Në kërkim të muflonit
Në kërkim të muflonit
Të pajisur me harta, aparate fotografike, kapela dhe çizme të forta, hipim në fuoristradë dhe nisemi që pa gdhirë. Është pranverë dhe mëngjesi sot është fantastik. Vendmbërritja është pylli i Pafos, në majë të vargmalit Trodos në ishullin e Qipros, ku shpresojmë të shohim muflonët, që është vështirë t’i gjesh. Çfarë janë këto kafshë?
MUFLONËT janë një lloj i deleve të egra, «kushërinjtë» e të cilëve gjenden kudo në rajonin mesdhetar. Por kafsha e veçantë që ka zgjuar kureshtjen tonë, është banore vendëse e Qipros, dhe thuhet se tek ajo ndërthuret bukuria e drerit me zhdërvjelltësinë e dhisë. Zoologët e quajnë Ovis gmelini ophion, kurse qipriotët agrinó. Atë mund ta gjesh vetëm në zonat e thella malore.
Dalim nga rruga qendrore, ecim rrëzë kodrave dhe pastaj përmes një lugine të bukur. Fshatrat ngrihen nëpër shpatet e kodrave dhe pemishtet mbushin lëndinën. Por shpejt rruga bëhet më e keqe dhe në disa vende makina ecën buzë anëve të thepisura. Më në fund mbërrijmë. Ja tek janë ndërtesat e rojtarëve të pyllit. Tani jemi thellë në pyllin e Pafos, që ka 60.000 hektarë me pisha e cedra. Porositim nga një kafe dhe bisedojmë pak me Andreasin, një pylltar i veshur me uniformë jeshile, që flet plot entuziazëm për muflonët.
Mufloni, thotë ai, është gjitari i egër më i madh i Qipros. Në të kaluarën, një mori muflonësh endej nëpër ishull. Kjo dele e egër gjendet në shumë mozaikë greko-romakë, dhe shkrimet e mesjetës përshkruajnë aristokracinë që kënaqej duke e gjuajtur këtë kafshë në pyllin e Pafosit.
Ndërsa na drejton te një vend i rrethuar, Andreasi na tregon akoma për historinë e muflonëve. Për shembull, mësojmë se pati një rënie drastike në numrin e kësaj kafshe kur gjuetarët filluan të përdornin armët e gjahut. Vetëm në vitin 1938, u rishikuan ligjet e Qipros për gjuetinë, me qëllim që të mbrohej kjo krijesë. Pylltarët dhe policia bashkëpunuan për të kontrolluar gjuetinë e paligjshme. Një vit më pas, u ndalua gjuetia në këtë pyll. Këto ndryshime, bashkë me disa masa shtesë që janë marrë që nga 1960-a, kanë sjellë si pasojë rritjen e popullatës së muflonëve.
Takimi ynë i parë
E ndjekim Andreasin brenda vendit të rrethuar me gardh dhe zhbirojmë përmes gëmushave e pemëve. Duke na bërë shenjë që të mos bënim zhurmë, Andreasi na drejton pak më tutje lart një shpati. Atje shohim tre mulfonë femra të rritura dhe dy të sapolindur që po kullotin
në lëndinën që e rreh dielli. Të rriturit janë 90 centimetra të gjatë dhe leshi i tyre është ngjyrë kafe e çelët, që vjen duke u zbehur në pjesën e barkut.Bimët e egra që po hanë, janë me bollëk në këtë periudhë të vitit, dhe të rriturit janë kaq të zënë me gëmushat dhe pemët e vogla, saqë nuk kanë kohë të na kushtojnë vëmendje. Kurse të vegjlit e sapolindur, ndalojnë së kërcyeri dhe bëjnë disa hapa të pasigurt drejt nesh. Çfarë kënaqësie! Por zhurma e aparatit fotografik i tremb dhe sa hap e mbyll sytë, i gjithë grupi zhduket midis pemëve.
Të entuziazmuar nga kjo që pamë, planifikojmë ta eksplorojmë pyllin me këmbë, me shpresën që t’i shohim muflonët. Andreasi na sugjeron që ta provojmë kur të ngryset, atëherë kur kafshët ndonjëherë enden në kufi të pyllit për të kërkuar ushqim. Meqë kemi vendosur ta kalojmë natën në tenda aty në luginë, mali që ngrihet pranë saj mund të jetë vend ideal për të kërkuar. Mësojmë se muflonët rrinë në shpatet më të larta gjatë muajve më të ngrohtë, kurse në dimër, kur majat janë mbuluar nga bora, zbresin për të kërkuar ushqim, madje enden edhe jashtë pyllit.
Çiftimi ndodh në vjeshtë. Në dimër muflonët lëvizin në tufa, që përbëhen nga 10 ose 20 anëtarë. Kur lindin të vegjlit në prill ose në maj, tufat ndahen në grupe më të vogla, tamam si ai që pamë në vendin e rrethuar. Meshkujt e rritur zakonisht kullotin vetëm.
Një dash në pyll
Të nesërmen, herët në mëngjes, i ngjitemi prapë kodrës, parkojmë në luginë, dhe drejtohemi për në pyll para se dielli të ngjitet shumë lart në horizont. Pylli është akoma i qetë dhe mjegulla depërton nëpër pemë. Ndërsa ndalojmë të shijojmë këtë qetësi, ja tek e shohim—një muflon mashkull i mrekullueshëm, i bëshëm dhe gëzofi i trashë dimëror e mbulon pothuajse të tërin. Qime të errëta i mbulojnë pjesën e poshtme të gushës. Me një kthim të kokës gjithë krenari, na i ngul sytë përmes qerpikëve të errët dhe merr erë për të diktuar aromën tonë. Secili nga brirët e trashë dhe të kthyer mund të jetë të paktën 40 centimetra i gjatë. Ai është më i rëndë se femra që pamë dje dhe mund të peshojë gati 35 kilogramë.
Ngrimë në vend, gati nuk guxojmë të marrim frymë. Gjithsesi, kjo krijesë e frikshme, duket se e nuhati praninë tonë, pasi e tundi kokën lart e poshtë dhe ia mbathi me të katra. Ajo që mësuam dhe pamë këto dy ditë, na ka lënë shumë mbresa. Gjithashtu, e vlerësojmë më tepër Krijuesin, i cili thotë: «Mua më përket çdo kafshë pylli, kafshët e një mijë maleve.»—Psalmi 50:10.
[Figurat në faqet 24, 25]
Një muflon i Qipros (mbrapa) dhe një i Evropës
[Burimet e figurave në faqen 25]
Sipër në të djathtë: Oxford Scientific/photolibrary/Niall Benvie; Mufloni i Evropës: Oxford Scientific/photolibrary