Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kujt duhet t’i besoni?

Kujt duhet t’i besoni?

Kujt duhet t’i besoni?

«Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.»—HEBRENJVE 3:4.

A JENI dakord me arsyetimin e këtij shkrimtari të Biblës? Që kur u shkruan këto fjalë, njerëzimi ka afro 2.000 vjet që bën përparime në shkencë. A ka ende njerëz që mendojnë se projekti që shihet qartë në natyrë të bind se ka një Projektues, një Krijues, pra një Perëndi?

Edhe në vendet e industrializuara, shumë njerëz do të përgjigjeshin, po. Për shembull, sipas një ankete të organizuar nga revista Newsweek në vitin 2005, në Shtetet e Bashkuara, 80 për qind e njerëzve «besonin se universin e krijoi Perëndia». A besojnë ngaqë janë njerëz pa shkollë? Po shkencëtarët, a besojnë te Perëndia? Në vitin 1997, revista shkencore Nature thoshte se pothuajse 40 për qind e biologëve, fizikanëve dhe matematikanëve të anketuar, jo vetëm që besonin se ka një Perëndi, por edhe që ai i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve.

Megjithatë, shkencëtarë të tjerë nuk pajtohen kurrsesi me këtë mendim. Kohët e fundit, Dr. Herbert Hauptmani, i vlerësuar me çmimin Nobel, tha në një konferencë shkencore se besimi te diçka e mbinatyrshme, sidomos besimi te Perëndia, nuk përputhet me shkencën e vërtetë. Ai tha: «Ky besim po dëmton mirëqenien e racës njerëzore.» Por edhe shkencëtarët që besojnë te Perëndia ngurrojnë t’u mësojnë të tjerëve se projekti që është i dukshëm te bimët dhe kafshët kërkon një Projektues. Përse? Duke shpjeguar një nga arsyet, Dagllas H. Ervini, një paleobiolog në Institutin «Smithson», thotë: «Një nga rregullat e shkencës është që nuk i pranon mrekullitë.»

A doni të lini të tjerët t’ju thonë çfarë të mendoni e të besoni apo dëshironi të shqyrtoni vetë disa nga provat dhe ta nxirrni vetë përfundimin? Teksa lexoni në faqet vijuese për zbulimet e fundit të shkencës, pyeteni veten: ‘A është logjike të arrij në përfundimin se ka një Krijues?’

[Diçitura në faqen 3]

Shqyrtojini vetë provat

[Kutia në faqen 3]

A JANË KREACIONISTË DËSHMITARËT E JEHOVAIT?

Dëshmitarët e Jehovait besojnë se tregimi i krijimit i shkruar në librin biblik të Zanafillës është i vërtetë. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait nuk mund të quhen kreacionistë. Përse jo? Së pari, shumë kreacionistë besojnë se universi, toka dhe e gjithë jeta u krijuan në gjashtë ditë 24-orëshe, rreth 10.000 vjet më parë. Megjithatë, Bibla nuk thotë kështu. * Gjithashtu, kreacionistët kanë pranuar shumë doktrina që nuk bazohen në Bibël. Dëshmitarët e Jehovait i bazojnë bindjet e tyre fetare vetëm te Fjala e Perëndisë.

Për më tepër, në disa vende, fjala «kreacionist» është sinonim i grupeve fondamentaliste që merren aktivisht me politikë. Këto grupe përpiqen t’u bëjnë presion politikanëve, gjyqtarëve dhe mësuesve që të vënë ligje dhe të mësojnë gjëra që përputhen me bindjet e kreacionistëve.

Dëshmitarët e Jehovait janë asnjanës në politikë. Ata respektojnë të drejtën e qeverive për të vënë ligje e për t’i bërë të detyrueshme ato. (Romakëve 13:1-7) Megjithatë, i marrin me seriozitet fjalët e Jezuit kur tha se ata «nuk janë pjesë e botës». (Gjoni 17:14-16) Me shërbimin që bëjnë, ata u japin mundësi njerëzve të mësojnë dobitë që vijnë kur jeton sipas normave të Perëndisë. Por nuk e shkelin asnjanësinë e krishterë, duke përkrahur grupe fondamentaliste, të cilat përpiqen të vënë ligje që do t’i detyronin të tjerët të zbatonin normat biblike.—Gjoni 18:36.

[Shënimi]

^ par. 11 Ju lutemi të shihni artikullin «Pikëpamja e Biblës: A bie ndesh shkenca me tregimin e Zanafillës?», në faqen 18 të kësaj reviste.