Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cili është lëngu më i çmuar?

Cili është lëngu më i çmuar?

Cili është lëngu më i çmuar?

«Gjaku është për shëndetësinë siç është nafta për transportin.»​—Artur Kaplëni, drejtor i qendrës bioetike në Universitetin e Pensilvanisë.

NAFTA. A është ky lëngu më i çmuar? Shumë veta mund të mendojnë kështu në këto ditë kur çmimet e karburantit shpesh shkojnë në qiell. Por ç’është e vërteta, çdokush prej nesh mban brenda disa litra të një lëngu shumë më të çmuar. Mendoni pak: ndërkohë që miliarda fuçi nafte nxirren nga toka çdo vit për të shuar etjen e njerëzimit për karburant, gati 90 milionë njësi gjak nxirren nga njerëzit me shpresën për të ndihmuar ata që janë të sëmurë. * Kjo shifër befasuese është e barabartë me vëllimin e gjakut të afro 8.000.000 vetave.

Por, ashtu si nafta, duket se edhe gjaku është me pakicë. Në mbarë botën, punonjësit e shëndetësisë lajmërojnë se gjaku i dhuruar është me pakicë. (Shih kutinë «Përpjekje të dëshpëruara».) Pse gjaku është kaq i çmuar?

Organ i pashoq

Për shkak të kompleksitetit të tij mahnitës, shpesh gjaku krahasohet me një organ të trupit. «Gjaku është një nga organet e shumta, jashtëzakonisht i mrekullueshëm dhe i pashoq»,—tha për Zgjohuni! dr. Brus Lenësi. Vërtet i pashoq! Një libër e përshkruan gjakun si «të vetmin organ të trupit që është lëng». I njëjti libër e quan gjakun «një sistem të gjallë transporti». Çfarë do të thotë kjo?

«Sistemi i qarkullimit të gjakut është si kanalet e Venecies,—thotë shkencëtari N. Li Anderson.—Ai transporton të gjitha gjërat e dobishme, por transporton edhe shumë mbeturina.» Teksa përshkon 100.000 kilometra në sistemin tonë të qarkullimit, gjaku kalon pothuajse në të gjitha indet e trupit, duke përfshirë zemrën, veshkat, mëlçinë dhe mushkëritë, të cilat janë organe jetësore që trajtojnë gjakun dhe mbahen me gjak.

Gjaku çon në qelizat e trupit shumë «gjëra të dobishme», siç janë oksigjeni, lëndët ushqyese dhe elementët mbrojtës, por edhe merr prej tyre «mbeturina» të tilla, si dyoksidi i karbonit, një gaz helmues, mbetjet e qelizave të dëmtuara ose të vdekura dhe mbeturina të tjera. Roli i gjakut në heqjen e mbeturinave ndihmon për të kuptuar se përse mund të jetë e rrezikshme të biesh në kontakt me gjakun pasi del nga trupi. Dhe askush nuk mund të garantojë se të gjitha «mbeturinat» e gjakut janë diktuar dhe janë hequr para se gjaku t’i jepet dikujt tjetër.

Pa dyshim, gjaku kryen funksione që janë të domosdoshme për jetën. Ja përse në mjekësi u bëhet transfuzion gjaku pacientëve që kanë humbur gjak. Shumë mjekë do të thoshin se pikërisht ky përdorim i gjakut për arsye mjekësore, e bën atë kaq të çmuar. Megjithatë, në mjekësi gjërat po ndryshojnë. Në njëfarë kuptimi, po ndodh një revolucion i heshtur. Shumë mjekë dhe kirurgë nuk e kërkojnë menjëherë shpëtimin te transfuzioni i gjakut, siç bënin dikur. Përse?

[Shënimi]

^ par. 3 Çdo njësi përmban 450 mililitra gjak.

[Kutia dhe figura në faqen 4]

Përpjekje të dëshpëruara

Specialistët e mjekësisë thonë se duhen përafërsisht edhe 200 milionë njësi gjak çdo vit për të plotësuar nevojat në mbarë botën. Në vendet në zhvillim jeton 82 për qind e popullsisë së botës, e megjithatë nga këto vende vjen më pak se 40 për qind e gjakut të dhuruar. Shumë spitale në këto vende punojnë pa përdorur gjak. Një gazetë në Kenia, The Nation, thotë se ‘çdo ditë, pothuajse gjysma e procedurave që kërkojnë transfuzione gjaku, ose anulohen, ose shtyhen ngaqë mungon gjaku’.

Edhe në vendet e pasura shpesh gjaku është me pakicë. Meqë njerëzit jetojnë më gjatë dhe teknikat mjekësore kanë përparuar, edhe operacionet janë shtuar. Veç kësaj, sot po kthejnë mbrapsht gjithnjë e më shumë dhurues, ngaqë bëjnë një jetë që i vë përpara rrezikut të sëmundjeve ose ngaqë kanë udhëtuar në vende ku mund të kenë marrë ndonjë sëmundje a parazit.

Duket se ata që merren me konservimin e gjakut kanë rënë në hall. Ndonjëherë, për të siguruar gjak pa sëmundje, ata shohin si burim të mundshëm fëmijët ose të rinjtë që në përgjithësi kanë një mënyrë jetese disi më të mbrojtur ndaj rrezikut të infektimit. Për shembull, sot në Zimbabve, 70 për qind e gjakut të dhuruar vjen nga nxënësit. Qendrat e dhurimit të gjakut po qëndrojnë hapur me orare të zgjatura, e madje në disa vende lejohet që ato të ofrojnë shpërblim, me qëllim që të tërheqin dhurues e t’i bëjnë klientë ata. Gjatë një fushate në Republikën e Çekisë, njerëzve iu ofrua birrë me shumicë për të shuar etjen, e si shkëmbim të jepnin gjak. Kohët e fundit, në një zonë të Indisë, autoritetet trokitën derë më derë, duke kërkuar dhurues që ishin të gatshëm të ndihmonin për të plotësuar rezervat e shteruara të gjakut.