Transfuzionet e gjakut: A kanë të ardhme në mjekësi?
Transfuzionet e gjakut: A kanë të ardhme në mjekësi?
«Përdorimi i transfuzioneve në mjekësi ende do të jetë sikur të ecësh përmes një pylli shiu tropikal, ku shtigjet e rrahura duken qartë, por gjithsesi duhet të ecësh me kujdes. Rreziqe të reja e të padukshme mund të fshihen në skutën tjetër, gati për të zënë në grackë të pakujdesshmit.»—Jan M. Frenklin, profesor në fushën e transfuzioneve.
NË VITET 80, kur epidemia mbarëbotërore e SIDA-s e drejtoi vëmendjen e publikut te gjaku, u shtuan përpjekjet për të eliminuar «rreziqet e padukshme» të tij. Megjithatë, ende ka pengesa të mëdha. Në qershor të vitit 2005, Organizata Botërore e Shëndetësisë pohoi: «Gjasat që transfuzioni të jetë pa rreziqe . . . ndryshojnë shumë nga njëri vend në tjetrin.» Pse?
Në shumë vende nuk ka programe të bashkërenduara në shkallë kombëtare që garantojnë norma sigurie për grumbullimin, analizimin dhe transportimin e gjakut e të përbërësve të tij. Ndonjëherë rezervat e gjakut ruhen në kushte të rrezikshme, si për shembull në frigoriferë shtëpie të mbajtur keq dhe në frigoriferë pikniku. Pa vendosur normat për një konservim të sigurt, pacientët mund të kenë pasoja kur marrin gjakun e dikujt që jeton qindra, për të mos thënë mijëra kilometra larg.
Gjak pa sëmundje—Një synim i vështirë
Disa vende pretendojnë se gjaku i konservuar atje, nuk ka qenë kurrë kaq i sigurt sa sot. Megjithatë, ka arsye për të treguar kujdes. Një «Fletëpalosje informative» e përgatitur bashkërisht nga tri agjenci që merren me konservimin e gjakut në SHBA, thotë në faqen e parë: «KUJDES! Meqë gjaku komplet dhe përbërësit e gjakut vijnë nga gjaku i njeriut, ata mund të mbartin rrezikun e transmetimit të agjentëve infektues, siç janë viruset. . . . Përzgjedhja e kujdesshme e dhuruesve dhe analizat laboratorike nuk e zhdukin rrezikun.»
Jo më kot Piter Karolani, zyrtar i lartë në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, thotë: «Nuk mund të jepen kurrë garanci absolute për gjakun.» Pastaj shton: «Gjithnjë do të ketë infeksione të reja për të cilat ende nuk ka një analizë.»
Po sikur të shfaqet një agjent i ri infektues, që ashtu si virusi i SIDA-s, të strehohet në organizëm dhe të mos diktohet dot për një kohë të gjatë, ndërkohë që transmetohet lehtë me anë të gjakut? Gjatë një konference për mjekësinë, që u zhvillua në Pragë të Republikës Çeke, në prill të vitit 2005, dr. Harvei G. Klajni, nga Institutet Kombëtare të Shëndetësisë në SHBA, tha se ky rrezik të bën të matesh mirë. Ai shtoi: «Grumbulluesit e përbërësve të gjakut nuk janë më të zotë se ç’ishin në fillimet e epidemisë së SIDA-s, për të parandaluar një epidemi që transmetohet me anë të transfuzionit.»
Gabimet dhe reaksionet e transfuzionit
Cilat janë rreziqet më të mëdha të transfuzionit për pacientët në vendet e zhvilluara? Janë gabimet që bëhen dhe kundërpërgjigjja e sistemit imunitar. Gazeta Globe and Mail thoshte se sipas një studimi kanadez të vitit 2001, në mijëra transfuzione ishin bërë gabime që për pak mund të kishin qenë fatale. Kjo sepse «gjaku ishte marrë nga pacienti i gabuar; ishin vënë gabim etiketat e kampionëve të gjakut dhe se kërkohej gjak për pacientin e gabuar». Gabime të tilla morën të paktën 441 jetë në Shtetet e Bashkuara në periudhën 1995-2001.
Ata që marrin gjakun e dikujt tjetër përballen me rreziqe të cilat në thelb, janë si rreziqet që has kush transplanton ndonjë organ. Sistemi imunitar kundërpërgjigjjet, sepse do që të flakë indin e huaj. Në disa raste, transfuzionet e gjakut mund të pengojnë reagimin e natyrshëm të sistemit imunitar. Kjo ndrydhje e sistemit imunitar e lë pacientin të pambrojtur përballë infeksioneve pas operacionit dhe viruseve që më parë ishin të fjetura. Nuk është habi që profesori Jan M. Frenklin, i cituar në hyrje të artikullit, i nxit mjekët: «Mendohuni një a dy herë, madje tri herë, para se t’u bëni transfuzion pacientëve.»
Specialistët flasin hapur
Duke i ditur rreziqet, një numër në rritje punonjësish të shëndetësisë po i shohin me sy më kritik transfuzionet në mjekësi. Në një botim për gjakun, Dailey’s Notes on Blood, thuhet: «Disa mjekë këmbëngulin se gjaku alogjenik [gjaku i dikujt tjetër] është një ilaç i rrezikshëm dhe përdorimi i tij do të ndalohej nëse do të zbatoheshin po ato kritere që ndiqen edhe për ilaçet e tjera.»
Nga fundi i vitit 2004, profesori Brus Spis tha këto fjalë për transfuzionin e një përbërësi kryesor të gjakut te pacientët që operohen në zemër: «Ka pak artikuj [mjekësorë], në mos asnjë, që mbështetin idenë se transfuzioni do t’i bëjë mirë pacientit.» Madje, ai shkruan se shumë transfuzione të tilla, «më shumë mund të bëjnë keq sesa mirë, pothuajse në çdo rast, përveçse në raste traumash», duke shtuar «rrezikun e pneumonisë, infeksioneve, infarktit të zemrës dhe hemorragjisë cerebrale».
Shumë veta habiten kur marrin vesh se normat për transfuzionin e gjakut nuk janë dhe aq standarde sa pritet. Kohët e fundit, dr. Gabriel Pedrasa u kujtoi kolegëve të tij në Kili se «transfuzioni është një procedurë e papërcaktuar siç duhet», një procedurë që e bën «të vështirë . . . zbatimin e rregullave të pranuara gjerësisht». Nuk është çudi që Brajan Meklalandi, drejtor i Shërbimit të Transfuzionit të Gjakut në Skoci dhe Edinburg, u thotë mjekëve «të mbajnë mend se transfuzioni është një transplantim, prandaj nuk është një vendim i parëndësishëm». Ai këshillon që mjekët të mendojnë mirë për këtë pyetje: «Nëse do të bëhej fjalë për mua ose
për fëmijën tim, a do të isha dakord të bëja transfuzion?»Në të vërtetë, një numër i konsiderueshëm punonjësish të mjekësisë janë dakord me fjalët që një hematolog tha për Zgjohuni!: «Ne specialistëve të fushës së transfuzioneve nuk na pëlqen as të marrim dhe as të japim gjak.» Nëse ky është mendimi i disa specialistëve në fushën e mjekësisë, atëherë, çfarë duhet të mendojnë pacientët?
A do të ndryshojë mjekësia?
Ju mund të pyetni: ‘Nëse përdorimi i transfuzioneve në mjekësi ka plot rreziqe, përse gjaku përdoret ende kaq shumë, sidomos kur ka alternativa të tjera?’ Një arsye është se shumë mjekë thjesht ngurrojnë të ndryshojnë metodat e trajtimit ose nuk i njohin terapitë që përdoren sot në vend të transfuzioneve. Sipas një artikulli në revistën Transfuzioni (anglisht), «mjekët i marrin vendimet për transfuzionet duke u bazuar te shkollimi, te përvoja e tyre dhe te ‘mënyra si e gjykojnë gjendjen e pacientit’».
Edhe zotësia e kirurgut ka rolin e vet. Dr. Beverli Hanti nga Londra, Angli, shkruan se «humbja e gjakut ndryshon shumë ndër kirurgë të ndryshëm, dhe sa vjen e shtohet interesi për të përgatitur kirurgë për metoda të përshtatshme në kirurgjinë hemostatike [metoda për ndalimin e hemorragjisë]». Të tjerë thonë se kostoja e alternativave të tjera në vend të transfuzionit është shumë e lartë, ndonëse ka raporte që provojnë të kundërtën. Megjithatë shumë mjekë do të pajtoheshin me dr. Majkëll Rouzin, drejtues në një qendër mjekësore, i cili thotë: «Çdo pacient që trajtohet pa gjak, në thelb, po merr trajtimin kirurgjikal më të mirë të mundshëm.» *
A nuk dëshironi tamam këtë: kujdesin mjekësor më të mirë? Nëse po, keni diçka të përbashkët me njerëzit që ju sollën këtë revistë. Ju lutemi të vazhdoni leximin për të mësuar rreth qëndrimit të tyre të jashtëzakonshëm lidhur me çështjen e transfuzionit të gjakut.
[Shënimi]
^ par. 19 Shih kutinë «Alternativa në vend të transfuzionit» në faqen 8.
[Diçitura në faqen 6]
«Mendohuni një a dy herë, madje tri herë, para se t’u bëni transfuzion pacientëve.»—Profesor Jan M. Frenklini
[Diçitura në faqen 6]
«Nëse do të bëhej fjalë për mua ose për fëmijën tim, a do të isha dakord të bëja transfuzion?»—Brajan Meklalandi
[Kutia dhe figura në faqen 7]
Vdekje nga dëmtimi i mushkërive pas transfuzionit
Dëmtimi akut i mushkërive nga transfuzioni, për të cilin u fol për herë të parë në fillim të viteve 90, është një kundërpërgjigje e sistemit imunitar ndaj transfuzionit të gjakut. Ky reagim është i rrezikshëm për jetën. Sot dihet se ai shkakton me qindra vdekje në vit. Megjithatë, specialistët dyshojnë se shifrat janë shumë më të larta, pasi një numër i madh mjekësh dhe infermierësh nuk i dallojnë shenjat. Edhe pse nuk është i qartë shkaku, sipas revistës New Scientist, me sa duket gjaku që e shkakton këtë reagim «vjen kryesisht nga njerëz që në të kaluarën kanë futur në trup gjak të grupeve të ndryshme, siç janë . . . njerëzit që kanë bërë shumë transfuzione». Një artikull thotë se sot në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani, ky dëmtim po arrin në krye të listës së shkaqeve të vdekjeve nga transfuzioni. Ai është bërë «për qendrat e konservimit të gjakut një problem më shqetësues sesa sëmundjet e njohura, si për shembull, HIV-i, virusi që shkakton SIDA-n».
[Kutia dhe diagrami në faqet 8, 9]
Përbërja e gjakut
Në përgjithësi dhuruesit e gjakut japin gjak komplet. Megjithatë në shumë raste, ata dhurojnë plazmë. Ndonëse në disa vende bëhet transfuzion me gjak komplet, gjaku më shpesh ndahet në përbërësit e tij kryesorë para se të analizohet dhe të përdoret për transfuzione. Le të shqyrtojmë cilët janë katër përbërësit kryesorë, funksionin e tyre dhe përqindjen e secilit në vëllimin e përgjithshëm të gjakut.
PLAZMA zë 52 deri në 62 për qind të gjakut. Është një lëng me ngjyrë të verdhë të zbehtë. Në të gjenden rruaza gjaku, proteina dhe lëndë të tjera që transportohen në organizëm.
Uji përbën 91,5 për qind të plazmës. Proteinat, nga të cilat përftohen fraksionet e plazmës, zënë 7 për qind të saj (duke përfshirë albuminat, që përbëjnë gati 4 për qind të plazmës; globulinat që zënë rreth 3 për qind; dhe fibrinogjeni më pak se 1 për qind). Pjesa tjetër e plazmës, pra 1,5 për qind e saj, përbëhet nga lëndë të tjera, siç janë lëndët ushqyese, hormonet, gazet e frymëmarrjes, elektrolitët, vitaminat dhe mbeturinat azotike.
RRUAZAT E BARDHA (leukocitet) përbëjnë më pak se 1 për qind të gjakut. Këto sulmojnë dhe shkatërrojnë lëndët e huaja që mund të dëmtojnë organizmin.
PLLAKËZAT (trombocitet) përbëjnë më pak se 1 për qind të gjakut. Këto shkaktojnë mpiksjen e gjakut, duke e bllokuar gjakun që të mos rrjedhë nga plagët.
RRUAZAT E KUQE (eritrocitet) përbëjnë 38 deri në 48 për qind të gjakut. Këto qeliza mbajnë gjallë indet duke çuar në to oksigjenin dhe duke marrë prej tyre dyoksidin e karbonit.
Ashtu sikurse nga plazma e gjakut mund të nxirren fraksione të ndryshme, edhe përbërësit e tjerë kryesorë mund të përpunohen për të nxjerrë pjesë më të vogla, pra fraksione. Për shembull, hemoglobina është fraksion i rruazave të kuqe.
[Diagrami]
PLAZMA
UJË 91,5%
PROTEINA 7%
ALBUMINA
GLOBULINA
FIBRINOGJEN
LËNDË TË TJERA 1,5%
LËNDË USHQYESE
HORMONE
GAZE TË FRYMËMARRJES
ELEKTROLITË
VITAMINA
MBETURINA AZOTIKE
[Burimi]
Faqja 9: Përbërësit e gjakut në rrathë: Ky projekt është sponsorizuar plotësisht ose pjesërisht me fonde federale nga Instituti Kombëtar për Kancerin dhe Institutet Kombëtare të Shëndetit, sipas marrëveshjes N01-CO-12400. Ky botim nuk pasqyron medoemos pikëpamjet ose politikat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Publike, dhe përmendja e markave, produkteve tregtare ose organizatave nuk nënkupton se janë miratuar nga qeveria e SHBA-së
[Kutia dhe figura në faqet 8, 9]
Alternativa në vend të transfuzionit
Gjatë gjashtë viteve të kaluara, Komitetet e Lidhjes me Spitalet, të formuara për Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës, u kanë shpërndarë punonjësve të mjekësisë dhjetëra mijë kopje, në rreth 25 gjuhë, të programit Strategjitë alternative të transfuzionit: Të thjeshta, të sigurta, të efektshme. * Në këtë program tregohen mjekë të mirënjohur në botë, të cilët flasin për strategji të efektshme që sot përdoren për t’i kuruar pacientët pa transfuzion gjaku. Këtij argumenti po i kushtohet vëmendje. Për shembull, pasi e pa programin nga fundi i vitit 2001, Shërbimi Kombëtar i Gjakut në Mbretërinë e Bashkuar u dërgoi një letër bashkë me një kopje të këtij programi të gjithë administratorëve të qendrave të konservimit të gjakut dhe specialistëve hematologë në mbarë vendin. Atyre u jepej nxitja që ta shihnin programin për shkak se «gjithnjë e më tepër po pranohet se një nga synimet e kujdesit të mirë shëndetësor është që të shmangen kurdo që është e mundur transfuzionet e gjakut». Në letër thuhej se «mesazhi i përgjithshëm [i këtij programi] është për t’u lavdëruar, dhe Shërbimi Kombëtar i Gjakut e mbështet plotësisht».
[Shënimi]
^ par. 57 Komunikoni me Dëshmitarët e Jehovait për të parë programin në DVD Alternativat e transfuzionit—Seri dokumentarësh (në anglisht dhe në gjuhë të tjera), përgatitur nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe figura në faqen 9]
Ndarja në fraksione—Përdorimi i përbërësve më të vegjël të gjakut në mjekësi
Shkenca dhe teknologjia kanë bërë të mundur që nëpërmjet një procesi të quajtur ndarja në fraksione, të dallohen dhe të nxirren nga gjaku disa elementë. Le ta ilustrojmë: uji i detit, që përbëhet 96,5 për qind nga uji, mund të shpërbëhet nëpërmjet proceseve të ndarjes në fraksione, për të nxjerrë lëndë të tilla përbërëse, si: magnezin, bromin dhe sigurisht kripën. Po kështu, plazma, që zë më tepër se gjysmën e vëllimit të gjakut, ka më shumë se 90 për qind ujë dhe mund të përpunohet për të veçuar fraksione të saj, duke përfshirë edhe proteinat. Ndër këto proteina janë albumina, fibrinogjeni dhe lloje të ndryshme globulinash.
Si pjesë të ndonjë kure ose terapie, mjeku mund të rekomandojë koncentrate të ndonjë fraksioni të plazmës. Një rast konkret është krioprecipitati i pasur në proteina, që përftohet nga ngrirja dhe shkrirja e plazmës. Kjo pjesë plazme që nuk shpërbëhet e që është e pasur me elementë mpiksës, zakonisht u jepet pacientëve për të ndalur hemorragjinë. Trajtime të tjera mund të përfshijnë një produkt që përmban një fraksion gjaku. Ky fraksion mund të jetë në sasi fare të vogla ose mund të jetë përbërësi kryesor i produktit. * Disa proteina të plazmës përdoren tek injeksionet e zakonshme që ndihmojnë për të rritur imunitetin nëse bie në kontakt me elementë që mund të shkaktojnë infeksion. Gati të gjitha fraksionet e gjakut që përdoren në mjekësi, janë proteinat që gjenden në plazmë.
Sipas revistës Science News, «shkencëtarët kanë përcaktuar vetëm disa qindra nga përafërsisht mijëra proteinat që qarkullojnë normalisht në gjakun e njeriut». Ndërkohë që njohuritë rreth gjakut do të shtohen, e ardhmja mund të sjellë produkte të reja të përftuara nga këto proteina.
[Shënimi]
^ par. 63 Në disa produkte përdoren edhe fraksione që merren nga gjaku i kafshëve.
[Figura në faqet 6, 7]
Shumë punonjës në mjekësi bëjnë mjaft kujdes që të mos e prekin gjakun