«Gjeniu i harruar» i Britanisë
«Gjeniu i harruar» i Britanisë
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI
ROBERT HUKU, i përshkruar nga bashkëkohësit e tij si «shpikësi më i madh që ka jetuar ndonjëherë», sot quhet Leonardo da Vinçi i Anglisë. * Huku lindi në vitin 1635, u emërua përgjegjësi i eksperimenteve në Shoqërinë Mbretërore të Londrës në vitin 1662, dhe në 1677-n u bë sekretari i kësaj shoqërie. Vdiq në vitin 1703. Megjithatë, pavarësisht nga pozita shkencore, eshtrat e tij prehen në një varr të panjohur diku në veri të Londrës.
Vitet e fundit, shkencëtarët dhe historianët janë përpjekur shumë për të vënë në vend reputacionin e këtij ‘gjeniu të harruar’, siç e quan biografi Stivën Inud. Në vitin 2003, për të përkujtuar 300-vjetorin e vdekjes së Hukut, Observatori Mbretëror Grinuiç i Londrës paraqiti disa nga shpikjet dhe zbulimet e tij të jashtëzakonshme. Kush ishte Robert Huku, dhe pse gati u la në harresë për një kohë kaq të gjatë?
Trashëgimia që la Huku
Huku ishte njeri i ditur dhe shpikës i shkëlqyer. Ndër shpikjet e tij të shumta janë: nyjëtimi universal që përdoret tek automjetet motorike; diafragma e objektivit, e cila rregullon madhësinë e hapjes së objektivit të aparatit fotografik dhe kamerës; si edhe susta kontrolluese te balancuesi i orëve. Ai formuloi ligjin e Hukut, një ekuacion që përdoret ende për të përshkruar elasticitetin e sustës. Gjithashtu shpiku kompresorin e ajrit për Robert Boilin, fizikanin dhe kimistin e njohur britanik.
Një nga arritjet më të mëdha të Hukut, megjithatë, ishte projektimi i mikroskopit të përbërë, që më vonë u ndërtua nga Kristofer Koku, një prodhues instrumentesh
me famë në Londër. Pas kësaj Huku krijoi fjalën «qelizë» për të përshkruar zgavrat në formë hualli që gjenden te tapa, të cilat mundi t’i vëzhgonte me instrumentin e tij. Fjala «qelizë» më vonë u përdor për elementet bazë të krijesave të gjalla.Huku u bë shpejt i famshëm me librin Micrographia (Vizatime të vogla), botuar në vitin 1665. Aty kishte ilustrime të vizatuara saktë, bukur nga vetë Huku për jetën e insekteve, pasi i vëzhgonte në mikroskop. Vizatimi më i famshëm ishte ai i një pleshti. Kjo klishe me përmasa 30 me 45 centimetra, tregon këmbët, qimet dhe veshjen koracore të pleshtit. Lexuesit e kamur të asaj kohe u tronditën kur mësuan se tamam këto krijesa të vockla shpesh janë parazitë të njeriut. Zonjave gati u binte të fikët kur shihnin vizatimin.
Pasi krahasoi gjërat që gjenden në natyrë me majën e zmadhuar të gjilpërës, Huku shkroi: «Me mikroskop mund të shohim me qindra maja që janë mijëra herë më të mprehta» se maja e gjilpërës. Ai e drejtoi vëmendjen te qimet dhe te këmbët e insekteve; gjithashtu edhe te gjembat e te pushi i gjetheve. Këto «vepra të natyrës», siç mendonte ai, shpallin fuqinë e pakufishme të Krijuesit të tyre. «Për herë të parë», thotë Encyclopædia Britannica, mikroskopi zbuloi «një botë ku organizmat e gjallë janë aq të ndërlikuar, sa duket e pabesueshme».
Huku ishte i pari që analizoi fosilet në mikroskop, dhe doli në përfundimin se ato ishin mbetje ose gjurmë të organizmave të vdekur prej shumë kohësh. Libri Micrographia përmbante mjaft vëzhgime të tjera shkencore shumë interesante. Në fakt shkrimtari i mirënjohur Samuel Pepis, bashkëkohës i Hukut, e quajti «vepra më gjeniale që kam lexuar ndonjëherë». Alan Çapmani, një historian i shkencës në Universitetin e Oksfordit, e përshkroi veprën si «një nga librat që ka pasur ndikim të madh e të qëndrueshëm në botën moderne».
Rindërtimi i Londrës
Pas zjarrit të madh që ra në Londër në vitin 1666, Huku u emërua topograf. Për të rindërtuar qytetin bashkëpunoi me shokun e tij Kristofer Renin, një shkencëtar dhe gjeolog në shërbim të mbretit. Mes projekteve të shumta të Hukut është Monumenti i Londrës, 62 metra i lartë, që u ngrit si përkujtim për zjarrin. Huku kishte ndër mend ta përdorte atë Monument—shtylla më e lartë e gurtë në botë—për të provuar teoritë e tij për forcën e rëndesës.
Për Observatorin Mbretëror të Grinuiçit i jepet merita Renit, ndonëse ishte Huku ai që luajti rolin kryesor për projektimin e tij. Shtëpia Montag, vendndodhja e parë e Muzeut Britanik, ishte një nga projektet e shumta të Hukut.
Huku shkëlqeu si astronom dhe ishte ndër të parët që ndërtoi një teleskop reflektues, të cilit i vuri emrin e matematikanit dhe astronomit skocez Xhejms Gregorit. Huku vërejti se planeti Jupiter rrotullohet në boshtin e tij, dhe skicat e tij për Marsin u përdorën dy shekuj më vonë për të përcaktuar shpejtësinë e rrotullimi të planetit.
Pse u harrua?
Në vitin 1687, Isak Njutoni botoi Parimet matematikore të filozofisë natyrore. E botuar 22 vjet pas librit Micrographia të Hukut, vepra e Njutonit përshkruante ligjet e lëvizjes, duke përfshirë edhe ligjin e forcës së rëndesës. Por siç vëren Alan Çapmani, Huku «shtjelloi shumë elemente të teorisë së gravitetit përpara Njutonit». Po ashtu, edhe shtysën për kërkimin e natyrës së dritës, Njutoni e mori nga vepra e Hukut.
Fatkeqësisht, debatet për optikën dhe forcën e rëndesës prishën marrëdhënien mes këtyre dy burrave. Njutoni arriti deri aty saqë nuk iu referua fare Hukut te Parimet matematikore. Sipas një burimi, Njutoni u përpoq edhe të fshinte nga çdo dokument kontributin e Hukut në shkencë. Përveç kësaj, instrumentet e Hukut—shumica të bëra me dorë—një sërë materialesh që shkroi ai, si edhe i vetmi portret origjinal i tij, u zhdukën shpejt pasi Njutoni u bë presidenti i Shoqërisë Mbretërore. Si pasojë, emri i Hukut u la në harresë për më shumë se dy shekuj.
Si për ironi, tamam në një letër drejtuar Hukut që mbante datën 5 shkurt 1675, Njutoni shkruante fjalët e famshme: «Kam arritur të shoh më larg se të tjerët, vetëm ngaqë kam hipur mbi supet e gjigantëve.» Si arkitekt, astronom, shkencëtar eksperimentues, shpikës dhe mbikëqyrës, Robert Huku ishte një gjigant për kohën e vet.
[Shënimi]
^ par. 3 Da Vinçi është piktori, skulptori, inxhinieri dhe shpikësi italian, që jetoi në pjesën e dytë të shekullit të 15-të deri në fillim të shekullit të 16-të.
[Figurat në faqen 26]
Flokë dëbore dhe modele akulli të vizatuar nga Huku
[Figura në faqen 26]
Mikroskopi i projektuar nga Huku
[Figura në faqen 27]
Huku krijoi fjalën «qelizë» për të përshkruar zgavrat që gjenden te tapa
[Figura në faqen 27]
Në librin «Micrographia», Huku ilustroi çfarë pa në mikroskop
[Figurat në faqen 27]
Madhësia e përafërt e pleshtit
Zonjave gati u binte të fikët kur shihnin pleshtin e vizatuar nga Huku
[Figura në faqen 28]
Shtëpia Montag ishte një nga projektet e shumta arkitekturore të Hukut
[Figura në faqen 28]
Vizatim nga Huku që ilustron ligjin e tij të elasticitetit
[Figura në faqen 28]
Kulla Përkujtimore e Londrës është shtylla më e lartë e gurtë në botë
[Figura në faqen 28]
Observatori Mbretëror
[Burimi i figurës në faqen 26]
Susta, mikroskopi dhe flokët e dëborës: pamje me mirësjellje nga Posner Memorial Collection, Carnegie Mellon University Libraries
[Burimi i figurës në faqen 27]
Pamjet me mirësjellje nga Posner Memorial Collection, Carnegie Mellon University Libraries
[Burimet e figurave në faqen 28]
Diagrami i sustës: pamje me mirësjellje nga Posner Memorial Collection, Carnegie Mellon University Libraries; Kulla Përkujtimore e Londrës: Matt Bridger/DHD Multimedia Gallery; Observatori Mbretëror: © National Maritime Museum, London