A përdori Perëndia evolucionin për të krijuar jetën?
A përdori Perëndia evolucionin për të krijuar jetën?
«Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.»—ZBULESA 4:11.
PAK kohë pasi Çarls Darvini e bëri të famshme teorinë e evolucionit, shumë fe të ashtuquajtura të krishtere filluan të kërkonin mënyra që ta pajtonin besimin te Perëndia me teorinë e evolucionit.
Sot shumë grupe të shquara «të krishtere» duken të gatshme të pranojnë se Perëndia duhet ta ketë përdorur në ndonjë mënyrë evolucionin për të krijuar jetën. Disa u mësojnë të tjerëve se Perëndia e programoi universin që të zhvillohej në një mënyrë që gjallesat të evoluonin medoemos nga lëndë kimike të pajeta dhe si përfundim të formoheshin njerëzit. Ata që e mbështetin këtë mësim, të njohur si evolucioni teist, mendojnë se Perëndia nuk ndërhyri më në zhvillimin e procesit pasi ai kishte filluar. Të tjerë mendojnë se në përgjithësi, Perëndia lejoi që evolucioni të prodhonte shumicën e familjeve të bimëve e të kafshëve, por hera-herës ndërhynte për t’i dhënë shtysë procesit.
Bashkimi i doktrinave: A është me vend?
A pajtohet vërtet teoria e evolucionit me mësimet e Biblës? Nëse evolucioni do të ishte i vërtetë, atëherë tregimi biblik i krijimit të njeriut të parë, Adamit, e shumta do të ishte një histori e krijuar për të na mësuar diçka edukuese, por jo që të merrej në kuptimin e mirëfilltë. (Zanafilla 1:26, 27; 2:18-24) A mendoi Jezui kështu për këtë tregim biblik? Jezui tha: «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër? A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Mateu 19:4-6.
Këtu Jezui po citonte tregimin e krijimit që gjendet në kapitullin 2 të Zanafillës. Nëse Jezui do të besonte se martesa e parë ishte një histori e trilluar, a do ta kishte marrë si bazë për të mbështetur mësimin që dha për shenjtërinë e martesës? Jo. Jezui iu referua tregimit të Zanafillës, sepse e dinte që ishte histori e vërtetë.—Gjoni 17:17.
Edhe dishepujt e Jezuit e besonin tregimin e Zanafillës për krijimin. Për shembull, në Ungjillin e Lukës, gjenealogjia e Jezuit shkon deri te Adami. (Luka 3:23-38) Nëse Adami nuk do të ishte vërtet një njeri, atëherë në cilën pikë kjo listë gjenealogjike kthehet nga një fakt në legjendë? Nëse rrënja e kësaj peme gjenealogjike do të ishte mitologjike, sa të besueshme do të ishin fjalët e Jezuit që ai ishte Mesia, i lindur në linjën e Davidit? (Mateu 1:1) Shkrimtari i Ungjillit, Luka, tha se «i gjurmova me saktësi të gjitha gjërat që nga fillimi». Kuptohet, ai besonte në tregimin e krijimit të shkruar te Zanafilla.—Luka 1:3.
Besimi i apostullit Pavël te Jezui, kishte lidhje me besimin e vetë Pavlit në tregimin e Zanafillës. Ai shkroi: «Meqë vdekja erdhi nëpërmjet një njeriu, edhe ringjallja e të vdekurve erdhi nëpërmjet një njeriu. Ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen.» (1 Korintasve 15:21, 22) Nëse Adami nuk do të ishte vërtet paraardhësi i njerëzimit, nuk do të ishte ai nëpërmjet të cilit «mëkati hyri në botë . . . dhe vdekja nëpërmjet mëkatit», atëherë përse duhej të vdiste Jezui që të zhbënte pasojat e mëkatit të trashëguar?—Romakëve 5:12; 6:23.
Të dobësosh besimin te tregimi i krijimit që thuhet te Zanafilla, do të thotë të minosh themelet e besimit të krishterë. Teoria e evolucionit dhe mësimet e Krishtit janë të papajtueshme. Çdo orvatje për të bashkuar këto bindje do sillte veç një besim të dobët, të prirur për t’u «çuar andej-këtej nga çdo erë mësimi».—Efesianëve 4:14.
Besim i mbështetur mbi themele të forta
Për shekuj me radhë, Bibla u ka qëndruar kritikave dhe sulmeve. Ajo ka dalë vazhdimisht e vërtetë. Kur Bibla flet për historinë, shëndetin dhe shkencën, tregimet e saj kanë dalë gjithnjë të besueshme. Këshillat e saj për marrëdhëniet njerëzore janë të besueshme dhe nuk u ikën kurrë koha. Teoritë dhe filozofitë e njerëzve, janë si bari i gjelbër që mbin, e si përfundim thahet, por Fjala e Perëndisë «mbetet përgjithmonë».—Isaia 40:8.
Mësimi i evolucionit nuk kufizohet në fushën e teorisë shkencore. Është një filozofi njerëzore që lindi dhe lulëzoi për dekada të tëra. Megjithatë, vitet e fundit vetë mësimi tradicional i evolucionit sipas Darvinit, ka evoluar—në fakt ka pësuar mutacion—ndërsa janë bërë përpjekje për të shpjeguar dëshmitë që sa vijnë e shtohen, të cilat tregojnë se në natyrë ka një projekt. Ju ftojmë ta shqyrtoni më tej këtë çështje. Mund ta bëni duke lexuar artikujt e tjerë të kësaj reviste. Gjithashtu, ndoshta do t’ju pëlqente të lexonit edhe botimet e treguara në këtë faqe dhe në faqen 32.
Pasi keni hulumtuar rreth kësaj teme, ka shumë të ngjarë të kuptoni se besimi juaj në atë që Bibla thotë për të kaluarën do të forcohet. Ç’është më e rëndësishmja, do t’ju forcohet besimi te premtimet e Biblës për të ardhmen. (Hebrenjve 11:1) Gjithashtu mund të motivoheni për të lavdëruar Jehovain, atë «që bëri qiellin dhe tokën».—Psalmi 146:6.
PËR LEXIM TË MËTEJSHËM
Një libër për të gjithë njerëzit Shembuj konkretë që flasin për vërtetësinë e Biblës trajtohen në këtë broshurë
A ka një Krijues që interesohet për ju? Shqyrtoni më shumë prova shkencore dhe mësoni se përse një Perëndi i dashur ka lejuar kaq shumë vuajtje
Çfarë mëson vërtet Bibla? Pyetja: «Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?» merr përgjigje në kapitullin e 3-të të këtij libri
[Diçitura në faqen 10]
Jezui e besonte tregimin e krijimit te Zanafilla. A e kishte gabim?
[Kutia në faqen 9]
ÇFARË ËSHTË EVOLUCIONI?
Sipas një përkufizimi, «evolucioni» është «një proces ndryshimi në një drejtim të caktuar». Megjithatë, fjala përdoret në kuptime të ndryshme. Për shembull, përdoret për të përshkruar ndryshime të mëdha në gjërat pa jetë—në zhvillimin e universit. Gjithashtu, ky term përdoret për të përshkruar ndryshime të vogla te gjallesat—mënyra si përshtaten me mjedisin bimët dhe kafshët. Megjithatë, zakonisht kjo fjalë përdoret për të shpjeguar teorinë sipas së cilës jeta lindi nga lëndët kimike pa jetë. Më pas u formuan qeliza që vetëshumoheshin, dalëngadalë u zhvilluan krijesa komplekse gjithnjë e më të ndërlikuara, dhe kjo çoi deri te njeriu, produkti më inteligjent. Në këtë artikull, fjala «evolucion» përdoret sipas kuptimit të tretë.
[Burimi i figurës në faqen 10]
Pamje nga hapësira: J. Hester and P. Scowen (AZ State Univ.), NASA