Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Gjashtëdhjetë përqind e fëmijëve brazilianë u prishen dhëmbët që në moshën trivjeçare. Një nga arsyet është se pasi i ushqejnë me biberon, shpesh gjatë natës me lëngje të ëmbla, prindërit nuk ua pastrojnë gojën, gjë që është shumë e rëndësishme.​—FOLHA ONLINE, BRAZIL.

Një e katërta e lindjeve në Shtetet e Bashkuara tani bëhen me operacion Cezarian. Në Nju-Jork, numri i këtyre lindjeve është pesë herë më i lartë sesa në vitin 1980. Ndonëse një nga arsyet pse zgjidhet kjo rrugë është se operacioni është i lehtë, gjithsesi, rreziqet janë «jashtë mase të mëdha» kur kjo ndërhyrje nuk është e domosdoshme.​—THE NEW YORK TIMES, SHBA.

Gjatë 100 viteve të shkuara, temperatura mesatare e qytetit të Meksikos është rritur rreth 4 gradë celsius, duke e krahasuar me 0,6 gradë që është rritur në tërë botën. Specialistët thonë se arsyeja është shpyllëzimi dhe urbanizimi.​—EL UNIVERSAL, MEKSIKË.

Më shumë se gjysma e çifteve që martohen në Shtetet e Bashkuara, më parë bashkëjetonin. Këto çifte kanë dyfish më shumë të ngjarë të divorcohen, në krahasim me çiftet që martohen pa bashkëjetuar më parë.​—PSYCHOLOGY TODAY, SHBA.

Zakonet më të mërzitshme në punë

«Bisedat me zë të lartë në telefon, [përdorimi i] altoparlantit të telefonit, si edhe ankimet e vazhdueshme për ngarkesën e punës, renditen në krye të listës së zakoneve më të mërzitshme që kanë kolegët kur punojnë»,—raporton Washington Post. Mes zakoneve të tjera që i acarojnë punëtorët janë «grupimet mes punëtorëve, ardhja vonë në punë, të folurit me veten, bisedat me kolegët e tjerë përmes ndarjeve të zyrave, mungesa e higjienës dhe mbllaçitja e ushqimit». Të tilla zakone të këqija dëmtojnë edhe rendimentin e punëtorëve. Gjithsesi, shumica e atyre që iu përgjigjën pyetjeve të kërkuesve, pranuan se asnjëherë nuk kishin folur drejtpërsëdrejt me ata që ua acaronin nervat. «Dhe kjo e ka një arsye,—thotë gazeta.—Se në fund të fundit edhe ata janë po aq fajtorë.»

Shtohen banorët e qyteteve

«Gjysma e popullsisë së botës do të jetojë në qytet brenda dy vjetësh»,—pohon CBC News. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara kanë përqindjen më të lartë të qytetarëve; afro 9 në 10 banorë jetojnë në qytet. Vetëm para 55 vjetësh, Nju-Jorku dhe Tokioja ishin të vetmet qytete me nga dhjetë milionë ose më shumë banorë. Sot, këtë numër e kanë 20 qytete me mbi 10 milionë banorë, përfshirë Xhakartën, qytetin e Meksikos, Mumbain dhe San-Paulon. Kofi Anan, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, thotë: «Kjo rritje e shpejtë do të kërkojë rregullime të mëdha ekonomike dhe sociale në mjaft vende.»

Refuzim për shkak të ndërgjegjes

Komiteti Kombëtar i Të Drejtave të Njeriut i Republikës së Koresë tha se refuzimi i shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes është një e drejtë e pakundërshtueshme. Komiteti rekomandoi se kjo e drejtë duhet respektuar duke vendosur një shërbim alternativ civil. Sipas gazetës The Korea Times, rekomandimi «binte në kundërshtim» me vendimin e marrë, kohët e fundit, nga Gjykata Kushtetuese, i cili përkrahte ligjin ekzistues ushtarak që nuk jep asnjë alternativë tjetër në rast refuzimi për shkak të ndërgjegjes. Gjykata e Lartë ka pohuar se parlamenti duhet ta vendosë me ligj këtë të drejtë, dhe jo gjykatat. Çdo vit, nga 500 deri në 700 të rinj Dëshmitarë të Jehovait burgosen në Republikën e Koresë sepse refuzojnë shërbimin ushtarak. Gjatë viteve rreth 10.000 Dëshmitarë janë burgosur për këtë arsye.