Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Gracka e alkoolit: A je në rrezik? (8 tetor 2005) Kam lexuar shumë letra nga lexuesit, të cilët thoshin: «Ky artikull erdhi në kohën e duhur.» Nuk mendoja kurrë se do të ndihesha po njësoj, por kjo është tamam ajo që thashë kur lexova këtë seri. Kishte ca kohë që isha i shqetësuar për sasinë e alkoolit që pija çdo ditë, edhe pse nuk dehesha. Pastaj doli kjo seri. Pasi lexova rreziqet, kuptova se ishte koha të çlirohesha nga kjo lloj skllavërie.
K. V., Gjermani
Kjo seri përmendte përvojën e Hilarios, që pinte prej 30 vjetësh dhe ‘shumë herë iu dorëzua prapë vesit’. Ai thoshte se pjesëtarët e kongregacionit ‘i qëndruan gjithnjë pranë për ta inkurajuar’. Por, a nuk duhej qortuar, ose edhe përjashtuar ai nga kongregacioni i krishterë?
R. L., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Përshkrimi i shkurtër i përvojës së Hilarios nuk thotë se në ç’pikë gjatë atyre 30 vjetëve që luftonte me alkoolin u bë i krishterë i pagëzuar. As nuk pohon nëse ishte qortuar ndonjëherë nga pleqtë e kongregacionit. Por artikulli pohonte se Hilario kishte marrë «këshilla biblike në kohën e duhur», e kjo në disa raste bëhet nga një komitet gjyqësor. Të luftosh me alkoolizmin ndonjëherë përfshin t’i dorëzohesh disa herë vesit, si në rastin e Hilarios. Se si trajtohen çështje të tilla kur përfshihet një i krishterë i pagëzuar, të lutemi shih «Kullën e Rojës» të 1 majit 1983, faqet 8-11 (anglisht).
Të rinjtë pyesin . . . Pse më tërheqin njerëzit e gabuar? (22 korrik 2005) Falë këtij artikulli kuptova se nuk duhet të jem e pavendosur për synimet e mia. M’u mbush mendja që të ndahesha nga shoqëritë e këqija. Tani kam krijuar plot lidhje të forta në kongregacion, me të rinj e të moshuar. Kjo ka bërë që të ndiej dashurinë e atyre që e duan Jehovain dhe që më nxitin të vazhdoj në shtegun e jetës.
M. D., Meksikë
E vendosur për të arritur synimin (22 qershor 2005) Ndërsa po lexoja përvojën e Martës lotët më rridhnin faqeve. Edhe unë kam vuajtur nga epilepsia. Kam dhjetë vjet si ungjillëzuese në kohë të plotë dhe disa herë është e vështirë, sidomos kur kam kriza. Historia e Martës ma forcoi vendosmërinë për të mos u dorëzuar. Më ngushëlloi jashtë mase.
J. S., Poloni
Po luftoj me të njëjtën sëmundje si të Martës. Pasi lexova historinë e saj, fillova të kem kujdes edhe me ushqimin. Për më shumë se dhjetë vjet, lejova që epilepsia të më pengonte t’i shërbeja më shumë Jehovait. Por gati tre vjet më parë, vendosa të nisja shërbimin si ungjillëzuese në kohë të plotë dhe nuk jam bërë fare pishman. Jehovai ju bekoftë që botoni përvoja kaq inkurajuese!
B.K.K., Brazil
Ajo që më inkurajoi më shumë nga ky artikull ishte fakti që Marta nuk u dorëzua kurrë. Mora zemër kur lexova se ndonëse iu desh të ndërpriste shërbimin, kishte një qëndrim të ekuilibruar dhe besim se Jehovai kënaqet kur i shërbejmë me gjithë shpirt.
S. H., Japoni
Jam përballur me një situatë të ngjashme me atë të Martës, dhe më duhet t’i pranoj kufizimet që kam. Ashtu si Marta, kam shërbyer si ungjillëzuese në kohë të plotë. Prandaj historia e saj më dha shumë zemër.
F. G., Zvicër