Besimi i një fëmije
Besimi i një fëmije
DASTINI mori pjesë disa herë në studimin biblik që e ëma bënte me një Dëshmitare të Jehovait. Ndonëse ishte veçse 11 vjeç, mendonte thellë dhe bënte pyetje domethënëse. Shpejt kërkoi të studionte edhe ai Biblën me ish-misionaren që studionte me të ëmën. Ndërkohë filloi t’u fliste shokëve të shkollës për ato që po mësonte.
Dastini nisi të ndiqte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë të asaj zone, madje merrte pjesë duke u përgjigjur kur kërkohej pjesëmarrja e auditorit. Një herë ai bashkë me vëllezërit dhe motrat më të vegjël shkuan të takonin të atin. Ky këmbënguli që të shkonin të gjithë bashkë në kishë. Kur Dastini i shpjegoi pse preferonte të shkonte në Sallën e Mbretërisë, i ati ra dakord dhe i tha se do ta linte të shkonte.
Një mbrëmje pas mbledhjes në Sallën e Mbretërisë, e ëma nuk po e gjente Dastinin. Pa i thënë gjë, ai kishte shkuar te mbikëqyrësi i Shkollës së Shërbimit Teokratik dhe i kishte kërkuar të regjistrohej në shkollë. Edhe e ëma s’kishte asnjë kundërshtim. I emocionuar, Dastini mezi priste caktimin për fjalimin e parë. Megjithatë në të njëjtën kohë, filloi të ndiente dhembje therëse në mes, prandaj e vizituan te mjekë të ndryshëm. Më në fund, erdhi mbrëmja e shumëpritur kur Dastini kishte fjalimin në Sallën e Mbretërisë. Në atë kohë ecte me paterica. Ndonëse dukej qartë që kishte dhembje, u ngjit në podium pa paterica.
Pak kohë më pas, Dastini u diagnostikua me tumorin Eving, një formë e rrallë e kancerit të kockave. Pjesën më të madhe të vitit tjetër e kaloi në spitalin e fëmijëve në San-Diego, Kaliforni. Kimioterapia, rrezet dhe së fundi prerja e këmbës së djathtë dhe e kockës së legenit, nuk ia dobësuan besimin e fortë dhe dashurinë për Jehovain. Kur ishte aq i pafuqishëm saqë nuk lexonte dot, i lexonte e ëma, që i rrinte thuajse ditë e natë te koka.
Edhe pse gjendja e Dastinit keqësohej, ai asnjëherë nuk ankohej. Gjithnjë merrej me diçka, lëvizte përqark me karrigen me rrota duke inkurajuar pacientët e tjerë dhe prindërit e tyre, përfshirë edhe një djalë Dëshmitar. Personeli i spitalit e dallonte se Dastini dhe djali tjetër Dëshmitar, ishin ndryshe nga të tjerët—u jepte forcë besimi i tyre.
Dastini donte të pagëzohej. Megjithëse gjysmë i shtrirë në krevat ngaqë ishte shumë i dobët për të qëndruar ulur, pleqtë e krishterë trajtuan me të pyetjet që përdoren nga Dëshmitarët e Jehovait për kandidatët për pagëzim. Më 16 tetor 2004, në moshën 12 vjeç e gjysmë, Dastini u pagëzua në një asamble qarkore.
Kur fjalimi i pagëzimit do të fillonte, Dastinin e sollën me karrigen me rrota, që të zinte vend bashkë me kandidatët e tjerë të pagëzimit. Kur oratori kërkoi që kandidatët të ngriheshin në këmbë, Dastini u ngrit mbi njërën këmbë që kishte, i veshur me kostumin më të mirë, duke u mbajtur te doreza e karriges. Iu përgjigj pyetjeve të pagëzimit me zë të lartë dhe të qartë. E gjithë familja e Dastinit ishte e pranishme, edhe babai me gruan e vet. Kishin ardhur edhe një pjesë e personelit të spitalit dhe prindërit e disa fëmijëve me kancer që ishin të shtruar në spital.
Të nesërmen pas pagëzimit, Dastini u shtrua sërish në spital. Tanimë kanceri ishte përhapur në çdo kockë të trupit. Kur e kuptoi se do të vdiste, ngaqë sa vinte e po keqësohej, e pyeti të ëmën nëse ishte ashtu apo jo. «Pse më pyet?—iu përgjigj ajo.—Ke frikë nga vdekja?»
«Jo,—tha ai.—Thjesht do të mbyll sytë dhe kur t’i hap në ringjallje, do të më duket sikur sapo i kam mbyllur. S’do të kem më dhembje.» Pastaj shtoi: «Kam vetëm merak për ju.»
Dastini vdiq muajin tjetër. Në varrimin e tij morën pjesë mjekët, infermieret, familjarët e punonjësve të spitalit, mësuesit, fqinjët dhe, sigurisht, familjarët e Dastinit—si ata që ishin Dëshmitarë të Jehovait, edhe ata që nuk ishin. Dastini kishte kërkuar që t’u jepej një dëshmi e mirë për bindjet e tij të gjithë atyre që do të ishin në funeral. Drejtuesi i Shkollës së Shërbimit Teokratik, që mundi t’i caktonte vetëm një fjalim, mbajti një fjalim të shkëlqyer besimforcues përpara një turme aq të madhe, saqë shumë veta duhej të rrinin në këmbë.
Dy nga shkrimet më të preferuara të Dastinit, Mateu 24:14 dhe 2 Timoteut 4:7, ishin shtypur në copa letrash dhe iu shpërndanë atyre që morën pjesë në varrim. Besimi i fortë dhe integriteti i tij u dhanë zemër të gjithë atyre që e njihnin. Mezi presim kohën kur ta mirëpresim sërish mes nesh në ringjallje!—Treguar nga Dëshmitarja që studioi me Dastinin.
[Diçitura në faqen 27]
«Luftën e shkëlqyer e bëra, vrapimin e përfundova, besimin e ruajta.»—2 Timoteut 4:7
[Figura në faqen 26]
Lart: Dastini, kur ishte mirë me shëndet
[Figura në faqen 26]
Poshtë: Dastini duke u pagëzuar, kur ishte 12 vjeç e gjysmë