Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Bashkëpunimi: I domosdoshëm për jetën (8 shtator 2005) E pranoj se kur e pashë në fillim kopertinën e këtij numri, nuk m’u duk interesant si argument. Megjithatë e lexova të gjithë serinë dhe më pëlqeu jashtë mase. Kushedi sa herë gjatë leximit ndaloja dhe falënderoja Jehovain për mënyrën e mrekullueshme si i ka krijuar gjërat. U mrekullova kur mësova se si bashkëpunojnë me njëra-tjetrën kafshët.
B. K., Shtetet e Bashkuara
Të rinjtë pyesin . . . Si ta shmang shoqërinë me njerëzit e gabuar? (22 gusht 2005) U miqësova me njeriun e gabuar, i cili s’ishte i rrënjosur në të vërtetën biblike. Ky artikull më hapi sytë për rrezikun që më kanosej duke u shoqëruar me dikë që nuk kishte një marrëdhënie të fortë me Jehovain. Sa të ngushëllon dijenia se Jehovai kujdeset për ne! Faleminderit për ndihmën që më erdhi tamam në kohë.
A.B.K., Zambie
Falë këtij artikulli kuptova se duhet të ndryshoj shoqërinë. Ndonëse s’është e lehtë, artikulli, që e kam vënë në një vend që ta lexoj herë pas here, vazhdon të më japë forcë. Faleminderit për ndihmën dhe inkurajimin që na jepni ne të rinjve.
L. R., Shtetet e Bashkuara
Pikëpamja e Biblës: A duhet t’i luteni virgjëreshës Mari? (8 shtator 2005) Ju admiroj ju Dëshmitarëve të Jehovait sepse keni një sjellje të paqortueshme, dhe kam nxjerrë shumë dobi nga revistat tuaja. Megjithatë, si mund të thoni se s’duhet t’i kërkojmë ndihmë Marisë? Ajo ndërhyn tek Ati për ne, që të jemi në paqe me të.
E. R., Spanjë
«Zgjohuni!» përgjigjet: Siç shpjegonte edhe artikulli, asgjëkundi Bibla nuk na autorizon t’i lutemi dikujt tjetër përveçse Perëndisë. Sipas shkrimtarit dhe priftit katolik Endru Grili, «simboli i Marisë e lidh drejtpërdrejt krishterimin me fetë e lashta të perëndeshave-nëna». Prandaj, adhurimi i Marisë ka rrënjë pagane, jo të krishtere. Kjo mund të jetë diçka e re për shumë nga lexuesit tanë, dhe i nxitim të shqyrtojnë Biblën që të shohin çfarë mëson vërtet ajo. Shumë Dëshmitarë të Jehovait dikur ishin katolikë, por, duke studiuar Fjalën e Perëndisë, mësuan se Perëndia nuk do që t’i lutemi me anë të askujt tjetër përveç Jezu Krishtit, ndërmjetësit tonë të vetëm. (Hebrenjve 7:25) Për më tepër informacion, shih librin «Çfarë mëson vërtet Bibla?» * Te kapitulli i 15-të, me temë «Adhurimi që miraton Perëndia», diskutohet sa e rëndësishme është që bindjet tona të jenë në përputhje me Shkrimet e Shenjta.
Përballon sëmundjen me një ndjenjë humori (22 prill 2005) Ime shoqe vdiq nga mosfunksionimi i mëlçisë, në dhjetor të 2002-shit. Vuajti rreth tetë muaj. Prapëseprapë, fliste vetëm për gjëra pozitive dhe tregonte ndodhi që na shkrinin gazit. Deri në momentet e fundit nuk e lëshoi veten. Tani që lexova këtë artikull, e kuptoj përse. Ajo kishte nevojë për një qëndrim pozitiv, po aq sa edhe ne. Duhet të jetë ndier më mirë, ashtu si edhe Konçi. Faleminderit që më ndihmuat të kuptoj se përse ime shoqe u soll ashtu.
D. H., Shtetet e Bashkuara
Nga lexuesit tanë Mezi pres të lexoj rubrikën «Nga lexuesit tanë». Ndonjëherë kur lexoj ndonjë letër, mendoj: ‘Njësoj si u ndjeva unë.’ Herë të tjera pyes veten: ‘Mos më kishte shpëtuar kjo pikë në artikull?’ Pastaj e lexoj përsëri artikullin dhe shpesh më lë mbresa e marr zemër pasi e bëj këtë.
M. T., Japoni
[Shënimi]
^ par. 10 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.