Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si e pa dritën fotografia?

Si e pa dritën fotografia?

Si e pa dritën fotografia?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SUEDI

Sipas një historie, të ftuarit e fizikanit italian Xhambatista Dela Porta (1535?-1615) u tmerruan. Në murin përballë tyre, lëviznin rreth e përqark e me kokë poshtë figurat e disa njerëzve të vegjël. Të llahtarisur, spektatorët ia mbathën nga dhoma. Dela Portën e hodhën në gjyq për magji.

KY ISHTE shpërblimi që mori Dela Porta ngaqë donte t’i argëtonte të ftuarit, duke u prezantuar një camera obscura—që vjen nga latinishtja dhe fjalë për fjalë do të thotë «dhomë e errët». Parimi në bazë të të cilit funksionon ajo është i thjeshtë, por rezultatet mund të jenë fantastike. Si funksionon?

Kur në një kuti a dhomë të errët drita hyn përmes një vrime të vogël, në murin përballë projektohet me kokë poshtë pamja që është jashtë dhomës. Ajo që panë të ftuarit e Dela Portës nuk ishte gjë tjetër veçse disa aktorë që po luanin jashtë dhomës ku ishin ata. Camera obscura ishte një pararendëse e aparatit të sotëm fotografik. Ju mund të jeni një prej miliona vetave që kanë një aparat fotografik ose që të paktën kanë përdorur aparatet fotografike njëpërdorimshe, të cilat janë shumë të përhapura e kushtojnë pak.

Camera obscura nuk ishte diçka e re as në ditët e Dela Portës. Aristoteli (384-322 p.e.s.) studioi parimin tek i cili do të bazohej më vonë funksionimi i aparatit fotografik. Dijetari arab i shekullit të 10-të, Alhazeni, e përshkroi me hollësi atë parim. Edhe Leonardo da Vinçi, piktori i shekullit të 15-të, shkroi për të në shënimet e tij. Hyrja në përdorim e thjerrës në shekullin e 16-të, rriti saktësinë e aparatit fotografik, dhe shumë artistë e përdorën për të paraqitur saktë perspektivën dhe shkallën e madhësisë. Por, pavarësisht nga orvatjet e shumta, nuk u prodhuan dot imazhe të qëndrueshme deri para shekullit të 19-të.

Fotografi i parë në botë

Fizikani francez Zhozef-Nisifor Niepsi ka mundësi ta ketë nisur kërkimin e tij për të bërë fotografi me imazhe të qëndrueshme, aty nga viti 1816. Por suksesin e vërtetë e arriti kur po eksperimentonte me litografinë dhe zbuloi se mund të përdorte një substancë të ndjeshme ndaj dritës, që quhet bitumi i Judës. Aty nga mesi i shekullit të 19-të, ai vuri një pllakë kallaji të lyer me bitum në një camera obscura dhe e la për tetë orë përballë një dritareje në pronën e tij, ku i binte drita. Asnjë fotograf amator sot, as edhe ai që s’ka fare përvojë, s’do të ishte krenar për fotografinë e mjegullt që doli si pasojë, e cila kishte një ndërtesë, një pemë dhe një hambar. Kurse Niepsi kishte arsye për t’u ndier krenar. Fotografia e tij ka shumë të ngjarë të ishte fotografia e parë në botë që nuk errësohej me kalimin e kohës.

Për ta zhvilluar më tej metodën e tij, në vitin 1829, Niepsi u bë ortak me një sipërmarrës energjik të quajtur Lui Dager. Në vitet pas vdekjes së Niepsit më 1833, Dageri bëri disa hapa të rëndësishëm përpara. Përdori jodur argjendi për të veshur pllakat e bakrit. Kjo doli se ishte më e ndjeshme ndaj dritës, sesa bitumi. Rastësisht zbuloi se, kur e trajtonte pllakën me avuj zhive, pasi e kishte e lënë në dritë, shfaqej qartë një figurë, ndonëse në negativ. Kjo zvogëloi në mënyrë drastike kohën që pllaka lihej në dritë. Kur më vonë Dageri zbuloi se fotografia nuk errësohej me kalimin e kohës pasi pllaka ishte larë me një solucion kripe, atëherë fotografia ishte gati të bëhej e njohur në botë, brenda një çasti.

I prezantohet botës

Kur kjo shpikje e Dagerit, e quajtur dagerotip, iu prezantua publikut në vitin 1839, reagimi ishte i jashtëzakonshëm. Studiuesi Helmut Gernsheim shkruan në librin e tij Historia e fotografisë (anglisht): «Ndoshta asnjë shpikje tjetër s’e ka magjepsur kaq shumë publikun dhe s’e ka pushtuar botën kaq shpejt, sa dagerotipi.» Një dëshmitar okular i prezantimit publik të asaj shpikjeje, shkroi: «Një orë më vonë, të gjitha dyqanet e optikës ishin plot e përplot me njerëz. Por nuk mund të siguroheshin instrumentet e mjaftueshme për të kënaqur turmat që donin të provonin dagerotipat. Pas ca ditësh në çdo shesh të Parisit shihje kuti të zeza me tri këmbë, të vendosura përpara kishave dhe pallateve. Të gjithë fizikanët, kimistët dhe intelektualët e kryeqytetit, lustronin pllaka argjendi. Madje edhe shitësit e pasur nuk i bënë dot ballë tundimit për t’i ‘sakrifikuar’ disa nga të ardhurat e tyre në altarin e progresit, duke i avulluar në jod e duke i konsumuar në avujt e zhivës.» Shtypi i Parisit, menjëherë këtë pasion e quajti dagerotipomani.

Cilësia mbresëlënëse e dagerotipit e shtyu shkencëtarin britanik Xhon Hershëll të shkruante: «Nuk do ta ekzagjeroja aspak nëse do ta quaja këtë shpikje një mrekulli.» Disa madje thanë se kjo shpikje kishte fuqi magjike.

Por jo çdonjëri e lavdëroi shpikjen e re. Në vitin 1856, mbreti i Napolit ndaloi bërjen e fotografive, ndoshta ngaqë disa mendonin se ishte «sy i keq». Kur pa një dagerotip, piktori francez Pol Delarosh tha: «Që sot, piktura mori fund.» Shpikja shkaktoi ankth të madh mes piktorëve që e shihnin fotografinë si rrezik për të ardhurat me të cilat siguronin jetesën. Një reporter shprehu frikën e disave kur tha: «Fakti që fotografia prezanton një imazh tamam siç është në të vërtetë, mund të zhdukë konceptin që ka secili për të bukurën.» Përveç kësaj, fotografitë u kritikuan sepse, duke paraqitur me një realizëm të vazhdueshëm gjërat, zhdukën iluzionet për të bukurën dhe rininë, iluzione që njerëzit i kishin shumë për zemër.

Dageri kundër Talbotit

Uilliam-Henri Foks Talboti, fizikani anglez, besonte se fotografinë e kishte shpikur ai dhe u çudit nga lajmërimi për shpikjen e Dagerit. Talboti kishte vënë fletë letre të veshur me klorur argjendi në një camera obscura. Që pamja të ishte më e qartë, e kishte lyer me dyll negativin që doli, e kishte vënë mbi një fletë tjetër të lyer me klorur argjendi, dhe pastaj e kishte lënë në diell. Si rezultat doli një fotografi si origjinali.

Ndonëse në fillim procesi i Talbotit ishte më pak popullor dhe me cilësi më të dobët, doli se kishte potencial më të madh. Ai proces lejonte të shumëfishoheshin kopje të tjera nga një negativ i vetëm, dhe kopjet në letër ishin më të lira e më të lehta për t’u mbajtur sesa dagerotipat e brishtë. Fotografia moderne ende bazohet në procesin e Talbotit, kurse dagerotipi, pavarësisht nga popullariteti i fillimit, avash-avash shkoi drejt fundit.

Niepsi, Dageri dhe Talboti nuk ishin megjithatë të vetmit rivalë që luftonin për të fituar titullin e «babait» të fotografisë. Pas lajmërimit për Dagerin në vitin 1839, të paktën 24 burra—që nga hemisfera veriore në Norvegji, e deri në hemisferën jugore në Brazil—dolën duke shpallur se tashmë e kishin shpikur fotografinë.

Ndryshimet drastike që solli fotografia

Një reformator social, Jakob-August Risi, e pa shpikjen e fotografisë si një rast të shkëlqyer për t’ia drejtuar vëmendjen publikut te varfëria dhe vuajtjet. Në vitin 1880 filloi të fotografonte natën lagjet e varfra të Nju-Jorkut, duke përdorur pluhur magnezi që digjej në një tigan të nxehtë për të krijuar fleshin, një metodë kjo e rrezikshme. Dy herë i vuri flakën shtëpisë ku punonte, dhe një herë i morën zjarr rrobat e trupit. Është thënë se fotografitë e tij kanë qenë një arsye pse presidenti Teodor Rusvelt ndërmori një sërë reformash sociale kur hyri në Shtëpinë e Bardhë. Ndikimi mbresëlënës i një serie me fotografi panoramike nga Uilliam Henri Xheksoni, nxiti po ashtu Kongresin e Shteteve të Bashkuara, që në vitin 1872 ta bënte Jelloustonin Parkun e parë Kombëtar në botë.

Në dispozicion të kujtdo

Nga fundi i shekullit të 19-të, shumë veta që donin të bëheshin fotografë, stepeshin për shkak të kostos dhe kompleksitetit të saj. Megjithatë, në vitin 1888 Xhorxh Istmani shpiku Kodakun. Ky aparat fotografik mund të mbahej me vete, ishte i lehtë për t’u përdorur dhe kishte një bobinë me film të mbledhur. Kështu ai hapi rrugën që kushdo të bëhej një fotograf amator.

Pasi bënte fotografitë, klienti e çonte aparatin me gjithë filmin në fabrikë. Filmi lahej dhe aparati i kthehej sërish klientit bashkë me fotografitë e bëra, e gjithë kjo me një çmim fare të ulët. Slogani «Ju shtypni butonin, ne bëjmë të tjerat», s’ishte aspak i ekzagjeruar.

Tani fotografia ishte në dispozicion të të gjithëve, dhe miliarda fotografitë që bëhen sot çdo vit, tregojnë se asaj nuk i ka humbur kurrë vlera. Dhe tani, aparatet fotografike dixhitale, që e përcaktojnë imazhin në megapiksel, po ia shtojnë gjithnjë e më shumë popullaritetin fotografisë. Këto aparate përdorin një çip shumë të vogël kompjuterik që mund të mbajë qindra fotografi. Mund të nxirren fotografi me cilësi të lartë edhe në shtëpi, me anë të një kompjuteri dhe një printeri. Vërtet, fotografia ka ecur goxha përpara!

[Figura në faqen 20]

Një dagerotip me pamje panoramike të Parisit, rreth 1845-s

[Figura në faqen 20]

Riprodhim i asaj që ka mundësi të jetë fotografia e parë, rreth 1826-s

[Figura në faqen 20]

Një vizatim i «camera obscura», që përdorej nga shumë artistë

[Figura në faqen 21]

Niepsi

[Figurat në faqen 23]

Një dagerotip i vitit 1844, me pamjen e Lui Dagerit dhe aparati i tij fotografik

[Figurat në faqen 23]

Studioja e Uilliam Talbotit, rreth vitit 1845, dhe aparatet e tij fotografike

[Figurat në faqen 23]

Fotografi e vitit 1890 me Xhorxh Istmanin që mban një aparat Kodak nr. 2, dhe aparati i tij fotografik nr. 1 me bobinën e filmit

[Figura në faqen 23]

Pamje e asaj që më vonë u bë Parku Kombëtar i Jelloustonit: fotografi nga U. H. Xheksoni, 1871

[Figura në faqen 23]

Aparatet e sotme dixhitale, regjistrojnë fotografi me megapiksel

[Burimet e figurave në faqen 20]

Pamja panoramike e Parisit: fotografi nga Bernard Hoffman/Time Life Pictures/Getty Images; fotografia e Niepsit: fotografi nga Joseph Niepce/Getty Images; camera obscura: Culver Pictures

[Burimet e figurave në faqen 22]

Faqja 23: Studioja e Talbotit: nga William Henry Fox Talbot & Nicholaas Henneman/Getty Images; aparati fotografik i Talbotit: nga Spencer Arnold/Getty Images; fotografia e bërë me aparatin Kodak, aparati Kodak dhe aparati i Dagerit: me mirësjellje nga George Eastman House; Jelloustoni: Biblioteka e Kongresit, Prints & Photographs Division, LC-USZ62-52482