Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka rëndësi çfarë besoni?

A ka rëndësi çfarë besoni?

A ka rëndësi çfarë besoni?

A MENDONI se jeta ka një qëllim? Në rast se evolucioni do të ishte i vërtetë, atëherë do të ishin me vend fjalët e cituara në revistën Scientific American: «Sipas kuptueshmërisë që kemi sot për evolucionin . . . në thelb jeta nuk ka asnjë domethënie.»

Shqyrtoni pak se çfarë fshihet pas këtyre fjalëve. Nëse në thelb jeta nuk do të kishte asnjë domethënie, atëherë ju s’do të kishit qëllim tjetër në jetë përveçse të përpiqeshit të bënit ndonjë të mirë, dhe mbase, t’ia kalonit brezit pasardhës veçoritë tuaja gjenetike. Nëse do të vdisnit, do të pushonit së ekzistuari një herë e mirë. Truri juaj, me aftësinë e tij për të menduar, për të arsyetuar dhe për të medituar rreth domethënies së jetës, do të ishte veçse një tekë e natyrës.

Por nuk përfundon me kaq. Shumë që besojnë tek evolucioni thonë që, ose Perëndia nuk ekziston, ose nuk do të ndërhyjë në punët e njerëzimit. Në të dyja rastet, e ardhmja jonë do të varej në duart e udhëheqësve politikanë, intelektualëve dhe udhëheqësve fetarë. Duke gjykuar nga e kaluara, kaosi, konfliktet dhe korrupsioni që shkatërrojnë shoqërinë njerëzore do të vazhdonin. Pra, në qoftë se evolucioni është i vërtetë, atëherë është më se e arsyeshme të jetojmë me moton fataliste: «Le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim.»—1 Korintasve 15:32.

Mund të jeni të sigurt për këtë. Dëshmitarët e Jehovait nuk i pranojnë pohimet e lartpërmendura. As nuk pranojnë hipotezën ku bazohen ato pohime, pra evolucionin. Përkundrazi, Dëshmitarët besojnë se Bibla është e vërtetë. (Gjoni 17:17) Prandaj ata besojnë çfarë thotë ajo lidhur me mënyrën si erdhëm në jetë: «Sepse ti [Perëndi] je burimi i jetës.» (Psalmi 36:9) Këto fjalë kanë domethënie të madhe.

Jeta ka vërtet kuptim. Krijuesi ynë ka një qëllim të mrekullueshëm për të gjithë ata që zgjedhin të jetojnë sipas vullnetit të tij. (Eklisiastiu 12:13) Ky qëllim përfshin premtimin për të jetuar një jetë të lirë nga kaosi, konfliktet dhe korrupsioni, madje të lirë edhe nga vdekja. (Isaia 2:4; 25:6-8) Miliona Dëshmitarë të Jehovait në mbarë botën, mund të dëshmojnë se duke mësuar për Perëndinë dhe duke bërë vullnetin e tij, jeta merr një kuptim që asgjë tjetër nuk ta jep.—Gjoni 17:3.

Ajo çfarë besoni ka shumë rëndësi, pasi mund të ndikojë jo vetëm në lumturinë e tashme, por edhe tek e ardhmja juaj. Zgjedhja është në dorën tuaj. A do të besoni një teori që ka dështuar të japë arsye përse duhet të hidhen poshtë provat gjithnjë e në rritje që jep natyra, të cilat dëshmojnë për një projektues? Apo do të pranoni atë që thotë Bibla, se toka dhe jeta në të janë vepra të një Projektuesi të mrekullueshëm—Jehovait, Perëndisë i cili ‘krijoi gjithçka’?—Zbulesa 4:11.