Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Dua t’i shërbej Perëndisë para se të vdes’

‘Dua t’i shërbej Perëndisë para se të vdes’

‘Dua t’i shërbej Perëndisë para se të vdes’

HISTORIA E MEMI FRISË

NË VITIN 1990, në Liberi plasi lufta civile. Ndërsa luftimet ashpërsoheshin, Memi, një vajzë 12-vjeçare nga fisi i krahnëve bashkë me familjen, mbetën të bllokuar në shtëpi në Monrovia, kryeqyteti i Liberisë. «Dëgjuam një shpërthim te dera ngjitur,—thotë Memi.—Një predhë goditi shtëpinë e fqinjit dhe ajo mori zjarr. Flakët përpinë e dogjën edhe shtëpinë tonë.» Përmes luftimeve të ashpra, Memi, e ëma dhe daja i saj ia dolën të iknin.

«Papritur, diçka më goditi»,—kujton Memi.

«Çfarë ke?»,—më pyeti mamaja.

«Seç më goditi. Më duket se një plumb»,—iu përgjigja.

Memi ra përdhe në gjendje agonie dhe u lut: «Të lutem më dëgjo, o Perëndi. E di se po vdes, por dua të të shërbej para se të vdes.» Pastaj humbi ndjenjat.

Fqinjët menduan se Memi kishte vdekur dhe donin ta varrosnin te një plazh aty afër. Por e ëma këmbënguli ta çonin në spital. Mjerisht, spitali nuk ishte pajisur siç duhet për të përballuar fluksin e madh të burrave, grave dhe fëmijëve të plagosur. Daja i Memit, edhe ai i plagosur, vdiq atë natë. Ndërsa Memi mbijetoi, por mbeti e paralizuar nga mesi e poshtë.

Hemorragjia e brendshme nuk i pushonte dhe kishte dhembje të tmerrshme. Më në fund, pas katër muajsh, mjekët përdorën rrezet X për të gjetur plumbin. Ishte midis zemrës dhe mushkërive. Operacioni do të ishte me shumë rrezik, prandaj mamaja e çoi Memin te një mjek popullor. «Më preu me një brisk,—kujton Memi,—dhe pastaj e vuri gojën te plaga dhe u mundua ta thithte plumbin. ‘Ja ku është!’,—më tha, dhe nxori plumbin nga goja. E paguam dhe dolëm.»

Por burri na kishte gënjyer. Rrezet X treguan se plumbi ishte ende aty. Prandaj Memi me të ëmën u kthyen prapë te mjeku popullor, i cili i bindi se duhej të kalonin nëntë muaj para se rrezet X të tregonin që plumbi ishte hequr. U kthyen në shtëpi dhe pritën me durim. Ndërkohë, Memi merrte ilaçe të ndryshme për të qetësuar dhembjet. Nëntë muaj më vonë bëri përsëri kontroll me rreze X. Plumbi ishte ende aty. Mjeku popullor ia mbathi.

Tashmë Memi po bënte 18 muaj me plumbin në trup. Një kushëri i saj e çoi te një magjistare. Në vend që t’i ndihmonte, ajo tha se Memi dhe e ëma do të vdisnin në filan ditë. Memi ishte 13 vjeçe. «Vetëm qava, qava,—thotë Memi.—Megjithatë, kur erdhi data e caktuar, nuk ndodhi asgjë.»

Një nga xhaxhallarët e çoi Memin tek udhëheqësi i një kishe, i cili tha se i ishte shfaqur një vegim që tregonte se paraliza e Memit ishte shkaktuar nga një magji, jo nga plumbi. Ai premtoi se Memi do të ngrihej sërish në këmbë brenda një jave, nëse do të kryente ritet që do t’i thoshte ai. Memi shpjegon: «Sipas ritit, bëra gjithë ato banja me ujë deti, agjërova dhe rrokullisesha çdo mesnatë, që po t’i mbledh, bëhen kushedi sa orë. Por të gjitha këto përpjekje shkuan kot, isha po njësoj.»

Megjithatë, me kalimin e kohës filluan të përdoreshin më tepër aparate mjekësore dhe Memi më në fund, pas gjithë atyre vuajtjeve, mund të hiqte plumbin. Kishte më shumë se dy vjet që provonte dhembje pa u lehtësuar fare. «Pas operacionit,—kujton ajo,—pothuajse nuk ndieja më dhembje dhe merrja frymë më lehtë. Edhe pse mbeta pjesërisht e paralizuar, mund të ecja me ndihmën e një mbështetëseje.»

Memi takon Dëshmitarët e Jehovait

Pak javë pas operacionit, e ëma e Memit takon dy Dëshmitarë të Jehovait. Ngaqë së bijës i pëlqente të lexonte Biblën, i ftoi në shtëpi. Memi pranoi menjëherë një studim biblik. Por pas disa muajsh u shtrua sërish në spital dhe i humbi lidhjet me Dëshmitarët.

Megjithatë, Memit nuk iu shua etja për njohurinë e Biblës. Prandaj pranoi kur një udhëheqës fetar i një kishe tjetër u ofrua ta ndihmonte. Një të diel kur po bënin mësim fetar, një nxënës pyeti mësuesin: «A është Jezui i barabartë me Perëndinë?»

«Po,—iu përgjigj mësuesi.—Janë të barabartë. Vetëm se Jezui nuk është i barabartë në një masë të barabartë me Perëndinë.»

«Jo i barabartë në një masë të barabartë?—mendoi Memi.—Po kjo nuk ka kuptim. Diçka nuk shkon këtu.» Memi nuk shkoi më tek ajo kishë, ngaqë mendonte se atje nuk po mësonte të vërtetën e Biblës.

Në vitin 1996, një valë dhune përfshiu përsëri Monrovian. Memi humbi dy të afërm të tjerë, dhe shtëpia iu dogj për herë të dytë. Disa muaj më pas, dy Dëshmitarë e takuan ndërsa po predikonin shtëpi më shtëpi. Memi rifilloi studimin biblik. Kur shkoi për herë të parë në mbledhje, u çudit kur pa se të gjithë—përfshirë dhe pleqtë e kongregacionit—morën pjesë në pastrimin e Sallës së Mbretërisë. Më vonë, po atë vit u kënaq jashtë mase kur ndoqi kongresin krahinor «Lajmëtarë të Paqes Hyjnore», grumbullimi më i madh i Dëshmitarëve të Jehovait që kishte ndjekur deri atëherë.

«Më bëri shumë përshtypje,—thotë ajo.—Dëshmitarët kishin dashuri të sinqertë për njëri-tjetrin, ndonëse vinin nga fise të ndryshme. Dhe gjithçka ishte mjaft e organizuar.»

I plotësohet dëshira për t’i shërbyer Perëndisë

Në 1998 luftimet e reja e detyruan Memin dhe të ëmën të iknin në vendin fqinj, në Bregun e Fildishtë, ku jetuan në kampin e refugjatëve «Qyteti i Paqes», bashkë me 6.000 liberianë të tjerë. Memi e vazhdoi studimin e Biblës me Dëshmitarët dhe bëri përparim të shpejtë. S’kaloi shumë dhe donte t’u fliste të tjerëve për besimin e saj. Prandaj, që të dilte në shërbim, vëllezërit dhe motrat e krishtere e ndihmonin duke i shtyrë karrocën me rrota. Në këtë mënyrë Memi u dha një dëshmi të shkëlqyer mjaft refugjatëve.

Edhe pse për shkak të kufizimeve fizike e kishte të vështirë të shkonte në Sallën e Mbretërisë, që ishte 6 kilometra larg shtëpisë së saj, Memi nuk linte asnjë mbledhje. Më 14 maj 2000, bëri mbi 190 kilometra për të ndjekur një asamble speciale njëditore dhe për ta simbolizuar kushtimin e saj ndaj Perëndisë me pagëzimin në ujë. (Mateu 28:19, 20) Përpara dhjetëra syve të përlotur, Memin e çuan te një përrua ku u zhyt. Kur doli nga uji, fytyra i rrezatonte.

Tani jeton në një kamp refugjatësh në Gana, dhe ka si synim të bëhet pioniere e rregullt, ose lajmëtare në kohë të plotë. Edhe e ëma studioi me Dëshmitarët e Jehovait dhe tani u flet të tjerëve për ato që ka mësuar. Të dyja mezi presin kohën që premtohet në Fjalën e Perëndisë, kur «i çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje».—Isaia 35:5-7.

[Figura në faqen 22]

Plumbi që u nxor nga trupi i Memit

[Figura në faqen 23]

Memi në momentin e pagëzimit

[Figura në faqen 23]

Duke studiuar Biblën me të ëmën, Emën