Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mëndafshi​—«Mbreti i pëlhurave»

Mëndafshi​—«Mbreti i pëlhurave»

Mëndafshi​—«Mbreti i pëlhurave»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË JAPONI

DISA nga veshjet më të bukura në botë—përfshirë këtu kimonon japoneze, sarin indian dhe hanbokun korean—kanë diçka të përbashkët. Shpesh ato bëhen me mëndafsh, një pëlhurë e shndritshme që është quajtur edhe mbreti i pëlhurave. Eleganca e mëndafshit ka magjepsur tërë botën, që nga mbretërit e lashtë, e deri te njerëzit e thjeshtë të ditëve tona. Por, nuk ka qenë gjithnjë kaq e lehtë ta gjeje kudo mëndafshin.

Në të kaluarën prodhimi i mëndafshit ishte një biznes i njohur vetëm në Kinë. Askush tjetër nuk dinte si ta prodhonte, prandaj kushdo që e tregonte sekretin e krimbave të mëndafshit ekzekutohej si tradhtar. Nuk është çudi pra, pse ky monopol i prodhimit të mëndafshit e bëri atë mjaft të shtrenjtë. Për shembull, në gjithë perandorinë romake mëndafshi ishte po aq i vlefshëm sa edhe ari.

Me kalimin e kohës, Persia vuri nën kontroll të gjithë mëndafshin që eksportohej nga Kina. Megjithatë çmimet ishin ende të kripura, dhe përpjekjet për t’i shmangur tregtarët persë shkuan kot. Pastaj, perandori bizantin Justiniani hartoi një plan. Rreth vitit 550 p.e.s., ai dërgoi në Kinë dy murgj me një mision sekret. Ata u kthyen pas dy vjetësh. Brenda kallamave të bambusë kishin fshehur thesarin e shumëpritur—vezët e krimbit të mëndafshit. Sekreti u zbulua. Monopolit të mëndafshit i erdhi fundi.

Sekreti i prodhimit të mëndafshit

Mëndafshi prodhohet nga krimbat e mëndafshit, ose vemjet e fluturës së krimbit të mëndafshit. Ka qindra lloj krimbash mëndafshi, por emri shkencor i atij që prodhon mëndafshin me cilësi më të lartë është Bombyx mori. Nevojiten goxha krimba mëndafshi për të bërë pëlhura të tilla, prandaj kjo gjë çoi në rritjen dhe kultivimin e tyre. Familja e Shoiki Kauaharadas, që jeton në prefekturën e Gunmasit, Japoni, është një nga afro 2.000 shtëpitë në këtë vend, që kryejnë ende këtë punë të lodhshme. Shtëpia e tij dykatëshe, e ndërtuar enkas për rritjen e krimbave të mëndafshit, ndodhet në shpatin e një kodre me pamje nga një pemishte me mana (1).

Femra arrin të ngrohë deri në 500 vezë, të mëdha sa koka e një gjilpëre (2). Vezët çelin pas afro 20 ditësh. Krimbat e veckël janë grykës të mëdhenj. Natë e ditë hanë gjethe mani—dhe vetëm gjethe mani (3, 4). Brenda 18 ditësh, pesha që kishin në fillim krimbat e mëndafshit rritet 70-fish dhe lëkura i ndërrohet katër herë gjatë kësaj kohe.

Në fermën e zotit Kauaharada rriten rreth 120.000 krimba mëndafshi. Zhurma që bëjnë këto krijesa të pangopura, është tamam si zhurma e një shiu të furishëm që bie mbi gjethe. Kur krimbi i mëndafshit rritet, peshon 10.000 herë më shumë sesa peshonte në fillim. Tani është gati të endë fshikëzën.

Endës të heshtur

Kur është rritur plotësisht, trupi i krimbit të mëndafshit bëhet i tejdukshëm, dhe kjo tregon se është koha që të fillojë të endë. Kur krimbat e mëndafshit nuk i zë vendi dhe fillojnë të kërkojnë një vend që të ngrejnë «foletë», ku të vendosin fshikëzat e tyre, do të thotë se ka ardhur koha të vendosen në një kuti të ndarë në kutiza të vogla. Aty ata nxjerrin fillin e tyre të bardhë e të imët (5), duke e mbështjellë veten me mëndafsh.

Kjo është periudha më e ngarkuar për zotin Kauaharada, sepse të 120.000 krimbat e mëndafshit fillojnë të endin pothuajse në të njëjtën kohë. Radhë të tëra me kuti varen në papafingon e freskët dhe të ajrosur, që gjendet në katin e dytë të shtëpisë (6).

Ndërkohë, brenda krimbit të mëndafshit ndodh një ndryshim i mrekullueshëm. Gjethet e manit shndërrohen në fibroinë, një lloj proteine, e cila gjendet në dy gjëndra që janë të gjata sa vetë trupi i vemjes. Ndërsa fibroina del përmes këtyre gjëndrave, vishet nga një substancë si gomë, që quhet sericinë. Pa dalë nga goja e vemjes, dy fije fibroine ngjiten bashkë nga sericina. Në kontakt me ajrin, ky mëndafsh i lëngshëm ngurtësohet dhe formon një fije të vetme.

Kur krimbi i mëndafshit fillon të prodhojë mëndafsh, nuk ndalon deri sa të mbarohet i tërë lëngu. Ai end me një shpejtësi 30 deri në 40 centimetra në minutë, dhe gjithë këtë punë e bën duke rrotulluar kokën sa andej-këtej. Një artikull thotë se kur fshikëza e mëndafshtë është përfunduar, krimbi i mëndafshit e ka rrotulluar kokën gati 150.000 herë. Pasi end për dy ditë e dy netë, krimbi i mëndafshit prodhon një fije të vetme të gjatë 1.500 metra. Kjo është katër herë më e gjatë se lartësia e një grataçele.

Vetëm brenda një jave, zoti Kauaharada grumbullon 120.000 fshikëzat e tij, që pastaj i shet për t’u përpunuar. Duhen rreth 9.000 fshikëza për të bërë një kimono dhe rreth 140 për të bërë një kollare, kurse një shall do më shumë se 100.

Si prodhohet pëlhura e mëndafshit?

Procesi i çmbështjelljes së mëndafshit nga fshikëza dhe e vendosjes në një bobinë, quhet mbështjellje. Si filloi ky proces? Mitet dhe legjendat s’kanë të sosur. Sipas një legjende, perandoresha kineze Hsi Ling Shija, vuri re se një fshikëz kishte rënë nga pema e manit te filxhani i saj i çajit. Duke u përpjekur ta hiqte, pa se bashkë me të doli një fije e hollë mëndafshi. Kështu lindi procesi i çmbështjelljes së fijes së mëndafshit, proces që sot bëhet me anë të makinerive.

Që fshikëzat të shiten, duhet që pupat brenda tyre të vriten para se të çelin. Kjo detyrë e pakëndshme bëhet me anë të nxehtësisë. Fshikëzat që kanë ndonjë defekt hiqen, kurse ato që mbeten janë gati të përpunohen. Së pari, fshikëzat futen në ujë të nxehtë ose në avull që të shkrijë sericina dhe fija të shkëputet. Pastaj kapet fillimi i fijes me furça rrotullore (7). Sipas trashësisë së dëshiruar, mund të ndërthuren fije nga dy ose më shumë fshikëza për të formuar një fill të vetëm. Filli thahet dhe mbështillet në një bobinë. Mëndafshi i papërpunuar mbështillet prapë në një bobinë më të madhe, për të formuar një lëmsh me gjatësinë dhe peshën e kërkuar (8, 9).

Mund ta keni provuar që pëlhura e mëndafshit është kaq e lëmuar dhe e butë, saqë keni dashur të ledhatoni faqet me të. Si bëhet kjo pëlhurë kaq e veçantë? Një faktor është heqja e sericinës që vesh fibroinën. Mëndafshi që ka sericinë, është i ashpër dhe mezi ngjyroset. Pëlhura chiffon është si me kokrriza, ngaqë një pjesë e sericinës mbetet.

Faktori i dytë është sa tirret filli gjatë punës. Kur e prek pëlhurën japoneze habutai, ajo është e butë dhe e lëmuar. Ka fare pak ose aspak përdredhje të fillit. Në kontrast me këtë, krepi ka përbërje të ashpër. Ka jashtë mase përdredhje të fillit.

Ngjyerja është një tjetër proces i rëndësishëm. Mëndafshi ngjyhet lehtë. Struktura e fibroinës e lejon bojën të depërtojë thellë, duke bërë që copa të marrë ngjyrë shpejt dhe shumë mirë. Përveç kësaj, njësoj si copat sintetike, mëndafshi ka jone pozitive dhe negative. Kjo do të thotë se çdo lloj boje merr shumë mirë. Mëndafshi mund të ngjyhet që kur është fill, para (10) ose pasi të endet në tezgjah. Te kimonot e famshme yuzen, pikturohen dhe ngjyrosen me dorë motive të bukura, pasi është endur pëlhura e mëndafshit.

Pavarësisht se shumica e prodhimit të mëndafshit bëhet në Kinë dhe në Indi, përsëri asnjëri s’ua kalon stilistëve francezë dhe italianë për sa u përket modeleve me copat e mëndafshta. Sigurisht, sot pëlhurat si mëndafshi artificial dhe najloni, përdoren për të prodhuar copa jo shumë të shtrenjta. Gjithsesi, mëndafshi nuk ka të krahasuar. «Edhe me përparimet e sotme në shkencë, mëndafshi nuk sintetizohet,—thotë kujdestari i Muzeut të Mëndafshit në Jokohama, Japoni.—Ne dimë gjithçka, që nga formula molekulare e deri te struktura. Por nuk e kopjojmë dot. Këtë unë e quaj, misteri i mëndafshit.»

[Kutia dhe figura në faqen 26]

CILËSITË E mëndafshit

I fortë: Mëndafshi është i fortë sa një shufër çeliku me të njëjtën trashësi.

Ka shkëlqim: Mëndafshi ka një shkëlqim të ëmbël si ai i margaritarëve. Kjo për shkak të strukturës prizmike të fibroinës, me shumë shtresa, e cila përhap dritën.

I butë për lëkurën: Aminoacidet që përbëjnë mëndafshin nuk e acarojnë lëkurën. Thuhet se mëndafshi e mbron lëkurën nga sëmundje të ndryshme. Disa artikuj kozmetikë bëhen me pluhur mëndafshi.

Thith lagështirën: Aminoacidet dhe hapësirat bosh te fibrat e mëndafshit, thithin dhe nxjerrin një sasi të konsiderueshme djerse, duke e mbajtur trupin të freskët në stinën e nxehtë.

Rezistent ndaj të nxehtit: Mëndafshi nuk digjet lehtë dhe gjatë djegies nuk lëshon gaz helmues.

Mbrojtës: Mëndafshi thith rrezet ultravjollcë dhe kështu mbron lëkurën.

Nuk elektrizohet: Ngaqë mëndafshi ka edhe jone pozitive, edhe negative dhe thith lagështirën, nuk elektrizohet, siç bëjnë disa materiale të tjera.

KUJDESI PËR mëndafshin

Larja: Është mirë që rrobat e mëndafshta të pastrohen në pastrim kimik. Nëse do t’i lani vetë në shtëpi, lajini me ujë të ngrohtë (në temperaturë 30 gradë) dhe përdorni ilaç për rroba delikate. Fërkojini lehtë dhe mos i shtrydhni. Pastaj ndejini të thahen.

Hekurosja: Vini një copë sipër rrobës së mëndafshtë kur ta hekurosni. Përpiquni të hekurosni në drejtim të punimit, në temperaturë 130 gradë celsius. Përdorni pak ose aspak avull.

Heqja e njollave: Nëse duhet pastruar menjëherë, vendoseni përmbys rrobën e mëndafshtë mbi një rrobë të thatë. Me një copë pak të lagur bjerini sipër, por mos e fërkoni. Pastaj çojeni në pastrim kimik.

Ruajtja: Shmangni lagështirën, kujdes nga mola dhe mos e lini në vende me diell. Përdorni varëse të veshura me sfungjer ose vendosini shtrirë, dhe palosini sa më pak të jetë e mundur.

[Figura në faqen 25]

Fshikëzat e mëndafshit

[Burimet e figurave në faqen 26]

Fotografitë 7-9: Matsuida Machi, Annaka City, Gunma Prefecture, Japan; fotografia 10 dhe modeli ngjitur: Kiryu City, Gunma Prefecture, Japan