Ja pse besojmë se ka një Krijues
Ja pse besojmë se ka një Krijues
Shumë specialistë në fusha të ndryshme shkencore dallojnë në natyrë një projekt inteligjent. Atyre u duket e palogjikshme të besosh se jeta jashtëzakonisht e ndërlikuar në tokë erdhi rastësisht. Ja pse disa shkencëtarë e studiues besojnë se ka një Krijues.
Disa prej tyre janë bërë Dëshmitarë të Jehovait. Ata janë të bindur se Perëndia i Biblës, është Projektuesi dhe Ndërtuesi i universit fizik. Pse kanë arritur në këtë përfundim? Zgjohuni! pyeti disa prej tyre. Mund t’ju duken interesante përgjigjet që dhanë. *
«Kompleksiteti i pafund i jetës»
▪ VOLF-EKEHARD LËNIGU
TË DHËNA: Këto 28 vitet e fundit jam marrë me punë shkencore në lidhje me mutacionet gjenetike te bimët. Gjatë kësaj periudhe, 21 vjet kam punuar për Institutin Maks Plank për Kërkime në Kultivimin e Bimëve në Këln, Gjermani. Për gati tridhjetë vjet, kam shërbyer edhe si plak në një kongregacion të krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait.
Falë kërkimeve të mia eksperimentale në gjenetikë, si edhe studimeve në fusha të biologjisë, si në fiziologji dhe morfologji, kam parë qartë kompleksitetin e pafund të jetës. Studimet në këto fusha më kanë përforcuar bindjen se jeta, madje edhe format më të thjeshta të saj, duhet të kenë një burim inteligjent.
Shkencëtarët janë të vetëdijshëm për kompleksitetin e jetës. Por këto fakte mahnitëse, në përgjithësi paraqiten në një kontekst që mbështet haptas evolucionin. Megjithatë, jam i mendimit se një studim i kujdesshëm shkencor i hedh poshtë kundërshtimet për tregimin e Biblës rreth krijimit. I kam analizuar këto kundërshtime për dhjetëra vjet. Pasi studiova me kujdes për shumë kohë gjallesat, dhe pasi shqyrtova sesi ligjet që drejtojnë universin janë rregulluar në mënyrë të përsosur që në tokë të ekzistojë jeta, u nxita të besoja se ka një Krijues.
«Çdo gjë që vëzhgoj, e ka një shkak»
▪ BAJRON LION MEDOUSI
TË DHËNA: Jetoj në Shtetet e Bashkuara dhe punoj në Entin Kombëtar Aeronautik dhe Hapësinor, NASA, në fushën e fizikës me lazer. Tani merrem me zhvillimin e teknologjisë që analizon më mirë klimën globale, motin dhe fenomenet e tjera planetare. Jam plak në një nga kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në Kilmarnëk, Virxhinia.
Gjatë kërkimeve të mia kam të bëj shpesh me parimet e fizikës. Kërkoj të kuptoj si dhe pse ndodhin disa gjëra të caktuara. Në fushën time të studimit, gjej prova të qarta se çdo gjë që vëzhgoj, e ka një shkak. Mendoj se shkencërisht, është e arsyeshme të pranohet se Perëndia është shkaku kryesor i gjithçkaje në natyrë. Ligjet e natyrës janë kaq të qëndrueshme, saqë s’ka rrugë tjetër, përveçse të besoj se i ka vendosur një Organizator, një Krijues.
Nëse faktet të çojnë kaq natyrshëm në këtë përfundim, pse atëherë shumë shkencëtarë besojnë tek evolucioni? A mos vallë evolucionistët nxjerrin përfundime pa pasur prova të forta, e pastaj i shohin provat me këtë ide në mendje? Kjo s’është diçka e padëgjuar mes shkencëtarëve. Megjithatë, duke u bazuar vetëm te vëzhgimet, pavarësisht se sa bindëse mund të jenë, jo medoemos dalim në një përfundim të saktë. Për shembull, dikush që bën kërkime në fizikën me lazer, mund të këmbëngulë se drita është valë, ashtu si tingulli, sepse shpesh drita vepron si valë. Megjithatë, përfundimi i tij do të ishte i paplotë, sepse dëshmitë tregojnë edhe se drita vepron si një grup grimcash që quhen protone. Po kështu, ata që këmbëngulin se evolucioni është një fakt, i bazojnë përfundimet vetëm te një pjesë e provave, dhe lejojnë që këto lloj përfundimesh të ndikojnë në mënyrën se si i shohin provat në tërësi.
Çuditem që të gjithë e pranojnë teorinë e evolucionit si fakt kur vetë «specialistët» evolucionistë hahen me njëri-tjetrin si mund të ketë ndodhur. Për shembull, a do ta pranonit aritmetikën si fakt të vërtetuar nëse disa specialistë thonë se 2 plus 2 bëjnë 4, kurse disa të tjerë mendojnë se shuma është 3 ose mbase 6 ? Nëse roli që ka shkenca, është të pranojë vetëm ato gjëra që vërtetohen, provohen dhe përsëriten eksperimentalisht, atëherë teoria se e gjithë jeta evoluoi nga një paraardhës i përbashkët, nuk është një fakt shkencor.
«Asgjë s’mund të vijë nga hiçi»
▪ KENITH LOID TANAKA
TË DHËNA: Jam gjeolog, i punësuar në Institutin e Studimeve Gjeologjike të SHBA-së, në Flagstaf, Arizonë. Për gati tri dekada, jam marrë me kërkime shkencore në fusha të ndryshme të gjeologjisë, përfshirë edhe gjeologjinë planetare. Shumë nga artikujt e mi studimorë dhe hartat gjeologjike të planetit Mars, janë botuar në revista shkencore të njohura zyrtarisht. Si Dëshmitar i Jehovait, harxhoj rreth 70 orë çdo muaj duke inkurajuar njerëzit të lexojnë Biblën.
Më kishin mësuar të besoja tek evolucioni, por nuk pranoja dot se energjia e jashtëzakonshme që u desh për t’u formuar universi, nuk erdhi nga një Krijues i fuqishëm. Asgjë s’mund të vijë nga hiçi. Po ashtu, në Bibël gjeta një argument të fortë që provon se ka një Krijues. Ky libër përmban fakte të panumërta shkencore të profilit tim, si për shembull, që toka ka formë sferike dhe mbahet e varur «në asgjë». (Jobi 26:7; Isaia 40:22) Këto fakte u shkruan në Bibël shumë kohë përpara se të vërtetoheshin nga vëzhgimet e njeriut.
Mendoni pak për mënyrën si jemi bërë. Kemi aftësinë t’i perceptojmë gjërat me anë të shqisave, jemi në gjendje të njohim dhe të analizojmë veten, mund të arsyetojmë, kemi aftësi komunikuese dhe ndjenja. Në veçanti, mund të ndiejmë dashuri, ta çmojmë atë dhe t’ua shprehim edhe të tjerëve. Evolucioni nuk e shpjegon dot nga erdhën këto cilësi të mrekullueshme njerëzore.
Pyetni veten: ‘Sa të vërteta dhe të besueshme janë burimet e informacionit që përdoren për të mbështetur evolucionin?’ Të dhënat gjeologjike janë të paplota, të ndërlikuara dhe pështjelluese. Evolucionistët s’kanë arritur t’i vërtetojnë teoritë e tyre për proceset e evolucionit, pasi nuk japin dot prova laboratorike me metoda shkencore. Dhe, ndonëse shkencëtarët zakonisht përdorin teknika të mira kërkimore për të siguruar të dhëna, shpesh ndikohen nga motive egoiste kur interpretojnë zbulimet që kanë bërë. Ndodh shpesh që shkencëtarët i reklamojnë pikëpamjet e tyre kur të dhënat janë ende të pamjaftueshme ose kontradiktore. Për ta, rol të rëndësishëm luajnë karriera dhe ndjenja e vlerësimit për veten.
Që të arrij në një kuptueshmëri sa më të saktë, si shkencëtar dhe student i Biblës, kërkoj të vërtetën e plotë, e cila përfshin të gjitha faktet e njohura dhe vëzhgimet. Për mua, të besosh se ka një Krijues, është më se e logjikshme.
«Qeliza flet qartë për një projekt»
▪ PAULA KINÇËLO
TË DHËNA: Kam disa vjet përvojë si studiuese në fushën e biologjisë qelizore e molekulare, si edhe në mikrobiologji. Tani punoj në Universitetin Emori, në Atlantë, Xhorxhia, SHBA. Gjithashtu, u mësoj vullnetarisht Biblën njerëzve nga komuniteti rus.
Si pjesë e arsimimit tim në biologjinë molekulare, kalova katër vjet duke u përqendruar vetëm te qeliza dhe te përbërësit e saj. Sa më shumë mësoja për ADN-në, ARN-në, proteinat dhe reaksionet metabolike, aq më shumë mahnitesha nga ndërlikimi, organizimi dhe saktësia që fshihet pas tyre. Ndonëse më bënte përshtypje se sa shumë ka mësuar njeriu për qelizën, u mrekullova edhe më tepër kur kuptova sa e sa gjëra të tjera kemi ende për të mësuar. Një nga arsyet pse besoj te Perëndia, është se qeliza flet qartë për një projekt.
Duke studiuar Biblën, kam kuptuar kush është Krijuesi: Perëndia Jehova. Jam e bindur se ai nuk është vetëm një Projektues inteligjent, por edhe një Atë i mirë dhe i dashur që kujdeset për mua. Bibla shpjegon qëllimin e jetës dhe jep shpresë për një të ardhme të lumtur.
Fëmijët ose të rinjtë që në shkollë mësojnë evolucionin, mund të gjenden në dilemë se çfarë të besojnë. Kjo mund të jetë pak çorientuese për ta. Nëse besojnë te Perëndia, atëherë besimi i tyre vihet në provë. Por ata mund ta kalojnë me sukses këtë, duke analizuar gjërat e mrekullueshme që janë me bollëk përreth nesh në natyrë dhe duke shtuar vazhdimisht njohurinë për Krijuesin e për cilësitë e tij. Unë vetë kam vepruar kështu, dhe kam dalë në përfundimin se tregimi biblik për krijimin është i saktë dhe nuk bie ndesh me shkencën e vërtetë.
«Thjeshtësia mbreslënëse e ligjeve»
▪ ENRIKE HERNANDES LEMUSI
TË DHËNA: Jam Dëshmitar i Jehovait në shërbim të plotkohor. Jam edhe fizikan, në fushën e fizikës teorike dhe punoj në Universitetin Shtetëror të Meksikës. Puna që kam tani përfshin gjetjen e një shpjegimi të arsyeshëm nga ana termodinamike për fenomenin që njihet si katastrofa gravotermale, një mekanizëm i rritjes së yjeve. Kam punuar edhe me kompleksitetin e vargjeve të ADN-së.
Jeta është kaq e komplikuar, saqë është e pamundur të ketë lindur rastësisht. Për shembull, mendoni për sasinë e pafund të informacionit që përmban molekula e ADN-së. Probabiliteti që një kromozom i vetëm të ketë ardhur rastësisht në ekzistencë, është më pak se 1 në 9 trilion. Mendoj se është krejt absurde të besosh se disa forca jointeligjente të kenë krijuar jo thjesht një kromozom të vetëm, por të gjithë kompleksitetin e mahnitshëm të gjallesave.
Përveç kësaj, kur studioj funksionimin tejet të ndërlikuar të materies, që nga ajo mikroskopike e deri te lëvizja e reve yjore gjigante në hapësirë, më bën shumë përshtypje thjeshtësia mbresëlënëse e ligjeve që drejtojnë lëvizjen e tyre. Për mua, këto ligje përfshijnë diçka më tepër sesa puna e një matematikani të zotë. Ato janë si firma e një artisti të zotë.
Shpesh njerëzit çuditen kur u them se jam një Dëshmitar i Jehovait. Ndonjëherë më pyesin se si ka mundësi që besoj te Perëndia. E kuptoj reagimin e tyre, pasi shumë fe nuk i nxitin besimtarët të kërkojnë prova për atë që mësojnë ose t’i shqyrtojnë mirë bindjet e tyre. Megjithatë, Bibla na inkurajon të përdorim «aftësinë për të menduar». (Proverbat 3:21) Të gjitha faktet që gjenden në natyrë e që flasin për një projekt inteligjent, bashkë me provat nga Bibla, më bindin se Perëndia jo vetëm që ekziston, por edhe i kushton vëmendje lutjeve tona.
[Shënimi]
^ par. 3 Pikëpamjet e specialistëve të paraqitura në këtë artikull, nuk pasqyrojnë medoemos pikëpamjet e punëdhënësve të tyre.
[Burimi i figurës në faqen 22]
Planeti Mars në sfond: me mirësjellje nga USGS Astrogeology Research Program, http://astrogeology.usgs.gov