Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjelëzat​—Endacaket më të mëdha në botë

Gjelëzat​—Endacaket më të mëdha në botë

Gjelëzat​—Endacaket më të mëdha në botë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

IMAGJINONI sikur po kaloni dy muajt e verës në tundrën e Arktikut, ku dielli pothuajse nuk perëndon kurrë. Megjithatë kur afrohet dimri, drejtoheni për në Amerikën Jugore, Australi ose në Afrikën e Jugut. Kurse pjesën tjetër të vitit jeni gjithnjë në lëvizje, duke kërkuar ushqimin tuaj të preferuar në brigjet e çdo kontinenti. Kjo është zakonisht mënyra e jetesës së shumë prej gjelëzave në të gjithë botën.

Gjelëzat janë zogj që u pëlqen të ushqehen në ujërat e cekëta. * Në muajt e ftohtë të Hemisferës Veriore, këta zogj grumbullohen në grykajat plot baltë të lumenjve, në plazhe, në kënetat ose brigjet shkëmbore, atje ku pak njerëz guxojnë të enden. Në muajt më të ngrohtë, kur turistët vërshojnë në plazhe, shumica e gjelëzave migrojnë në Arktik dhe në zonat subarktike. Aty vera e shkurtër u siguron vetminë dhe ushqimin e bollshëm që u duhet për të rritur të vegjlit.

Gjelëzat nuk kanë ngjyra të gjalla, por fluturimi i tyre mbresëlënës dhe modelet tërheqëse që kanë te krahët fitojnë admirimin e vëzhguesve të panumërt. «[Gjelëzat] ndërkohë që fluturojnë, me fundet e krahëve të tyre mund të çikin sipërfaqen e ujit ose ngrihen fluturim deri gjashtë kilometra lartësi a më shumë. Ato janë pa dyshim mjeshtre të fluturimit»,—vëren libri Gjelëzat—Endacaket e bukura të brigjeve (anglisht).

Të sigurta në tufë

Gjelëzat shpesh grumbullohen në tufa të mëdha atje ku ka ushqim me bollëk. Me sa duket mblidhen në tufa edhe për të qenë të sigurta. Shpendët grabitqarë, si për shembull skifterët, preferojnë të gjurmojnë zogjtë e vetmuar, kurse një tufë po të jetë e ngjeshur, mund t’i sprapsë. Po ashtu, kur mijëra zogj janë bashkë kanë më shumë mundësi ta dallojnë në kohë një grabitqar, para se ai t’i sulmojë. Për të përfituar nga kjo metodë tjetër mbrojtjeje, shumë gjelëza formojnë tufa të përbëra me disa lloje gjelëzash.

Është shumë mbresëlënëse të shohësh këta zogj teksa ngrihen fluturim. Qindra, madje mijëra zogj që fluturojnë afër e afër, vërtiten e rrotullohen, ngrihen e bien, sikur një dorë e padukshme i kontrollon të gjithë. «Është një mrekulli në vetvete që mijëra zogj duke fluturuar me shpejtësi kryejnë manovra të paparashikuara me një koordinim të përkryer»,—thuhet në librin Manuali i zogjve të botës (anglisht). Duke studiuar filmimet që kanë xhiruar lëvizjet shumë të shpejta të tufave me gjelëza gushëzeza, ornitologët panë se një zog i vetëm mund të nisë një manovër, e cila ndiqet në çast nga pjesa tjetër e tufës.

I bien botës kryq e tërthor

Disa lloje gjelëzash janë udhëtare që i bien vërtet botës kryq e tërthor. Për shembull, dy lloje gjelëzash (Calidris canutus dhe Calidris alba), ndryshe nga thuajse çdo lloj zogu tjetër, shkojnë më në veri për t’u shumuar. Gjelëzat mund t’i gjesh pothuajse në çdo bregdet të tokës, dhe bëjnë gati 32.000 km në udhëtimin e tyre të përvitshëm.

Edhe pse në disa udhëtime migruese gjelëzat fluturojnë mbi oqeane, ato nuk dinë të notojnë dhe asnjëherë nuk pushojnë mbi ujë. Prandaj u duhet të marrin me vete rezerva të mëdha «karburanti»—përpjesëtimisht më shumë se sa një aeroplan, që merr me vete karburant rreth 40 për qind të peshës së tij të përgjithshme. Si furnizohen gjelëzat me gjithë këtë karburant?

«Ato e grumbullojnë [karburantin] në formën e dhjamit. Hanë si të babëzitura në llucën e brigjeve, dhe brenda pak javëve gati e dyfishojnë peshën e trupit të tyre në verë,—shpjegon Dejvid Atenborou në librin Jeta e zogjve (anglisht).—Këto rezerva dhjamore janë edhe më të mëdha në krahasim me atë që mund të paraqitin statistikat, sepse shumë nga organet e brendshme, përfshirë trurin dhe të përbrendshmet, tkurren që të lënë vend për karburantin dhe për të ‘kursyer’ në peshë.»

Një udhëtare mbresëlënëse është kllinza e artë e Paqësorit, që migron nga Alaska në ishujt Havai. Përveç qëndrueshmërisë që i nevojitet për të fluturuar 4.500 km pa ndaluar asgjëkundi, aftësia e saj për të gjetur Havain në mes të oqeanit, është një mrekulli e fluturimit të zogjve. U studiua fluturimi i një kllinze të artë, dhe ajo e bëri udhëtimin në më pak se katër ditë. Gjithashtu një zog i vjetër, e kishte bërë këtë udhëtim mbi 20 herë.

Kur më në fund mbërrijnë në Arktik, vendi ku çiftohen dhe bëjnë të vegjlit e tyre, këto udhëtare të forta bëjnë një jetë tepër të zënë. Brenda dy javësh duhet të gjejnë partnerin, të caktojnë territorin e tyre dhe të ngrenë folenë. Pastaj kanë gati tri javë për të ngrohur vezët, dhe tri javë të tjera për të rritur të vegjlit. Nga fundi i korrikut, sërish nisen fluturim drejt jugut.

Rreziqet e migrimit

Gjatë këtyre udhëtimeve të gjata gjelëzat hasin plot rreziqe. Një rrezik i madh vjen nga njeriu. Në shekullin e 19-të, natyralisti Xhon-Xhejms Audubon, raportoi se një grup gjuetarësh vrau 48.000 kllinza të arta vetëm në një ditë. Sot, popullata botërore e këtij lloji është rimëkëmbur disi, por ende ka të ngjarë të jetë më pak se sa numri i atyre që u vranë brenda asaj dite.

Një rrezik akoma më i madh është zhdukja e kënetave. Gjelëzat mezi përshtaten me këto humbje. «Zakonet e shumimit, të migrimit dhe të dimërimit të gjelëzave janë zhvilluar me kalimin e mijëra viteve, dhe është për të ardhur keq që njeriu mund t’i ndryshojë ose t’i prishë ato fare kollaj»,—shpjegon një libër (Shorebirds—An Identification Guide to the Waders of the World). Mbijetesa e miliona gjelëzave varet nga mbrojtja e atyre pikave të pakta të ndalesës, që janë pika kyçe gjatë udhëtimeve të tyre migruese.

Një shembull kryesor është Gjiri Delauer, përgjatë bregut të Nju-Xhersit Jugperëndimor, SHBA, ku në pranverë mblidhen qindra mijë gjelëza të llojit Calidris canutus për të ngrënë sasi të mëdha vezë gaforresh në formë patkoi. Zogjtë janë të babëzitur, ngaqë sapo kanë mbaruar «një nga fluturimet më të gjata pa ndalesa për çdo lloj zogu». Për dy javë kanë përshkuar 8.000 kilometra nga Brazili Juglindor deri në Nju-Xhersin Jugperëndimor dhe gjatë kësaj kohe kanë humbur gjysmën e peshës.

Përpjekjet e mbrojtësve të mjedisit mund të ndihmojnë për të siguruar që këto ndalesa të preferuara nga zogjtë bregdetarë, të mbeten të paprekura nga njeriu. Mbase afër vendit ku jetoni ju, ka një zonë të tillë. Nëse keni parë një tufë me gjelëza që vërtiten e rrotullohen mbi dallgë, ose keni dëgjuar klithmat e tyre të këndshme, vështirë se do t’i harroni menjëherë.

Siç shkruan ambientalisti Artur Morris, «të gjithë ata që vëzhgojnë gjelëzat përjetojnë të njëjtën gjë: secili nga ne ka qëndruar shumë herë në plazhe të izoluara ose në këneta, dhe ka vëzhguar një tufë me gjelëza që shkëlqejnë nga ngjyrat e errëta dhe të hapura, që vërtiten e rrotullohen në mënyrë të harmonishme. Dhe çdo herë që ndodh kjo, mahnitemi e mrekullohemi».

[Shënimi]

^ par. 4 Gjelëzat bëjnë pjesë në rendin Charadrii, dhe numri i llojeve të tyre shkon mbi 200.

[Kutia dhe figurat në faqen 18]

Eksperte për udhëtime të gjata

Gjelëzat «Calidris canutus» ka të ngjarë të zënë vendin e parë për sa u përket udhëtimeve më të largëta. Ato që zakonisht shumohen në veriun e largët të Kanadasë, zakonisht dimërojnë ose në Evropën Perëndimore ose në brigjet e Amerikës Jugore (mbi 10.000 kilometra larg)

[Burimi]

KK Hui

Tufa me të paktën një milion gjelëza gushëzeza janë vërejtur në Holandë dhe në Mauritani

Gjelëzat «Limosa lapponica» shpërndahen gjerësisht nga vendet e tyre të shumimit në Siberi, duke udhëtuar drejt ishujve britanikë, Afrikës Jugore, Lindjes së Mesme, Australisë ose Zelandës së Re

Gjelëzat «Calidris alba» mund t’i shihni thuajse anekënd botës, tek enden brigjeve. Disa shumohen jo më larg se 950 kilometra nga Poli i Veriut

[Figurat në faqet 16, 17]

Që të përshkojnë oqeanet e paana, gjelëzat duhet të sigurojnë rezerva të mëdha me dhjamë, sepse ato s’mund të pushojnë mbi ujë

[Figura në faqet 16, 17]

Gjelëzat «Calidris alba» ndihen të sigurta në tufë

[Figura në faqen 17]

Gjelëza Haematopus ostralegus

[Figura në faqen 17]

Gjelëza «Tringa erythropus» duke kërkuar ushqim në kënetë

[Burimi i figurës në faqen 16]

Fotografitë lart dhe poshtë: © Richard Crossley/VIREO