Si mund t’i ndihmoj ata që janë në nevojë?
Të rinjtë pyesin . . .
Si mund t’i ndihmoj ata që janë në nevojë?
«Shpresoj që kur të mbaroj shkollën, të nis punë si elektricist. Dua të ndihmoj në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë.»—Tristani, 14 vjeç.
«Po i dhuroj këta 20 dollarë për shtypshkronjën e re. Janë kursimet e mia, po dua t’jua jap juve.»—Abi, 9 vjeçe.
NË NJË kohë kur disa pa u menduar gjatë i përshkruajnë të rinjtë si egoistë, shumë fëmijë dhe të rinj—duke përfshirë edhe këta të cituar më sipër—po tregojnë të kundërtën. Mes Dëshmitarëve të Jehovait, plot djem dhe vajza përdorin kohën, energjitë dhe gjërat e tyre materiale në dobi të të tjerëve. (Psalmi 110:3) Shikoni disa shembuj të tjerë.
Pak pasi i vdiq gjyshja, Jirahu shtatëvjeçar nga Australia, mori 50 $ (australianë) si dhuratë nga gjyshi. Çfarë bëri me ato para? Në mbledhjen e kongregacionit, i hodhi të gjitha në kutinë e kontributeve. Pse? «Lodra kam plot, kurse gjyshe vetëm një kisha,—i shpjegoi Jirahu së ëmës.—E di se gjyshes do t’i pëlqente t’i jepja si kontribut, se ajo e donte shumë Jehovain.»
Hana pesëvjeçare nga Shtetet e Bashkuara vdes për kuajt. Kishte qejf të blinte një kalë lodër, që kushton 75 $. Që ta mësonin të kursente, prindërit e Hanës i jepnin hera-herës para që t’i hidhte në kutinë e kursimeve. Shpejt Hana mblodhi gjithë ato para, që i dilnin e i tepronin për të blerë një kalë lodër.
Por në atë kohë, uragani Katrina shkatërroi bregun e gjirit të Meksikës. Hanës i vinte keq për viktimat, prandaj, për t’i ndihmuar, vendosi t’i dhuronte të gjitha paratë që kishte mbledhur—mbi 100 $. Ajo i shkroi zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait: «Dua t’jua jap juve këto para, sepse e dua Jehovain dhe dua Hebrenjve 13:16.
të ndihmoj.» A i sheh Jehovai këto vepra bujarie? Bibla thotë: «Mos harroni të bëni të mira dhe të ndani gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me flijime të tilla.»—Një vajzë me emrin Tifani, edhe ajo nga Shtetet e Bashkuara, i shkroi zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait, pasi dy uragane goditën Floridën në vitin 2004. «Vëllai im Timoteu dhe unë, duam të japim si kontribut këto 110 $,—shkroi ajo.—Shtëpia jonë nuk u dëmtua shumë, por pamë si i katandisi stuhia disa shtëpi të tjera. Donim të ndihmonim, prandaj filluam të kursenim para. Timoteu fitoi 10 $ duke ndihmuar për të rrëzuar suvanë e një shtëpie, kurse unë kurseva 100 $.» Tifania është 13 vjeçe, kurse i vëllai, Timoteu, vetëm 7 vjeç. Çfarë ndodh kur vëmë interesat e të tjerëve përpara tonave? Proverbat 11:25 thotë: «Kush ujit me bollëk, edhe ai vetë do të ujitet me bollëk.»
Një grup fëmijësh e të rinjsh Dëshmitarë në Shtetet e Bashkuara, nga mosha 4 deri 15-vjeçare, dëgjuan se bashkëbesimtarët e tyre në Afrikë kishin nevojë për Salla Mbretërie. Prandaj vendosën të bënin diçka. «Shitëm biskota dhe ëmbëlsira para shtëpive tona, dhe fituam 106,54 $. U thamë njerëzve se paratë mund të përdoreshin në Afrikë për të ndërtuar vende ku njerëzit të mësonin për Biblën. Shumë veta reaguan mirë. Na u deshën nëntë orë për këtë punë, por ia vlente sepse e bëmë për Jehovain!»
Edhe ti mund të ndihmosh
Këta fëmijë dhe të rinj, përvojat e të cilëve tregohen më sipër, mësuan se sa të vërteta janë fjalët e Jezuit: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Edhe ti mund të provosh këtë gëzim që vjen kur jep. Në cilat mënyra mund të japësh?
A ke dëgjuar për bashkëbesimtarë që janë në nevojë? Për shembull, a ka ndodhur ndonjë katastrofë natyrore? Përpiqu të imagjinosh si do të ishte nëse do të kishe humbur ti shtëpinë, zotërimet ose nëse do të të kishte vdekur dikush shumë i afërt. Apostulli Pavël shkroi se të krishterët duhet të ‘shohin me interes jo vetëm çështjet e tyre, por edhe ato të të tjerëve’. (Filipianëve 2:4) Edhe nëse jeton larg nga vendi ku ka ndodhur një katastrofë natyrore, mbase mund të hedhësh një kontribut që mund të përdoret në përpjekjet që bëjnë Dëshmitarët e Jehovait për të ndihmuar. *
Ka edhe mënyra të tjera si mund t’i ndihmosh ata që janë në nevojë. Për shembull, në rast se je Dëshmitar i Jehovait, pse të mos hedhësh një sy në Sallën e Mbretërisë? A ka të moshuar ose të tjerë që kanë nevojë për ndihmë? A mund t’i ndihmosh për punët e përditshme? Apostulli Pavël u shkroi romakëve: «Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore. Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Romakëve 12:10) Kur sheh se dikush ka nevojë për ndihmë, merr iniciativën. Ji i gatshëm të bësh edhe punë që kërkojnë përulësi. Mbaj gjithnjë parasysh se t’u shërbesh të tjerëve është pjesë e shërbimit që i bëjmë Perëndisë. Bibla thotë: «Kush i jep hir të varfrit, i jep hua Jehovait, dhe Ai do t’ia shpërblejë.»—Proverbat 19:17.
Patjetër, mënyra më e mirë si mund t’i ndihmosh të tjerët është duke u folur për gjërat që di rreth Fjalës së Perëndisë, Biblës. Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Tani më shumë se kurrë, njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë mesazhin jetëshpëtues të së vërtetës nga Bibla. Prandaj vazhdo të marrësh pjesë rregullisht dhe me zell në veprën e predikimit, i sigurt se ‘mundi yt s’është i kotë’.—1 Korintasve 15:58.
[Shënimi]
^ par. 13 Kontributet për dhënien e një ndihme specifike janë gjithnjë të mirëpritura. Megjithatë, preferohet që këto kontribute të hidhen për veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait, pasi paratë tërhiqen nga ky fond nëse lind nevoja.
PYETJE PËR TË MENDUAR
▪ A të vjen ndër mend dikush që mund të ketë nevojë për ndihmë?
▪ Çfarë mund të bësh për të ndihmuar?
[Diçitura në faqen 25]
«Mos harroni të bëni të mira dhe të ndani gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me flijime të tilla.»—Hebrenjve 13:16
[Kutia dhe figurat në faqet 24, 25]
PSE TË MËSOSH TË JAPËSH?
«Duke parë prindërit që i përdornin kohën dhe energjitë për t’i shërbyer Jehovait dhe të tjerëve, më lindi dëshira të bëj njësoj edhe unë. Babai më tha: ‘Çfarëdo që bën për Jehovain, sado e vogël qoftë, mbetet përgjithmonë. Jehovai jeton përgjithmonë dhe do ta kujtojë atë përgjithmonë. Por të jetosh vetëm për vete është kotësi. Kur vdes, bashkë me ty vdes edhe gjithçka që ke bërë.’»—Kentaroja, 24 vjeç, Japoni.
«Me thënë të drejtën, s’ma kishte fare qejfi të ndihmoja të moshuarit për punët e shtëpisë ndonjë të shtunë pasdite. Doja vetëm të zbavitesha, të rrija me shokët. Megjithatë, kur kalova kohë me të moshuarit, u kënaqa vërtet. Fillova t’i njihja nga afër dhe pashë se janë njerëz si puna ime, që, dikur, kanë qenë të rinj edhe ata. Kjo më motivoi t’i ndihmoja.»—Xhoni, 27 vjeç, Angli.
«Kur isha më i ri, ndihmoja në pastrimin e Sallës së Mbretërisë dhe në shumë veprimtari të tjera. Më pëlqente edhe të bëja punë fizike për të tjerët në kongregacion. Kur ndihmon dikë, sheh se sa e gëzon kjo. Për shembull, një herë shkova me ca të tjerë për të veshur me letër muret e shtëpisë së një motre të moshuar. Sa e lumtur ishte ajo! Kur e bën dikë të lumtur, edhe vetë ndihesh i lumtur.»—Hermani, 23 vjeç, Francë.
[Figura në faqen 24]
Shumë fëmijë e të rinj kontribuojnë para për të ndihmuar viktimat e katastrofave