Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Qeveria spanjolle cakton 0,5 për qind taksa, të ardhurat e të cilave u shkojnë ose organizatave bamirëse, ose atyre katolike në varësi të preferencës së çdo taksapaguesi. Edhe pse 80 për qind e spanjollëve pohojnë se janë katolikë, vetëm 20 për qind zgjedhin t’ia japin kishës këtë taksë.—EL PAÍS, SPANJË.

«Nëse një burrë 30-vjeçar pi duhan, i shkurtohen 5 vjet e gjysmë jetë, kurse një gruaje mbi 6 vjet e gjysmë», sipas tabelave të nxjerra nga Instituti i të Dhënave. Megjithatë, në qoftë se duhani lihet në moshën 30-vjeçare, kjo mund të zvogëlojë një përqindje të madhe të rrezikut të vdekjes nga sëmundjet që vijnë si pasojë e duhanit.—THE TIMES, ANGLI.

Gjatë vitit 2004, konsumimi i naftës në botë u rrit 3,4 për qind, domethënë 82,4 milionë fuçi në ditë. Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë përgjegjëset për gati gjysmën e kësaj rritjeje dhe tani përdorin respektivisht 20,5 milionë dhe 6,6 milionë fuçi në ditë.—VITAL SIGNS 2005, WORLDWATCH INSTITUTE.

«Vlerësojeni nënën tuaj»

Analistët e punës llogaritin se nëse një nënë shtëpiake kanadeze, me dy fëmijë në moshën shkollore, do të paguhej për të gjithë punën që bën, rroga e saj vjetore, duke përfshirë edhe pagesën për punën jashtë orarit, do të ishte 163.852 dollarë kanadezë. Sipas gazetës Vancouver Sun, shifra bazohet në të ardhurat mesatare të sotme, dhe në «punën 100-orëshe javore që përbëhet nga 6 ditë me 15 orë punë secila dhe nga një ditë me 10 orë punë». Një nënë shtëpiake kryen punët e përditshme, është mësuese, shofere, pastruese, kuzhiniere, infermiere dhe merret me mirëmbajtjen në përgjithësi. Gazeta këshillon: «Vlerësojeni nënën tuaj. Ajo s’e merr asnjëherë pagën që i takon.»

Të rinjtë ngatërrojnë vlerat morale

Buletini i Universitetit të Jyvaskylës, në Finlandë, pohon se të rinjtë finlandezë «po krijojnë normat e tyre morale». Sot është bërë e zakonshme, «që të rinjtë i zgjedhin normat e tyre morale ca këtu e ca atje nëpër burime të ndryshme, sikur të jenë duke bërë pazar», vazhdon i njëjti buletin. Disa herë rezultatet janë kontradiktore. Për shembull, të rinjtë mendojnë se është e rëndësishme barazia për sa u përket të ardhurave materiale dhe mirëqenies. Megjithatë, në të njëjtën kohë «kanë filluar të përkrahin idenë e konkurrencës së ashpër dhe të pacipë».

Transfuzioni dhe proteinat prions

Në një deklaratë për shtyp kohët e fundit, Agjencia Franceze e Shëndetit dhe e Sigurisë për Produktet Mjekësore, e bëri edhe më të sigurt rrezikun e transmetimit të proteinave prions, nëpërmjet transfuzionit të gjakut. Prions janë proteinat që mendohet të jenë përgjegjëse për zhvillimin e sëmundjes Krojcfeld-Jakob (vCJD) te njerëzit. Kjo sëmundje që degjeneron neuronet dhe është vdekjeprurëse, për të cilën nuk ka mjekim tani për tani, është një lloj i encefalopatisë spongjiforme që zhvillohet te njerëzit, e cila zakonisht njihet si sëmundja e lopës së çmendur. Paralajmërimi se rreziku është më i madh nga ç’mendohej më parë, u bë pasi u zbuluan në Britani dy raste me këtë sëmundje, që ka shumë mundësi të jetë transmetuar nga transfuzioni i gjakut. Nuk ekziston ndonjë analizë e besueshme për të diagnostikuar këtë sëmundje përpara se të shfaqen simptomat e para klinike.

Të dëshiruara për një trup më elegant

The Sydney Morning Herald raporton se sipas një studimi «vajzat pesëvjeçare ishin të pakënaqura me trupin e tyre dhe donin të ishin më të dobëta». Raporti citonte një studim të bërë me vajza australiane të moshës pesë deri tetëvjeçare. Gati gjysma e tyre donin të kishin trup më të dobët, kurse një numër i ngjashëm tha se «do të fillonin dietë nëse do të shtonin ndonjë çikë në peshë». Një studiuese tha se imazhi për një trup ideal «mund të çojë në vlerësim të paktë për veten, depresion dhe në çrregullime në të ngrënë».