Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Linja e urgjencave në Londër

Linja e urgjencave në Londër

Linja e urgjencave në Londër

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

«SYNIMI ynë është që për tetë minuta të mbërrijmë te pacientët e sëmurë ose të dëmtuar rëndë, kudo që të jenë brenda 1.600 kilometrave katrorë të Londrës,—tha administratori i Shërbimit Ambulator të Londrës, Rob Ashford.—Në më shumë se 75 për qind të rasteve ia arrijmë, pavarësisht nga rritja e përvitshme e numrit të urgjencave.»

Më ftuan të vizitoja Qendrën e Kontrollit të Shërbimit Ambulator të Londrës, pranë stacionit të Vaterlosë, në bregun jugor të lumit Tamiz. Kjo qendër, më e madhja e këtij lloji në Evropë, merr çdo ditë gati 3.000 telefonata për raste urgjente. Këto telefonata vijnë nga një popullsi me afro shtatë milionë veta, që flasin më shumë se 300 gjuhë. Si janë organizuar 300 punonjësit e kësaj qendre për të përballuar ngarkesën?

Telefonatat ndahen në kategori

Vëzhgova një operatore teksa u përgjigjej «telefonatave urgjente të 999-ës» siç quhen në Britani, ku 999 është numri i telefonit të urgjencës. Shpejt operatorja përcaktonte vendndodhjen e rastit konkret dhe kryqëzimin më të afërt. Menjëherë në ekranin e kompjuterit dilte një hartë e rrugëve. Për të përcaktuar se sa urgjente ishte gjendja, ajo bënte një sërë pyetjesh: Sa veta kanë nevojë për ndihmë? Sa vjeç janë e ç’gjini kanë? A kanë humbur ndjenjat? A kanë ndalim të frymëmarrjes? A kanë dhembje në kraharor? A kanë hemorragji?

Pasi operatorja regjistron këtë informacion, kompjuteri bën automatikisht një kategorizim të gjendjes: e kuqe—rrezik vdekjeje; portokalli—gjendja është serioze, por jeta nuk është në rrezik; ose e gjelbër—jeta nuk është në rrezik dhe nuk është rast i rëndë. Pastaj, operatorja ia kalon këtë kategorizim një kolegu, i cili merr masa që viktimës t’i jepet ndihmë.

Ndihmë në vendngjarje

Ky shërbim ka 395 ambulanca dhe 60 makina gati për çdo rast urgjent. Kur njoftohet ndonjë urgjencë, në vendngjarje dërgohet mjeti i përshtatshëm më i afërt. Gjithashtu në gatishmëri janë edhe motoçikletat me ndihmësmjekë, pasi ata çajnë më lehtë në trafikun e zonave të mbipopulluara. Veç kësaj, 12 mjekë rrinë në gatishmëri 24 orë në ditë për të ndihmuar ndihmësmjekët.

Kur isha në këtë qendër, policia vendëse njoftoi një aksident të rëndë që kishte ndodhur në një autostradë me trafik të dendur. Ambulanca tashmë kishte mbërritur në vendngjarje e prapëseprapë polici i telefonoi qendrës së shërbimit ambulator. Përse? Për të vënë personelin e saj në gjendje gatishmërie nëse do të lindte nevoja që ata të vinin në ndihmë me helikopter. Helikopteri i tyre që dallohet nga ngjyra e kuqe, kryen pothuajse 1.000 misione në vit. Aty hipin një mjek dhe një ndihmësmjek, që zakonisht i çojnë të dëmtuarit në gjendje të rëndë në Spitalin Mbretëror të Londrës, ku marrin ndihmën e nevojshme.

Në vitin 2004 u provua edhe një metodë tjetër—një biçikletë-ambulancë eksperimentale që do të përdorej në zonën e aeroportit «Hithrou» të Londrës. Ky shërbim tashmë funksiononte në zonën «Uest End» të qytetit. Këtë përgjegjësi e mban një ekip me ndihmësmjekë dhe infermierë të ndihmës së shpejtë, e kështu ambulancat janë të lira për të kryer detyra të tjera. Çdo biçikletë ka një dritë blu, një sirenë dhe kosha që mbajnë 35 kilogramë pajisje, përfshirë një defibrilator, oksigjen e qetësues.

Brenda disa ditësh nga shpikja e saj, biçikleta tregoi se sa vlente. Një 35-vjeçare u sëmur në Terminalin 4 të aeroportit «Hithrou» dhe nuk po merrte më frymë. Dy ndihmësmjekë erdhën brenda disa sekondash pas telefonatës në linjën 999. Gruas i dhanë oksigjen dhe menjëherë filluan t’i jepnin ndihmën e parë për ta rikthyer në jetë. Një ambulancë e çoi me shpejtësi në spitalin më të afërt. Pasi mori veten, ajo i falënderoi personalisht ndihmësmjekët që i shpëtuan jetën.

Një shërbim i zgjeruar

Kur telefonuesit e linjës 999 nuk flasin anglisht, telefonata e tyre i kalon një përkthyesi. Sigurisht mund të jetë e vështirë të përcaktosh se çfarë gjuhe flet telefonuesi, sidomos kur personi flet shpejt nga ankthi ose stresi.

Për ta informuar më tepër publikun rreth dhënies së ndihmës së shpejtë në raste urgjente, është në dispozicion një film i shkurtër me titra në anglisht që jepet në DVD. Sipas botimit LAS News të Shërbimit Ambulator të Londrës, synimi është të nxiten londinezët që vijnë nga komunitetet e Azisë së Jugut, «të mësojnë si të realizojnë rigjallërimin kardiopulmonar». DVD-ja tregon edhe se çfarë ndodh kur linja 999 e shërbimit ambulator merr një telefonatë.

Qytetarët e kryeqytetit kozmopolitan të Anglisë janë mirënjohës që personeli mjekësor u përgjigjet menjëherë rasteve të tyre urgjente, qoftë kur preken një a më shumë njerëz, qoftë kur ndodhin nëntokë në metro a në majat e grataçelave. Sa për burrat e gratë e Shërbimit Ambulator të Londrës, një mjek vullnetar tha: «Janë disa prej mjekëve më të mirë profesionistë me të cilët kam punuar.» Ky është një lavdërim i shkëlqyer për personelin e shërbimit ambulator falas më të madh në botë.

[Kutia në faqen 11]

Probleme dhe strese

Telefonatat e papërshtatshme për informacione personale, telefonatat për sëmundje ose dëmtime të lehta dhe formimi gabimisht ose për t’u tallur i numrit 999, i sjell probleme shërbimit të urgjencave. Por ka edhe më keq, disa pacientë dhe njerëz të tjerë, përfshirë familjarët, e kanë sharë e madje e kanë sulmuar personelin mjekësor që vjen për të dhënë ndihmë. Zemërimi i këtyre njerëzve mund të vijë nga stresi, abuzimi me drogën ose padurimi, ngaqë mendojnë se ndihma e shpejtë erdhi tepër vonë. Këto probleme nuk zgjidhen kollaj, megjithatë ndërgjegjësimi i publikut ka ndihmuar disi.

[Figurat në faqen 10]

Qendra merr gati 3.000 telefonata për raste urgjente në ditë

[Burimi i figurës në faqen 10]

Të gjitha fotografitë: me mirësjellje nga London Ambulance Service NHS Trust