Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Do t’i ‘ngjit të përpjetat si një dre’

Do t’i ‘ngjit të përpjetat si një dre’

Do t’i ‘ngjit të përpjetat si një dre’

TREGUAR NGA FRANÇESKO ABATEMARKOJA

«Pse lejoi Perëndia të ndodhte? Pse mua?» Sa e sa herë i kam bërë këto pyetje! Nuk mësohesha dot me idenë se do ta kaloja tërë jetën në një karrige me rrota, pa lëvizur as krahët dhe as këmbët.

NË VITIN 1962, në një qytet të vogël në krahinën e Bazilikatës, Itali, jeta ime thuajse përfundoi ditën që nisi. Mamaja pati një lindje të vështirë, dhe mjeku më bëri disa gjilpëra që patën efekte të rënda anësore. Tri ditë më vonë, trupi im i vockël u drodh nga spazmat. Si pasojë, krahët dhe këmbët mbetën të paralizuar, m’u dëmtuan edhe kordat zanore.

Teksa rritesha, më mbyste zhgënjimi që ndieja për shkak të shëndetit të keq. Acarohesha shpejt dhe shpesh i sulmoja me fjalë ata që më rrethonin. Ndihesha i mënjanuar nga e tërë bota, dhe jeta s’kishte pikë kuptimi. Kur isha 25 vjeç, isha i dërrmuar emocionalisht. Ngaqë s’e kuptoja pse Perëndia lejonte të vuaja aq shumë, dola në një përfundim—që më dukej me vend—se nuk ka Perëndi.

Një këndvështrim i ndryshëm

Një mëngjes, nga fundi i vitit 1987, ndërsa isha ulur në karrigen me rrota jashtë shtëpisë, m’u afruan dy djem të rinj të veshur mirë. Mendova se donin të flitnin me tim vëlla dhe prandaj u thashë, me shumë vështirësi, se vëllai nuk ishte në shtëpi. «Por ne duam të flasim me ty»,—m’u përgjigjën ata. Kjo më habiti, sepse njerëzit s’para interesoheshin për mua.

«A beson te Perëndia?»—më pyetën. Iu përgjigja vrazhdë: «E si mund të besoj në këtë gjendje që jam?» Nisëm të bisedonim dhe mora vesh që ishin Dëshmitarë të Jehovait. Më ofruan librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim? *, të cilin e pranova me ngurrim. Më thanë se do të ktheheshin. Unë shpresoja që jo.

Dy Dëshmitarët u kthyen siç më kishin premtuar, dhe vazhduam bisedën atje ku e lamë. E mbaj mend shkrimin që më lexuan nga Bibla, ishte Isaia 35:5, 6: «Në atë kohë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve. I çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje.» Ato fjalë ishin të bukura, por si nata me ditën me realitetin ku jetoja. Unë s’arrija dot as të qëndroja në këmbë, e jo më të ngjitja të përpjetat si një dre! Gjithsesi, pranova të studioja Biblën me ta, por nuk besoja se Bibla do të më ndihmonte për problemet që kisha. Sa për atë që një ditë nuk do të isha më i sëmurë, kjo më dukej e pamundur.

Pas ca kohësh, Dëshmitarët më ftuan në mbledhje, në Sallën e tyre të Mbretërisë. Nuk e kujtoj për çfarë fliste fjalimi biblik, por kurrë nuk do ta harroj ngrohtësinë dhe dashurinë që më treguan Dëshmitarët. Në vend që të më trajtonin me keqardhje, më bënë të ndihesha vërtet i mirëpritur. Atë të diel e kuptova se vendi im ishte aty, në Sallën e Mbretërisë, dhe nisa të shkoja rregullisht në mbledhje.

Duhet të ngjit një «mal»

Studimi i Fjalës së Perëndisë pati një ndikim të jashtëzakonshëm në zemrën time. Ishte si të qarkullonte sërish lëngu i jetës në një pemë të tharë. Po provoja ndjenja që mendoja se ishin të vdekura e të varrosura tashmë. Sa e mrekullueshme ishte të ndihesha përsëri gjallë! Doja t’u tregoja të tjerëve për shpresën e mrekullueshme që kisha. (Mateu 24:14) Por si të filloja të predikoja? U luta me zjarr për këtë, duke i kërkuar Jehovait të më tregonte një mënyrë.

Në shtator 1991, në kongregacionin tonë u caktua një pionier (ungjillëzues në kohë të plotë). Një ditë kur isha në shtëpinë e tij, i fola hapur se kisha dëshirë të predikoja. Nuk flisja dot normal si të tjerët, prandaj diskutuam që të përdorja një makinë shkrimi për të shkruar letra. Krahët e paralizuar ishin pengesë. Me ndihmën e pionierit provova shumë metoda. U përpoqa të mbaja me dhëmbë një laps dhe me të të goditja tastierën. Pastaj, u mundova të përdorja një kaskë me një shkop të ngjitur tek ajo, dhe lëvizja kokën për të goditur tastierën. Asgjë nuk bëri punë.

Më vonë, kur po diskutonim për këtë problem, pionieri më tha me shaka: «E di që e ke hundën të lezetshme ti!» Menjëherë provova t’u bija tasteve me hundë, dhe funksionoi. Më në fund, isha në gjendje të shkruaja. Imagjinoni përpjekjet që duhej të bëja për të korrigjuar gabimet! Shpejt e kuptuam se po të kisha një kompjuter, do të ishte shumë më e lehtë. Po ku t’i gjeja paratë? Prita sa erdhi momenti i duhur dhe fola me prindërit. S’kaloi shumë dhe i shkruaja letrat me kompjuter.

Më plotësohet dëshira

Në fillim u shkrova shokëve dhe të afërmve, pastaj atyre që jetonin në qytetin tim dhe në qytetet përreth. Shpejt shkëmbeja letra me njerëz nga e gjithë Italia. E kam të vështirë ta përshkruaj gëzimin që ndieja çdo herë që merrja përgjigje për letrat. Në dhjetor 1991, u emërova lajmëtar i papagëzuar i lajmit të mirë. U regjistrova edhe në Shkollën e Shërbimit Teokratik, një shkollë që mbahet çdo javë në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Kur merrja caktimin për të bërë fjalim, e përgatitja me kujdes në shtëpi me kompjuter. Pastaj në mbledhje, një shok e lexonte në podium atë që kisha përgatitur.

Ndieja mirënjohje për dashurinë që Jehovai po tregonte ndaj meje dhe e dija se hapat e tjerë drejt përparimit frymor ishin t’ia kushtoja jetën Perëndisë dhe të pagëzohesha. Mora guximin dhe fola me prindërit për këtë vendim. Atyre nuk u pëlqeu kjo aspak, por dëshira për t’u pagëzuar ishte më e fortë se frika. Me mbështetjen e Jehovait dhe të bashkëbesimtarëve, u pagëzova në gusht të 1992-shit. Sa i lumtur isha që kishte ardhur edhe vëllai me kunatën për të parë pagëzimin!

Ndryshoj mënyrën e të menduarit

Ndërsa gradualisht fillova t’i kisha më të qarta parimet e Fjalës së Perëndisë, e kuptova se duhet të ndryshoja disa tipare negative të personalitetit. U bëra i vetëdijshëm se si pasojë e shëndetit të keq, isha bërë egoist dhe doja gjithnjë vëmendjen e të tjerëve. Më duhej shumë luftë për t’i hequr ato cilësi të këqija. Kisha nevojë të isha më i përulur dhe ta luftoja inatin që ndieja vazhdimisht ngaqë isha i varur nga të tjerët.

Po ashtu punova që të mos ndieja më keqardhje për veten dhe të mos e shihja më veten si një viktimë. Fillova t’i kaloja disa situata me të qeshur. Një ditë po predikoja shtëpi më shtëpi, dhe te një derë na doli një vajzë e vogël. Një nga Dëshmitarët që ishte me mua, e pyeti nëse prindërit ishin brenda. Vogëlushja bërtiti: «Mami, janë dy burra dhe një i sëmurë te dera.» Kur më pa, së ëmës i erdhi kaq zor, saqë nuk dinte ç’të thoshte. Një nga shokët e mi tha: «Në fakt jemi dy të sëmurë dhe një shëndoshë si molla.» Qeshëm dhe më pas patëm një bisedë të këndshme me të.

Doja të shërbeja më plotësisht

Pasi u pagëzova, shërbeva si pionier ndihmës për nëntë muaj, duke kaluar 60 orë çdo muaj në veprën e predikimit. Por prapëseprapë doja të bëja më tepër. Shpejt fillova shërbimin si pionier i rregullt, duke i kushtuar edhe më shumë kohë predikimit. Muajt e parë ishin shumë të vështirë. Shumë veta mendonin se isha në derën e tyre për të lypur, dhe kjo na vinte në siklet si mua, ashtu edhe Dëshmitarët që më shoqëronin.

Përveç kësaj, shumë veta në kongregacion e kishin të vështirë të më kuptonin kur flisja, dhe nuk dinin si të më ndihmonin sa më mirë. Por me ndihmën e Jehovait dhe me mbështetjen me gjithë zemër të vëllezërve dhe motrave të krishtere, me kohë situata u përmirësua. Tani njerëzit më shohin jo thjesht si një njeri në karrige me rrota, por si një Dëshmitar i Jehovait që përpiqet t’i ndihmojë të tjerët të njohin qëllimet e Perëndisë.

Në korrik 1994, ndoqa një kurs special dyjavor stërvitjeje për pionierët. Aty studiuam parimet biblike që drejtojnë veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve. Gjithashtu, stërviteshim për shërbimin. M’u desh të kapërceja disa pengesa për ta ndjekur atë kurs, sepse shkolla mbahej gati 60 km larg nga vendi ku jetoj. Ishte e pamundur të flija larg shtëpisë, prandaj Dëshmitarët e bënin me radhë që të më çonin në mëngjes në shkollë, dhe në mbrëmje në shtëpi. Në drekë një prej tyre më ngjiste lart në katin e dytë, se atje hanim të gjithë bashkë.

Përgjegjësi e madhe

Në mars 2003, u emërova si plak kongregacioni. Ky caktim kërkon që të punoj shumë për dobinë e të tjerëve. Tani e kuptoj më plotësisht se çfarë donte të thoshte Jezui kur tha: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Punoj me një trup pleqsh të mrekullueshëm, dhe ata më kanë ndihmuar që të përshtatem sa më mirë me rolin tim. E ndiej se të gjithë në kongregacion më vlerësojnë—sidomos të rinjtë—dhe më përfshijnë në aktivitetet e tyre. Ata e shohin si i kam kapërcyer pengesat për t’i shërbyer Jehovait, dhe shumë më kërkojnë ndihmë teksa përballojnë problemet e veta.

Kam mësuar se gjendja fizike nuk është faktori kryesor për të qenë i lumtur. Përkundrazi, ajo që ka rëndësi është të kesh miratimin e Jehovait dhe të bësh vullnetin e tij. I jam veçanërisht mirënjohës për shpresën e mrekullueshme se edhe pak dhe do të shpëtoj njëherë e mirë nga kjo karrige me rrota. Po, mezi po pres kohën kur t’i ‘ngjit të përpjetat si një dre’ dhe t’i shërbej Perëndisë së vërtetë për gjithë përjetësinë.—Isaia 35:5, 6.

[Shënimi]

^ par. 8 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 22]

«Tani njerëzit më shohin jo thjesht si një njeri në karrige me rrota, por si një Dëshmitar i Jehovait që përpiqet t’i ndihmojë të tjerët të njohin qëllimet e Perëndisë»

[Figura në faqen 21]

Përgatitem për një mbledhje të kongregacionit, duke shtypur me hundë në tastierë