Vizitë në Qendrën e Gjymtyrëve Artificiale
Vizitë në Qendrën e Gjymtyrëve Artificiale
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ZELANDËN E RE
KISHA dy arsye për të lënë takim në Qendrën e Gjymtyrëve Artificiale në Uellington, Zelanda e Re. Së pari, këmba ime artificiale kishte nevojë për ca rregullime. Së dyti, doja të vizitoja qendrën për t’u njohur më shumë me procesin e bërjes së gjymtyrëve artificiale.
Specialisti i protezës e pranoi me dashamirësi kërkesën time për të vizituar këtë qendër. Siç doli, kjo vizitë ishte një përvojë që ia vlente, pasi më rriti njohurinë dhe çmueshmërinë për përpjekjet mjeshtërore dhe të përkushtuara të atyre që merren me bërjen e protezave.
Fjala «protezë» i referohet «një pjese artificiale të trupit që vihet në vend të asaj që është dëmtuar a hequr».—Fjalori i shqipes së sotme.
Si bëhet një këmbë artificiale?
Pjesa më e madhe e pacientëve që vizitojnë qendrën, vijnë për të marrë një këmbë artificiale. Hapi i parë për bërjen e saj është vënia e një këllëfi te cungu i këmbës, që është shëruar. Pastaj bëhet një kallëp plastik, nga i cili nxirret një kopje identike e cungut të këmbës. Modeli përdoret për të bërë xhepin ku do të vendoset këmba e re. Kështu fillon udhëtimi për të përftuar një këmbë plotësisht funksionale, e cila do të zëvendësojë atë të humburën. Një teknikë e re dhe më efektive është përdorimi i programeve CAD/CAM për të matur cungun e këmbës. Pastaj një makineri gdhend një kopje identike të gjymtyrës së mbetur.
Pasi vëzhgova disa modele të përvojës teknike që përdorej në këtë qendër, më treguan disa nga elementët me të cilët ndërtoheshin protezat, të cilët ishin tashmë të gatshëm e të importuar. Diçka që më la shumë mbresa ishte një nyje gjuri hidraulike, të cilën e kishin vënë në një xhep termoplastik. Që pacienti të ndihej sa më rehat, asaj i jepej sërish formë duke e nxehur dhe duke e përpunuar. Në botë ka burime të ndryshme që vënë në dispozicion katalogë që ilustrojnë këto elemente.
Në fazën e fundit, bëhen disa rregullime shumë të imëta për t’i vendosur xhepin, gjurin, lëkurën dhe pjesët e shputës sa më drejt, me qëllim që të ngjajë sa më shumë me ecjen origjinale. Në fund fare, përgatitet një këllëf sintetik. Ky shërben për të mbuluar «kockat» e këmbës artificiale. Pastaj, bëhen rregullimet e fundit kozmetike që këmba artificiale të përafrojë sa
më shumë të jetë e mundur me pjesën tjetër të këmbës që ka mbetur.Pasi pacienti fiton njëfarë sigurie, planifikohet që ai të konsultohet me një kirurg ortoped, i cili vjen të bëjë vizita në Qendrën e Gjymtyrëve Artificiale. Kështu, bëhet një kontroll përfundimtar nga një specialist, për të siguruar se gjymtyra e re do të përdoret sa më mirë.
Fëmijët dhe atletët
Gjatë vizitës, më tërhoqi vëmendjen një vajzë e vogël. Na u afrua dhe s’e kishte fare problem kur na tregoi këmbën e cunguar dhe protezën. Më pas, e pashë tek sillej vërdallë duke kërcyer dhe dukej sikur nuk i bëhej vonë për asgjë.
Isha shumë kurioz se çfarë do të thoshte specialisti im për fëmijët që humbasin një gjymtyrë. Ai më tregoi një dorë të vogël dhe shpjegoi se ato u vihen bebeve, që kur janë gjashtëmuajshe. Përse? Që ato të stërviten për më vonë, kur duhet të përdorin një dorë ose një krah artificial. Ai tha se, pa këtë stërvitje, fëmija do të rritej duke përdorur vetëm njërin krah dhe do ta kishte të vështirë më vonë t’i përdorte të dy.
Mësova se jo shumë kohë më parë, një firmë evropiane kishte dërguar një kontejner me elementë të protezave të këmbëve për atletët në Sidnei, Australi, që të përdoreshin për lojërat paralimpike. Këto u dhanë falas dhe disa specialistë të protezave, ca edhe nga Zelanda e Re, ishin gati për t’i ndihmuar konkurruesit gjatë garave.
Disa pjesë të gjymtyrëve janë përgatitur enkas për atletët. Më treguan një model. Ishte një mekanizëm që lidh shputën e këmbës me nyellin, i ndërtuar nga një material i veçantë, që imiton lëvizjen e natyrshme të këmbës së njeriut.
Përmirësimet më të fundit
Çfarë do të sjellë e ardhmja për fushën e protezave? Specialisti im më tregoi për një këmbë artificiale që kontrollohet nga një kompjuter e që përdoret të paktën nga një pacient në Zelandën e Re. Me sa duket, këmba i përgjigjet presionit të receptorëve që ndodhen brenda pajisjes. Rezultati është imitimi i lëvizjes natyrale të të ecurit.
Në disa vende, një teknikë e quajtur osteointegrimi, po eksperimentohet nga kirurgë të zotë ortopedë. Një kunj i veçantë, që vendoset te cungu i gjymtyrës pas prerjes kirurgjikale, përbën një si tip çengeli ku kapet pajisja artificiale. Kjo eliminon nevojën për kallëpe dhe xhepa.
Gjithashtu, po bëhen kërkime për të vendosur receptorë tek fijet nervore, falë të cilëve pacienti do ta kontrollojë protezën me anë të mendimit, si ta kishte gjymtyrën e tij të vërtetë. Në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të tjera, janë bërë vetëm disa transplantime të duarve, por faktikisht kjo është një procedurë që ndez debate, pasi kërkon që pacientët të përdorin gjithë jetën ilaçe që luftojnë reagimin e trupit kundër këtij trupi të huaj.
Në fushën e bërjes së protezave të krahëve, tani përdoret një sistem i quajtur mioelektronikë. Elektrodat kapin impulset që shpesh janë të pranishme te muskujt e cungut të krahut. Pastaj këto impulse përforcohen me anë të baterive, për të kontrolluar elementet elektronike të
gjymtyrës artificiale. Teknologjia e fundit për protezat e gjymtyrëve të sipërme, përdor një kompjuter për ta përputhur sa më shumë me trupin e pacientit krahun artificial.I mrekulluar nga gjithë këto përparime në teknologjinë e prodhimit të gjymtyrëve artificiale, e pyeta specialistin tim se si do ta krahasonte ai funksionimin e tyre me atë të gjymtyrëve natyrale. Sigurisht, ai pranoi menjëherë se ato origjinalet janë ku e ku më superiore. Kjo më bëri të mendoj për fjalët e psalmistit, i cili, në një lutje drejtuar Krijuesit të tij, tha: «Do të të përlëvdoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë.»—Psalmi 139:14.
[Diagrami dhe figurat në faqen 23]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
[Figurat]
Duart mioelektronike përdorin sinjalet e muskujve, për të kontrolluar shpejtësinë dhe forcën për të kapur gjërat
[Burimi]
Duart: © Otto Bock HealthCare
[Figurat]
Brenda këtij gjuri të teknologjisë së lartë, çipat kompjuterikë dhe fushat magnetike e ndihmojnë pacientin ta adoptojë më së miri gjurin artificial me ecjen
[Burimi]
Gjuri: fotografitë me mirësjelljen e Ossur
[Figura]
Kjo prerje e tërthortë e shputës së këmbës, tregon kallëpin sintetik dhe strukturën e nyellit të këmbës
[Burimi]
© Otto Bock HealthCare
[Burimi]
© 1997 Visual Language
[Figura në faqen 21]
Duke rregulluar një këmbë artificiale
[Figura në faqen 22]
Duke i vendosur pacientit protezën
[Figura në faqen 23]
Një dorë-protezë e vogël, e cila përdoret për të stërvitur bebet e gjymtuara
[Figura në faqen 23]
Në vitin 2004, fituesi i lojërave paralimpike në 100-metërsh, e bëri garën për 10,97 sekonda me një këmbë artificiale të bërë me fije karboni
[Burimi]
Fotografia me mirësjelljen e Ossur/Photographer: David Biene
[Burimi i figurës në faqen 23]
© Otto Bock HealthCare