Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një farë që shëtiti botën

Një farë që shëtiti botën

Një farë që shëtiti botën

Historia e një burri që iu përkushtua një fidani kafeje, është përshkruar si «kapitulli më romantik në historinë e përhapjes së pemës së kafesë», sipas librit «Gjithçka për kafenë» (anglisht). Ajo pemë e vogël luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e industrisë së kafesë, industri që sot nxjerr 55 miliardë euro në vit. Sipas revistës «Scientific American», industrisë së kafesë ia kalon vetëm ajo e naftës për sa i përket qarkullimit të parave në shkallë botërore.

HISTORIA mahnitëse e kafesë fillon në malësitë e Etiopisë, vendlindja e pemës së kafesë. «Pasardhësja» e saj, që quhet Coffea arabica, jep dy të tretën e prodhimit botëror. Megjithatë, ende nuk dihet saktësisht se kur u zbuluan vetitë e kokrrave të pjekura të kafesë. Sidoqoftë, kafeja arabike kultivohej në Gadishullin Arabik që nga shekulli i 15-të i e.s. Ndonëse eksportimi i farave të kafesë ishte i ndaluar, në 1616-n holandezët shtinë në dorë edhe pemë, edhe fara me fuqi mbirëse. Shpejt ngritën plantacione në Cejlon, tani Sri-Lankë, dhe në Javë, tani pjesë e Indonezisë.

Më 1706, holandezët transportuan një fidan nga plantacionet e tyre të Javës, në kopshtet botanike në Amsterdam, Holandë. Pema lulëzoi. Pemët që dolën nga farat e saj, i çuan me anije në kolonitë holandeze në Surinam dhe në Karaibe. Në vitin 1714, kryetari i bashkisë së Amsterdamit i dhuroi një nga këto pemë Luigjit XIV, mbretit të Francës. Mbreti e mbolli në një serë në Jardin des Plantes, Kopshti Mbretëror në Paris.

Francezët mezi pritnin të hynin në tregun e kafesë. Ata blenë fara e pemë dhe i çuan me anije në ishullin e Reunionit. Farat nuk mbinë. Sipas disa burimeve, të gjitha pemët u thanë, përveç njërës. Megjithatë, 15.000 fara nga pema që mbeti, u mbollën në vitin 1720, dhe më në fund u bë një plantacion. Ato pemë ishin kaq të çmuara, saqë po të kapej dikush duke dëmtuar sikur edhe një prej tyre, dënohej me vdekje. Francezët shpresonin të ngrinin plantacione edhe në ishujt Karaibe, por dy përpjekjet e para dështuan.

Gabriel Matio de Klijoja, oficer francez në marinë i cili ishte me leje në Paris, i vuri vetes si synim që, kur të kthehej nga Franca, të merrte një pemë për plantacionin e tij në Martinikë. Lundroi drejt ishullit në maj 1723 me një «pasardhëse» të pemës së kafesë të Parisit.

Libri Gjithçka mbi kafenë shpjegon se gjatë udhëtimit, de Klijoja e vuri bimën e tij të çmuar në një kuti pjesërisht prej xhami, që të thithte rrezet e diellit dhe të rrinte ngrohtë në ditët e vranëta. Një pasagjer, i cili mund ta ketë pasur zili de Klijonë dhe s’donte që ai të shijonte lavdinë e suksesit, u përpoq t’ia rrëmbente, por s’ia doli dot. Bima mbijetoi. Ajo mbijetoi edhe kur u ndeshën me piratët tunizianë, kur u përballën me një stuhi të fortë dhe mbi të gjitha, kur mungoi uji, ngaqë anija ngeci në zonën e bunacës ekuatoriale. «Kishim kaq pak ujë,—shkroi de Klijoja—saqë, për më tepër se një muaj, isha i detyruar ta ndaja racionin tim të ujit me bimën, tek e cila kisha varur shumë shpresa dhe ishte burimi i kënaqësisë sime.»

Përkushtimi i de Klijosë u shpërblye. Bima e kafesë mbërriti në Martinikë shëndoshë e mirë dhe lulëzoi e u shumua në mjedisin tropikal. «Nga kjo bimë e vetme, Martinika furnizoi me fara drejtpërdrejt ose tërthorazi, të gjitha vendet e Amerikës Veriore dhe Jugore përveç Brazilit, Guajanës Franceze dhe Surinamit»,—shkruan Gordën Rigli në librin e tij Kafeja (anglisht).

Ndërkohë, edhe Brazili e Guajana Franceze donin pemë kafeje. Në Surinam, holandezët ende kishin pasardhëse të pemës së Amsterdamit, por i ruanin mirë. Megjithatë, në vitin 1722, Guajana Franceze mori fara nga një kriminel, i cili ishte arratisur për në Surinam dhe kishte vjedhur disa prej tyre. Në shkëmbim të farave, autoritetet në Guajanën Franceze ranë dakord ta lironin dhe e riatdhesuan.

Në fillim shkuan dëm përpjekjet e fshehta për të çuar në Brazil fara me fuqi mbirëse ose fidanë. Megjithatë, kur Surinami dhe Guajana Franceze patën probleme me kufijtë dhe i kërkuan Brazilit të siguronte një gjykatës asnjanës, brazilianët dërguan në Guajanën Franceze, Fransisku Melu de Palietën, oficer i ushtrisë. E udhëzuan të zgjidhte debatin dhe të sillte me vete në atdhe disa bimë kafeje.

Çështja u mbyll me sukses dhe guvernatori shtroi një banket me rastin e largimit të Palietës. Si gjest vlerësimi për të ftuarin e nderit, gruaja e guvernatorit i dhuroi Palietës një buqetë të bukur. Mes luleve ishin fshehur fara dhe filiza kafeje. Prandaj mund të thuhet se industria braziliane e kafesë, që sot fiton miliarda dollarë, «lindi» më 1727 në një buqetë lulesh.

Kështu pra, fidani që u çua nga Java në Amsterdam në 1706-n si edhe «pasardhësit» e tij të rritur në Paris, siguruan gjithë farat që u mbollën në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Rigli shpjegon: «Si pasojë, e gjithë baza gjenetike e pemës së kafesë arabike është shumë e kufizuar.»

Sot, mbi 25 milionë ferma familjare në rreth 80 vende rritin afro 15 miliardë pemë kafeje. Prej tyre mbushen dhe konsumohen çdo ditë 2,25 miliardë filxhanë kafeje.

Si për ironi, në ditët tona është problem prodhimi me tepricë i kafesë. Kjo situatë ndërlikohet nga politika, ekonomia, taksat doganore dhe kartelet e fuqishme, që në shumë vende i kanë lënë kultivuesit e kafesë të varfër, madje pa asnjë kacidhe. Kjo situatë të habit vërtet, sidomos kur mendon de Klijonë që rreth 300 vjet më parë, e ndante racionin e tij të çmuar të ujit me atë bimë të vogël.

[Kutia dhe figura në faqen 20]

DY LLOJET MË TË ZAKONSHME TË KAFESË

«Kokrrat e papërpunuara të kafesë janë fara të bimëve që i përkasin familjes Rubiaceae, e cila përfshin të paktën 66 lloje të gjinisë Coffea,—thotë revista Scientific American.—Dy llojet e kafesë që tregtohen, janë Coffea Arabica, që përbën dy të tretën e prodhimit botëror, dhe C[offea] canephora, që shpesh quhet edhe robusta, e cila jep një të tretën e prodhimit global.»

Kafeja robusta ka një aromë të fortë dhe më tepër tretet për të bërë kafetë e çastit. Pema e saj prodhon shumë dhe është rezistente ndaj sëmundjeve. Rritet gati 12 metra, dyfishi i lartësisë së pemës së kafesë arabike të pakrasitur, e cila është më delikate dhe jep më pak prodhim. Në një sasi të caktuar kafeje, robusta ka deri në 2,8 për qind kafeinë, kurse arabikja nuk e kalon kurrë 1,5 përqindëshin. Edhe pse arabikja ka 44 kromozome, dhe robusta e të gjitha kafetë të cilat rriten në natyrë kanë 22, disa janë kryqëzuar për të formuar hibride.

[Kutia dhe figura në faqen 20]

«PAGËZIMI» I KAFESË

Kur kafeja mbërriti për herë të parë në Evropë në shekullin 17, disa priftërinj katolikë e damkosën si një përzierje të Satanait. Ata kishin frikë se ajo mund të zëvendësonte verën, që sipas tyre u shenjtërua nga Krishti. Libri Kafeja (anglisht), thotë se papa Klementi VIII, e provoi dhe menjëherë ndryshoi mendim. Ai e zgjidhi dilemën fetare duke e «pagëzuar» kafenë, dhe kështu e bëri të pranueshme për katolikët.

[Tabela dhe harta në faqet 18, 19]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

SI U PËRHAP PEMA E KAFESË?

1. Vitet 1400 Kafeja arabike kultivohet në Gadishullin Arabik

2. 1616 Holandezët shtien në dorë pemë kafeje ose fara me fuqi mbirëse

3. 1699 Holandezët çojnë pemë në Javë dhe në ishujt e tjerë të Indive Lindore

4. Vitet 1700 Kafeja kultivohet në Amerikën Qendrore dhe në Karaibe

5. 1718 Francezët çojnë pemë kafeje në Reunion

6. 1723 G. M. de Klijoja çon një bimë kafeje nga Franca në Martinikë

7. Vitet 1800 Kafeja kultivohet në Havai

[Burimi]

Burimi: nga libri «Uncommon Grounds»

[Figura në faqet 18, 19]

Rrugës për në Martinikë, Gabriel de Klijoja e ndan racionin e tij të ujit me bimën e kafesë, 1723

[Burimet e figurave në faqen 19]

Harta: © 1996 Visual Language; De Klijoja: Tea & Coffee Trade Journal