Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cili ishte mëkati i parë?

Cili ishte mëkati i parë?

Pikëpamja e Biblës

Cili ishte mëkati i parë?

PËRGJIGJJA e kësaj pyetjeje është me interes për ne sot. Përse? Sepse mosbindja e Adamit dhe e Evës ndaj Perëndisë, ndikoi te të gjithë brezat e ardhshëm, deri te ne që jetojmë sot. Bibla pohon: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Por, si ka mundësi që vetëm ngrënia e një fruti të sjellë pasoja kaq tragjike?

Kur Perëndia krijoi Adamin dhe Evën, i vendosi në një kopsht të bukur që ishte plot me perime të ngrënshme e pemë frutore. Vetëm njëra pemë ishte e ndaluar—«pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». Duke pasur vullnet të lirë, Adami dhe Eva mund të zgjidhnin t’i bindeshin ose jo Perëndisë. Megjithatë, Adami u paralajmërua se ‘ditën që do të hante prej [pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes], kishte për të vdekur’.—Zanafilla 1:29; 2:17.

Kufizim i arsyeshëm

Ky kufizim nuk sillte aspak vështirësi; Adami dhe Eva mund të hanin nga të gjitha pemët e tjera të kopshtit. (Zanafilla 2:16) Për më tepër, urdhri për të mos ngrënë këtë fryt nuk do të thoshte se çifti kishte ndonjë prirje të gabuar, dhe as nuk u hiqte dinjitetin. Nëse Perëndia do t’u kishte ndaluar gjëra të tilla të neveritshme, siç është sjellja shtazarake ose vrasja, atëherë disa mund të thoshin se njerëzit e përsosur kishin disa prirje të gabuara që duheshin mbajtur nën kontroll. Kurse ngrënia ishte diçka e natyrshme dhe me vend.

A përfaqësonte fryti i ndaluar marrëdhëniet seksuale, siç thonë disa? Shkrimet nuk e mbështetin aspak këtë ide. Pikësëpari, kur Perëndia i tha të mos e hante frytin, Adami ishte vetëm dhe me sa duket qëndroi ashtu për ca kohë. (Zanafilla 2:23) Së dyti, Perëndia i tha Adamit dhe Evës ‘të ishin të frytshëm, të shumoheshin dhe të mbushnin tokën’. (Zanafilla 1:28) Sigurisht ai nuk do t’i urdhëronte të thyenin ligjin e tij, dhe pastaj t’i dënonte me vdekje pse bënë ashtu. (1 Gjonit 4:8) Së treti, Eva e hëngri frytin para Adamit, dhe më vonë ia dha edhe atij. (Zanafilla 3:6) Është e qartë, fryti nuk përfaqësonte marrëdhëniet seksuale.

Orvatje për pavarësi morale

Pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes ishte një pemë prej vërteti. Gjithsesi ajo përfaqësonte të drejtën e Perëndisë si Sundimtar për të vendosur çfarë është e mirë dhe e keqe për krijesat e tij njerëzore. Prandaj të haje nga pema, nuk ishte vetëm një vjedhje—të merrje diçka që i përkiste Perëndisë—por edhe një orvatje arrogante për pavarësi morale. Vini re se pasi e gënjeu Evën, duke i thënë se në qoftë se ajo dhe i shoqi do të hanin frytin ‘s’do të vdisnin aspak’, Satanai pohoi: «Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.»—Zanafilla 3:4, 5.

Megjithatë, kur e hëngrën frytin, Adami dhe Eva nuk u bënë si Perëndia që të kuptonin të mirën dhe të keqen. Në fakt, Eva i tha Perëndisë: «Gjarpri më mashtroi.» (Zanafilla 3:13) Gjithsesi ajo e dinte urdhrin e Perëndisë, madje ia përsëriti gjarprit, veglës që përdori Satanai për të folur me të. (Zbulesa 12:9) Prandaj, ajo me dashje nuk iu bind urdhrit. (Zanafilla 3:1-3) Kurse Adami nuk u mashtrua. (1 Timoteut 2:14) Në vend që t’i bindej besnikërisht Krijuesit të tij, ai dëgjoi gruan dhe ndoqi drejtimin e saj të pavarësisë.—Zanafilla 3:16, 17.

Duke deklaruar pavarësinë e tyre, Adami dhe Eva dëmtuan në mënyrë të pariparueshme marrëdhënien me Jehovain, dhe bënë që mëkati të kishte një efekt të përhershëm në trupin e tyre, madje deri në kodin gjenetik. Është e vërtetë se ata jetuan qindra vjet, por filluan të vdisnin «ditën» kur mëkatuan, ashtu si thahet një degë kur pritet nga trungu i pemës. (Zanafilla 5:5) Për më tepër, për herë të parë ata nuk kishin paqe të brendshme. E kuptuan se ishin lakuriq dhe u përpoqën t’i fshiheshin Perëndisë. (Zanafilla 3:7, 8) Po ashtu u ndien fajtorë, të pasigurt dhe të turpëruar. Mëkati u shkaktoi një turbullim brenda vetes, ndërgjegjja po i akuzonte për keqbërjen.

Për të mbajtur fjalën dhe për të zbatuar normat e tij të shenjta, Perëndia me të drejtë e dënoi me vdekje Adamin dhe Evën, dhe i dëboi nga kopshti i Edenit. (Zanafilla 3:19, 23, 24) Kështu pra, parajsa, lumturia dhe jeta e përhershme humbën, ndërsa mëkati, vuajtjet dhe vdekja erdhën si pasojë. Çfarë tragjedie për racën njerëzore! Megjithatë, menjëherë pasi ndëshkoi çiftin, Perëndia premtoi të hiqte të gjitha pasojat e mëkatit të tyre, pa bërë kompromis me normat e tij të drejta.

Jehovai vuri si qëllim që pasardhësit e Adamit dhe të Evës të liroheshin nga mëkati dhe vdekja. E plotësoi këtë me anë të Jezu Krishtit. (Zanafilla 3:15; Mateu 20:28; Galatasve 3:16) Nëpërmjet tij, Perëndia do të eliminojë mëkatin dhe të gjitha pasojat e tij dhe do ta bëjë tokën një parajsë globale, ashtu siç e kishte qëllimin në fillim.—Luka 23:43; Gjoni 3:16.

A DONI TË DINI?

▪ Si e dimë se fryti i ndaluar nuk përfaqësonte marrëdhëniet seksuale?—Zanafilla 1:28.

▪ Çfarë përfaqësonte ngrënia e frytit të ndaluar?—Zanafilla 3:4, 5.

▪ Çfarë masash mori Perëndia për të hequr pasojat e mëkatit?—Mateu 20:28.

[Diçitura në faqen 29]

Fryti i ndaluar nuk përfaqësonte marrëdhëniet seksuale

[Figura në faqet 28, 29]

Eva donte të ishte si Perëndia, të vendoste vetë çfarë ishte e drejtë dhe e gabuar