Histori e shkruar me gjak
VETËM disa vite më parë, dukej sikur terrorizmi ndodhte vetëm në ca vende të izoluara, të tilla, si Irlanda e Veriut, Provinca Baske në Spanjën Veriore dhe në disa zona të Lindjes së Mesme. Sot, sidomos që nga 11 shtatori i vitit 2001, me shkatërrimin e Kullave Binjake në Nju-Jork, terrorizmi është kthyer me të shpejtë në një dukuri mbarëbotërore. Kështu akte terroriste ka pasur në ishullin parajsor të Balit; në Madrid, Spanjë; në Londër, Angli; në Sri-Lankë; në Tajlandë; e deri në Nepal. Megjithatë, terrorizmi nuk është diçka e re. Çfarë do të thotë fjala «terrorizëm»?
Sipas një fjalori, terrorizmi është «përdorimi i paligjshëm ose kërcënues i forcës a i dhunës nga një njeri ose nga një grup i organizuar kundër njerëzve ose pronësisë, me synimin për të frikësuar ose për t’iu imponuar shoqërisë a qeverisë, shpesh për qëllime ideologjike ose politike». (The American Heritage Dictionary of the English Language) Megjithatë, shkrimtarja Xhesika Stern, thotë: «Një njeri që studion terrorizmin ndesh qindra përkufizime. . . . Por vetëm dy veçori të terrorizmit janë thelbësore për ta dalluar atë nga format e tjera të dhunës.» Cilat janë këto veçori? «Së pari, terrorizmi ka në shënjestër civilët. . . . Së dyti, terroristët e përdorin dhunën për një qëllim tronditës: përhapja e panikut te publiku shpesh është më e rëndësishme se sulmi në vetvete. Pikërisht përhapja e qëllimshme e tmerrit e dallon terrorizmin nga një vrasje ose sulm i zakonshëm.»
Dhuna e rrënjosur në të kaluarën
Në shekullin e parë, në Jude, një grup njerëzish të dhunshëm, të quajtur zelotë, donin të fitonin pavarësinë e judenjve nga Roma. Disa nga përkrahësit e tyre më të flaktë, u njohën si sikarët ose burrat me kamë, emër që vjen nga shpatat e shkurtra që fshihnin poshtë rrobave. Ata përziheshin me turmat e njerëzve që mblidheshin në Jerusalem për festë dhe u çanin gurmazin armiqve të tyre ose i goditnin me kamë pas shpine. *
Në vitin 66 të e.s., një grup zelotësh pushtuan kështjellën e Masadës, pranë Detit të Vdekur. Ata masakruan garnizonin romak dhe e bënë kështjellën në majë të malit, bazën e operacioneve të tyre. Për vite me radhë, ata bënë sulme të befasishme prej andej dhe u hapën telashe autoriteteve perandorake. Në vitin 73 të e.s., Legjioni i Dhjetë Romak, i udhëhequr nga guvernatori Flavio Silva, e zaptoi sërish Masadën, por nuk i mposhti dot zelotët. Një historian i asaj kohe thotë se 960 zelotë, pra të gjithë sa ishin në kështjellë, përveç dy grave dhe pesë fëmijëve, preferuan më mirë të vritnin veten sesa t’u dorëzoheshin romakëve.
Disa e konsiderojnë revoltën e zelotëve si shkëndijën e parë të dukurisë që sot njihet me emrin terrorizëm. E vërtetë ose jo, që prej asaj kohe, terrorizmi ka lënë gjurmë të thella në rrjedhën e historisë.
Terrorizmi që i ka rrënjët te «krishterimi»
Duke filluar nga viti 1095, për dy shekuj me radhë ushtritë e kryqëzatave marshuan shpesh midis Evropës dhe Lindjes së Mesme. Pala kundërshtare ishin forcat myslimane nga Azia dhe nga Afrika Veriore. Çështja ishte sundimi mbi Jerusalemin dhe çdo palë orvatej të kishte epërsinë. Në betejat e shumta, ata «luftëtarë të shenjtë» e bënë copë-copë njëri-tjetrin. Ata i ngritën shpatat dhe sëpatat e luftës edhe kundër kalimtarëve të thjeshtë. Uilliami i Tirit, një klerik i shekullit të 12-të, e përshkroi kështu hyrjen e kryqtarëve në Jerusalem, në vitin 1099:
«Ata shkonin të gjithë bashkë nëpër rrugë, me shpata dhe heshta në duar. Vranë e prenë të gjithë sa u dolën përpara, burra, gra, fëmijë, pa kursyer asnjë. . . . Vranë kaq shumë veta nëpër rrugë, saqë kishte pirgje kufomash dhe s’kaloje dot, po të mos shkelje mbi ata që dergjeshin të vdekur. . . . U derdh kaq shumë gjak, saqë nëpër kanale e hendeqe rridhte gjak dhe të gjitha rrugët e qytetit ishin mbuluar me të vdekur.» *
Në shekujt e mëvonshëm, terroristët filluan të përdornin eksploziva dhe armë zjarri me pasoja të tmerrshme e tragjike.
Miliona të vdekur
Për historianët, 28 qershori i vitit 1914 shënoi një pikë kthese në historinë e Evropës. Një i ri, të cilin disa e mbajnë si hero, qëlloi trashëgimtarin e fronit austriak, arkidukën Franc Ferdinand. Ajo ngjarje e çoi botën në Luftën I Botërore. Kjo luftë mbaroi vetëm pasi mori njëzet milionë jetë.
Më 28 qershor 1914, bota hyri në luftë
Lufta I Botërore pati si vazhdim Luftën II Botërore. Ajo solli kampet e përqendrimit, masakrat e civilëve nga bombardimet ajrore dhe shfarosjen e njerëzve të pafajshëm si shpagim për palën armike. Pas luftës, vrasjet vazhduan. Më se një milion njerëz vdiqën në fushat e masakrës në Kamboxhia në vitet 70. Gjithashtu, njerëzit në Ruandë janë ende të tronditur nga masakrimi i më shumë se 800.000 vetave në vitet 90.
Që nga viti 1914 e deri më sot, njerëzimi ka vuajtur nga aktet terroriste në shumë vende. Por, disa njerëz sot veprojnë sikur të mos kenë mësuar asgjë nga historia. Vazhdimisht sulmet terroriste vrasin me qindra, gjymtojnë me mijëra dhe u grabitin paqen mendore e sigurinë miliona njerëzve. Dëgjohet për bomba që shpërthejnë në tregje, për fshatra që bëhen shkrumb e hi, për gra që përdhunohen, për fëmijë që rrëmbehen e njerëz që vriten. Pavarësisht nga ligjet dhe fakti që gjithë bota e dënon, kjo valë sadizmi nuk ndalet. A ka shpresë që terrorizmi të marrë fund?
^ par. 5 Siç thuhet te Veprat 21:38, një komandant ushtarak romak e akuzoi padrejtësisht apostullin Pavël se ishte udhëheqësi i 4.000 ‘burrave gjakësorë’ ose burrave me kamë.
^ par. 10 Jezui i mësoi dishepujt e tij që ‘t’i donin armiqtë e tyre’, jo t’i urrenin dhe t’i vritnin.—Mateu 5:43-45.