Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përgjithmonë me forcë rinore!

Përgjithmonë me forcë rinore!

Përgjithmonë me forcë rinore!

NJERIU përbri Jezuit nuk do të jetonte edhe për shumë kohë. Ai iu lut Jezuit: «Më kujto kur të hysh në mbretërinë tënde.» Jezui iu përgjigj: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:42, 43) Qartë, ai njeri, emri i të cilit nuk dihet, nuk po vdiste nga ndonjë sëmundje në pleqëri; ai po ekzekutohej për krime. Megjithatë, të moshuarit mund të marrin shumë forcë kur mendojnë se çfarë ndodhi në situatën e tij të pashpresë.

Patjetër, e admirojmë besimin e jashtëzakonshëm të atij njeriu. Ndonëse Jezui po vdiste në një shtyllë torture pranë tij, ai njeri nuk kishte pikë dyshimi se Jezui, me siguri, do të ishte Mbret në Mbretërinë e Perëndisë. Veç kësaj, arsyetoi se një ditë Jezui do të mund ta kujtonte për mirë atë. Mendoni pak: ai njeri i dënuar, do të ngrihej nga vdekja në një parajsë të lavdishme me Jezuin Mbret!

Njerëzimi është në një gjendje të ngjashme me keqbërësin që po vdiste. Në ç’kuptim? Pavarësisht nga mosha, të gjithë po paguajmë dënimin për mëkatin dhe kemi nevojë për shpëtim. (Romakëve 5:12) Ashtu si ai kriminel, edhe ne mund t’i drejtohemi Krishtit Jezu për të pasur shpresë, madje edhe shpresën për t’u çliruar nga problemet e mundimshme të moshës së shkuar! S’kemi dyshim se Jezui u ka dhënë gjithë njerëzve shpresën që të jetojnë përgjithmonë të përsosur si nga ana fizike, ashtu edhe mendore, në një tokë parajsore.—Gjoni 3:16, 36.

Çdo gjë e re për të moshuarit e për të rinjtë

Në Mbretërinë e Krishtit, ata që do të jetojnë në tokë «do të kënaqen pa masë me paqen e pafund». (Psalmi 37:11) Askush nuk do të thotë: «Jam sëmurë.» (Isaia 33:24) Çdo paaftësi që mund të na ketë munduar do të zhduket, sepse «i çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje». (Isaia 35:6) Të moshuarit do të fitojnë sërish fuqinë që kishin kur ishin të rinj; mishi ‘do t’u bëhet më i freskët se në rini’.—Jobi 33:25.

Sidoqoftë, a është realiste të ushqejmë një shpresë të tillë? Mendoni se kush ia dha shpresën e Parajsës njeriut që po vdiste. Shumë herë turmat i sollën Jezuit njerëz të çalë, të gjymtuar, të verbër e të shurdhër. Ai me gatishmëri shëroi «çdo lloj lëngate e sëmundjeje». (Mateu 9:35, 36; 15:30, 31; Marku 1:40-42) Tregoi konkretisht se çfarë do të bëjë Mbretëria e tij. Madje Jezui ktheu në jetë njerëz që kishin vdekur. (Luka 7:11-17; Gjoni 11:38-44) Në këtë mënyrë, ai e bëri më bindës premtimin e tij se «të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin».—Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15.

Përfytyroni të zgjoheni në Parajsë me një trup të ri, me shikim të qartë, me veshët që ju gumëzhijnë nga cicërimat e zogjve dhe zërat e hareshëm, me duart e këmbët që nuk ju dhembin dhe me një mendje të përsosur. «Ditët e kobshme» të pleqërisë do të kenë shkuar përgjithnjë. (Eklisiastiu 12:1-7; Isaia 35:5, 6) Edhe vdekja «do të asgjësohet», ‘do të përpihet përgjithmonë’.—1 Korintasve 15:26, 54.

Po të shqyrtohen në dritën e profecive biblike, ngjarjet e sotme botërore tregojnë se po i afrohemi me shpejtësi kohës kur pleqëria, siç e njohim sot, nuk do të jetë më. (Mateu 24:7, 12, 14; Luka 21:11; 2 Timoteut 3:1-5) Po vjen dita kur të moshuarit që besojnë te Perëndia dhe i kanë shërbyer atij, do të kenë sërish forcën e të rinjve—por kësaj here përgjithmonë!

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Mbajeni në punë trurin!

Ashtu si fizkultura forcon muskujt, edhe puna mendore stërvit trurin. Për të vënë në punë trurin, kemi nevojë të bëjmë gjëra të reja. Më poshtë renditen disa mënyra për të krijuar dhe forcuar lidhjet e qelizave të trurit:

▪ Bëni gjëra të reja që ju zgjojnë interesin, si lojërat me fjalë, lojërat me ndërtime figurash, fjalëkryqet, merrni njohuri për arte të ndryshme dhe për skulpturën; mësoni një gjuhë të huaj.

▪ Mbani lidhje me njerëz të ndryshëm; hyni në shoqëri dhe bisedoni që të thyeni monotoninë e të mprehni mendjen.

▪ Forconi marrëdhënien me Perëndinë. «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.»—Filipianëve 4:6, 7.

▪ Lexoni materiale të dobishme; tregojani dikujt atë që keni lexuar.

▪ Kujtoni dhe tregojuni të tjerëve lajme që i keni dëgjuar në radio ose në televizor, për të forcuar kujtesën afatshkurtër dhe afatgjatë.

▪ Vini në punë dorën që nuk e përdorni shpesh (të majtën, nëse shkruani me të djathtën ose anasjelltas) për të shtypur telekomandën e televizorit, për të marrë në telefon ose për të larë dhëmbët.

▪ Përdorini të gjitha shqisat sa më shumë të keni mundësi gjatë ditës.

▪ Njihuni me vende interesante dhe vizitojini ato, qofshin afër ose larg.

[Figura në faqet 8, 9]

Sipas premtimit të Jezuit, së shpejti, pleqëria me dhembjet e saj do t’ia lërë vendin forcës së përjetshme rinore