Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ishte Jezui vërtet Biri i Perëndisë?

A ishte Jezui vërtet Biri i Perëndisë?

Pikëpamja e Biblës

A ishte Jezui vërtet Biri i Perëndisë?

ME BINDJE të plotë, apostulli Pjetër i tha Jezuit: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.» (Mateu 16:16) Ky është vetëm një nga rastet e shumta që në Bibël Jezui quhet Biri i Perëndisë, një shprehje që ka ngjallur reagime nga më të ndryshmet te njerëzit fetarë.

Shumë veta që besojnë se Jezu Krishti është Perëndia, e kanë të vështirë ta shpjegojnë përse ai quhet Biri i Perëndisë. Sipas logjikës, ai nuk mund të jetë njëkohësisht edhe Perëndia, edhe Biri i Perëndisë. Të tjerë e mendojnë Jezuin si një personazh të rëndësishëm historik, një burrë të mençur a mbase një profet të vërtetë nga Perëndia, por asgjë më shumë. Çfarë mëson në të vërtetë Bibla për të? A ka rëndësi se çfarë besoni?

I parëlinduri i Perëndisë

Bibla tregon se dikur Perëndia ishte vetëm. Nga dashuria që kishte, vendosi t’ua jepte edhe të tjerëve dhuratën e jetës, duke u bërë atë, por jo sipas konceptit të njerëzve për atësinë. Jehovai e përdori fuqinë e tij të pakufishme krijuese për të sjellë në jetë një person frymor inteligjent, ‘fillimin e krijimit të Perëndisë’, të cilin tani e njohim me emrin Jezu Krisht. (Zbulesa 3:14; Proverbat 8:22) Meqë u krijua drejtpërdrejt nga vetë Perëndia, kur Ai ishte krejt i vetëm, Jezui me të drejtë u quajt ‘bir i vetëmlindur’ dhe «i parëlinduri i gjithë krijimit».—Gjoni 1:14; Kolosianëve 1:15.

Prandaj është e qartë se, si krijesa e parë fare e Perëndisë, Jezui nuk mund të jetë Krijuesi, ‘Perëndia i vetëm’. (1 Timoteut 1:17) Nga ana tjetër, Perëndia i dha Birit të tij shumë privilegje. Për shembull, nëpërmjet Jezuit, Perëndia krijoi «gjithçka tjetër», përfshirë edhe engjëjt. Për këta engjëj thuhet se janë «bijtë e Perëndisë», pasi edhe Jetëdhënësi i tyre është Jehovai.—Kolosianëve 1:16; Jobi 1:6; 38:7.

Pasi përgatiti tokën që të banonin njerëzit, me sa duket Perëndia foli me Birin e tij të parëlindur dhe i tha: «Le të bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë.» (Zanafilla 1:26; Proverbat 8:22-31) Kështu, Perëndia Jehova krijoi edhe Adamin, birin e parë njerëzor të Perëndisë, nëpërmjet krijesës frymore që më vonë do të njihej me emrin Jezu.—Luka 3:38.

Jezui bëhet një bir njerëzor i Perëndisë

Apostulli Gjon na tregon se në kohën e caktuar, Biri frymor i Perëndisë «u bë mish e banoi mes nesh». (Gjoni 1:14) Me qëllim që të realizonte këtë ndryshim në natyrën e Jezuit, me anë të një mrekullie, Perëndia e transferoi jetën e Jezuit nga qielli në barkun e një vajze të virgjër judeje, Marisë. Në këtë mënyrë, Jezui ende ishte Biri i Perëndisë, ndonëse si njeri. Për më tepër, meqë Jezuit ia dha jetën Perëndia dhe jo ndonjë njeri, ai lindi i përsosur, pa mëkat. «Ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë»,—i tha Marisë engjëlli Gabriel.—Luka 1:35; Hebrenjve 7:26.

Kur Jezui ishte në tokë si njeri, vetë Ati e pohoi se Jezui ishte Biri i Tij. Kur u pagëzua Jezui, Gjon Pagëzori dëshmoi se qiejt u hapën dhe një zë që vinte nga qielli tha: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.» (Mateu 3:16, 17) Nuk është çudi që Gjoni u tha dishepujve të tij: «Unë e pashë dhe dëshmova se ky është Biri i Perëndisë.»—Gjoni 1:34.

Gjatë shërbimit të tij në tokë, Jezui nuk e shpalli me bujë faktin që ishte Mesia, Biri i Perëndisë. (Marku 8:29, 30) Shpesh ai la që njerëzit ta nxirrnin vetë përfundimin, duke dëgjuar mësimet e tij, duke vërejtur mënyrën si jetonte ai dhe duke qenë dëshmitarë të shumë mrekullive, shumica e të cilave u kryen para të gjithëve. Për shembull, ai shëroi «të gjithë ata që kishin keq, që vuanin nga lëngata dhe mundime të ndryshme». (Mateu 4:24, 25; 7:28, 29; 12:15) Të verbërit, të shurdhrit, të çalët e të sëmurët, që të gjithë vajtën te Jezui, dhe ai i shëroi. Madje ngriti edhe të vdekurit! (Mateu 11:4-6) Në sy të dishepujve të tij, Jezui eci në mënyrë të mrekullueshme mbi ujë dhe qetësoi erërat dhe dallgët gjatë një stuhie të fortë. Kjo shfaqje e fuqisë i nxiti dishepujt të thoshin: «Ti je vërtet Biri i Perëndisë!»—Mateu 14:24-33.

Si mund t’ju ndihmojë Biri i Perëndisë?

Përse Perëndia e transferoi Birin e tij të vetëmlindur nga qielli në tokë, që në fund ai të përfundonte në një vdekje mizore? «Që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Po, vetëm nëse do të vdiste, Jezui mund ‘të jepte shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz’. (Mateu 20:28) Vërtet, gjatë gjithë historisë, askush nuk ka treguar dashuri më të madhe për njerëzit, sesa Jehovai dhe Biri i tij i parëlindur.—Romakëve 8:32.

Pas vdekjes, Jezui «u shpall Bir i Perëndisë» në një mënyrë shumë të veçantë e madhështore. Ai u kthye sërish në jetë si një Bir frymor i Perëndisë «me anë të ringjalljes nga të vdekurit». (Romakëve 1:4; 1 Pjetrit 3:18) Pastaj, pasi priti me durim pranë Atit për pothuajse 19 shekuj, Jezui u kurorëzua Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, një qeveri qiellore që së shpejti do të sundojë në mbarë tokën.—Psalmi 2:7, 8; Danieli 7:13, 14.

A dëshironi të keni miratimin e këtij Biri të fuqishëm të Perëndisë? Nëse është kështu, ju inkurajojmë të shqyrtoni mësimet e tij dhe t’i zbatoni në jetën tuaj. Vetë Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Po, ajo që besoni për Birin e Perëndisë është vërtet e rëndësishme!—Gjoni 3:18; 14:6; 1 Timoteut 6:19.

A DONI TË DINI?

▪ Në ç’kuptim Jezui është Biri i vetëmlindur i Perëndisë?​—Gjoni 1:3, 14; Zbulesa 3:14.

▪ Pse mund të besoni se Jezui është Biri i Perëndisë?​—Mateu 3:16, 17.

▪ Çfarë dobish mund të keni nëse besoni se Jezui është Biri i Perëndisë?​—Gjoni 3:16; Gjoni 14:6; 17:3.

[Figurat në faqet 12, 13]

Mësimet e mençura të Jezuit dhe mrekullitë e tij të fuqishme vërtetuan se ai nuk ishte njeri i zakonshëm