Si t’i themi jo seksit në shkollë?
Të rinjtë pyesin . . .
Si t’i themi jo seksit në shkollë?
«S’ka ditë që të rinjtë të mos flasin për seksin. Madje, vajzat i provokojnë vetë djemtë dhe bëjnë seks pikërisht në shkollë.»—Ajlina, 16 vjeçe.
«Në shkollën time, homoseksualët bëjnë veprime imorale në sy të të tjerëve, dhe s’e kanë problem fare.»—Majkëlli, 15 vjeç. *
A FLASIN vazhdimisht për seksin shokët e tu të shkollës? A shkojnë edhe më tej? Nëse po, edhe ti mund të ndihesh njësoj si një adoleshente që tha se të jesh në shkollë, është si «të ndodhesh në vendin ku xhirohet një film, që ka skena të hapura me seks». E vërteta është se në shkollë shumë të rinj bombardohen me diskutime për seksin, madje shpesh kanë mundësi edhe të bëjnë seks.
Mbase i ke dëgjuar shokët e klasës të flasin për «lidhjen për një natë»—një shprehje që do të thotë të bësh seks pa asnjë angazhim të mëtejshëm nga ana emocionale. Në disa raste të rinjtë kalojnë një natë me dikë që sapo e kanë njohur. Herë të tjera shkojnë me të panjohur, me të cilët kanë folur në Internet. Në cilindo «skenar», qëllimi është të mos përzihen ndjenjat. «Synimi i vetëm është që dy njerëz të plotësojnë dëshirat e tyre fizike»,—thotë Daniela 19-vjeçare.
S’është çudi, pra, që në shumë shkolla ‘lidhjet për një natë’ janë tema e ditës. «Pas çdo fundjave, korridoret ziejnë nga të rejat për lidhjet e fundit, e mes shokëve tregohen pa pikë ndrojtjeje edhe detajet»,—shkroi një 17-vjeçare në gazetën e shkollës.
Nëse po mundohesh të jetosh sipas standardeve të Biblës, mund të ndihesh i përjashtuar nga rrethi i të rinjve që flasin vetëm për seksin. E nëse nuk bashkohesh me turmën, fare lehtë mund të bëhesh pre e talljeve. Në njëfarë mase këto gjëra duhet t’i presësh, pasi Bibla thotë se, të tjerët mund të ‘të shajnë’ kur nuk e kuptojnë sjelljen tënde. (1 Pjetrit 4:3, 4) Prapëseprapë, askujt nuk ia ka qejfi që të tjerët ta vënë në lojë. Prandaj, si mund t’u thuash jo bisedave dhe marrëdhënieve seksuale në shkollë, e njëkohësisht të jesh krenar për qëndrimin tënd? Së pari, është e rëndësishme të kuptosh pse tundimi seksual është kaq i fortë.
Njih veten
Gjatë adoleshencës, ti pëson ndryshime të shpejta si fizike, ashtu edhe emocionale. Ndërsa kalon këtë moshë, provon impulse të forta seksuale. Ji i sigurt se kjo është krejtësisht normale. Kështu që, nëse në shkollë të tërheqin shumë ata të seksit tjetër, mos dil në përfundimin se në thelb je i keq ose nuk je tipi që mund të mbetesh i pastër moralisht. Nëse zgjedh të jesh i dëlirë, patjetër që mund t’ia dalësh mbanë.
Përveç luftës së brendshme që është pjesë e adoleshencës, duhet të jesh i vetëdijshëm edhe për diçka tjetër. Duke qenë të papërsosur, të gjithë njerëzit janë të prirur drejt të keqes. Edhe apostulli Pavël pranoi: «Në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit, që është në gjymtyrët e mia.» Pavli tha se papërsosmëria e tij e bënte të ndihej «i mjerë». (Romakëve 7:23, 24) Por ai e fitoi betejën. Edhe ti mund ta fitosh!
Kuptoji shokët e shkollës
Siç u tha edhe më lart, shokët e shkollës mund të flasin gjithë kohën për seksin ose mund të mburren për «bëmat» e tyre. Duhet të kesh kujdes nga ndikimi i tyre i dëmshëm. (1 Korintasve 15:33) Por ama nuk ke pse t’i shohësh si armiqtë e tu. Pse jo?
Ata kanë po ato dëshira si ti. Gjithashtu kanë prirjen të bëjnë të keqen. Por ndryshe nga ti, disa prej tyre mund të jenë «kënaqësidashës në vend se perëndidashës». Ose mbase vijnë nga familje ku s’ka «përzemërsi të natyrshme» mes pjesëtarëve të saj. (2 Timoteut 3:1-4) Disave prej tyre mund t’u mungojë disiplina e dashur dhe stërvitja morale nga prindërit.—Efesianëve 6:4.
Pa burimin më të lartë të mençurisë që ti ke në duar—Fjalën e Perëndisë, Biblën—shokët e shkollës mbase s’janë të vetëdijshëm për dëmet që vijnë kur i lënë rrugë të lirë dëshirave. (Romakëve 1:26, 27) Është njësoj sikur prindërit t’u japin një makinë dhe t’i çojnë në një autostradë me trafik të rënduar, por ndërkohë nuk i kanë mësuar ta ngasin makinën. Për momentin kjo mund të jetë jashtëzakonisht emocionuese, por më pas, është e sigurt se do të ndodhë një tragjedi. Prandaj, çfarë mund të bësh nëse në praninë tënde shokët fillojnë të flasin për seksin ose mundohen të të përfshijnë në sjellje imorale?
Largohu nga bisedat imorale
Nëse shokët e shkollës fillojnë të flasin për marrëdhëniet imorale seksuale, mund të tundohesh që të rrish e të dëgjosh, madje edhe të marrësh pjesë në bisedë—vetëm se kështu nuk tregon se je ndryshe nga ata. Pastaj mendo pak për mesazhin që do t’u përcillje atyre. Interesi yt për bisedat e tyre, a nuk do të tregonte ç’lloj njeriu je apo dëshiron të jesh?
Prandaj, ç’duhet të bësh kur sheh se je përfshirë në një bisedë që kthehet te marrëdhëniet imorale seksuale? A duhet të ngrihesh e të ikësh? Patjetër që po! (Efesianëve 5:3, 4) Bibla pohon: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) Pra, duke u larguar nga ajo bisedë, ti nuk po tregohesh i pasjellshëm, por po tregohesh mendjehollë.
Po, nuk duhet të ndihesh në siklet se do të largohesh nga një bisedë e tillë imorale. Sigurisht që ka edhe lloje të tjera bisedash nga të cilat do të largoheshe pa pasur turp, sidomos nëse nuk të intereson ajo që po diskutohet ose nuk do që të përzihesh. Për shembull, mendo sikur një grup shokësh të klasës fillojnë të diskutojnë sesi të kryejnë një vjedhje me armë. A do të rrije aty vërdallë të dëgjoje
planin? Nëse do ta bëje, mund të të shihnin edhe ty si bashkëpunëtor. Prandaj, me mençuri do të largoheshe. Po kështu vepro kur një bisedë vërtitet rreth marrëdhënieve imorale seksuale. Zakonisht mund të gjesh një mënyrë për t’u larguar pa u dukur sikur je më i mirë se ata, e kështu të bëhesh objekt talljesh.Kuptohet, jo gjithnjë mund të largohesh nga ndonjë situatë. Për shembull, shokët që ulen afër teje në klasë, mund të përpiqen të të përfshijnë në një bisedë rreth seksit. Në këtë rast, mund t’u thuash i vendosur, por me mirësjellje, që të mos mundohen të të futin në muhabet. Nëse kjo s’pi ujë, mund të veprosh siç bëri Brenda. «I kërkova mësuesit me stil të më ndërronte bankën»,—thotë ajo.
Trego aftësi dalluese
Herët a vonë, disa nga shokët e klasës do të bëhen kuriozë të dinë pse nuk përfshihesh në bisedat e tyre të pista. Nëse të pyesin për vlerat e tua morale, trego aftësi dalluese kur përgjigjesh. Kuptohet, disa mund të të pyesin më shumë për të të vënë në lojë sesa për të ditur pikëpamjen tënde. Por, nëse kupton se qëllimi i atij që të pyet është i sinqertë, atëherë fol lirshëm për bindjet e tua. Mjaft të rinj kanë përdorur librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, për t’i ndihmuar shokët e klasës të kuptojnë dobitë që vijnë kur jeton sipas normave të Biblës. *
Ji i vendosur
Çfarë duhet të bësh nëse një shoqe ose shok është kaq i pacipë, saqë përpiqet të të prekë në një mënyrë të papërshtatshme ose të të puthë? Nëse e lejon, ai mund të marrë zemër që të vazhdojë. Bibla përshkruan një të ri i cili lejoi një grua imorale ta mbërthente dhe ta puthte. E la që t’i fliste me nënkuptime për marrëdhëniet seksuale. Cili ishte rezultati? «Befas ai shkon pas saj, si një dem që shkon të theret.»—Proverbat 7:13-23.
Në kontrast me këtë, shqyrto si veproi Jozefi në një situatë të ngjashme. Gruaja e pronarit të tij, përpiqej vazhdimisht ta joshte, por ai me vendosmëri u thoshte jo propozimeve të saj. Dhe në fund, kur ajo u përpoq ta mbërthente, ai ndërmori një veprim vendimtar dhe u largua me vrap.—Zanafilla 39:7-12.
Ashtu si Jozefi, mund të kesh nevojë të marrësh masa të forta nëse një shok a shoqe shkolle, ose ndonjë i njohur tjetër, përpiqet të të prekë në mënyrë të papërshtatshme. «Nëse një djalë mundohet të më prekë, i them të ndalojë,—thotë Ajlina.—Nëse nuk merr vesh, i bërtas që t’i heqë duart.» Lidhur me djemtë në shkollën e saj, Ajlina shton: «Ata nuk do të të respektojnë, nëse ti nuk i bën të të respektojnë.»
Edhe ti do të fitosh respektin e shokëve të klasës nëse refuzon të dëgjosh biseda të pista, nëse u shpjegon me respekt, kur është e përshtatshme, qëndrimin tënd lidhur me normat morale dhe hedh poshtë me vendosmëri propozimet a ngacmimet imorale. Një tjetër dobi është se do të jesh i kënaqur me veten. Dhe më e rëndësishmja, do të kesh miratimin e Jehovait.—Proverbat 27:11.
[Shënimet]
^ par. 4 Disa emra janë ndryshuar.
^ par. 22 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
PYETJE PËR TË MENDUAR
▪ Çfarë mund të thuash kur do që të largohesh nga një bisedë imorale?
▪ Ç’do të thuash dhe do të bësh nëse në shkollë të ngacmojnë a të bëjnë propozime imorale?
[Figura në faqen 27]
Nëse biseda vërtitet rreth marrëdhënieve seksuale të paligjshme, largohu
[Figura në faqen 28]
Hidhi poshtë me vendosmëri propozimet a ngacmimet imorale