Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Kanceri i lëkurës: Si të mbroheni? (8 qershor 2005) Informacioni në këtë seri është i shkëlqyer. Jam shef reparti në një klinikë dermatologjike. Do të doja të kisha disa kopje për t’i shpërndarë.

K. V., Danimarkë

Falë këtij artikulli, vendosa t’i bëja një kontroll nishanit që kisha në shpinë. Mjeku më tha se mund të ishte kthyer në një formë kanceri që quhet karcinoma spinoqelizore. Më operuan menjëherë. Kjo seri më ndihmoi të veproja pa humbur kohë.

Sh. M., Japoni

Kutia në faqen 7, më shtyu të shkoja te mjeku për të më kontrolluar një nishan. Nga analizat doli se ishte melanomë malinje në fazën e fillimit. Siç thoshte artikulli, nëse melanoma nuk do të ishte kapur që në fillim dhe nuk do të isha kuruar, mund të kishte qenë vdekjeprurëse. I jam shumë mirënjohëse mjekut dhe serisë së këtij Zgjohuni! që më shpëtuan nga një rrezik i mundshëm.

L. S., Shtetet e Bashkuara

Për t’i diskutuar në familje (8 maj 2005) E kam pasur zakon të lexoja vetëm artikujt që më tërhiqnin, por pasi pashë artikullin «Për t’i diskutuar në familje», e lexova të gjithë revistën që të mund t’u përgjigjesha pyetjeve. Shpejt e bëra zakon ta lexoja tërë revistën.

J. Zh., Rusi

Më pëlqeu shumë kjo faqe. Përveçse u kënaqa, kuptova se duhet t’i kushtoj më tepër vëmendje asaj që lexoj.

D. S., Britani

Të rinjtë pyesin . . . Pse më tërheqin njerëzit e gabuar? (22 korrik 2005) Edhe pse u bënë dhjetë vjet që kam pasur «gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë», akoma nuk di si ta ndreq këtë të metë të karakterit tim. (1 Korintasve 15:58) E kuptoja se nuk isha shumë e pjekur nga ana emocionale, por nuk dija si ta zgjidhja problemin. E falënderoj Jehovain për këta lloj artikujsh, që na ndihmojnë t’ia dalim mbanë në këtë sistem.

Xh. F., Shtetet e Bashkuara

Në këtë artikull thuhet se ‘nuk duhet t’i shmangim krejtësisht ata që nuk njohin të vërtetat biblike’. Mund të më shpjegoni më shumë për këtë? Po sikur një i krishterë të ketë shoqëri të ngushtë me një që nuk ka të njëjtat bindje fetare me të? A nuk është për t’u shqetësuar kjo?

D. P., Shtetet e Bashkuara

«Zgjohuni!» përgjigjet: Artikulli nuk po inkurajonte të krishterët të kishin shoqëri të ngushta me ata që nuk kanë të njëjtat bindje me ta. Në të vërtetë, në çfarëdolloj rrethane zbatohet parimi i Biblës: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1 Korintasve 15:33) Por kjo nuk do të thotë se duhet t’i shmangim krejtësisht ata që nuk kanë të njëjtat bindje si ne. Siç thuhej edhe në artikull, Bibla na nxit të «bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve»—jo vetëm ndaj atyre që kanë të njëjtin besim si ne. (Galatasve 6:10) Përkundrazi, vetë thelbi i shërbimit tonë të krishterë kërkon që të tregojmë interes të sinqertë për njerëzit, t’i trajtojmë me dinjitet dhe respekt. Jezui la një shembull të shkëlqyer lidhur me këtë. Sigurisht që ai nuk krijoi lidhje të ngushta me ata që nuk donin të bënin vullnetin e Perëndisë. (Gjoni 15:14) Në të njëjtën kohë, i afrohej njerëzve dhe dinte si t’u drejtohej e si të bisedonte me ta. Si rezultat, Jezui pati rastin të jepte një dëshmi të efektshme. (Shih për shembull tregimin te Luka 7:36-50.) Njësoj si Jezui, edhe ne mund të kemi një qëndrim plot respekt kundrejt atyre që nuk kanë të njëjtat bindje si ne. Synimi ynë është që të ‘jemi të arsyeshëm e të tregojmë tërë butësinë me të gjithë njerëzit’.—Titi 3:2.