Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund t’i bëjë ballë stuhisë martesa?

A mund t’i bëjë ballë stuhisë martesa?

A mund t’i bëjë ballë stuhisë martesa?

«Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—MATEU 19:6.

KOHËT e fundit, kur stuhi të përbindshme goditën zona të mëdha përreth globit, cilësia dhe fortësia e një morie ndërtesash u vunë në një provë tejet të vështirë. Shtëpi që dukeshin të forta u shkulën nga themelet dhe u kthyen në gërmadha.

Megjithatë, një lloj tjetër stuhie po bën kërdinë duke rrënuar themelet dhe strukturën e institucionit të vjetër të martesës. «Për mirë a për keq, martesa e ka humbur atë rol kyç që kishte në jetën e individit e të shoqërisë»,—thotë Stefania Kunci, historiane në fushën e institucionit të familjes.

A e dalloni ndikimin e kësaj prirjeje? A mendoni se martesa po e humbet vendin e saj të nderuar në shoqëri? Nëse po, përse ndodh kështu? Dhe në ç’mënyrë njeriu mund të ketë ose të mbajë një martesë të lumtur? Në radhë të parë, çfarë po e rrezikon martesën?

Martesa nën sulm

Sulmet që po i bëhen martesës nuk dolën sot; ato e kanë zanafillën që nga fillimet e historisë së njeriut. Cilësitë dhe qëndrimet që u zhvilluan te prindërit tanë të parë kanë çuar në krizën martesore që shohim sot. Adami dhe Eva mëkatuan kur iu dorëzuan dëshirave mëkatare, dhe kështu «mëkati hyri në botë». (Romakëve 5:12) Dëshmia historike e Biblës thotë se shpejt pas kësaj, «çdo prirje e mendimeve të zemrës së [njeriut] ishte e keqe gjithë kohën».—Zanafilla 6:5.

Që prej asaj kohe gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Ndër prirjet gërryese që po e rrënojnë martesën është rendja e shfrenuar pas kënaqësive egoiste. Vetë martesa mund të duket një institucion i dalë mode, aspak praktik për botën moderne të magjepsur pas moralit të ri. Gjithashtu zbutja e ligjeve për prishjen e martesës, e ka zbehur goxha damkën që shoqëronte dikur divorcin.

Njerëz të paduruar, që duan të shohin menjëherë rezultate dhe të marrin kënaqësi në çast nuk mendojnë gjatë ose nuk e vrasin fare mendjen për pasojat e divorcit. Të joshur nga premtimet lajkatuese për t’u ndier të lirë e të pavarur, ata mendojnë se divorci do t’i çojë drejt lumturisë.

Të tjerë, kur përballen me dallgë të forta në marrëdhënien si çift, kërkojnë ndihmë te terapistët dhe këshilluesit për martesën ose te librat që shkruhen nga njerëz të tillë me emër. Mjerisht, disa «ekspertë» modernë të martesave kanë dalë më të zotë të nxitin divorcin, sesa të mbrojnë martesën. «Ndoshta për herë të parë në historinë e njerëzimit,—thotë libri Në mbrojtje të martesës (anglisht),—martesa si ideal, gjendet nën një sulm të pareshtur e çuditërisht të suksesshëm. Ndonjëherë sulmi është i drejtpërdrejtë dhe i bazuar në një ideologji. Ai vjen nga ‘ekspertë’ që mendojnë se betimi për besnikëri të përjetshme është jorealist ose shtypës.»

Ndryshim koncepti

Sot ka ndryshuar edhe koncepti për natyrën dhe qëllimin e martesës. Ndoshta e keni vënë re se tani nuk konsiderohet më e rëndësishme që bashkëshortët të jenë besnikë dhe t’i bëhen krah njëri-tjetrit, por theksi vihet te kënaqësia personale e secilit, e cila shpesh plotësohet në kurriz të bashkëshortit tjetër. Revista për martesën dhe familjen (anglisht) thotë se përhapja e kësaj pikëpamjeje egoiste për martesën «nisi në vitet 60 dhe u përshpejtua në vitet 70». Arsyet tradicionale që i motivonin njerëzit të lidheshin në martesë, si dëshira për dashuri, intimitet, besnikëri, fëmijë dhe kënaqësi reciproke, janë venitur.

Zhvillime të tjera të kohëve të fundit kanë përshpejtuar në shumë vende transformimin e martesës. Pikësëpari, tradicionalisht burri ka siguruar bukën e gojës për familjen, kurse gruaja ka luajtur rolin e amvisës. Por sot këto role kanë ndryshuar në shumë vende. Që kur gratë u përfshinë në tregun e punës, është rritur ndjeshëm numri i familjeve, ku si burri, ashtu edhe gruaja, kanë karrierën e vet. Së dyti, lindja e fëmijëve jashtë martesës sa vjen e konsiderohet më normale, dhe kjo ka çuar në shtimin e familjeve me një prind. Së treti, gjithnjë e më tepër, bashkëjetesa po zë vendin e martesës. (Shih kutinë «Më pak të qëndrueshme se martesat».) Së katërti, lidhjet e homoseksualëve dhe lëvizja për t’i ligjëruar ato, kanë gjetur përkrahje të gjerë. A kanë ndikuar këto prirje të kohëve moderne edhe në pikëpamjen tuaj për martesën?

Vërshim divorcesh

Le të hedhim një vështrim të shkurtër në disa vende e të shohim se si përhapja e divorceve e ka gërryer më tej martesën. Sipas një raporti të kohëve të fundit, në Shtetet e Bashkuara «numri i çifteve të divorcuara u katërfishua në periudhën 1970-1996». Afro 1 në 5 të rritur janë dërrmuar nga erërat shkatërrimtare të divorcit. Cilat çifte rrezikojnë më shumë? Statistikat tregojnë se rreth 60 për qind e të gjitha divorceve ndodhin brenda dhjetë viteve të para të martesës.

Edhe në vende të tjera divorcet kanë arritur numër rekord. Në vitin 2004, numri i përgjithshëm i divorceve në Angli dhe në Uells arriti në 153.490. Parashikohet se gati 40 për qind e martesave të australianëve do të përfundojnë në divorc. Në vitin 2003, në Republikën e Koresë pati 167.100 çifte të divorcuara. Kjo do të thotë se në krahasim me vitin 2002, pra brenda një viti, numri i divorceve u rrit 21.800. Japonia, ku 1 në çdo 4 martesa përfundojnë me divorc, po arrin pothuajse të njëjtat shifra si Evropa. «Një herë e një kohë, vetëm martesat që shkonin beter përfundonin me divorc,—tha një specialist në fushën e studimeve për familjen në Universitetin e Kryqit të Kuq në Japoni.—Kurse sot është thjesht çështje zgjedhjeje, se çfarë mënyre jetese dëshiron.»

Në shumë vende, institucionet e vjetra fetare dhe traditat shoqërore luanin një rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë e martesës. Megjithatë, ata nuk mund t’i vënë më fre prirjes së shoqërisë për ta pranuar divorcin, prirje që sa vjen e bëhet më e fortë. Për shembull, të marrim rastin e Kishës Katolike të Romës, ku martesa shihet si diçka e shenjtë. Në vitin 1983, kisha i bëri më tolerante rregullat për martesën, dhe ua bëri më të lehtë katolikëve që t’i jepnin fund martesës. Prandaj, qysh atëherë janë shtuar rastet e anulimit të martesave nga ana e kishës.

Me sa duket, fijet që e mbanin të lidhur martesën po këputen. Por jo të gjitha arsyet duken qartë. Në fakt, përveç prishjes së përgjithshme të shoqërisë, ka edhe një shkak tjetër kryesor për shtimin e martesave të dështuara. Shumica e njerëzve nuk arrijnë ta dallojnë atë.

Një shkak i fshehtë i stuhisë

Bibla thotë se Satana Djalli, vetë personifikimi i egoizmit, ka një ndikim të padukshëm dhe gjithnjë e më shkatërrimtar te njerëzimi. Përse? Sepse atë e kanë hedhur nga qielli në afërsi të tokës dhe është shumë i zemëruar. Po, ai është i vendosur që të shkaktojë ‘mjerime’ sa më shumë të jetë e mundur dhe institucioni hyjnor i martesës është vetëm një nga shënjestrat e zemërimit keqdashës të Satanait.—Zbulesa 12:9, 12.

Duke folur për kohën pas dëbimit të Satanait, Jezui tha: «Për shkak të rritjes së paligjshmërisë, dashuria e shumicës do të ftohet.» (Mateu 24:12) Po kështu, apostulli Pavël shkroi: «Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës.» (2 Timoteut 3:2-4) Këto veçori të urryera kanë ekzistuar gjithnjë në njëfarë mase, por kohët e fundit po spikatin shumë më tepër, siç mund ta dallojnë lehtë mjaft njerëz.

Duke pasur parasysh stuhinë që po godet institucionin e martesës, ç’mund të bëjmë për t’u mbrojtur e për të gëzuar një martesë vërtet të lumtur e jetëgjatë? Kjo pyetje do të shqyrtohet në artikullin vijues.

[Diçitura në faqen 5]

«Në një shoqëri, që është mësuar t’i flakë gjërat që nuk i hyjnë më në punë, ka të ngjarë që njerëzit të kenë të njëjtin qëndrim edhe për lidhjet mes tyre.»​—SANDRA DEJVISI, SPECIALISTE E SË DREJTËS FAMILJARE

[Kutia dhe figura në faqen 4]

«Më pak të qëndrueshme se martesat»

Shumë çifte jetojnë së bashku pa zotimin e martesës. Sidoqoftë, sipas një raporti të Qendrave Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, bashkime të tilla janë «më pak të qëndrueshme se martesat». Disa nga këto çifte bashkëjetojnë për të kuptuar përpara martesës se sa përshtaten me njëri-tjetrin. A ka bërë bashkëjetesa që të mos ketë më kombinime të papërshtatshme dhe a ka sjellë ajo përmirësimin e martesave? Sipas Revistës për Martesën dhe Familjen, dëshmitë tregojnë të kundërtën. «Te individët e martuar, bashkëjetesa paramartesore ka sjellë më pak kënaqësi në martesë . . . , më shumë probleme martesore të raportuara dhe . . . një rrezik më të madh për prishjen e martesës»,—thotë revista.

[Kutia dhe figura në faqen 5]

Jetëgjatësia dhe martesa

Njerëzit sot jetojnë më gjatë. Edhe ky fakt, në vetvete pozitiv, ia ka shtuar streset martesës. Sot divorci u jep fund shumë martesave, që në të kaluarën do t’u kishte dhënë fund vdekja. Shqyrtoni një «sëmundje» të çuditshme martesore që po ndikon te gratë japoneze të martuara prej shumë kohësh. Sipas revistës The Washington Post, specialistët e etiketojnë si «sindroma e burrit pensionist». Duke kujtuar daljen në pension të të shoqit, një grua që kishte 40 vjet e martuar, tha se atëherë ajo mendonte: «Tani do ta divorcoj. Më kishte ardhur në majë të hundës që duhej t’i shërbeja sa herë që vinte nga puna. Por tani që e kam gjithë ditën e ditës vërdallë nëpër shtëpi, nuk duroj dot më.»