Përse dashuria e vërtetë mezi gjendet?
Përse dashuria e vërtetë mezi gjendet?
Këshillat për dashurinë nuk mungojnë aspak. Terapistët dhe këshilltarët japin shpesh sugjerime. Emisionet në televizion e trajtojnë shpesh këtë temë.
SHUMË faqe në Internet japin udhëzime si të gjeni dashurinë. Ndoshta ju thonë se do të zbuloni «sekrete magjepsëse e të jashtëzakonshme» dhe do të mësoni nga «mblesë profesionistë», «ekspertë për lidhjet romantike» dhe «specialistë të dashurisë», pa përmendur edhe psikoterapistët, psikologët dhe astrologët.
Tema e dashurisë i josh njerëzit që të blejnë revista dhe libra, disa prej të cilëve bëjnë premtime të ekzagjeruara. Për shembull, një libër pretendon që t’ju tregojë se «si ta bëni dikë që të bjerë në dashuri me ju». Një tjetër ju ofron këshilla si të gjeni «partnerin e përsosur brenda një muaji». Mos ju duket shumë një muaj? Mirë pra, ja tek keni një libër tjetër, i cili zbulon se si «brenda 90 minutash ose edhe më shpejt» ta bëni dikë t’ju dashurojë përgjithmonë.
Një pjesë e mirë e këshillave kushtojnë, dhe shumë veta paguajnë dy herë. Ata paguajnë para për të marrë këshilla. Pastaj, kur këto këshilla dalin të gabuara, siç ndodh shpesh, paguajnë emocionalisht, ngaqë gjërat nuk shkuan siç shpresonin.
Megjithatë ekziston një burim këshillash, që po të zbatohen, nuk të zhgënjejnë kurrë. Për më tepër, aty trajtohet me vërtetësi tema e dashurisë, pa bërë pohime të bujshme dhe premtime jorealiste. Ndonëse u shkruan shumë kohë më parë, këshillave që vijnë nga ky libër nuk u ikën kurrë koha. Autori i tij është i pakrahasueshëm në mençuri dhe i pashoq në dashuri. Ndoshta ju tashmë e keni këtë dhuratë të veçantë—Biblën e Shenjtë. Pavarësisht nga rrethanat ose formimi ynë, Bibla na mëson ato që kemi nevojë të dimë për dashurinë. Dhe këshillat e saj janë falas.
Kënga e Solomonit 8:4) Megjithatë, duke zbatuar këshillat e Biblës, do të shtojmë gjasat që të krijojmë marrëdhënie të përzemërta me të tjerët, edhe pse kjo mund të kërkojë kohë dhe përpjekje. Ky aspekt do të trajtohet në artikullin vijues, por në fillim, le të shqyrtojmë se përse në këto kohë po bëhet më e vështirë të gjesh dashurinë e vërtetë.
A na bën Bibla të aftë që të kemi marrëdhënie të mira me çdo njeri? Jo. Disa njerëzve nuk do t’u hyjmë dot në zemër, sado që të përpiqemi. Po kështu, dashuria e vërtetë nuk imponohet. (Dashuria «do të ftohet»
Në profecinë e tij madhështore për ‘përfundimin e sistemit’, Jezui i paratha me saktësi kushtet dhe prirjet e njerëzve në ditët tona. Ai tha se bota do të karakterizohej nga paligjshmëria dhe luftërat, krejt e kundërta e dashurisë. Gjithashtu tha se «shumë veta . . . do të tradhtojnë dhe do të urrejnë njëri-tjetrin» dhe se «dashuria e shumicës do të ftohet». (Mateu 24:3-12) A nuk jeni dakord se njerëzit janë bërë më të ftohtë dhe se dashuria e sinqertë në përgjithësi mungon, madje edhe brenda familjes?
Përveç fjalëve të Jezuit, edhe apostulli Pavël dha një pasqyrë të hollësishme të gjendjes shoqërore në «ditët e fundit». Ai shkroi se njerëzit do të ishin «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës». (2 Timoteut 3:1-4) Në shumë vende këto qëndrime janë përhapur mjaft.
Mendoni pak: a ju bëjnë për vete njerëzit krenarë, mosmirënjohës, ata që janë të pabesë, që shpifin për ju ose ju tradhtojnë? A ju tërheqin njerëzit që janë të dashuruar me veten, me paratë ose me kënaqësitë? Meqenëse kush përqendrohet te vetja i lejon dëshirat dhe lakminë të karakterizojnë e të ndikojnë në marrëdhëniet me njerëzit, çdo interes që tregon ai për të tjerët ka të ngjarë të jetë për ndonjë përfitim. Prandaj me mençuri Shkrimet këshillojnë: «Nga këta largohu.»—2 Timoteut 3:5.
Gjithashtu vini re pohimin se njerëzit që do të jetonin në ditët e fundit nuk do të kishin «përzemërsi të natyrshme» ose, siç thotë një përkthim tjetër, nuk do ta kishin «përzemërsinë normale për familjet». Mjerisht, sa vjen e shtohet numri i fëmijëve që rriten në familje të tilla. Shpesh gjithçka që mësojnë këta të rinj për dashurinë, e marrin nga media. Por, a paraqet media një tablo të saktë për dashurinë, për atë lloj dashurie që sjell vërtet marrëdhënie më të mira?
Fantazi apo dashuri e vërtetë?
Deri në njëfarë mase, shumica prej nesh ndikohet nga media. Një studiuese shkroi: «Që kur jemi fare të vegjël, kultura e shoqërisë përreth, vlerat e së cilës burojnë nga kinematë e televizioni, nga librat dhe revistat, nga radioja dhe muzika, nga reklamat e madje edhe nga lajmet, na bombardon me përshkrime si në përralla dhe me koncepte që nuk të shlyhen nga mendja, lidhur me seksin, dashurinë dhe historitë romantike.» Ajo shpjegoi: «Shumë përshkrime të paraqitura në media për seksin, dashurinë dhe romancat, krijojnë ose përforcojnë
pritje jorealiste që shumica prej nesh nuk i çrrënjos dot plotësisht. Ato na bëjnë të pakënaqur me partnerët që kemi në jetë si edhe me veten.»Po, librat, filmat dhe këngët rrallë japin një tablo të saktë për dashurinë. Në fund të fundit, qëllimi i tyre kryesor është t’i argëtojnë njerëzit, jo t’i mësojnë. Prandaj shkrimtarët nxjerrin pa pushim botime që do t’u sjellin të ardhura, ku përziejnë fantazinë me romancën. Por mjerisht është e lehtë të ngatërrosh historitë imagjinare me realitetin. Si pasojë, shpesh njerëzit zhgënjehen kur marrëdhëniet e tyre nuk janë si ato të personazheve imagjinare nëpër filma a libra. Pra, si ta dallojmë fantazinë nga realiteti, historitë romantike në media nga dashuria e vërtetë? Vini re krahasimet e mëposhtme.
Dashuria imagjinare dhe dashuria e vërtetë
Historitë e dashurisë nëpër libra, filma ose drama, mund të ndryshojnë, por thelbi ose formula, mbetet pak a shumë njëlloj. Revista Writer thotë: «Një pjesë e madhe e subjekteve romantike ndjekin po të njëjtin model. Kjo gjë e ka një shpjegim. Formula: djali takohet me vajzën—djali e humb vajzën—djali dhe vajza bashkohen prapë, është një formulë që ka pasur sukses e që i bën gjithnjë për vete lexuesit, pavarësisht nga vendi ose periudha kur zhvillohen ngjarjet.» Le ta shqyrtojmë paksa më mirë këtë formulë të njohur.
Djali takohet me vajzën. Një princ i pashëm takohet me një vajzë të bukur dhe bien në dashuri. Një shkrimtare e suksesshme i këshillon shkrimtarët e ardhshëm të historive romantike që «për lexuesin duhet të jetë e qartë se që në shikimin e parë [të çiftit], këta dy njerëz janë bërë për njëri-tjetrin».
Koncepti i dashurisë me shikimin e parë, të krijon idenë se dashuria e vërtetë është thjesht një ndjenjë, një emocion i papërmbajtshëm që të pushton të tërin kur takon njeriun e duhur. Sipas këtij koncepti, kjo dashuri lind vetvetiu, nuk kërkon shumë përpjekje ose që ta njohësh mirë personin tjetër. Por dashuria e vërtetë është shumë më tepër se një ndjenjë. Vërtet, ndjenjat përfshihen, por dashuria është një lidhje e fortë, e cila përfshin edhe vlerat morale dhe parimet. Ajo forcohet dita-ditës për sa kohë që ushqehet e ruhet.—Kolosianëve 3:14.
Për më tepër, duhet kohë që ta njohësh tjetrin. Po të mendosh se që me shikimin e parë ke gjetur njeriun e ëndrrave, kjo ngjan si përrallë, dhe zakonisht çon në zhgënjim. Veç kësaj, nëse menjëherë nxjerr përfundimin se ke gjetur dashurinë e vërtetë, mund ta stakosh mendjen dhe të mos shohësh gjërat që tregojnë të kundërtën. Për të zgjedhur bashkëshortin e duhur, nuk mjafton vetëm zëri i brendshëm i ndjenjës që vjen nga hovi i pasionit. Prandaj mos u nxitoni! Shumë studime kanë treguar se një zgjedhje e gabuar mund të ndikojë për keq në punë, në shëndetin mendor dhe fizik, madje edhe në jetëgjatësi.
Djali e humb vajzën: Një kont i lig e rrëmben vajzën e bukur dhe ikën nga kështjella. Princi fillon ta kërkojë duke vënë jetën në rrezik. Një zëdhënëse e shoqatës «Shkrimtarët Amerikanë të Romancave» thotë: «Në qendër të subjektit të romancave duhet të jenë dy njerëz që bien në dashuri dhe luftojnë
që lidhja e tyre të ecë mbarë.» Në shumë romane kjo lidhje do të ecë mbarë dhe lexuesit e dinë këtë. Pengesat, që shpesh vijnë nga jashtë, kapërcehen.Në jetën reale, zakonisht problemet që kalon një çift vijnë nga faktorë të jashtëm dhe nga faktorë të brendshëm. Këtu mund të përfshihen paratë, puna, të afërmit dhe miqtë. Veç kësaj, problemet krijohen edhe kur njëri nuk është në lartësinë që priste tjetri. Nëpër filma e libra, të metat e personazheve zakonisht janë të vogla, por në jetën reale nuk ndodh gjithnjë kështu. Për më tepër, në dashurinë e vërtetë duhen përpjekje që të kapërcehen vështirësitë ose ndryshimet në pikëpamje, kulturë, dëshira dhe personalitet. Madje, dashuria përfshin bashkëpunimin, përulësinë, butësinë, durimin dhe shpirtgjerësinë, cilësi që nuk vijnë gjithnjë kollaj ose vetvetiu.—1 Korintasve 13:4-7.
Djali dhe vajza bashkohen: Princi shpëton vajzën e bukur dhe e dëbon kontin. Çifti martohet dhe jetojnë përgjithmonë të lumtur e të gëzuar. Një botues romanesh me histori dashurie i këshillon shkrimtarët e ardhshëm: «Keni nevojë për përfundimin: jetojnë përgjithmonë të lumtur e të gëzuar. . . . Lexuesi duhet të jetë i kënaqur që çifti bashkohet dhe është i lumtur.» Romanet e dashurisë rrallë flasin për personazhet pasi kanë kaluar disa vjet martesë. Gjatë kësaj kohe mosmarrëveshjet dhe shumë e shumë halle a vështirësi mund ta kenë vënë në provë lidhjen e tyre. Siç tregojnë statistikat për divorcin, me kalimin e kohës shumë martesa nuk e kalojnë dot provën.
Po, nëpër filma e libra dashuria duket diçka e lehtë, por dashuria e vërtetë do përpjekje. Duke kuptuar ndryshimet ndërmjet këtyre të dyjave, kjo do t’ju mbrojë që të mos tregoheni naiv e jorealist në ato që pritni. Gjithashtu do t’ju mbrojë që të mos merrni mbi supe angazhime të nxituara për të cilat mund të pendoheni më vonë. Artikulli vijues do të trajtojë si mund të zhvilloni një dashuri të vërtetë që nuk mendon vetëm për vete dhe si mund të bëheni njerëz më të dashur për të tjerët.
[Diçitura në faqen 5]
Njerëzit që duan më pak i duan më pak
[Diçitura në faqen 7]
Nëpër filma e libra, dashuria duket diçka e lehtë, por dashuria e vërtetë do përpjekje
[Kutia dhe figura në faqen 6]
Heronjtë dhe heroinat e historive të dashurisë
Në Shtetet e Bashkuara, romanet e dashurisë sjellin më shumë se një miliard dollarë të ardhura në vit. Gati gjysma e librave me kapak të hollë, të shitur në këtë vend, flasin për histori dashurie. Sipas statistikave të botuara nga shoqata «Shkrimtarët Amerikanë të Romancave», përsa u përket heronjve, tri gjërat që i tërheqin më shumë lexuesit, ku rreth 90 për qind janë gra, janë trupi muskuloz, bukuria dhe inteligjenca. Tri gjërat më të rëndësishme që admirohen te heroinat janë inteligjenca, forca e karakterit dhe bukuria.
[Figurat në faqet 6, 7]
Media rrallë jep një tablo të saktë për dashurinë