Migel Servetosi—I vetëm në kërkim të së vërtetës
Migel Servetosi—I vetëm në kërkim të së vërtetës
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË
Më 27 tetor 1553, Migel Servetosin e dogjën në turrën e druve në Gjenevë, Zvicër. Guiljam Fareli—ekzekutuesi i Servetosit dhe zëvendësi i Xhon Kalvinit—i paralajmëroi ata që po shihnin atë ekzekutim: «[Servetosi] është burrë i mençur, i cili pa dyshim mendoi se po mësonte të vërtetën, por ra në duart e Djallit. . . . Kini kujdes mos ju ndodh edhe juve e njëjta gjë.» Ç’kishte bërë kjo viktimë e gjorë që të meritonte një fund kaq tragjik?
MIGEL SERVETOSI lindi në vitin 1511 në fshatin e Vilanueva-de-Sijenës, Spanjë. Që i vogël shkëlqente në mësime. Sipas një biografi, «kur ishte 14 vjeç, dinte greqisht, latinisht dhe hebraisht, si edhe kishte mjaft njohuri për filozofinë, matematikën dhe teologjinë».
Kur Servetosi ishte akoma adoleshent, Huan de Kuintana, prifti personal i perandorit spanjoll Karlit V, e punësoi si ndihmës. Në udhëtimet e tij zyrtare, Servetosi mundi të vëzhgonte se si grupet fetare themelore në Spanjë, i internuan ose i detyruan me forcë judenjtë dhe myslimanët që të ktheheshin në katolikë. *
Në moshën 16-vjeçare, Servetosi shkoi të studionte për drejtësi në Universitetin e Tuluzës, në Francë. Atje pa për herë të parë një Bibël të plotë. Ndonëse leximi i Biblës ishte rreptësisht i ndaluar, Servetosi e lexoi fshehurazi. Pasi e mbaroi, u betua ta lexonte «edhe një mijë herë të tjera». Ka shumë mundësi që Bibla që studioi Servetosi në Tuluzë, të ishte Bibla shumëgjuhëshe komplutense, një version që i dha mundësi t’i lexonte Shkrimet në gjuhët origjinale (hebraisht dhe greqisht), bashkë * Studimi i Biblës dhe degjenerimi moral i klerit që kishte parë në Spanjë, i «tronditën» besimin te feja katolike.
me përkthimin në latinisht.Servetosit iu përforcuan më tej dyshimet kur ndoqi kurorëzimin e Karlit V. Mbreti spanjoll u kurorëzua perandor i Perandorisë së Shenjtë Romake nga Papa Klementi VII. Papa, i ulur në fronin e tij portativ, priti mbretin, i cili ia puthi këmbët. Më vonë Servetosi shkroi: «E pashë me sytë e mi se si princat e morën papën mbi shpatulla gjithë pompozitet, dhe njerëzit e grumbulluar nëpër rrugë e adhuronin.» Për Servetosin, pompoziteti dhe ekstravaganca e papës nuk pajtohej me thjeshtësinë e ungjijve.
Në kërkim të së vërtetës fetare
Duke u treguar shumë i kujdesshëm, Servetosi e la punën me Kuintanën dhe i vetëm filloi të kërkonte të vërtetën. Ai mendonte se mesazhi i Krishtit nuk u ishte drejtuar teologëve ose filozofëve, por njerëzve të thjeshtë, të cilët do ta kuptonin e do ta zbatonin. Prandaj, vendosi ta studionte Biblën në gjuhët origjinale dhe të hidhte poshtë çdo mësim që nuk ishte në harmoni me të. Është interesante sepse fjala «e vërteta» dhe fjalë të tjera që lidhen me të, shfaqen më shpesh se çdo fjalë tjetër në veprat e tij.
Studimet historike dhe biblike e çuan Servetosin në përfundimin se krishterizmi ishte korruptuar gjatë tri shekujve të parë të erës sonë. Mësoi se Kostandini dhe pasuesit e tij kishin nxitur mësime të rreme, që si përfundim çuan në adoptimin e Trinitetit si doktrinë zyrtare. Në moshën 20-vjeçare, Servetosi botoi librin Gabimet e Trinitetit (latinisht), vepër që e bëri shënjestër kryesore të inkuizicionit.
Servetosi i kishte të qarta gjërat. «Në Bibël,—shkroi ai,—nuk përmendet fare Triniteti. . . . Mund ta njohim Perëndinë, jo nëpërmjet koncepteve tona të larta filozofike, por nëpërmjet Krishtit.» * Po ashtu arriti në përfundimin se fryma e shenjtë nuk është një person, por është forca vepruese e Perëndisë.
Servetosi ngjalli edhe reagime në favor të tij. Reformisti protestant, Sebastian Franku, shkroi: «Spanjolli Servetos, argumenton në veprën e tij se Perëndia është një person i vetëm. Kisha Katolike e Romës pohon se janë tre persona në një. Jam më shumë dakord me spanjollin.» Gjithsesi, as Kisha Katolike e Romës, as kishat protestante nuk e falën kurrë Servetosin që vuri në diskutim doktrinën e tyre kryesore.
Gjithashtu, studimi i Biblës bëri që Servetosi të hidhte poshtë edhe doktrina të tjera të kishës, dhe e konsideronte përdorimin e figurave apo shëmbëlltyrave si diçka që bie ndesh me Shkrimet. Kështu, pas një viti e gjysmë që kishte botuar Gabimet e Trinitetit, Servetosi tha si për katolikët, ashtu edhe për protestantët: «Nuk jam pro ose kundra për çdo gjë, as me njërën palë, as me tjetrën. Sepse sipas meje, si katolikët, si protestantët kanë disa të vërteta e disa gabime. Por çdo njëri vëren gabimet e tjetrit, dhe asnjëri nuk vëren të vetat.» Servetosi ishte i vetëm në kërkim të së vërtetës. *
Megjithatë, edhe pse ishte i sinqertë, ai arriti në disa përfundime të gabuara. Për shembull, llogariti se Harmagedoni dhe Mbretëria Mijëvjeçare e Krishtit do të vinin gjatë kohës së tij.
Në kërkim të së vërtetës shkencore
I detyruar t’ia mbathte nga përndjekësit e tij,
Servetosi e ndryshoi emrin në Vilanovanus dhe u vendos në Paris, ku u diplomua për art dhe mjekësi. Kureshtja për fushën e shkencës e shtyu të merrej me autopsi, me qëllim që të kuptonte funksionimin e trupit njerëzor. Ka mundësi që ai është evropiani i parë që shpjegoi qarkullimin e vogël të gjakut. Këto kërkime i përfshiu në veprën e tij Rivendosja e krishterizmit (latinisht). Në fakt, qarkullimi i plotë i gjakut u përshkrua nga Uilliam Harveji 75 vjet më pas.Gjithashtu Servetosi shkroi një botim të ri në latinisht që ishte vazhdim i veprës Gjeografia, shkruar nga Ptolemeu. Ishte kaq i suksesshëm, saqë disa e quajtën «babai» i gjeografisë së krahasuar dhe i etnografisë. Më vonë, në procesin e tij gjyqësor në Gjenevë, Servetosin e dënuan për përshkrimin që i kishte bërë Palestinës si një tokë shterpë, e mbjellë tek-tuk. Servetosi e mbrojti veten duke argumentuar se përshkrimi i tij përkonte me kohën që jetonte ai, jo me kohën e Moisiut, kur pa dyshim ishte një vend ku rridhte qumësht dhe mjaltë.
Gjithashtu Servetosi shkroi librin Traktat i përgjithshëm për shurupet (latinisht), që siguroi një pikëpamje të re e të ekuilibruar për një lloj mjekësie. Bollëku i njohurisë mjekësore që gjendej në atë libër, e bëri atë një pionier në fushën e farmakologjisë dhe përdorimit të vitaminave. Duke mbajtur parasysh përvojën e Servetosit në kaq shumë fusha, një historian e përshkroi si «një nga kokat më të mëdha të historisë njerëzore, që luajti një rol domethënës në pasurimin e kulturës botërore».
Një kundërshtar i fortë
Ata që kërkojnë të vërtetën gjithnjë kanë pasur plot kundërshtarë. (Luka 21:15) Mes shumë kundërshtarëve të Servetosit ishte edhe Xhon Kalvini, i cili kishte vendosur një shtet autoritar protestant në Gjenevë. Sipas historianit Uill Durant, «diktatura e tij [e Kalvinit] nuk varej te ligji ose te forca, por te vendosmëria dhe karakteri i tij i fortë», dhe Kalvini «ishte njësoj si çdo papë tjetër që kundërshtonte idenë se njerëzit kanë të drejtë të vendosin vetë se ku dhe çfarë të besojnë».
Ka të ngjarë që Servetosi dhe Kalvini të jenë takuar në Paris, kur kishin qenë të rinj. Që në fillim ata patën një përplasje personalitetesh, dhe Kalvini u bë armiku më i betuar i Servetosit. Ndonëse Kalvini ishte udhëheqësi i Reformës, në fund e akuzoi Servetosin para inkuizicionit katolik. Servetosi mezi ia doli t’ia mbathte nga Franca, ku, në vend të tij, i dogjën shëmbëllesën. Por e njohën dhe e burgosën në qytetin kufitar të Gjenevës, ku fjala e Kalvinit ishte ligj.
Kalvini urdhëroi që Servetosi të trajtohej mizorisht në burg. Pavarësisht nga kjo, në debatin e tij me Kalvinin gjatë procesit gjyqësor, Servetosi ishte gati të ndryshonte pikëpamjet e tij, nëse Kalvini do t’i jepte argumente bindëse të bazuara në Shkrime. Kalvini nuk ishte në gjendje ta bënte këtë. Pas gjyqit, Servetosi u dënua të digjej në turrën e druve. Disa historianë thonë se ai ishte i vetmi kundërshtar fetar që iu dogj shëmbëllesa nga katolikët dhe i gjallë nga protestantët.
Pionier i lirisë fetare
Kalvini e eliminoi vërtet rivalin e tij personal, por ama humbi autoritetin dhe ndikimin që kishte te të tjerët. Ekzekutimi i pajustifikueshëm i Servetosit zemëroi njerëzit me gjykim në tërë Evropën. Kjo siguroi një argument të fortë për mbrojtësit e lirisë qytetare, të cilët këmbëngulën se askush nuk duhej vrarë për shkak të bindjeve fetare. Ata u bënë më të vendosur se kurrë për të vazhduar luftën për liri fetare.
Poeti italian Kamilo Renato, protestoi: «As Perëndia dhe as fryma e tij nuk e kanë dashur këtë veprim. Krishti nuk i trajtoi kështu ata që e mohuan.» Kurse humanisti francez Sebastian Shatijoni shkroi: «Të vrasësh një njeri nuk do të thotë të mbrosh një doktrinë, por thjesht ta vrasësh atë njeri.» Vetë Servetosi pati thënë: «Mendoj se është shumë e rëndë të vrasësh njerëz sepse gabojnë duke iu përgjigjur disa pyetjeve në interpretimin e Shkrimeve, sidomos kur e dimë se edhe të zgjedhurit mund të kenë devijuar ndonjëherë nga rruga e drejtë e të kenë gabuar.»
Lidhur me ndikimin e qëndrueshëm që pati ekzekutimi i Servetosit, libri Migel Servetosi—Kolos intelektual, humanist dhe martir (anglisht) thotë: «Vdekja e Servetosit ishte pikë kthese në ideologjinë mbizotëruese që nga vitet 300 të e.s.» Po ashtu pohohej: «Nga perspektiva historike, Servetosi vdiq me qëllim që liria e ndërgjegjes të bëhej një e drejtë themelore e individit në shoqërinë moderne.»
Në vitin 1908, në qytetin francez të Anmasës, u ngrit një monument për Servetosin, rreth pesë kilometra nga vendi ku vdiq ai. Një mbishkrim thotë: «Migel Servetosi, . . . gjeografi, mjeku, psikologu, i cili i kontribuoi së mirës së njerëzimit me anë të zbulimeve të tij shkencore, përkushtimit ndaj të sëmurëve dhe të varfërve, si edhe qëndrimit të vendosur që mendimet dhe ndërgjegjja e tij të mos kontrolloheshin nga të tjerët. . . . Bindjet e tij ishin të patundura. Ai flijoi jetën për të mbrojtur të vërtetën.»
[Shënimet]
^ par. 5 Autoritetet spanjolle dëbuan 120.000 judenj që refuzuan të bëheshin katolikë, dhe mijëra morë u dogjën në turrën e druve.
^ par. 6 Shih artikullin «Bibla shumëgjuhëshe komplutense—Një mjet përkthimi me rëndësi historike», në Kullën e Rojës të 15 prillit 2004.
^ par. 11 Në veprën Deklaratë për Jezu Krishtin (latinisht), Servetosi e përshkroi doktrinën e Trinitetit si të ndërlikuar e çorientuese, dhe pohoi se në Shkrime nuk kishte «as edhe një rrokje» që ta mbështeste atë.
^ par. 13 Kur ishte në burg, Servetosi firmosi letrën e tij të fundit me këto fjalë: «Migel Servetosi, i vetëm, por duke besuar te mbrojtja më e sigurt, te Krishti.»
[Kutia dhe figurat në faqen 21]
Servetosi dhe emri Jehova
Fakti që Servetosi kërkonte të vërtetën, e shtyu të përdorte emrin Jehova. Ca muaj pasi Uilliam Tindali e vendosi këtë emër në përkthimin e tij të Pentateukut, Servetosi botoi librin Gabimet e Trinitetit, ku përdori kudo emrin Jehova. Ai shpjegoi kështu në veprën e tij: «Emri tjetër, më i shenjti nga të gjithë, יהוה, . . . mund të interpretohet si më poshtë, . . . ‘ai shkakton të bëhet’, ‘ai që sjell në jetë’, ‘shkaku i ekzistencës’.» Ai vërejti: «Emri Jehova mund të përdoret në mënyrë të përshtatshme vetëm për Atin.»
Po ashtu në vitin 1542, Servetosi ribotoi përkthimin e famshëm latinisht të Biblës nga Santes Panjiniti (treguar poshtë). Në shënimet e tij të shumta anash faqeve, Servetosi përfshiu sërish emrin hyjnor. E përfshiu emrin Jehova sidomos në referimet e disa vargjeve kryesore, si për shembull te Psalmi 83:18, ku në tekstin kryesor shfaqet fjala «Zotëri».
Në veprën e tij të fundit Rivendosja e krishterizmit, Servetosi pohoi lidhur me emrin hyjnor, Jehova: «[Është] e qartë . . . se kishte shumë veta që e shqiptonin këtë emër në kohët e lashta.»
[Figura]
Monumenti në Anmasë, Francë
[Figura në faqen 18]
Gravurë e shekullit të 15-të, që tregon pagëzimin e detyruar të myslimanëve që jetonin në Spanjë
[Burimi]
Capilla Real, Granada
[Figura në faqen 19]
Faqja e parë e librit «Gabimet e Trinitetit»
[Burimi]
Nga libri Gabimet e Trinitetit, i Migel Servetosit, 1531
[Figura në faqen 20]
Servetosi studioi qarkullimin e vogël të gjakut
[Burimi]
Anatomie descriptive et physiologique, Paris, 1866-7, L. Guérin, Editor
[Figura në faqen 20]
Libri i Servetosit «Traktat i përgjithshëm për shurupet», ishte i pari që hodhi idetë në fushën e farmakologjisë
[Figura në faqen 21]
Xhon Kalvini u bë armiku i betuar i Servetosit
[Burimi]
Biblioteca Nacional, Madrid
[Burimi i figurës në faqen 21]
Biblioteca Nacional, Madrid