Si të gjesh dashuri të vërtetë?
Si të gjesh dashuri të vërtetë?
Ç’mund të bësh që të gjesh dashuri dhe të të duan më shumë, jo vetëm në kuptimin romantik? Të bëhesh i pasur? Të përmirësosh pamjen e jashtme?
BURRAT dhe gratë që mashtrohen nga reklamat dhe ndikohen nga media, shpesh mendojnë se gjërat e mësipërme janë rruga për të gjetur dashuri. Sigurisht është e natyrshme dhe e drejtë të kujdesemi për pamjen, por bukuria—e cila shumë-shumë është diçka e përkohshme—nuk çimenton lidhje të qëndrueshme. As pasuria. Ajo që të ndihmon të gjesh dashuri të vërtetë, është të tregosh dashuri për të tjerët. Jezui mësoi: «Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin.» (Luka 6:38) E thënë thjesht, nëse do që të të japin dashuri, jep dashuri.
Si mund ta bëjmë këtë? Duke shkruar nën drejtimin e frymës së shenjtë të Perëndisë, apostulli Pavël iu përgjigj kësaj pyetjeje. Ai tregoi se dashuria është e fuqishme, se dallohet, jo nga emocionet, por në radhë të parë nga gjërat që bën për të tjerët dhe nga gjërat që përmbahet dhe nuk i bën. Vër re fjalët e Pavlit: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta, nuk provokohet. Ajo nuk e mban llogari të keqen. Nuk gëzon për padrejtësinë, por gëzon me të vërtetën. Mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje.»—1 Korintasve 13:4-7.
Si ndihesh kur dikush tregohet i dashur me ty, kur të pranon pavarësisht nga vogëlsirat acaruese që mund të thuash ose mund të bësh? A nuk të bën për vete një njeri që interesohet sinqerisht për ty, që nuk zemërohet shpejt dhe që fal e është i besueshëm edhe kur nuk është e lehtë të falësh ose të tregohesh i ndershëm?
Pra, sillu kështu me të tjerët. Jezui tha: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Nuk është gjithnjë e lehtë të tregosh dashuri, e megjithatë ia vlen të përpiqesh. Në radhë të parë do të të duan më shumë familja, miqtë, bashkëshorti ose njeriu me të cilin do të martohesh. Veç kësaj, do të ndihesh i lumtur duke bërë gjënë e duhur, duke u dhënë të tjerëve diçka nga vetja. Po vërtet, «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh».—Veprat 20:35.
Mësoje dashurinë nga burimi më i lartë
Jehovai është Perëndia i dashurisë dhe di më shumë se kushdo për këtë temë. (1 Gjonit 4:8) Dashuria e nxit atë t’ua mësojë këtë cilësi të gjithë atyre që janë të gatshëm të mësojnë. Le të shqyrtojmë disa parime biblike që na ndihmojnë të duam dhe të na duan.
‘Të jesh i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohesh në të folur.’ (Jakovi 1:19) Një anketë me më shumë se 20.000 çifte tregoi se njerëzit më të lumtur ishin ata, partnerët e të cilëve ishin dëgjues të mirë. Komunikimi i mirë është jetësor në një lidhje. Një profesoreshë në sociologji shkroi: «Po deshe të ndihesh i vetmuar në një lidhje, jeto me dikë që nuk e ka idenë se ç’po kalon ti. Ose më keq akoma, me dikë që e di se çfarë po kalon, por nuk e kupton dot përse dhembja jote qenka kaq e rëndësishme.» Ajo shton se edhe kur dy veta ndryshojnë në shumë drejtime, «nëse partneri mban parasysh pikëpamjen tënde dhe si ndikojnë te ti gjërat që ke përjetuar, atëherë këto ndryshime janë të parëndësishme».
«Jeni ngushtë në përzemërsinë tuaj të butë. . . . Zgjerohuni.» (2 Korintasve 6:12, 13) Ne nxjerrim dobi kur zgjerohemi në dashurinë për të tjerët. Një botim nga Fakulteti i Mjekësisë në Harvard thotë: «Shumë e shumë studime kanë treguar se njerëzit që kanë një mbështetje nga ana shoqërore, domethënë që kanë marrëdhënie të mira me familjarët, miqtë dhe njerëzit e tjerë, janë më të lumtur, kanë më pak probleme me shëndetin dhe jetojnë më gjatë.»
«Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera.» (Hebrenjve 10:24, 25) Miqtë tanë ndikojnë te ne. Duke ndenjur me ata që tregojnë dashuri të krishterë të sinqertë, do të provosh dashurinë e të tjerëve dhe do të mësosh si ta shfaqësh në jetën tënde. Dëshmitarët e Jehovait bëjnë çmos ta shfaqin këtë dashuri mes tyre, duke ditur se kjo është shenjë dalluese e dishepujve të vërtetë të Jezuit. (Gjoni 13:35) Je shumë i mirëpritur në mbledhjet e tyre të krishtere.
Nëse ndien se të mungon dashuria, mos u shkurajo dhe mos e gjyko ashpër veten. Mbaj mend se Jehovai e sheh gjendjen tënde. A të kujtohet Lea, që përmendëm në artikullin e parë të kësaj serie? Jehovai e pa gjendjen e saj dhe ajo pati gjashtë djem dhe një vajzë, një bekim i madh për atë kohë kur fëmijët konsideroheshin një pasuri tejet e çmuar. Për më tepër, të gjithë djemtë e Leas, u bënë paraardhës të fiseve të Izraelit. (Zanafilla 29:30-35; 30:16-21) Sa ngushëllues duhet të ketë qenë për Lean, kujdesi i dashur i Perëndisë!
Në botën e re që premtohet në Shkrime, askush nuk do të ndihet sikur nuk e duan. Përkundrazi, dashuria e vërtetë do të mbizotërojë në mbarë shoqërinë njerëzore. (Isaia 11:9; 1 Gjonit 4:7-12) Pra, le të tregojmë se dëshirojmë të jemi atje, duke zhvilluar tani dashurinë që mësohet në Bibël, dashurinë që ka treguar Autori i saj. Po, njeriu ndien gëzim të vërtetë, jo vetëm kur e duan, por edhe kur u tregon dashuri të tjerëve.—Mateu 5:46-48; 1 Pjetrit 1:22.
[Diçitura në faqen 8]
«Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»—Veprat 20:35
[Figura në faqen 8]
Nëse do që të të duan, jep dashuri