Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vlera e vërtetë e gjakut

Vlera e vërtetë e gjakut

Vlera e vërtetë e gjakut

«Të gjithë njerëzit në mbarë botën kanë të njëjtin burim jete: gjakun. Ai është forca e jetës te të gjitha qeniet njerëzore, pavarësisht nga ngjyra, raca ose feja.»​—Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

PATJETËR që në fjalët e mësipërme ka një të vërtetë. Gjaku është i domosdoshëm për të gjithë njerëzit. Është një lëng i çmuar. Por, a jeni të bindur se është pa rrezik dhe diçka e mençur që njerëzit të japin e të marrin gjak për arsye shëndetësore?

Siç kemi parë, normat e sigurisë në mbarë botën ndryshojnë mjaft dhe trajtimi me gjak është më i rrezikshëm nga ç’mendojnë shumë veta. Për më tepër, për shkak të arsimit, aftësive dhe pikëpamjeve, mjekët ndryshojnë shumë në përdorimin e gjakut. Gjithsesi shumë mjekë po bëhen përherë e më të kujdesshëm për transfuzionin. Gjithashtu, një numër i madh mjekësh, që sa vjen e rritet, po parapëlqejnë trajtime mjekësore pa gjak.

Ky fakt na kthen sërish te pyetja e ngritur në artikullin e parë të kësaj serie. Pse gjaku është kaq i çmuar? Nëse përdorimi i tij për arsye mjekësore po bëhet gjithnjë e më i dyshimtë, a vlen ai për ndonjë qëllim tjetër?

Krijuesi ynë dhe gjaku

Në kohën e Noesë, paraardhësit të të gjithë njerëzimit, Perëndia vuri një ligj të rëndësishëm. Megjithëse u dha njerëzve të drejtën për të ngrënë mishin e kafshëve, i ndaloi ata të hanin gjakun. (Zanafilla 9:4) Ai u tregoi edhe arsyet që kishte, duke treguar se gjaku ishte baraz me shpirtin ose jetën e krijesës. Më vonë tha: «Shpirti [ose jeta] . . . është në gjak.» Në sytë e Krijuesit gjaku është i shenjtë. Ai përfaqëson dhuratën e çmuar të jetës që zotëron çdo shpirt i gjallë. Perëndia e përsëriti herë pas here këtë parim.—Levitiku 3:17; 17:10, 11, 14; Ligji i përtërirë 12:16, 23.

Pak kohë pas themelimit të krishterimit, rreth 2.000 vjet më parë, besimtarëve iu dha urdhri hyjnor «të rrinë larg nga . . . gjaku». Ky ndalim nuk bazohej në arsye shëndetësore, por në shenjtërinë e gjakut. (Veprat 15:19, 20, 29) Disa thonë se ky kufizim që vuri Perëndia vlen vetëm për ngrënien e gjakut, por fjala ‘rri larg’ flet vetë. Nëse mjeku na thotë t’i rrimë larg alkoolit, sigurisht që nuk do të mendonim se mund ta injektonim pa problem në vena.

Më tej Bibla shpjegon se përse gjaku është kaq i shenjtë. Gjaku i derdhur i Jezu Krishtit, që përfaqëson jetën njerëzore që dha ai për njerëzimin, është baza për shpresën e krishterë. Ai sjell faljen e mëkateve dhe shpresën e jetës së përhershme. Kur një i krishterë rri larg nga gjaku, ai po tregon se beson që vetëm gjaku i derdhur i Jezu Krishtit mund ta shpengojë vërtet dhe t’i shpëtojë jetën.—Efesianëve 1:7.

Dëshmitarët e Jehovait janë të mirënjohur për faktin që u përmbahen me besnikëri këtyre urdhërimeve të Biblës. Ata refuzojnë të gjitha transfuzionet e gjakut komplet ose të katër përbërësve kryesorë të gjakut—rruazat e kuqe, plazma, rruazat e bardha dhe pllakëzat. Sa për fraksionet e ndryshme që nxirren nga këta përbërës dhe për produktet që përmbajnë këto fraksione, Bibla nuk thotë gjë. Prandaj, çdo Dëshmitar merr një vendim personal për çështje të tilla. A do të thotë ky qëndrim i bazuar në Bibël që Dëshmitarët refuzojnë çdo trajtim mjekësor ose që janë të shkujdesur për shëndetin dhe jetën e tyre? Absolutisht jo!—Shih kutinë «Dëshmitarët e Jehovait dhe shëndeti».

Vitet e fundit shumë mjekë kanë pranuar se Dëshmitarët kanë nxjerrë dobi nga ana mjekësore duke zbatuar normat biblike. Për shembull, kohët e fundit një neurokirurg foli hapur në mbështetje të alternativave të tjera në vend të transfuzionit të gjakut. Ai tha: «Është absolutisht gjëja më e sigurt dhe jo vetëm për Dëshmitarët e Jehovait, por për çdokënd.»

Vendimet shëndetësore serioze mund të sjellin shumë stres dhe shpesh janë të vështira. Vini re se çfarë tha specialisti i mushkërive dhe drejtori i një spitali, dr. Dejv Uilliams, për praktikën e përhapur të transfuzionit të gjakut: «Është e rëndësishme që të respektojmë dëshirat e njerëzve, . . . dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm për atë që futim në trup.» Këto fjalë sot janë të vërteta më shumë se kurrë më parë.

[Kutia dhe figurat në faqen 11]

Çfarë janë transportuesit e oksigjenit me bazë hemoglobine?

Brenda çdo rruaze të kuqe gjenden rreth 300 milionë molekula hemoglobine. Hemoglobina zë gati një të tretën e vëllimit të një rruaze të kuqe të rritur. Çdo molekulë përmban proteinën globinë dhe një pigment të quajtur hemi, që përmban një atom hekuri. Kur një rruazë e kuqe kalon në mushkëri, molekulat e oksigjenit depërtojnë në rruazë dhe kapen pas molekulave të hemoglobinës. Ca sekonda më vonë, oksigjeni shkarkohet në indet e trupit, dhe kjo i mban gjallë qelizat.

Sot, disa prodhues e përpunojnë hemoglobinën, duke e nxjerrë në fillim nga rruazat e kuqe të njeriut ose të gjedhëve. Pastaj hemoglobina filtrohet për t’i hequr papastërtitë, modifikohet, pastrohet kimikisht, dhe së fundi përzihet me një solucion dhe paketohet. Produkti përfundimtar, i cili në shumë vende ende nuk është miratuar për përdorim, quhet transportues oksigjeni me bazë hemoglobine. Meqë ngjyrën e kuqe të errët, gjaku e merr nga hemi, një njësi e këtij transportuesi duket tamam si një njësi me rruaza të kuqe, përbërësi kryesor nga është marrë.

Ndryshe nga rruazat e kuqe që duhen mbajtur në ngrirje dhe duhen hedhur pas disa javësh, ky transportues mund të ruhet në temperaturën e dhomës e të përdoret edhe muaj më vonë. Gjithashtu, meqë membrana e qelizës me antigjenet e saj unike është hequr, nuk ka rrezik të ndodhin reaksione të rënda për shkak të kombinimit të gabuar të grupeve të gjakut. Megjithatë, krahasuar me fraksionet e tjera të gjakut, ky transportues paraqet më shumë çështje që meritojnë kujdes nga ana e të krishterëve të ndërgjegjshëm që duan t’i binden ligjit të Perëndisë për gjakun. Pse? Përderisa ky transportues përftohet nga gjaku, mund të ngrihen dy probleme. Pikësëpari, ky transportues kryen funksionin kyç të një përbërësi kryesor të gjakut, pra të rruazave të kuqe. Së dyti, hemoglobina, nga e cila përftohet ai, është pjesë e rëndësishme e rruazave të kuqe. Prandaj, të krishterët përballen me një vendim shumë serioz lidhur me këtë produkt dhe të tjerë si ai. Ata duhet të meditojnë me kujdes dhe duke u lutur për parimet biblike që lidhen me shenjtërinë e gjakut. Me një dëshirë të zjarrtë për të mbajtur një marrëdhënie të mirë me Jehovain, çdokush duhet të drejtohet nga ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës.—Galatasve 6:5.

[Figura]

MOLEKULA E HEMOGLOBINËS

[Kutia dhe figura në faqen 12]

Një mundësi e mirë

«Një numër spitalesh gjithnjë në rritje po ofrojnë një alternativë: kirurgjinë ‘pa gjak’»,—thoshte The Wall Street Journal. «Fillimisht doli për të ndihmuar Dëshmitarët e Jehovait,—thotë gazeta,—por ka gjetur përdorim të gjerë, dhe shumë spitale po ua ofrojnë programet e kirurgjisë pa gjak publikut mbarë.» Mjaft spitale rreth botës po zbulojnë dobi të shumta, sidomos për pacientët, kur përdorin metoda që pakësojnë transfuzionet e gjakut. Sot mijëra mjekë po i kurojnë pacientët pa transfuzion.

[Kutia dhe figura në faqen 12]

Dëshmitarët e Jehovait dhe shëndeti

Në mbarë botën dihet që Dëshmitarët e Jehovait, disa prej të cilëve janë mjekë dhe infermierë, nuk pranojnë transfuzionin e gjakut komplet ose të përbërësve kryesorë të gjakut. Ky qëndrim unanim kundër kësaj procedure, a buron nga ndonjë doktrinë ose mendim njerëzor, sipas të cilit besimi i njeriut mund të shërojë sëmundjet? Jo, nuk është aspak kështu!

Duke e çmuar jetën si dhuratë nga Perëndia, Dëshmitarët bëjnë çmos të jetojnë në përputhje me Biblën, për të cilën besojnë se është ‘e frymëzuar nga Perëndia’. (2 Timoteut 3:16, 17; Zbulesa 4:11) Ky libër i nxit adhuruesit e Perëndisë të ruhen nga praktika dhe zakone që dëmtojnë shëndetin ose rrezikojnë jetën, të tilla, si: të ngrënët e tepërt, pirja e duhanit, abuzimi me alkoolin dhe drogën.—Proverbat 23:20; 2 Korintasve 7:1.

Kur e mbajmë trupin dhe mjedisin përreth të pastër e kur bëjmë ca fizkulturë për shëndetin, po veprojmë sipas parimeve biblike. (Mateu 7:12; 1 Timoteut 4:8) Kur sëmuren, Dëshmitarët e Jehovait tregohen të arsyeshëm duke kërkuar kujdes shëndetësor dhe duke pranuar shumicën dërrmuese të trajtimeve mjekësore të ofruara. (Filipianëve 4:5) Vërtet, ata i binden urdhrit të Biblës që ‘të rrinë larg nga gjaku’, duke këmbëngulur të kurohen pa përdorur gjak. (Veprat 15:29) Kjo zgjedhje shpesh çon në një trajtim mjekësor më cilësor.