Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kopsht tradicional me bukuri të pashoqe

Kopsht tradicional me bukuri të pashoqe

Kopsht tradicional me bukuri të pashoqe

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GUADELUPË

ATA jetonin në një vend të bukur, por nuk i shijuan dot kënaqësitë që i falte ai. Që nga shekulli i 17-të e tutje, kjo ishte situata për mijëra afrikanë të gjorë që i rrëmbenin nga vendi i tyre dhe i çonin në Guadelupë dhe Martinikë. Puna skllavëruese në fushat e kallamsheqerit të ishujve të Karaibeve, do t’u mbushte pjesën më të madhe të ditëve për tërë pjesën tjetër të jetës së tyre.

Shumë pronarë plantacionesh në këta ishuj, i lanë skllevërit ta siguronin vetë bukën e gojës, prandaj këta të fundit mbillnin kopshte. Me tërë atë lodhje që kishin, edhe këtë kishin mangut, por ama të paktën mund të mbillnin çfarë të donin. Ata rritnin maniokë, jamsi dhe perime të tjera që i shijonin më shumë dhe ishin më ushqyese se çdo gjë që mund t’u jepnin pronarët. Po ashtu mbillnin edhe bimë mjekësore, si edhe erëza për të gatuar.

Në vitin 1848, qeveria franceze shfuqizoi skllavërinë në këta ishuj, por qytetarët e sapoliruar vazhduan t’i mbillnin kopshtet e tyre. Sot, banorët e Guadelupës dhe Martinikës, shumë prej të cilëve janë pasardhës të atyre afrikanëve që punonin pa u lodhur, vazhdojnë të kultivojnë ato që njihen si kopshtet kreole.

Pyll shiu në miniaturë

Shtëpitë e skllevërve zakonisht kishin dy lloje kopshtesh. Kopshti i perimeve në përgjithësi ishte pak larg nga shtëpia, ndërsa «kopshti i shtëpisë» (ose jardin de case siç njihet në atë vend) ndodhej pas shtëpisë. Megjithatë edhe sot, kopshti tipik kreol ka po të njëjtën formë. Ky kopsht ka kombinime lulesh, barërash, pemësh dhe gëmushash, që mund të jenë kaq të dendura, sa ato të një pylli shiu. Ngaqë hapësirën që mbetet e zënë perimet, në pamje të parë mund të duket sikur kopshti është vërtet i bukur, por pak i rrëmujshëm. Por përkundrazi, ky kopsht është i organizuar mjaft mirë dhe i ndarë në ngastra. Mespërmes tij ka rrugica të ngushta ku kalon kopshtari për t’iu afruar të gjitha bimëve.

Kopshti shtrihet nga prapa shtëpisë deri përpara, ku shërben si një vend spektakolar mirëseardhjeje. Kur vijnë mysafirët, familja i mirëpret mes krozoforëve që shkëlqejnë si ylber, trumbetave të arta, gjetheve të shndritshme të bugenvileve, si edhe ixorave të familjes së rrëzoreve.

Bimët mjekësore zënë pjesët e tjera të kopshtit kreol, shpesh ato pjesë që janë nën hijen e shtëpisë. Borziloku, kanella, luledhia, gjethet e dafinës dhe një lloj kërpi, janë pjesë e koleksionit të bimëve mjekësore në këta ishuj. Rritet edhe bar limoni, gjethet e të cilit, kur digjen të thara, mbajnë larg mushkonjat.

Disa banorë të këtyre ishujve e ruajnë si thesar njohurinë që kanë për bimët mjekësore. Në të kaluarën ndodhte që dikush sëmurej ose plagosej, por ishte e vështirë të gjeje mjekun, sepse shpesh jetonte goxha larg. Prandaj njerëzit filluan t’i mjekonin sëmundjet me barërat e mbjella në kopshtin kreol. Këto bimë ende përdoren për qëllime mjekësore, megjithëse vetëmjekimi mund të jetë i rrezikshëm. Në vend që ta shërojë një pacient, një bar i përdorur gabimisht mund ta përkeqësojë. Prandaj, banorët e sotëm të këtyre ishujve, zakonisht ia besojnë kujdesin shëndetësor atyre që janë të stërvitur enkas për këtë punë.

Pjesa kryesore e kopshtit kreol, pjesa pas shtëpisë, lihet mënjanë për bimët ushqimore. Aty mund të gjeni jamsi, patëllxhanë, misër, nenë, marule e drithëra të tjera, si edhe erëza që përdoren për të gatuar ato ushqime që rriten pranë tyre. Aty mund të rritet banania, po ashtu mund të shihni edhe pemë të tilla, si: druri i bukës, avokado, guava ose mango.

Ejani ta shijoni vetë këtë bukuri!

Kur ecni përmes një kopshti kreol, bukuria e tij mund t’ju shtyjë të afroheni për ta parë më nga afër. Kur tashmë jeni mes tij, mund të admironi kombinimet e luleve dhe të gjetheve teksa rrezet e diellit ua theksojnë edhe më tepër ngjyrat. Ndërkohë, një puhi e lehtë krijon një përzierje aromash, që as nuk krahasohet me parfumet e dyqaneve. Mendoni pak, thjesht po e vizitoni kopshtin dhe po kënaqeni jashtë mase. Imagjinoni tani kënaqësinë e të zotit të shtëpisë që e mbolli dhe kujdeset çdo ditë për të!

A do të mbijetojë kopshti kreol? Disa banorë të ishujve ndihen keq ngaqë të rinjtë nuk janë shumë të dhënë pas kësaj tradite tërheqëse e të dobishme të të parëve. Gjithsesi, shumë të rinj e të moshuar e çmojnë bukurinë e këtyre kopshteve, si edhe domethënien e tyre kulturore. Çdo kopsht kreol është një përkujtues se si skllevërit afrikanë nxorën diçka të bukur nga kushtet e vështira.

[Kutia në faqen 27]

ÇFARË DO TË THOTË «KREOL»?

Fjala «kreol», në fillim u referohej njerëzve me prejardhje evropiane që kishin lindur në Botën e Re, (kontinentet amerikane). Kurse tani ka kuptime të ndryshme. Disa banorë të Haitit e përdorin fjalën «kreol» për të përshkruar diçka shumë tërheqëse ose që ka cilësi të lartë. Disa gjuhë që fliten në Xhamajkë, Haiti dhe vende të tjera quhen kreole. Në thelb, gjuha kreole evoloi nga një gjuhë pixhine, kurse tani është bërë gjuha vendëse e një grupi që e flet atë.

«Kreol» gjithashtu përshkruan një mënyrë të veçantë jetese, kulturën indigjene që është zhvilluar në shumë ishuj të Karaibeve. Në Porto-Riko dhe në Republikën Domenikane, një fjalë e ngjashme spanjolle criollo ka këtë ngjyrim. Me kalimin e shekujve, në Karaibe pasardhësit e vendësve, afrikanëve, dhe evropianëve janë përzier e janë martuar me njëri-tjetrin, duke sjellë në jetë fëmijë të bukur e tradita interesante. Pikërisht nga këto tradita e mori emrin kopshti kreol në Guadelupë dhe Martinikë.

[Figurat në faqen 26]

Fotografitë e vogla (nga lart): alpinia, piper, ananas, kakao dhe kafe