Sa gjatë mund të jetoni?
Sa gjatë mund të jetoni?
«Mishi iu bëftë më i freskët se në rini! Iu ktheftë gjallëria si në ditët e rinisë!»—JOBI 33:25.
KUR një qen ngordh pasi ka jetuar 10 ose 20 vjet, ka bërë shumicën e gjërave që bëjnë qentë gjatë jetës. Mbase ka rritur këlyshët, ka ndjekur macet, ka groposur kocka dhe ka mbrojtur të zotin. Por kur njeriu vdes pasi ka jetuar 70 a 80 vjet, ka bërë veç një pjesëz të gjërave që janë brenda kapacitetit të tij. Nëse i pëlqente sporti, mbase ka shkëlqyer vetëm në një ose dy sporte. Nëse i pëlqente muzika, ndoshta është bërë mjeshtër vetëm për një ose dy vegla muzikore. Nëse kishte qejf t’u fliste njerëzve në gjuhën e tyre, mund të ketë folur rrjedhshëm vetëm dy ose tri gjuhë. Sikur të kishte jetuar më gjatë mund të kishte shijuar shumë më tepër përvoja të këndshme, si për shembull, të takonte njerëz, të zbulonte gjëra të reja dhe të bëhej më i afërt me Perëndinë.
Ju mund të pyetni: ‘Përse Perëndia do ta krijonte njeriun me një mendje që është në gjendje të bëjë kaq shumë gjëra e pastaj ta zhgënjente me një jetëgjatësi që e lejon të shijojë kaq pak?’ Duket se jeta e shkurtër e njeriut nuk përshtatet me projektin e qëllimshëm që shihet kaq qartë në krijim. Gjithashtu mund të pyetni: ‘Përse Perëndia do ta krijonte njeriun me cilësi unike të tilla, si drejtësia dhe dhembshuria e në të njëjtën kohë t’i jepte prirjen për të bërë keq?’
Po të shihni një makinë të bukur, por që ka një të shtypur të shëmtuar, a do të nxirrni përfundimin se ky deformim është pjesë e modelit? Sigurisht që jo. Pa dyshim që do të arsyetoni: ‘Makina nuk është projektuar kështu. Duhet ta kenë bërë në rregull, por pastaj dikush e ka dëmtuar.’ Po kështu, kur mendojmë për dhuratën e mrekullueshme të jetës që kemi trashëguar, i vetmi përfundim që mund të nxjerrim është se tani jeta nuk është siç u projektua. Jetëgjatësia jonë e shkurtër dhe prirja për të gabuar janë si deformime të tmerrshme. Është e qartë se dikush e dëmtoi rëndë këtë dhuratë që trashëgoi njerëzimi. Kush ishte? Dëshmitë biblike nuk lënë vend për dyshime kur tregojnë cili është fajtori.
Nëse njeriu në fillim e kishte aftësinë për të jetuar pafundësisht, atëherë kush mund ta ketë dëmtuar më pas trashëgiminë e gjithë njerëzimit? Mund të ketë qenë vetëm paraardhësi i tërë njerëzimit, ai prej të cilit kemi ardhur të gjithë. Çdokush tjetër mund të dëmtonte vetëm gjenet e një pjese të njerëzimit, pra vetëm gjenet e pasardhësve të vet. Prandaj Fjala e Perëndisë, Bibla, përputhet me faktet e qarta kur thotë: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit, njeriut të parë], dhe vdekja Romakëve 5:12) Pra Shkrimet fajësojnë Adamin si shkatërrimtar të trashëgimisë sonë. Si ishte projektuar në fillim jeta e njeriut?
nëpërmjet mëkatit, ashtu . . . vdekja u përhap në të gjithë njerëzit.» (Të kuptojmë si ishte projekti
Duke thënë se vdekja «hyri në botë», Bibla tregon se njeriu nuk u krijua për të vdekur. Për njerëzit, plakja dhe vdekja janë pasojë e rebelimit të njeriut të parë kundër Perëndisë. Nga ana tjetër, kafshët nuk u krijuan që të jetonin përgjithmonë.—Zanafilla 3:21; 4:4; 9:3, 4.
Njerëzit u projektuan ndryshe nga kafshët. Ne jemi një formë më e lartë jete se kafshët, ashtu si engjëjt që janë një formë më e lartë jete se njerëzit. (Hebrenjve 2:7) Ndryshe nga kafshët, njeriu u bë «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë». (Zanafilla 1:27) Po kështu, ndryshe nga kafshët, në Bibël Adami quhet «bir i Perëndisë». (Luka 3:38) Prandaj, kemi arsye bindëse të besojmë se njeriu nuk u krijua që të plakej e të vdiste. Perëndia nuk vdes dhe as bijtë e tij nuk i krijoi që të vdisnin.—Habakuku 1:12; Romakëve 8:20, 21.
Dëshmitë historike për brezat e parë të njerëzimit na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë projektin që kishte në fillim Perëndia për njeriun. Njerëzit në atë kohë jetonin shekuj me radhë para se të plakeshin. Adami jetoi 930 vjet. Disa breza më vonë, biri i Noesë, Semi, jetoi vetëm 600 vjet, kurse nipi i Noesë, Arpakshadi, jetoi 438 vjet. * (Zanafilla 5:5; 11:10-13) Më vonë, Abrahami jetoi 175 vjet. (Zanafilla 25:7) Me sa duket, pasojat e mëkatit në jetëgjatësi kanë ardhur duke u shtuar dhe kanë bërë që jetëgjatësia të shkurtohet, ndërkohë që koha kalon dhe njerëzimi largohet gjithnjë e më shumë nga projekti i përsosur fillestar. Por në fillim, njeriu u krijua të jetonte përgjithmonë. Prandaj, është normale të pyesim: ‘A dëshiron ende Perëndia që njerëzit të gëzojnë jetë pa fund në tokë?’
Çlirim nga plakja
Meqë Perëndia Jehova kishte thënë se kushdo që nuk do t’i bindej do të paguante çmimin për mëkatin e vet duke vdekur, për pasardhësit e Adamit gjendja dukej e pashpresë. (Zanafilla 2:17) Megjithatë, në Shkrimet e frymëzuara nga Perëndia jepej shpresa që dikush do të paguante që njerëzit të çliroheshin nga plakja. Aty lexojmë: «Le të mos shkojë në gropë! Për të gjeta shpërblesë! Mishi iu bëftë më i freskët se në rini! Iu ktheftë gjallëria si në ditët e rinisë!» (Jobi 33:24, 25; Isaia 53:4, 12) Këtu Bibla jepte një perspektivë të mrekullueshme: dikush do të paguante një shpërblesë që të sillte çlirim nga plakja.
Kush mund ta paguante këtë shpërblesë? Gjithë paratë e botës nuk do të mjaftonin për ta paguar. Duke folur për njerëzit e papërsosur, Bibla thotë: «Asnjëri prej tyre nuk e shpengon dot kurrsesi qoftë edhe të vëllanë, as i jep dot Perëndisë një shpërblesë për të, . . . që ai të jetojë përgjithmonë.» (Psalmi 49:7-9) Megjithatë, Jezu Krishti kishte diçka me vlerë më të madhe se paratë. Kur ishte në tokë, ai kishte jetën e përsosur njerëzore, sepse si Bir i Perëndisë pati mbrojtjen që të mos e trashëgonte mëkatin e Adamit. Jezui tha se erdhi që ‘të jepte shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz’. Në një rast tjetër ai tha: ‘Unë erdha që ata të kenë jetë e ta kenë me bollëk.’—Mateu 20:28; Gjoni 10:10.
Shpresa e jetës së pafundme ishte një temë e rëndësishme në predikimin e Jezuit. Ithtari i tij besnik, Pjetri, një herë i tha: «Ti ke fjalë jete të përhershme.» (Gjoni 6:68) Çfarë nënkupton Bibla kur flet për jetën e përhershme?
Jetë pa fund
Apostujt e Jezuit mezi pritnin të gëzonin jetën pa fund në qiej si pjesëtarë të Mbretërisë së Jezuit. (Luka 22:29; Gjoni 14:3) Megjithatë, shpesh Jezui foli për qëllimin e Perëndisë për tokën. (Mateu 5:5; 6:10; Luka 23:43) Prandaj, mrekullitë e Jezuit dhe mësimet e tij për jetën e përhershme përforcojnë premtimet e Perëndisë që u bënë shumë më parë nëpërmjet profetit Isaia, i cili shkroi: «Ai do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë.» (Isaia 25:8) Jeta e njeriut nuk do të ketë më vetëm disa vite rinie që fluturojnë pa e kuptuar për t’ua lënë vendin viteve kur trupi sa vjen e bie nga pleqëria.
Në botën e re të Perëndisë, kur njerëzit besnikë të arrijnë në përsosmëri, do të kenë shpëtuar nga plakja. Bibla thotë: «Edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.» (Romakëve 8:21) Përfytyroni! Njerëzit do të vazhdojnë të fitojnë më shumë mençuri dhe përvojë. Por ndërkohë që shekujt kalojnë, gjallëria fizike e rinisë nuk do t’u venitet kurrë. A do të jetoni që ta shihni atë kohë?
Sa gjatë do të jetoni?
Sipas fjalëve të Jezuit, popullsia e tokës do të bjerë ndjeshëm, si pasojë e ditës së gjykimit të Perëndisë. (Mateu 24:21, 22) Jezui tha: «E gjerë dhe e hapët është rruga që të çon në shkatërrim, dhe shumë hyjnë nga ajo. Por e ngushtë është porta dhe e kufizuar rruga që të çon në jetë, dhe pak e gjejnë atë.»—Mateu 7:13, 14.
Për të qenë mes atyre që do të gëzojnë jetën pa fund, duhet të kërkoni miratimin e Perëndisë. Hapi i parë është të njihni Perëndinë. Jezui shpjegoi: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë.» (Gjoni 17:3) Kuptohet, për ta njohur mirë Perëndinë duhen përpjekje, megjithatë, ia vlen. Po kështu, duhen përpjekje edhe për të fituar bukën e gojës. Duke e krahasuar njohurinë për Perëndinë me ushqimin, Jezui nxiti: «Mos punoni për ushqimin që prishet, por për atë që qëndron dhe të çon në jetë të përhershme.» (Gjoni 6:27) A nuk ia vlen çdo përpjekje që mund të bëni për të fituar jetën pa fund?—Mateu 16:26.
Jezui tha: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Pra, se sa gjatë do të jetoni, kjo varet nga mënyra se si do t’i përgjigjeni dashurisë së Perëndisë.
[Shënimi]
^ par. 10 Disa thonë se vitet e përmendura në Bibël në të vërtetë janë muaj. Por, Bibla thotë se Arpakshadit i lindi Shelahu kur ishte 35 vjeç. Nëse do të ishin 35 muaj, atëherë Arpakshadi u bë baba para se të mbushte tre vjeç, e kjo sigurisht që është e pamundur. Veç kësaj, kapitujt e parë të Zanafillës bëjnë dallimin midis cikleve diellore të viteve nga ciklet hënore të muajve.—Zanafilla 1:14-16; 7:11.
[Diçitura në faqen 7]
Pasi ka jetuar 80 vjet, njeriu ka shfrytëzuar vetëm një pjesë të kapacitetit të tij
Diçitura në faqen 8]
Nga mënyra si u projektuan, njerëzit janë një formë më e lartë jete se kafshët
[Figura në faqen 7]
A u projektua e deformuar kjo makinë?
[Figura në faqet 8, 9]
Fjala e Perëndisë thotë se njerëzve do t’u kthehet ‘gjallëria si në ditët e rinisë’