Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse plakemi?

Përse plakemi?

Përse plakemi?

«Njeriu i lindur nga një grua është jetëshkurtër dhe i mbytur me halle.»—JOBI 14:1.

NDOSHTA keni menduar se të gjitha gjallesave patjetër u vjen dita që të konsumohen. Makinat dhe televizorët që përdorim në jetën e përditshme vjen një ditë që nuk punojnë më. Vetvetiu mund të mendojmë se po kështu plaken dhe vdesin edhe kafshët. Por profesori i zoologjisë, Stiven Ostadi, thotë: «Organizmat e gjallë ndryshojnë shumë nga makinat. Në fakt, ndoshta veçoria më thelbësore që i dallon gjallesat është aftësia e tyre për të riparuar vetveten.»

Mënyra se si trupi vetëriparohet pas një dëmtimi, të mrekullon, por riparimet që trupi i bën vazhdimisht vetes, në disa aspekte, janë edhe më mahnitëse. Për shembull, le të marrim kockat. «Kur e sheh nga jashtë kocka duket e pajetë, por ajo është një ind i gjallë që e shkatërron dhe e rindërton pareshtur veten gjatë gjithë moshës së rritur,—shpjegon revista Scientific American.—Si përfundim, ky proces rindërtimi, në çdo 10 vjet e zëvendëson komplet skeletin.» Pjesë të tjera të trupit tuaj përtërihen më shpesh. Disa qeliza në lëkurë, mëlçi dhe zorrë mund të zëvendësohen thuajse çdo ditë. Çdo sekondë trupi prodhon rreth 25 milionë qeliza të reja zëvendësuese. Nëse nuk do të ndodhte kjo e nëse të gjitha pjesët e trupit nuk do të riparoheshin ose nuk do të zëvendësoheshin vazhdimisht, do të plakeshit që në fëmijëri.

Kur biologët filluan të studionin molekulat brenda qelizave të gjalla, kuptuan se fakti që nuk konsumohemi është edhe më i mrekullueshëm nga ç’mendohej. Kur qelizat tuaja zëvendësohen me qeliza të reja, çdo qelizë e re duhet të ketë një kopje të ADN-së suaj, molekulën që përmban një pjesë të madhe të informacionit të nevojshëm për të riprodhuar të gjithë trupin. Mendoni se sa herë është riprodhuar ADN-ja jo vetëm gjatë jetës suaj, pra në trupin tuaj, por që kur nisi jeta njerëzore! Për të kuptuar sa e mrekullueshme është kjo, mendoni se çfarë do të ndodhte nëse do të fotokopjonit një dokument e pastaj kopjen do ta përdornit për të bërë një kopje tjetër. Nëse do ta bënit këtë vazhdimisht, kopje pas kopjesh cilësia do të binte dhe si përfundim kopjet e reja do të bëheshin të palexueshme. Lumturisht, cilësia e ADN-së sonë nuk bie dhe ajo nuk konsumohet me ndarjen e vazhdueshme të qelizave. Pse? Sepse qelizat tona kanë shumë mënyra për të ndrequr gabimet që mund të dalin nga kopjimi i ADN-së. Po të ndodhte ndryshe, njerëzimi do të ishte katandisur qëkur në një pirg dheu.

Meqë të gjitha pjesët e trupit tonë, që nga strukturat kryesore e deri te molekulat më të vockla, zëvendësohen ose riparohen vazhdimisht, hipoteza e konsumimit nuk e shpjegon plotësisht plakjen. Sistemet e shumta të trupit riparohen ose zëvendësohen vetë për dhjetëvjeçarë me radhë, dhe secili ka mënyrën dhe ritmin e vet që ndryshon nga sistemi në sistem. Po atëherë, përse të gjitha këto sisteme ngadalësohen pothuajse në të njëjtën kohë derisa pushojnë së funksionuari?

A është e programuar plakja?

Pse macja jeton 20 vjet, kurse oposumi, kafshë me të njëjtën madhësi, jeton vetëm 3 vjet? * Pse lakuriqi i natës jeton 20 ose 30 vjet, kurse miu vetëm 3 vjet? Pse breshka gjigante jeton 150 vjet, kurse elefanti vetëm 70 vjet? Faktorë të tillë, si ushqimi, pesha, madhësia e trurit ose ritmi i jetës nuk i shpjegojnë dot gjithë këto ndryshime në jetëgjatësinë e gjallesave. Në Encyclopædia Britannica thuhet: «Në kodin e materialit gjenetik gjenden udhëzime që përcaktojnë moshën, të cilën një lloj gjallese nuk mund ta kalojë.» Jetëgjatësia maksimale është e shkruar në gjene. Po përse të gjitha funksionet e trupit fillojnë të ngadalësohen derisa pushojnë, teksa afrohet fundi i jetëgjatësisë?

Dr. Xhon Medina, shkencëtar në fushën e biologjisë molekulare, shkruan: «Duket se ka disa sinjale misterioze që vetëm sa shfaqen në çaste të caktuara dhe i udhëzojnë qelizat të mos i kryejnë më funksionet normale të një qelize të rritur.» Ai shton: «Ekzistojnë gjene që mund t’u thonë qelizave dhe krejt organizmit që të plaken e të vdesin.»

Trupi ynë mund të krahasohet me një kompani që ka punuar me sukses për dekada me radhë. Papritur administratorët nuk punësojnë e nuk stërvitin më punonjës të rinj, nuk i riparojnë e nuk i zëvendësojnë më makineritë dhe as nuk i mirëmbajnë e i rindërtojnë ndërtesat e prishura. Shpejt, aktiviteti i kompanisë do të fillojë të bjerë. Por përse të gjithë këta administratorë i ndryshuan metodat e tyre të suksesshme? Kjo pyetje ngjason me pyetjen, së cilës po përpiqen t’i japin përgjigje biologët që studiojnë procesin e plakjes. Libri Ora e moshës (anglisht) thotë: «Në kërkimet për plakjen, një nga të panjohurat më të vështira që po përpiqemi të kuptojmë, është se përse qelizat nuk shumohen më dhe fillojnë të vdesin.»

A ka ndonjë kurë për plakjen?

Plakja është quajtur problemi «më i ndërlikuar nga të gjitha problemet biologjike». Pas dhjetëvjeçarë përpjekjesh, nga kërkimet shkencore ende nuk është zbuluar shkaku i plakjes, e jo më të zbulohet ndonjë kurë. Në vitin 2004, revista Scientific American botoi një paralajmërim që bënin 51 shkencëtarë të cilët studiojnë plakjen. Aty thuhej: «Asnjë produkt që shitet sot për të parandaluar plakjen—as edhe një—nuk ka dhënë ende prova se mund të ngadalësojë, të ndalojë ose të kthejë mbrapsht procesin e plakjes te njeriu.» Ndonëse ushqimi i mirë dhe fizkultura në masën e duhur mund ta përmirësojnë shëndetin dhe të ulin rrezikun e vdekjes së parakohshme nga ndonjë sëmundje, asgjë nuk ka dhënë prova se ngadalëson plakjen. Këto përfundime na sjellin ndër mend fjalët e Jezuit, të cilat gjenden në Bibël: «Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund ta zgjatë sadopak jetën e vet?»—Mateu 6:27.

Duke përmbledhur progresin e bërë në përpjekjet për të gjetur një kurë për plakjen, Medina shkruan: «Pikësëpari, nuk e dimë saktësisht se përse plakemi. . . . Dekada më parë shpallëm luftën kundër kancerit dhe ende nuk kemi gjetur një kurë. Procesi i plakjes është jashtëzakonisht më i ndërlikuar se mekanizmat që shkaktojnë kancerin.»

Kërkimet çojnë në një përfundim me vlerë të madhe

Kërkimet rreth funksionimit të gjallesave dhe shkakut se përse ato plaken nuk i kanë shuar të gjitha shpresat për një jetë më të gjatë. Disa kanë zbuluar se kërkimet i kanë çuar në një përfundim të pashmangshëm që është thelbësor për të kuptuar plakjen. Majkëll Bihi, biokimist në fushën molekulare, shkruan: «Gjatë katër dekadave të kaluara, biokimia moderne ka zbuluar sekretet e qelizës. . . . Rezultati i këtyre përpjekjeve që sa vijnë e shtohen për të hetuar qelizën, për të hetuar jetën në nivel molekular, është një thirrje e fortë, e qartë dhe e mprehtë: ‘Të projektuara!’» Dikush i ka projektuar me zgjuarsi gjallesat. Sigurisht, Bihi nuk është i pari që ka arritur në këtë përfundim. Pasi meditoi për ndërtimin e trupit të njeriut, një psalmist i lashtësisë shkroi: «Jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë.»—Psalmi 139:14.

Nëse gjallesat janë të projektuara, atëherë lind një pyetje që të zgjon kureshtjen: a e krijoi njeriun Perëndia, Projektuesi i Madh, që të jetonte pak a shumë sa kafshët apo dëshiron që ne të jetojmë më gjatë?

[Shënimi]

^ par. 8 Oposumi i zakonshëm është një gjitar me xhep që rritet në Amerikën e Veriut.

[Diçitura në faqen 4]

‘Jemi krijuar në mënyrë të mrekullueshme’

[Figura në faqet 4, 5]

A shkaktohet plakja nga konsumimi?

[Burimi i figurës në faqen 6]

ADN: fotografia: www.comstock.com