Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Thellësitë e deteve janë pa dyshim habitati më i madh në planet. Gjithashtu, edhe një nga më të vështirët për të jetuar. . . . Prapëseprapë, ngado që t’i hedhësh sytë sheh se jeta gëlon, disa herë në një masë të jashtëzakonshme.»—NEW SCIENTIST, BRITANI.

Kohët e fundit, një trup gjykues federal në Harrisburg, Pensilvani, SHBA, në një seancë gjyqësore nxori urdhrin se «është antikushtetuese që në një lëndë shkencore në shkollat publike, të mësohet [për një projekt inteligjent] si një alternativë e evolucionit».​—NEW YORK TIMES, SHBA.

Sipas një sondazhi lajmesh në vitin 2005, «51 për qind e amerikanëve nuk e pranojnë teorinë e evolucionit».​—NEW YORK TIMES, SHBA.

Në qershor të 2006-s, në një kopsht zoologjik në Brisbejn, Australi, ngordhi Harieta, një breshkë gjigante e ishujve Galapagos, që peshonte 150 kilogramë. Në moshën 175-vjeçare, ajo ishte «kafsha më e moshuar në botë».—AUSTRALIAN BROADCASTING CORPORATION.

Studiuesit zviceranë kanë zbuluar se në ç’mënyrë disa varietete misri e mbrojnë veten nga krimbat që rriten nëpër rrënjët e misrit perëndimor. Ata lëshojnë disa lloj erërash në tokë. Këto tërheqin një lloj krimbi të vockël i cili vret larvat e krimbave që rriten te rrënjët e misrit.—DIE WELT, GJERMANI.

Fotografohet një kallamar gjigant

Afër Ishujve Bonin, në jug të Japonisë, shkencëtarët kanë fotografuar për herë të parë në det një kallamar të gjallë gjigant. Ata përdorën grepa me kallamarë të vegjël e me tul karkalecash si karrem, dhe ndërkohë varën aparate fotografike sipër tyre. Kallamari gjigant, që u shfaq në thellësinë rreth 900 metra, llogaritet të ishte afro 8 metra i gjatë.

«Dinosaurët hanin bar»

Në një artikull të Associated Press thuhet se «për shkencëtarët është surprizë e madhe» të zbulojnë se «dinosaurët hanin bar». Ky zbulim u bë kur u analizuan jashtëqitjet e fosilizuara të një sauropodi të gjetura në Indi. Pse ishte një surprizë kjo? Sepse mendohej që «edhe shumë kohë pas zhdukjes së dinosaurëve, bimët barishtore nuk ekzistonin akoma», siç shpjegohet në artikull. Po ashtu, mendohej se sauropodët «nuk kishin dhëmbë të përshtatshëm për të bluar barishte të forta». Paleobotanistja Karolina Strombergu, drejtuesja e ekipit që bëri këtë zbulim, thotë: «Plot veta as nuk do ta kishin imagjinuar se [sauropodët] ushqeheshin me barishte.»

Si fluturojnë bletët?

Është thënë me shaka se inxhinierët kanë provuar që bletët s’mund të fluturojnë. Dukej se këto insekte kaq «të rënda» e me rrahje të vogla të krahëve, nuk kishin si ta prodhonin energjinë e mjaftueshme për t’u ngritur në fluturim. Për të zbuluar sekretin e këtyre insekteve, inxhinierët «filmuan me shpejtësi xhirimi 6.000 sekuenca në sekondë, disa bletë që rrihnin krahët e qëndronin pezull», sipas New Scientist. Teknika e bletëve është përshkruar si «e pazakontë». «Krahët lëvizin mbrapa me një hark prej 90 gradësh. Pastaj bleta i rreh krahët ndërsa ato kthehen në të kundërt. E gjithë kjo ndodh 230 herë në sekondë. . . . Është si një helikë, ku fletët rrotullohen edhe në vetvete»,—shpjegon një nga pjesëtarët e skuadrës kërkimore. Këto zbulime mund t’i ndihmojnë inxhinierët të projektojnë nga e para helikat dhe të ndërtojnë avionë a helikopterë më të manovrueshëm.

Minj këngëtarë

«Minjtë mund të këndojnë, dhe . . . këngët e tyre kushtuar partnerit të mundshëm janë po aq të ndërlikuara sa edhe këngët e zogjve»,—raporton New Scientist. Këngët e minjve janë në frekuenca ultrasonike, pra në një tonalitet shumë të lartë që veshi i njeriut s’e dëgjon dot. Ndoshta kjo është arsyeja pse njerëzit nuk e kanë ditur më parë. Studiuesit në Shën-Luis, Misuri, SHBA, vërejtën se vokalizmat e mashkullit «përbëheshin nga fraza muzikore dhe motive, të cilat formonin ‘këngën’.» Kjo i fut minjtë në një grup të veçantë. Gjitarë të tjerë që dihet se këndojnë, janë balenat, delfinët, disa lakuriqë nate dhe, sigurisht, njerëzit.