A është e mundur një jetë pa plakje?
A është e mundur një jetë pa plakje?
«Ditët tona arrijnë në shtatëdhjetë vjet; më të fortët arrijnë në tetëdhjetë . . . kalojnë shpejt dhe ne fluturojmë tutje.»—PSALMI 90:10.
PËRFYTYRONI sikur të jeni gjithnjë në lulen e rinisë. Përfytyroni sikur të gëzoni gjithnjë një shëndet të shkëlqyer dhe ta keni mendjen qiqër. A ju duket si përrallë një mendim kaq i bukur? Atëherë, mendoni për këtë fakt interesant: disa lloj papagajsh mund të jetojnë deri në njëqind vjet, kurse minjtë rrallë jetojnë më shumë se tre vjet. Ndryshime kaq të mëdha në jetëgjatësi kanë bërë që disa biologë të nxjerrin si përfundim se plakja duhet ta ketë një shkak, e nëse e ka një shkak, mund t’i gjendet ilaçi.
Kjo i ka nxitur kompanitë farmaceutike që të investojnë në fushën e kërkimeve për të gjetur një kurë të efektshme kundër plakjes. Gjithashtu, për ata njerëz që kanë lindur pas Luftës së Dytë Botërore e që tani kanë hyrë në të 60-at, gjetja e mënyrës për të ngadalësuar plakjen është një shqetësim personal.
Studimi i procesit të plakjes është bërë ndër çështjet më të rëndësishme edhe për shumë studiues në fushën e gjenetikës, biologjisë molekulare, zoologjisë dhe gjerontologjisë ose shkencës që studion plakjen. Në librin Përse plakemi (anglisht) nga Stiven Ostadi, thuhet: «Sot, kur mblidhen gjerontologët, ndihet një entuziazëm i përmbajtur, por i dukshëm.» Jemi afër zbulimit të shkaqeve thelbësore dhe ecurisë së plakjes.
Ka lloj-lloj idesh për shkakun e plakjes. Sipas njërës prej tyre, plakja vjen si pasojë e konsumimit të qelizave, kurse një pikëpamje tjetër sugjeron se plakja është e programuar brenda nesh. Disa thonë se shkaku ka të bëjë me të dyja. Por, deri ku kemi arritur ta kuptojmë procesin e plakjes? A kemi ndonjë bazë për të shpresuar se do të gjendet një kurë e efektshme për plakjen?
[Tabela dhe figurat në faqet 2, 3]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
JETËGJATËSIA MESATARE
Bleta
90 ditë
↓
Miu
3 vjet
↓
Qeni
15 vjet
↓
Majmuni
30 vjet
↓
Aligatori
50 vjet
↓
Elefanti
70 vjet
Njeriu
80 vjet
↓
Papagalli
100 vjet
↓
Breshka gjigante
150 vjet
↓
Sekuoja gjigante
3.000 vjet
↓
Një lloj pishe
4.700 vjet
[Figura në faqen 3]
Disa papagaj jetojnë 100 vjet, kurse njeriu jeton rreth 80 vjet. Studiuesit pyesin: «Cili është shkaku i plakjes?»