Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A kthehen në engjëj njerëzit kur vdesin?

A kthehen në engjëj njerëzit kur vdesin?

Pikëpamja e Biblës

A kthehen në engjëj njerëzit kur vdesin?

NJË vajzë e vogël me emrin Argjiro, vdiq kur ishte vetëm shtatë vjeçe. Të mbytur nga hidhërimi, prindërit e shihnin të shtrirë në arkivol, të veshur me të bardha. Duke dashur t’i ngushëllonte, prifti u tha prindërve: «Perëndia donte edhe një engjëll tjetër, prandaj e mori Argjironë e vogël që të jetë me të. Tani shpirti i saj fluturon përreth fronit të të Plotfuqishmit.»

Shumë veta besojnë vërtet se engjëjt janë shpirtrat e njerëzve të vdekur, edhe pse pak fe e mbështetin zyrtarisht këtë ide. Media e ka përhapur këtë koncept me filmat dhe serialet televizive të cilat flasin për njerëz të vdekur që kthehen në engjëj, meqenëse kanë ndihmuar dhe kanë mbrojtur njerëzit e gjallë.

A mund të prisni me të vërtetë që njerëzit tuaj të dashur të kthehen në engjëj pasi vdesin? Çfarë mëson Bibla për këtë? Për të marrë përgjigje, le të shohim më parë ç’thonë Shkrimet e Shenjta për natyrën e engjëjve dhe për gjendjen e vërtetë të të vdekurve.

Engjëjt​—Krijesa unike

Engjëjt janë shërbëtorë të padukshëm e të fuqishëm të Perëndisë, që banojnë në sferën frymore. Ekzistenca e tyre është e pavarur nga ajo e njerëzve. Engjëjt janë krijesa frymore të krijuara nga Perëndia. Bibla thotë: «Le ta lëvdojnë [engjëjt] emrin e Jehovait, sepse ai urdhëroi, dhe ata u krijuan.»—Psalmi 148:2, 5.

Bibla zbulon se miliona krijesa qiellore besnike, duke përfshirë serafinët dhe kerubinët, përmbushin të bindur rolet e përcaktuara sipas rangut dhe caktimeve të tyre. (Psalmi 103:20, 21; Isaia 6:1-7; Danieli 7: 9, 10) A duhej të vdisnin njerëz me qëllim që Perëndia të sillte në ekzistencë gjithë këta engjëj? Në fakt, kjo është krejt e pamundur. Pse?

Bibla tregon se engjëjt u krijuan ku e ku më parë në krahasim me njerëzit. Kur Jehovai krijoi planetin që do të banohej nga njerëzit mjaft kohë më pas, engjëjt—të quajtur në mënyrë poetike yjet e mëngjesit—‘lëshonin tok britma hareje dhe brohoritnin tërë ngazëllim’. (Jobi 38:4-7) Pra, ata ekzistonin shekuj të tërë para se të krijohej njeriu.

Për më tepër, engjëjt dhe njerëzit ndryshojnë shumë nga natyra dhe nga roli që luajnë në qëllimin e Jehovait. * Perëndia e krijoi njeriun «pak më të ulët se engjëjt», kështu krijesat frymore konsiderohen me të drejtë si mbinjerëzore, me fuqi dhe kapacitet mendor më të madh. (Hebrenjve 2:7) ‘Vendbanimi i duhur’ i engjëjve është qielli. (Juda 6) Kurse për sa u përket njerëzve, qëllimi fillestar i Perëndisë ishte që ata të jetonin përgjithmonë në tokë. (Zanafilla 1:28; 2:17; Psalmi 37:29) Nëse çifti i parë njerëzor do t’i ishte bindur Perëndisë, nuk do të kishte vdekur asnjëherë. Prandaj, që nga fillimi, vendi që zinin njerëzit dhe engjëjt në qëllimin e Perëndisë ka qenë shumë i ndryshëm.

Çfarë ndodh pas vdekjes?

Disa pyetje të tjera të rëndësishme që duhet të shqyrtojmë janë: Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin? A vazhdojnë të ekzistojnë në një formë tjetër, ndoshta si engjëj në sferën frymore? Bibla ka këtë përgjigje të thjeshtë e të qartë: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» (Eklisiastiu 9:5) Pra kur vdesin, njerëzit pushojnë së ekzistuari. Të vdekurit nuk dinë dhe nuk ndiejnë asgjë.

Atëherë, a ka shpresë për të vdekurit? Sigurisht që po! Bibla tregon se shpresa për shumicën e njerëzve që kanë vdekur është ringjallja. Pjesa më e madhe e të vdekurve do të vijnë sërish në jetë si njerëz për të jetuar në tokën parajsore.—Luka 23:43; Gjoni 5:28.

Pak njerëz kanë shpresën për t’u ringjallur që të jetojnë në qiell. Numri i tyre është i vogël—gjithsej 144.000. Megjithatë, këta 144.000 janë mjaft të ndryshëm nga krijesat që zakonisht quhen engjëj. Për shembull, 144.000-t sundojnë si mbretër e priftërinj të pavdekshëm me Krishtin. Kanë autoritet si gjykatës. (1 Korintasve 6:3; Zbulesa 20:6) A janë ata foshnja që kanë vdekur? Jo. Ata janë ithtarë të Krishtit, që kanë hequr mundime e janë sprovuar plotësisht.—Luka 22:28, 29.

Mendoni edhe për kontrastin mes njerëzve të vdekur dhe engjëjve të gjallë. Ndërsa të vdekurit «s’janë të vetëdijshëm për asgjë», engjëjt janë plotësisht të vetëdijshëm, kanë ndjenja dhe aftësi për të marrë vendime. Ata kanë vullnet të lirë. (Zanafilla 6:2, 4; Psalmi 146:4; 2 Pjetrit 2:4) Të vdekurit përshkruhen si «të pafuqishëm», kurse engjëjt janë «shumë të fuqishëm». (Isaia 26:14; Psalmi 103:20) Dhe ndërsa njerëzit, pasardhësit e Adamit, vdesin si pasojë e mëkatit dhe e papërsosmërisë, engjëjt që i frikësohen Perëndisë, janë të përsosur dhe kanë një qëndrim plotësisht të miratuar përpara Jehovait.—Mateu 18:10.

Ideja që engjëjt janë shpirtrat e të vdekurve, mund të trajtohet në programet televizive e nëpër filma, por ky koncept nuk mbështetet asgjëkundi në Shkrime. Të vërtetat e Biblës të shpjeguara në këtë artikull na ndihmojnë të shmangim çdo ide të gabuar rreth gjendjes së njerëzve tanë të dashur që kanë vdekur. Gjithashtu, Bibla na siguron se engjëjt besnikë—shërbëtorë të fuqishëm të Perëndisë, të krijuar si individë më vete—janë më të lartë se njerëzit dhe janë gjithnjë gati për të bërë vullnetin e Jehovait. Sa mirë që vullneti i Perëndisë për engjëjt, përveç të tjerash, është të ruajnë e të ndihmojnë ata që respektojnë vërtet Jehovain dhe që mundohen t’i shërbejnë atij!—Psalmi 34:7.

[Shënimi]

^ par. 10 Fjala «engjëll», që në kuptimin e mirëfilltë do të thotë «lajmëtar», në disa raste mund të ketë një kuptim më të gjerë, duke përfshirë disa krijesa frymore ose edhe njerëz që janë shërbëtorë të Perëndisë. Gjithsesi në këtë artikull, u referohemi atyre krijesave frymore që Bibla i quan zakonisht engjëj.

A DONI TË DINI?

▪ A po i shërbejnë tani Perëndisë në qiell si engjëj njerëzit tuaj të dashur që kanë vdekur?​—Eklisiastiu 9:5, 10.

▪ A vdesin fëmijët sepse Perëndia do që të ketë më tepër engjëj përreth vetes?​—Jobi 34:10.

▪ A mund t’i mbrojnë të vdekurit të gjallët?​—Isaia 26:14.

[Diçitura në faqen 29]

«Le ta lëvdojnë [engjëjt] emrin e Jehovait, sepse ai urdhëroi, dhe ata u krijuan.»​—Psalmi 148:2, 5