Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’u bindesh paralajmërimeve është jetësore

T’u bindesh paralajmërimeve është jetësore

T’u bindesh paralajmërimeve është jetësore

ISHTE e mërkurë, 24 gusht 2005, një ditë e nxehtë dhe e lagësht si zakonisht në Nju-Orleans, Luizianë, SHBA. Alani bashkë me familjen shkuan të kalonin ca ditë në Bomont, Teksas, më se 300 kilometra në perëndim. Morën rroba për pesë ditë sa do të mungonin. Alani shpjegon: «Nuk dinim gjë për uraganin Katrina, që në atë kohë po krijohej në lindje të Floridës. Megjithatë, të premten në darkë u duk qartë se Nju-Orleansi do të goditej nga një uragan i shkallës së katërt ose të pestë.»

Të dielën, më 28 gusht, ishte e dukshme se stuhia e quajtur Katrina do të ishte një uragan me fuqi maksimale. Kryetari i bashkisë së Nju-Orleansit urdhëroi evakuimin e detyrueshëm të popullsisë së qytetit. Si pasojë, mijëra automjete u nisën ngadalë për në veri dhe perëndim, kështu që rrugët kryesore u bllokuan. Mijëra veta që nuk kishin makina, shkuan në vendstrehime dhe te një stadium i madh që quhej «Superdomi». Disa vendosën të mos largoheshin, por të rrinin në shtëpi derisa të fashitej stuhia.

‘Herën tjetër do të jem i pari që do të largohem!’

Xhoi, një Dëshmitar i Jehovait, ishte një prej atyre që qëndruan. Ishte i bindur se mund t’i bënte ballë stuhisë duke qëndruar në shtëpi. Arsyetoi se dëmet nga uraganet e mëparshme nuk kishin qenë aq të mëdha sa ç’kishin parashikuar autoritetet. «Mendova se mund t’ia dilja mbanë,—thotë ai.—Por s’mu desh shumë kohë për të kuptuar se e kisha gabim. Era dhe shiu erdhën me furi. Sa hap e mbyll sytë, çatia e shtëpisë u shkul. Pastaj uji nisi të ngrihej me një shpejtësi alarmuese, arriti tre metra brenda tri orëve. Niveli i ujit u rrit aq shpejt, saqë m’u desh të ngjitesha në katin e tretë. U tremba sa s’ka më, nga era që ulërinte dhe nga muret që dukeshin sikur do të binin nga çasti në çast. Tavani po binte pjesë-pjesë. Tani vrisja mendjen si të dilja prej andej.

Mendova njëherë të hidhesha në ujin e rrëmbyeshëm. Por jashtë kishte dallgë të rrezikshme. Era ngrinte dallgë shkumëzuese nëpër rrugë. E dija se, nëse hidhesha, me siguri do të mbytesha.»

Më në fund, një barkë e shpëtoi Xhoin dhe e la te një urë. Ngado kishte kufoma që pluskonin mbi ujë dhe jashtëqitje. Atë natë fjeti në bagazhin e një makine. Pastaj, me helikopter dhe më pas me autobus, shkoi në qendrën kulturore të Nju-Orleansit. «Atje u treguan të mirë me mua,—thotë ai.—Arrita një pikë kur s’isha në vete dhe flitja përçart. Në kokë më lëvrinte vetëm një mendim: ‘Ku të gjej ujë për të pirë?’»

Duke menduar për atë që ndodhi, Xhoi e kupton se peripecitë e tij mund të ishin shmangur. «Kam nxjerrë mësim,—thotë ai.—Herën tjetër kur të thonë: ‘Evakuoni’, do të jem i pari që do të largohem!»

Nuk u vuri veshin paralajmërimeve, gjeti strehë në një pemë

Në brigjet e Misisipit, qyteti i Biloksit dhe i Golfportit pësuan dëme katastrofike dhe viktima të mëdha në njerëz. Sipas The New York Times të 31 gushtit 2005, Vinsent Krili, përgjegjës për çështjet publike në Biloksi, tha: «Shumë veta nuk e kishin zbatuar urdhrin për t’u larguar, sepse ata, ose shtëpitë e tyre, i kishin mbijetuar uraganit Kamila [në vitin 1969].» Uragani Kamila konsiderohej më i fortë se Katrina, por, siç tha edhe Krili, Katrina ‘solli një mur uji të pandalshëm, që ishte si një tsunami’.

Një qytetare që nuk iu bind paralajmërimeve, ishte Enela, e cila pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar në Biloksi. Ajo thotë: «Gjatë viteve kishim mbijetuar nga shumë stuhi. Prandaj nuk isha shumë në merak për Katrinën.» Pasi Enela mori në shtëpi vjehrrën 88-vjeçare, djalin, vajzën dhe dhëndrin—plus dy qen dhe tri mace—vendosën të mos largoheshin, ngaqë shtëpia ishte e ndërtuar mirë. Stuhia goditi Biloksin rreth orës 10 paradite, më 29 gusht. Enela kujton: «Pashë ujin që u fut në një nga dhomat e gjumit, afër pjesës së pasme të shtëpisë. Pastaj filloi të futej nga çdo cep. Vendosëm të ngjiteshim në papafingo për të qenë të sigurt. Por uji nuk ndaloi. Na u desh të dilnim edhe nga papafingoja, nga frika se mos ngecnim aty. Po ku të shkonim?

Djali hapi një të çarë te rrjeta e dritares, që të dilnim nga aty dhe të arrinim në sipërfaqe të ujit jashtë. Pastaj qëndruam në ujë duke u mbajtur te buzët e çatisë. Tre nga ne shkuan nga krahu i djathtë i shtëpisë, kurse vajza nga i majti. Më kapi syri një pemë të madhe aty afër. Bashkë me djalin dhe vjehrrën notuam deri te pema dhe u kapëm fort pas saj. Pastaj dëgjova vajzën që nisi të bërtiste: ‘Mami, mami!’ Dhëndri, që doli i fundit nga papafingoja, notoi drejt saj që ta shpëtonte. Të dy ia dolën mbanë të hipnin në një barkë, që kishte qenë më parë në oborr dhe tani po pluskonte afër shtëpisë sonë. Më thirrën të hipja në barkë, po unë nuk doja të rrezikoja, nga frika e vorbullës së ujit. Ndihesha e sigurt te pema dhe s’kisha ndër mend të lëvizja.

Që aty ku isha, shihja ujin që vërshonte poshtë në rrugë dhe përqark shtëpisë. Nisa të mendoja për situatën ku gjendesha dhe m’u duk vetja budallaqe që nuk iu binda paralajmërimeve për t’u larguar.

Më në fund niveli i ujit nisi të binte, dhe arritëm të hipnim të gjithë në barkë. Mbërriti një zjarrfikëse, e cila na mori dhe na çoi në spital. Sa mirënjohës ndiheshim që ishim gjallë!»

Planet e Dëshmitarëve për evakuim

Pasojat e Katrinës u ndien në gjithë bregun e gjirit të Meksikës, ku mijëra shtëpi u shkatërruan, që nga Luiziana e deri në lindje, në Alabamë. Megjithatë, uraganet nuk janë diçka e panjohur për banorët e këtyre vendeve të Shteteve të Bashkuara. Prandaj, prej vitesh Dëshmitarët e Jehovait kanë pasur gati plane evakuimi. Çdo vit, zakonisht në qershor, para se të fillojë sezoni i stuhive, 21 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në zonën e Nju-Orleansit bashkë me rrethinat e tij, shqyrtojnë një plan evakuimi kur lindin urgjenca. Kështu, shumica e Dëshmitarëve vendës e dinin si duhej të vepronin po të lindnin urgjenca. Si funksionoi plani me uraganin Katrina?

Sapo zyrtarët e qytetit lajmëruan për evakuimin, pleqtë përgjegjës të çdo kongregacioni u lidhën me pjesëtarët e tjerë të kongregacionit të tyre, për t’i nxitur të linin qytetin. Shumë u organizuan vetë që të largoheshin me familjarët ose miqtë e tyre. Transport dhe ndihmë e veçantë u sigurua për të moshuarit dhe për ata që nuk lëviznin nga shtrati. Xhoni, pjesëtar i një komiteti ndihme në rast katastrofash, i ngritur nga Dëshmitarët, tha: «Mendoj se duke ndjekur këtë plan, shpëtuam shumë jetë.» Prandaj, shumica e Dëshmitarëve të Jehovait arritën të largoheshin nga qyteti para se të fillonte stuhia. Për të dhënë menjëherë ndihmë në zonat e prekura, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara ngriti komitete ndihme për urgjencat.

Në kërkim të Dëshmitarëve në «Astrodom»

Afro 16.000 të shpërngulurve, kryesisht nga Luiziana, u ishte siguruar strehim, ushqim dhe ujë në «Astrodomin» e Hjustonit, Teksas. Komiteti i ndihmës i Dëshmitarëve në Hjuston, mësoi se disa Dëshmitarë gjendeshin në atë turmë të madhe. Po si do t’i gjenin?

Të premten në mëngjes herët, më 2 shtator, një grup pleqsh Dëshmitarë mbërritën në «Astrodom» për të kërkuar vëllezërit e tyre të shpërngulur. Shtangën kur panë mijëra burra, gra, adoleshentë, fëmijë dhe foshnja të shpërndarë në tërë atë stadium gjigant. Fusha e futbollit ishte e mbushur me mijëra shtretër portativë dhe me të shpërngulur që prisnim me durim zgjidhje për problemet e tyre. Kishte radhë të gjata për kujdesin shëndetësor, dhe personeli mjekësor vraponte për t’i çuar pacientët tek ambulancat.

«M’u duk vetja sikur isha në mes të një kampi refugjatësh»,—tha Samueli, një nga pleqtë që po kërkonin Dëshmitarët. Si do t’i gjenin ata pak Dëshmitarë mes asaj turme kolosale? Ata filluan të ecnin lart e poshtë midis rreshtave, me tabela të mëdha në duar duke i ftuar Dëshmitarët të identifikoheshin. Pasi kërkuan pa rezultat për tri orë, kuptuan se duhej një mënyrë tjetër më praktike. I kërkuan Kryqit të Kuq të bënte një njoftim me sistemin akustik: «Të gjithë ata që janë Dëshmitarë të Jehovait të pagëzuar, janë të lutur të shkojnë te platforma e krahut lindor, në katin e parë.»

Më në fund, Dëshmitarët filluan të vinin me fytyrat që u ndrinin nga buzëqeshja. Samueli shpjegon: «Sytë u shndritnin nga lotët dhe nga gëzimi. Na përqafonin fort dhe na shtrëngonin duart. Nuk shkëputeshin prej nesh, nga frika mos humbnin mes turmës.» Të premten dhe të shtunën, u gjetën 24 Dëshmitarë dhe u çuan në qendrën e ndihmës që kishin ngritur Dëshmitarët.

Shumica nuk kishte pothuajse asgjë me vete, përveç rrobave të trupit që ishin gjithë baltë. Një motër kishte një kuti të vogël, sa një kuti këpucësh. Në të kishte disa dokumente me vlerë. Vetëm ato kishte mundur të shpëtonte nga ajo stuhi shkatërruese.

Tek «Astrodomi», shumë veta i njohën pleqtë si Dëshmitarë të Jehovait dhe iu afruan, duke u kërkuar Bibla dhe literaturë biblike. U kërkuan mbi 220 Bibla. Dëshmitarët ofruan edhe revistën Zgjohuni! të 22 korrikut 2005, që kishte serinë shumë të përshtatshme për atë rast: «Katastrofat natyrore: A po bëhen më të rënda?»

Disa kthehen në shtëpi

Një nga të mbijetuarit është një reporter me përvojë dhe administratori i përgjithshëm i një stacioni televiziv të Nju-Orleansit. Për shkak të profesionit, ai ka parë plot shkatërrime në të kaluarën. U kthye në shtëpi, në komunën e Xhefersonit, Luizianë, për të marrë disa plaçka. «Shtanga,—thotë ai.—Çdo gjë ishte shkatërruar. Në televizor kishim parë prurjet e ujit kur digat ishin çarë dhe uji kishte vërshuar nga kanalet. Përveç kësaj, edhe era e fortë kishte shkaktuar jashtë mase dëme. Pallati im ishte i tëri i shkatërruar. Tani ka vetëm myk, gjëra të kalbura dhe erë të keqe. Nuk e keni idenë sa erë e keqe vjen. Është e tmerrshme, e tmerrshme! Por të paktën jemi gjallë.»

Alani, i përmendur në hyrje të artikullit, u kthye në shtëpinë e tij në Meteri, një periferi perëndimore e Nju-Orleansit. Stuhia kishte bërë kërdinë. «Ishte shumë tronditëse, shtangie nga ajo që shihje,—thotë ai.—Dukej sikur në qytet kishin hedhur një bombë atomike. Një gjë është ta dëgjosh në lajme o ta shohësh në televizor. Por është krejt ndryshe të ecësh në këmbë ose me makinë nëpër lagje dhe të shohësh ngado vetëm dëme e shkatërrime. Është e vështirë ta kapërdish.

Për shembull, kudo vinte një erë si mish i kalbur, erë vdekjeje. Shumë aktivitete tregtare ishin shkatërruar fare ose përmbytur. Kishte policë dhe ushtarë në çdo cep. Dukej si zonë lufte.»

Përpjekje për të dhënë ndihmë

Qyteti, shteti dhe autoritetet federale morën masa për të dhënë ndihma. Organizata kryesore federale për ndihmat ishte FEMA (Agjencia Federale për Emergjencat). Organizata të tjera u mobilizuan për t’u dhënë ndihma mijëra njerëzve. Sasi të mëdha ushqimi, veshmbathjeje dhe uji u sollën me kamionë në zonat e prekura nga stuhia. Shpejt, FEMA po jepte çeqe dhe po shpërndante ndihma të tjera financiare për t’i ndihmuar njerëzit të mbijetonin ditët ose javët e para. Ndërkohë, ç’po bënin Dëshmitarët e Jehovait?

Llogariten dëmet dhe bëhen riparime

Me të filluar stuhia, Dëshmitarët organizuan skuadra që të shkonin në zonat e shkatërruara dhe të përcaktonin sa shtëpi të Dëshmitarëve, si edhe sa Salla Mbretërie ishin dëmtuar ose shkatërruar. Si do ta bënin këtë detyrë kaq të vështirë? Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait, në Bruklin, Nju-Jork, dha miratimin për ngritjen e komiteteve të ndihmës që do të vepronin nën drejtimin e Zyrës së Degës të Shteteve të Bashkuara. Pastaj, u ftuan Komitetet Rajonale të Ndërtimit nga shumë zona të Shteteve të Bashkuara që të fillonin me rindërtimet. * Çfarë arritën të kryenin?

Deri më 17 shkurt 2006, grupi i ndihmës në Long-Biç, Misisipi, raportoi se në zonën e tyre nga 632 shtëpitë e Dëshmitarëve që ishin dëmtuar, 531 ishin rindërtuar plotësisht, kurse 101 kanë ende nevojë për rregullime. Gjithashtu vëllezërit ndihmuan edhe fqinjët që nuk ishin Dëshmitarë. Në shtatëmbëdhjetë Salla Mbretërie ishte dëmtuar rëndë çatia, por nga mesi i shkurtit 16 prej tyre ishin bërë me çati të reja. Po komiteti në Baton-Ruzh, Luizianë?

Ky grup kujdeset për zonën e Luizianës, zona më e dëmtuar nga uragani Katrina. Nga të 2.700 shtëpitë e Dëshmitarëve që kishin nevojë për rregullime, në mes të shkurtit kishte mbaruar puna në 1.119 prej tyre. Kështu që komiteti i ndihmës kishte ende goxha punë. Përsëri, u ndihmuan edhe familjet dhe fqinjët që kishin nevoja të ngutshme. Pesëdhjetë Salla Mbretërie ishin dëmtuar rëndë. Në shkurt ishin riparuar 25 prej tyre. Në Teksas, grupi i Hjustonit duhej të rregullonte 871 shtëpi të dëmtuara nga uragani Rita që goditi në shtator. Më 20 shkurt ishin përfunduar 830 prej tyre.

Mësime nga uragani Katrina

Ata mijëra veta që provuan «tërbimin» e Katrinës, morën një mësim të mirë: është jetësore t’u kushtohet vëmendje paralajmërimeve. Vërtet, shumë do të ishin dakord me ndjenjat e Xhoit, i cituar në fillim, i cili tha: «Herën tjetër, kur të thonë: ‘Evakuoni’, do të jem i pari që do të largohem!»

Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë të ndihmojnë viktimat në zonën e gjirit të Meksikës. (Galatasve 6:10) Por shërbimi i tyre nuk përqendrohet vetëm në dhënien e ndihmave humanitare. Përkundrazi, vepra kryesore e Dëshmitarëve të Jehovait—që kryhet në 235 vende përreth botës—përfshin një paralajmërim shumë më jetësor sesa paralajmërimi që jepet për një stuhi që mund të kanoset. Bibla parathotë se Perëndia do të sjellë së shpejti fundin e këtij sistemi të lig, do ta pastrojë tokën dhe do të rivendosë ato kushte që kishte si qëllim kur e krijoi. Nëse dëshironi të dini çfarë mëson Bibla për këtë kohë gjykimi, flitni me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj, ose shkruani në adresën e përshtatshme në faqen 5 të kësaj reviste.—Marku 13:10; 2 Timoteut 3:1-5; Zbulesa 14:6, 7; 16:14-16.

[Shënimi]

^ par. 32 Komitetet Rajonale të Ndërtimit përbëhen nga skuadra me Dëshmitarë të Jehovait—vullnetarë—që kanë mjaft përvojë në ndërtimin dhe rimodelimin e Sallave të Mbretërisë. Në gjithë Shtetet e Bashkuara ka rreth 100 grupe të tilla, si edhe shumë të tjera në mbarë botën.

[Figura në faqet 14, 15]

Pamje satelitore e syrit të uraganit Katrina

[Burimi]

NOAA

[Figura në faqen 15]

Nju-Orleansi i përmbytur

[Burimi]

AP Photo/David J. Phillip

[Figurat në faqen 15]

Uragani Katrina shkatërroi ndërtesa dhe mori shumë jetë

[Burimi]

AP Photo/​Ben Sklar

[Figura në faqet 16, 17]

«Astrodomi» në Hjuston, Teksas, ku u strehuan rreth 16.000 të shpërngulur

[Figurat në faqen 17]

Pleq të krishterë duke kërkuar Dëshmitarët mes të shpërngulurve

[Figura në faqen 18]

Vullnetarë duke riparuar një çati të dëmtuar keq

[Figura në faqen 18]

Dëshmitarët ishin shumë mirënjohës që iu rregulluan shtëpitë

[Figura në faqen 18]

Vullnetarët siguruan ushqim

[Figura në faqen 19]

Alani