ia dorëzoi qytetin mbretit Ferdinand dhe mbretëreshës Izabelë, ai dhe familja e tij shkuan në mërgim. Pasi lanë qytetin, mendohet se ndaluan në pikën e lartë që tani quhet El Suspiro del Moro (Psherëtima e Arabit). Ndërsa shihnin për herë të fundit pallatin e kuq madhështor, thuhet se nëna e Buabdilit i tha të birit: «Qaje siç qajnë gratë, sepse nuk munde ta mbrosh si burrat!»

Sot e kësaj dite, disa nga tre milionë vizitorët që vijnë çdo vit në Alhambra, shkojnë te ky vend i lartë. Që këtu, ashtu si Buabdili, ata mund të shohin qytetin e Granadës nën kodrën mbi të cilën është ndërtuar pallati arab—tamam si xhevahiri në një kurorë. Nëse një ditë do të vizitoni Granadën, edhe ju do ta kuptoni trishtimin që ndjeu mbreti i saj i fundit.

[Shënimet]

^ par. 4 Në vitin 711 të e.s., ushtritë arabe dhe berbere hynë në Spanjë dhe, brenda shtatë vjetësh, pjesa më e madhe e gadishullit u vu nën sundimin mysliman. S’kaluan as dy shekuj dhe Kordova u bë qyteti më i madh e ndoshta më i kulturuar në Evropë.

^ par. 13 Për shembull, Perëndia e udhëzoi Moisiun: «Brenda tërë portave të qyteteve . . . , duhet të vendosësh gjykatës dhe të parë, që do ta gjykojnë popullin me drejtësi.»—Ligji i përtërirë 16:18.

^ par. 17 Arabët futën stilin e kopshteve perse dhe bizantine në vendet mesdhetare, përfshirë këtu edhe Spanjën.

^ par. 18 Ky emër rrjedh nga fjala arabe «Xhenet-al-Arif», që disa herë përkthehet «kopshtet e larta», ndonëse termi ka më shumë të ngjarë të ketë domethënien «kopshti i arkitektit».

[Figura në faqen 15]

Alkasaba

[Figura në faqen 16]

Oborri i Luanëve

[Figura në faqet 16, 17]

Kopshtet e Xheneralifit

[Figura në faqen 17]

Shkallët e Ujit

[Burimi i figurës në faqen 14]

Piktura: EclectiCollections

[Burimi i figurave në faqen 15]

Të gjitha përveç fotografisë lart: Recinto Monumental de la Alhambra y Generalife

[Burimi i figurave në faqen 16]

Të gjitha fotografitë: Recinto Monumental de la Alhambra y Generalife

[Burimet e figurave në faqen 17]

Fotografitë lart: Recinto Monumental de la Alhambra y Generalife; fotografia poshtë: J. A. Fernández/San Marcos