Një parajsë ishullore prej rëre
Një parajsë ishullore prej rëre
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI
NË VITIN 1770, eksploruesi anglez, kapiteni Xhejms Kuk, lundroi deri në bregun lindor të Australisë. Pak më shumë se njëqind e pesëdhjetë kilometra në veri të qytetit të sotëm të Brisbejnit, ai kaloi pranë një ishulli të madh ranor bregdetar që, me kalimin e kohës, do të tërhiqte 300.000 vizitorë në vit. Megjithatë, Kuku nuk i dha rëndësi. Ç’është e vërteta, ai dhe të tjerët menduan se ishte gadishull, jo ishull. Vite më vonë, eksploruesi Metju Flinders zbriti në breg. «[S’ka] vend më të shkretë se ky gadishull»,—shkroi ai.
Nëse Kuku dhe Flindersi do të kishin guxuar të përshkonin kilometra të tërë me plazhe dhe duna të praruara, do të mendonin krejt ndryshe. Para syve të tyre do të hapej një botë me pyje shiu të virgjëra, liqene me ujëra të kristalta, shkëmbinj ranorë me ngjyra mahnitëse dhe qindra lloje kafshësh. Sot ky ishull quhet Ishulli Frejzër dhe është ishulli ranor më i madh në botë. Ai është kaq mbresëlënës, saqë në vitin 1992, u rendit në Listën e Trashëgimisë Botërore. *
I lindur në male
Ishulli Frejzër është 120 kilometra i gjatë, 25 kilometra i gjerë dhe zë një sipërfaqe prej 160.000 hektarësh. Kodra të mëdha me rërë ngrihen pothuajse 240 metra mbi nivelin e detit, e kështu bëjnë që ky të jetë ishulli më i lartë ranor në botë. Çfarë forcash e formuan këtë masë toke kaq të veçantë?
Faktet tregojnë se tonelatat e panumërta me rërë që formuan ishullin erdhën nga Kreshta e Madhe Ujëndarëse, një sistem vargmalesh që shtrihen gjatë gjithë bregut lindor të Australisë. Me kalimin e kohës, shirat e rrëmbyeshëm i gërryen malet dhe prej tyre u shkëputën copa shkëmbinjsh, të cilat uji i mori me vete nëpër lumenj e që më pas përfunduan në det. Rrymat oqeanike i thërrmuan këto copa derisa i kthyen në kokrriza rëre të imëta, e dalëngadalë i shtynë në veri nëpër fundin e detit. Të bllokuara nga kepat e tokës dhe nga shkëmbinjtë që ngrihen nga fundi i oqeanit, kokrrizat e rërës u grumbulluan, dhe ja tek lindi Ishulli Frejzër.
Që nga ajo kohë, Oqeani Paqësor vazhdon të depozitojë rërë nëpër plazhe. Këtu, era e shtyn rërën në brendësi, duke formuar dunat. Më tej, dunat që zhvendosen me shpejtësi 1 metër në vit, gllabërojnë çdo gjë që u del përpara.
Liqene dhe pyje të rralla
Është interesante që në gropat e dunave të rërës anembanë ishullit gjenden 40 liqene me ujë të ëmbël. Disa nga këto liqene njihen si liqene të larta, sepse gjenden në gropa të mëdha në majë të dunave me formë kulle. Çfarë e pengon ujin të kullojë poshtë? Një shtresë organike ose një «stuko» torfe, e krijuar nga gjethet, lëvoret dhe degët e dekompozuara pjesërisht.
Ishulli ka edhe «liqene dritare», të cilat formohen kur në rërë krijohen gropa që arrijnë nivelin e ujërave nëntokësore. Uji i ëmbël del në sipërfaqe, duke krijuar liqene me ujë të kristaltë e të filtruar në rërë, që në fakt janë «dritare» të burimeve ujore nëntokësore.
Liqenet e ishullit furnizohen me 1.500 milimetra shi në vit. Uji që nuk grumbullohet në liqene ose që nuk thithet nga rëra formon përrenj që derdhen në det. Është llogaritur se
njëri nga përrenjtë e ishullit derdh më shumë se pesë milionë litra ujë në orë në Oqeanin Paqësor.Bollëku i ujit e mbulon me gjelbërim Ishullin Frejzër. Zakonisht pyjet e shiut nuk rriten në zona ranore të varfra me lëndë ushqyese. Por Ishulli Frejzër është një nga të paktat vende në tokë ku pyjet e shiut lulëzojnë në një terren ranor. E vërtet, dikur pylli ishte kaq i dendur, saqë për më shumë se 100 vjet, kumbonte nga sëpatat e druvarëve. Pemët e eukaliptit dhe të kaurit i bënin për vete njerëzit që jetonin e punonin në pyje. Në vitin 1929, dikush tha: «Udhëtarit i del përpara një mur i gjallë i formuar nga pemë gjigante që arrijnë deri në 45 [metra] lartësi . . . Këta viganë të pyllit kanë një diametër që shkon nga dy deri në tre metra.» Drurë të tillë, si terpentina u përdorën për të ndërtuar muret e kanalit të Suezit. Por sot, drurët e Ishullit Frejzër rriten të qetë.
Parajsë me një të kaluar tragjike
Emri i ishullit erdhi nga një tragjedi. Në vitin 1836, kapiteni Xhejms Frejzër dhe gruaja e tij Eliza shpëtuan kur u mbyt anija dydirekëshe Stirling Castle dhe deti i nxori në bregun e ishullit. Me sa duket, një fis vendës vrau kapitenin, por Eliza më vonë shpëtoi. Në kujtim të kësaj tragjedie, emri i ishullit ndryshoi nga Ishulli i Madh Ranor në Ishullin Frejzër.
Tragjedia goditi edhe vendësit. Dikur në Ishullin Frejzër jetonin gati 2.000 aborigjenë. Për ta thuhej se ishin truplidhur dhe të fortë. Ata e quanin shtëpinë e tyre Gëri, që do të thotë parajsë. Në një legjendë aborigjene për krijimin e këtij ishulli, ky përshkruhet si vendi më i bukur që është krijuar ndonjëherë. Mjerisht sëmundjet e sjella nga Evropa bënë kërdinë në popullsinë vendëse. Veç kësaj, në fillim të shekullit të 20-të shumica e aborigjenëve që kishin mbetur, ishin vendosur me banim në kontinent.
Një strehë mikpritëse
Sot, ishulli është një strehë për botën bimore e shtazore. Ndër banorët e tij më të famshëm janë dingot, qentë e egër australianë. Të veçuar nga qentë shtëpiakë të kontinentit, dingot e Ishullit Frejzër mbahen si raca më e pastër e dingove në Australinë Lindore. Ata mund të duken si qen shtëpiakë, por nuk janë të tillë, prandaj duhen trajtuar me kujdes dhe respekt.
Në këtë ishull janë parë më shumë se 300 lloje zogjsh. Qifti dhe shqiponjat gjoksbardhë të detit «patrullojnë» plazhet, kurse një lloj bilbili uji me ngjyrë të ndritshme blu, i cili rritet në pyje, fluturon si shigjetë mbi liqene. Ndër vizitorët shtegtarë janë kojlikët mongolezë të ranishtave, që shumohen në Siberi dhe fluturojnë në jug për të dimëruar. Ata çlodhen pak në Ishullin Frejzër para se të mbarojnë udhëtimin. Gjithashtu, 30.000 a më shumë lakuriqë që kanë afërsisht madhësinë e korbit e që quhen dhelpra fluturuese me kokë gri, zbresin në stinën e tyre, të etur për nektarin e luleve të eukaliptit.
Edhe ujërat përreth Ishullit Frejzër gëlojnë nga jeta, duke përfshirë balenat me gungë që vijnë nga Antarktiku i akullt në Barrierën e Madhe të Koraleve, ku çiftohen dhe lindin të vegjlit. Në kthim, balenat japin një shfaqje spektakolare teksa hovin me trupin e tyre kaba dhe kridhen me zhurmë në ujë. Rreth tyre krijohet një shpërthim stërkalash që shihen me kilometra larg—vërtet një përshëndetje madhështore për këtë ishull mahnitës.
[Shënimi]
^ par. 4 Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë përfshin në Listën e Trashëgimisë Botërore, vende me rëndësi kulturore dhe natyrore që kanë vlera të jashtëzakonshme fizike, biologjike, gjeologjike ose shkencore.
[Hartat në faqen 14]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
OQEANI PAQËSOR
Ishulli Frejzër
[Figurat në faqen 15]
Djathtas, nga fillimi në fund:
Grykëderdhja e përroit Kërning
Anembanë Ishullit Frejzër ka dyzetë liqene me ujë të ëmbël
Një dukuri e rrallë: pyje shiu që rriten në rërë
[Burimi]
Të gjitha fotografitë: me mirësjellje nga Tourism Queensland
[Figurat në faqet 16, 17]
Dingo dhe koala
[Burimi]
Me mirësjellje nga Tourism Queensland
[Figura në faqet 16, 17]
Plazhi i Ishullit Frejzër, një ndër plazhet më të gjata në botë, është 120 kilometra
[Figura në faqen 17]
Shqiponja gjoksbardhë e detit
[Figura në faqen 17]
Bilbila uji të Australisë
[Figura në faqen 17]
Pelikanë
[Figura në faqen 17]
Balenës me gungë i pëlqen të pushojë pak gjatë rrugës për në Antarktidë
[Burimet e figurave në faqen 17]
Shqiponja: ©GBRMPA; të gjitha fotografitë e tjera përveç pelikanëve: me mirësjellje nga Tourism Queensland