Varka e Galilesë—Thesar nga kohët biblike
Varka e Galilesë—Thesar nga kohët biblike
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË IZRAEL
DETI i Galilesë ishte dëshmitar i disa prej ngjarjeve më emocionuese të shërbimit të Jezuit. Pikërisht në këtë liqen ose në brigjet e tij, vetë Biri i Perëndisë eci mbi ujë, qetësoi dallgë të stuhishme, ushqeu me anë të një mrekullie mijëra veta dhe shëroi të sëmurët.
Në vitin 1986, afër Kapernaumit të lashtë, në shtratin e liqenit u bë një zbulim interesant. Ishte një varkë që dikur, në kohën e shërbimit të Jezuit, kishte lundruar në këtë liqen. Si u zbulua ajo? Dhe çfarë mund të mësojmë prej saj?
U zbulua nga thatësira
Vitet me reshje nën mesataren, të pasuara nga vera e thatë e vitit 1985, ndikuan për keq në detin e Galilesë. Ky liqen me ujë të ëmbël shfrytëzohej edhe për ujitjen e të mbjellave. Niveli i ujit ra ndjeshëm duke zbuluar sipërfaqe të tëra që për shumë kohë i kishte mbuluar uji. Dy vëllezër nga një fermë aty afër, menduan se kishin në dorë një mundësi fantastike për të kërkuar thesare të fshehura. Teksa ecnin përmes llucës, dalluan disa monedha bronzi dhe ca gozhdë të vjetra. Pastaj, ja tek ua zuri syri—një formë vezake në baltë që tregonte konturet e një varke të lashtë. Kishin gjetur vërtet një thesar!
Arkeologëve nuk u kishte shkuar kurrë në mendje se mund të gjenin një varkë 2.000-vjeçare në detin e Galilesë. Ata mendonin se mikroorganizmat kishin shkatërruar qëkuri çdo dërrasë. Megjithatë, si nga datimi me karbon radioaktiv, ashtu edhe nga monedhat që u gjetën aty, ekspertët nxorën përfundimin se ky zbulim i përkiste shekullit të parë p.e.s. ose shekullit të parë të e.s. Ishte e pabesueshme, por skeleti i varkës ishte ruajtur mirë. Si ka mundësi?
Me sa duket, varka kishte mbetur në një vend të qetë. Kjo bëri të mundur që të gjithë pjesën e poshtme ta mbulonte lymi i imët. Me kalimin e kohës, lymi u forcua. E kështu, për gati 20 shekuj u ruajt një copëz historie!
Kur u hap lajmi për zbulimin e varkës, atë e quajtën Varka e Jezuit. Sigurisht, askush nuk e thoshte me tërë mend se Jezui ose dishepujt e tij përdorën tamam këtë varkë. Megjithatë, mosha e saj dhe ngjashmëritë me varkat e përshkruara në tregimet e Ungjillit, bëjnë që ajo të jetë me interes si për historianët, ashtu edhe për studiuesit e Biblës.
Varka është 8,2 metra e gjatë dhe 2,3 metra e gjerë. Ndërtuesi i saj përdori metodën e ndërtimit direkt të trupit të varkës. Kjo do të thotë se në vend që të fiksonte dërrasa të trasha mbi një skelet, ai i mbërtheu ato direkt te kalluma dhe ngriti pjesët anësore të varkës për të ndërtuar trupin. Kjo metodë përdorej shpesh për ndërtimin e varkave që lundronin në Detin Mesdhe. Megjithatë, varkën e Galilesë mund ta kenë përshtatur për të lundruar në liqen.
Dukej qartë se varka kishte një velë të vetme në formë katrore. Katër lopatat tregonin se ekuipazhi i saj përbëhej nga të paktën pesë veta—katër rremtarë dhe një timonier. Megjithatë, varka mund të mbante më shumë se dyfishin e këtij numri. Është e lehtë të përfytyrosh një varkë me madhësi të ngjashme, teksa lexon për shtatë dishepujt që, kur kishin dalë të peshkonin, panë Jezuin e ringjallur.—Gjoni 21:2-8.
Pa dyshim që varka e Galilesë do të ketë pasur një kuvertë të prapme për të vënë rrjetat e mëdha të peshkimit. Poshtë dërrasave, kuverta krijonte një pjesë disi të veçuar ku mund të Marku 4:38) Mendohet se ‘jastëku’ mund të ketë qenë një thes me rërë që e mbanin si balast. *
pushonin peshkatarët e lodhur. Mbase Jezui shfrytëzoi këtë pjesë të varkës kur «ishte në kiç dhe po flinte mbi jastëk» gjatë një stuhie. (Peshkatarët e detit të Galilesë
Përfytyroni sikur po lundroni me një varkë të tillë në shekullin e parë. Çfarë vini re tek lundroni në detin e Galilesë? Shihni peshkatarë, disa hipur në varka të vogla, kurse të tjerë që çajnë përmes ujërave të cekëta duke hedhur rrjetat. Me shkathtësinë prej mjeshtri, me njërën dorë ata hedhin këto rrjeta rrethore të pajisura me plumbçe. Diametri i tyre shkon nga 6 deri në 8 metra. Rrjeta hapet dhe bëhet njësh me ujin, pastaj zhytet dhe zë peshqit. Peshkatari i nxjerr peshqit që ka kapur, duke e tërhequr rrjetën në breg ose ndoshta zhytet për të mbledhur peshqit a plumbçet dhe pastaj ngre rrjetën. Kur në Bibël thuhet se Simoni dhe Andrea «po hidhnin» rrjetat, mbase bëhet fjalë për të njëjtën mënyrë.—Marku 1:16.
Mund të vini re dhe një grup peshkatarësh që bisedojnë tërë gjallëri teksa përgatitin një rrjetë tratë. Kjo rrjetë mund të jetë 300 metra e gjatë dhe në qendër mund të arrijë gati 8 metra thellë. Në dy pjesët anësore, ajo ka litarë për t’u tërhequr. Peshkatarët zgjedhin vendin dhe pastaj gjysma e tyre shkojnë në breg duke mbajtur një prej litarëve. Varka lundron në vijë të drejtë në liqen dhe rrjeta hapet sa e gjithë gjatësia; pastaj varka kthehet, duke e tërhequr rrjetën gradualisht sa të krijojë një gjysmë rrethi përballë bregut. Pas kësaj, peshkatarët e tjerë zbresin nga varka me litarin e dytë. Ndërkohë që dy grupet i afrohen njëri-tjetrit, tërheqin në breg rrjetën me peshqit.—Mateu 13:47, 48.
Atje tej, ja tek është një peshkatar i vetmuar që po përdor grepin dhe fildispanjën. Një herë Jezui i tha Pjetrit të hidhte grepin pikërisht në këtë liqen. Përfytyroni se sa u mahnit Pjetri kur zuri një peshk dhe gjeti në gojën e tij një monedhë argjendi, tamam ajo që i duhej për të paguar taksën e tempullit.—Mateu 17:27.
Kur bie muzgu, liqenin e kaplon qetësia. Papritur paqen e prishin peshkatarët që i përplasin këmbët në varkë dhe i pllaquritin rremat duke bërë sa më shumë zhurmë të jetë e mundur. Pse? Ata kanë hedhur në ujë rrjeta me tri shtresa, në mënyrë të tillë që peshku, i frikësuar nga zhurma, të përfundojë drejt e në grackë. Këto rrjeta vertikale, të padukshme në errësirë, janë bërë enkas që peshku të ngecë kollaj. Rituali i lëshimit të rrjetave përsëritet gjithë natën. Në mëngjes ato lahen dhe nderen që të thahen. Ju thoni me vete: ‘Mos vallë po përdoreshin rrjeta të tilla në ngjarjen që përshkruhet te Luka 5:1-7, kur me anë të një mrekullie u kap gjithë ai peshk?’
Puna për restaurimin
Le të kthehemi në kohët moderne. Çfarë ndodhi me varkën që gjetën të zhytur në baltë? Edhe pse e padëmtuar, struktura e saj nuk ishte më e fortë se kartoni i qullur. Madje, nuk ishte mirë ta nxirrnin duke gërmuar. Sa keq do të ishte sikur pas gjithë asaj kohe që kishte arritur të mbijetonte, varka të shkatërrohej gjatë procesit të nxjerrjes! Duke marrë parasysh rrezikun që i kanosej po të ngriheshin sërish ujërat e liqenit, u ngrit një digë rreth e qark vendit të gërmimeve. Poshtë varkës u hapën tunele për të vënë mbështetëse me fibra xhami. Pastaj, ndërsa e pastronin me kujdes nga balta, varkën e veshën nga brenda dhe nga jashtë me një shtresë shkume poliuretani.
Vështirësia tjetër ishte ta transportoje 300 metra larg këtë pako delikate, që të fillonte puna për restaurimin e saj. Veshja me poliuretan ishte e fortë, megjithatë një tronditje e papritur mund ta bënte copë e thërrime drurin e brishtë që mbronte ajo. Ekipi vendosi një zgjidhje mjeshtërore. Ata hapën digën dhe e lanë ujin të hynte. Për herë të parë pas kaq shumë shekujsh, varka, e mbështjellë me një shtresë mbrojtëse moderne, lundronte në detin e Galilesë.
Një rezervuar betoni u ndërtua për të mbajtur varkën gjatë procesit të restaurimit, që zgjati 14 vjet. Doli një problem kur larvat e mushkonjave mbushën rezervuarin. Kjo ua vështirësonte
punën atyre që duhej të hynin në ujë për të punuar me varkën. Megjithatë, ekipi i restaurimit gjeti një zgjidhje që ishte edhe origjinale, edhe e vjetër. Ata shfrytëzuan ndihmën e peshqve të shën Pjetrit, që hëngrën larvat dhe pastruan ujin.Shpejt erdhi koha që varka të thahej. Por ende ishte shumë e brishtë që ta linin të thahej vetvetiu. Uji që kishte thithur druri duhej zëvendësuar me diçka. Ekipi përdori një metodë që zëvendësoi ujin me një dyllë sintetik të tretshëm në ujë. Dylli bëri të mundur që druri të thahej pa e ndryshuar formën.
Pasi përfundoi puna e restaurimit, doli në dritë një varkë deri diku e thjeshtë. Ajo ishte ndërtuar me 12 lloje druri. Pse? Një arsye mund të jetë që asokohe druri mezi gjendej. Por ka më shumë të ngjarë që pronari të mos ketë qenë i pasur. Varka u riparua shumë herë para se të lëshohej në liqen.
Mbase varka e Galilesë nuk ka pasur kurrfarë lidhjeje me Jezuin. Gjithsesi, për shumë veta, ajo është një thesar. Falë saj mund të hedhësh vështrimin shumë shekuj prapa e të përfytyrosh si ishte jeta pranë detit të Galilesë në ditët historike të shërbimit të Jezuit në tokë.
[Shënimi]
^ par. 12 Shih artikullin «Në detin e Galilesë» në revistën Kulla e Rojës të 15 gushtit 2005, faqja 8, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 15]
Heqin me kujdes baltën brenda varkës
[Figura në faqen 15]
E veshur me shkumë poliuretani
[Figura në faqen 15]
Sërish në lundrim pas afro 2.000 vjetësh
[Figurat në faqen 15]
Ja si mund të ketë qenë varka në shekullin e parë
[Figura në faqen 15]
Varka e Galilesë e ekspozuar mbi një mbajtëse—pas restaurimit
[Burimi i figurës në faqen 15]
Të gjitha fotografitë përveç modelit dhe liqenit: Israel Antiquities Authority-The Yigal Allon Center, Ginosar