Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A kam ndonjë çrregullim në të ngrënë?

A kam ndonjë çrregullim në të ngrënë?

Të rinjtë pyesin . . .

A kam ndonjë çrregullim në të ngrënë?

«Nganjëherë kur ulem për të ngrënë, bëhem nervoze dhe më dridhet trupi. Kam frikë se mos shtoj në peshë. I them vetes: ‘Duhet të bie edhe dy kile.’»​—Melisa. *

«Dua të jem tërheqëse dhe më tmerron ideja që të shëndoshem. Por s’dua ta marrë vesh njeri që pasi ha, e nxjerr ushqimin. Më vjen shumë zor.»​—Amberi.

«I them vetes: ‘Sot, do të përmirësoj . . . ’ Pastaj, vjen një moment gjatë ditës që nuk duroj dot më dhe ha si e babëzitur. Më pas ndihem kaq në faj, saqë më mirë të vdisja.»​—Xheniferi.

DO QË të dukesh bukur, dhe kjo është më se normale. Do ngushëllim kur je në ankth ose e trishtuar. As këtu s’ka ndonjë gjë të keqe. Por, nëse je si një nga këto vajzat e cituara, atëherë mund të kesh një problem. Në rast se është kështu, nuk je e vetmja. Faktikisht miliona të rinj—shumica prej tyre vajza—kanë çrregullime në të ngrënë. *

Le të ndalemi pak tek anoreksia, bulimia dhe ngrënia me babëzi. Secili çrregullim ka simptomat e veta, por të gjithë përfshijnë një qëndrim jonormal për ushqimin. Në qoftë se e sheh veten në ndonjë nga përshkrimet që jepen më poshtë, ji e sigurt se mund të gjesh ndihmë. Ti mund të bëhesh mirë!

Një vështrim i përgjithshëm

ANOREKSIA. Sado elegante të jetë, kur një vajzë me anoreksi shihet në pasqyrë, vetja i duket e dhjamosur. Për t’u dobësuar, ajo merr masa ekstreme. «M’u bë fiksim llogaritja e kalorive,—thotë një vajzë anoreksike.—Planifikoja me merak çfarë do të haja gjatë javës dhe, kur mendoja se kisha marrë tepër kalori, lija vakte pa ngrënë e bëja tmerrësisht shumë ushtrime. Merrja deri gjashtë laksativë në ditë.»

S’kalon shumë dhe fillojnë të shfaqen simptomat e anoreksisë. Rënia në peshë është një shenjë e zakonshme, por, përveç kësaj, vajzës mund t’i bien flokët, t’i thahet lëkura, ndihet e rraskapitur dhe i ulet dendësia e kockave. Menstruacionet mund të mos i vijnë rregullisht, madje edhe për muaj me radhë.

Mbase këto simptoma duken pa zarar, por s’duhet harruar se anoreksia rrezikon jetën. Një studim zbuloi se me kalimin e kohës, 10 për qind e atyre që vuajnë nga anoreksia vdesin, zakonisht sepse një organ nuk funksionon më normalisht ose për shkak të problemeve që lindin ngaqë nuk ushqehen siç duhet.

BULIMIA. Një vajzë me bulimi nuk rri pa ngrënë. Përkundrazi, ha me babëzi, duke konsumuar deri 15.000 kalori edhe vetëm brenda dy orëve. Pastaj e nxjerr atë që ka ngrënë, zakonisht duke provokuar vetë të vjella ose duke marrë laksativë apo diuretikë.

Ngrënia me babëzi shpesh bëhet fshehurazi të tjerëve. «Pas shkollës, nëse vija e para në shtëpi dhe s’gjeja njeri, e kisha zakon të haja si e babëzitur,—thotë një vajzë.—Me kujdes i fshija të gjitha gjurmët.» Megjithatë, pas kësaj, ajo ndihej në faj. «Ndihesha tmerrësisht keq me veten,—thotë ajo,—por e dija se mund ta ndreqja kollaj situatën. Shkoja lart, villja dhe jo vetëm që lehtësohesha, por ndieja se i kisha ende nën kontroll gjërat.»

Edhe pse mund të duket sikur ka ndonjë të mirë, nxjerrja e ushqimit është e rrezikshme. Abuzimi me laksativët dobëson cipën e brendshme të zorrëve dhe mund të shkaktojë mahisje ose infeksion. Vjellja e shpeshtë mund të sjellë si pasojë çhidratim të trupit, prishje të dhëmbëve, dëmtim të ezofagut, madje edhe pushim të zemrës.

NGRËNIA ME BABËZI. Njësoj si vajza me bulimi, një vajzë që ha me babëzi konsumon ushqim me tepri. Ndryshimi është se ajo nuk e nxjerr ushqimin. Si rezultat, kjo vajzë mund të jetë mbipeshë. Megjithatë, pasi kanë ngrënë si të babëzitura, disa e lënë veten t’i grijë uria ose bëjnë ushtrime të rënda. Ndonjëherë, kur vajza e mban nën kontroll peshën në këtë mënyrë, familjarët dhe miqtë as nuk e nuhatin që ajo ka këtë problem.

Ashtu si anoreksiket dhe bulimiket, vajzat që hanë me babëzi kanë një qëndrim jo të ekuilibruar ndaj ushqimit. Një vajzë thotë për veten dhe për ata që vuajnë si ajo: «Ushqimi është shoku ynë i veçantë, sekret—mbase i vetmi shok që kemi.» Një tjetër thotë: «Kur ha sa dendem, asgjë tjetër s’ka rëndësi. Ushqimi duket e vetmja gjë me rëndësi—të ngushëllon—por pasi kam ngrënë si e babëzitur, ndihem fajtore dhe e dëshpëruar.»

Edhe pse nuk nxirret ushqimi, ngrënia me babëzi është e rrezikshme. Mund të shkaktojë diabet, tension të lartë të gjakut, sëmundje të zemrës, e plot sëmundje të tjera. E paguan shtrenjtë edhe emocionalisht.

A mund të të ndodhë edhe ty?

Sigurisht, shumë njerëz që duan të bien ca kile ose të mbajnë trupin në formë, nuk kanë çrregullime në të ngrënë. Prapëseprapë, pas asaj që u tha më sipër, mbase je në dyshim nëse po shkon drejt asaj rruge. Bëji vetes këto pyetje:

▪ A më vjen turp ose a jam në siklet për zakonet ose mënyrat e mia të çuditshme të të ushqyerit?

▪ A i mbaj të fshehura zakonet e mia të të ngrënit?

▪ A është bërë ushqimi gjëja kryesore në jetën time?

▪ A peshohem më shumë se një herë në ditë?

▪ A jam gati të rrezikoj për t’u dobësuar?

▪ A kam eksperimentuar duke provokuar të vjella, duke marrë laksativë ose diuretikë?

▪ A kanë ndikuar në jetën shoqërore zakonet e të ngrënit? Për shembull, a preferoj të rri vetëm në vend që të rri me të tjerët, dhe kështu të ha me babëzi ose të vjell fshehurazi?

Në qoftë se përgjigjet e tua tregojnë se ke një problem, pyete veten:

▪ A jam vërtet e lumtur kështu?

Çfarë mund të bësh për këtë situatë?

Vepro tani!

Hapi i parë është të pranosh se ke një problem. «Pasi u mendova mirë,—thotë Daniela,—kuptova se kisha të njëjtat ndjenja dhe zakone si vajzat me anoreksi. Ishte e tmerrshme të pranoja se bëja të njëjtat gjëra si to.»

Hapi tjetër, është t’i lutesh Jehovait për gjendjen tënde. * Kërkoji me zjarr gjykim të thellë për të kuptuar shkakun që fshihet pas çrregullimit, kështu që të arrish ta mposhtësh. Mund të lutesh si Davidi: «Më heto fund e krye, o Perëndi, dhe njihe zemrën time. Më shqyrto dhe njih mendimet që më turbullojnë. Shih nëse ka tek unë ndonjë udhë që do të më sillte dhembje, dhe më drejto për në udhën e përjetësisë.»—Psalmi 139:23, 24.

Nga ana tjetër, mund të kuptosh se nuk ke qejf të shërohesh nga çrregullimi në të ngrënë. Mund të jesh bërë e varur prej tij, tamam si prej drogës. Kjo është një gjë tjetër për të cilën duhet t’i lutesh Jehovait. Pikërisht këtë duhet të bënte Daniela. «Në fillim,—pranon ajo,—nuk doja me të vërtetë të shërohesha. Prandaj duhet të lutesha që të kisha dëshirë të bëhesha mirë.»

Së treti, fol me prindërit ose me ndonjë të rritur tjetër që mund të të ndihmojë. Ata të rritur që të duan të mirën nuk do të të bëjnë të ndihesh me turp. Përkundrazi, do të përpiqen të imitojnë Jehovain, për të cilin Bibla thotë: «Ai as e përbuzi dhe as e përçmoi mundimin e të përvuajturit. Nuk e fshehu fytyrën nga ai, përkundrazi, kur thirri për ndihmë, ai e dëgjoi.»—Psalmi 22:24.

Natyrisht, rruga drejt shërimit nuk është e lehtë. Në disa raste është e nevojshme ndihma profesionale. * Ajo që ka rëndësi është të bësh diçka. Këtë vendosi të bënte një vajzë që vuante nga bulimia. «Një ditë,—thotë ajo,—nisa të kuptoj se isha bërë skllave e këtij zakoni, pra e nxjerrjes së ushqimit. Prapëseprapë s’isha e sigurt nëse mund t’ia dilja mbanë. Në fund, bëra gjënë më të vështirë që kam bërë ndonjëherë: kërkova ndihmë.»

Edhe ti mund të veprosh njësoj!

[Shënimet]

^ par. 3 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.

^ par. 6 Në këtë artikull do të përdorim gjininë femërore për ata që kanë çrregullime në të ngrënë, meqë shumica e atyre që vuajnë nga ky problem janë vajza. Megjithatë, shumë nga parimet që trajtohen këtu, zbatohen edhe për djemtë.

^ par. 32 Kur je e mërzitur, mund të jesh e sigurt se Jehovai kujdeset për ty si individ, duke medituar për shkrime si këto: Dalja 3:7; Psalmi 9:9; 34:18; 51:17; 55:22; Isaia 57:15; 2 Korintasve 4:7; Filipianëve 4:6, 7; 1 Pjetrit 5:7; 1 Gjonit 5:14.

^ par. 35 Të krishterët duhet të sigurohen se çdo trajtim që vendosin të bëjnë nuk bie ndesh me parimet biblike.

PËR TË MENDUAR

▪ A mendon se ke një çrregullim në të ngrënë? Nëse po, kujt mund t’i drejtohesh për ndihmë?

▪ Si mund ta ndihmosh një shoqe që ka një çrregullim në të ngrënë?

[Kutia në faqen 19]

«Mendoj se ke një problem . . . »

Nëse një familjar ose një shoqe të thotë këto fjalë, mundohu të mos u kundërvihesh për t’u mbrojtur. Imagjino sikur një shoqe vëren se po të shqepet pala e fustanit nga prapa. A nuk do t’i ishe mirënjohëse që ta tha para se të të shqepej e tëra? Bibla pohon: «Ka një mik me të cilin lidhesh më ngushtë se me një vëlla.» (Proverbat 18:24) Kur dikush vjen te ti ngaqë është në merak për një problem që mund të kesh, po tregon se është tamam ai mik për të cilin flitet këtu.

[Kutia dhe figura në faqen 19]

«Doja të isha e dobët se s’bën»

«Fillova të dobësohesha. Pastaj hoqa dhëmballën e pjekurisë dhe s’haja dot. Këtu nisi anoreksia për mua. M’u bë fiksim bukuria, pamja. Kurrë s’më dukej vetja aq elegante sa doja. Pesha më e ulët që arrita ishte alarmuese. E dëmtova shumë trupin! Tani s’më rriten thonjtë. E çorientova fare orën e brendshme të organizmit. Kam pasur katër aborte spontane. Kam hyrë para kohe në menopauzë dhe metabolizmi mezi më funksionon. Vuaj edhe nga koliti. Të gjitha këto vetëm sepse doja të isha e dobët se s’bën.»—Nikola.

[Kutia në faqen 20]

Nëse bie sërish pre

Mund t’ia dalësh mbanë ta mundësh çrregullimin në të ngrënë, por mund të ndodhë që të biesh sërish pre pas disa javësh ose disa muajsh. Po qe se të ndodh, mos u dorëzo. Bibla e pranon se «i drejti mund të bjerë edhe shtatë herë». (Proverbat 24:16) Një hap prapa nuk do të thotë aspak se je dështake. Kjo vetëm sa thekson nevojën që të forcosh vendosmërinë, të dallosh shenjat që paralajmërojnë se po bie sërish pre, e ndoshta të flasësh prapë hapur me individë të gjindshëm që mund të të ndihmojnë.

[Kutia dhe figura në faqen 20]

Lexo më shumë për problemin

Nëse vuan nga ndonjë çrregullim në të ngrënë, do të bëje mirë të lexoje për të mësuar sa më tepër rreth tij. Sa më shumë të dish për problemin, aq më të lehtë do ta kesh për ta luftuar. Ka të ngjarë të nxjerrësh dobi duke rishqyrtuar informacionin e dobishëm që ka dalë në Zgjohuni! të 22 janarit 1999, faqet 3-12 (anglisht), dhe të majit 1999, faqet 13-15.

[Kutia në faqen 21]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

Në rast se vajza juaj ka rënë viktimë e një çrregullimi në të ngrënë, çfarë mund të bëni? Së pari, shqyrtoni me vëmendje informacionin e këtij artikulli dhe referimet e tjera që janë dhënë në faqen 20. Përpiquni të kuptoni pse ajo ka zgjedhur këtë rrugë.

Është vënë re se shumë vajza që kanë këto çrregullime kanë pak vlerësim për veten dhe kanë maninë për përsosmëri—presin tepër nga vetja në mënyrë të paarsyeshme. Sigurohuni që ju nuk ndikoni për keq te këto prirje. Jepini zemër vajzës! (Isaia 50:4) Dhe për t’iu kundërvënë manisë së saj për përsosmëri, lejoni që ‘arsyetueshmërinë tuaj ta njohin të gjithë’.—Filipianëve 4:5.

Gjithashtu analizoni me kujdes qëndrimin që mbani ju vetë ndaj ushqimit dhe peshës. A mos vallë i keni mbitheksuar pa dashje këto çështje, qoftë me fjalë, qoftë me shembullin tuaj? Mos harroni, të rinjtë e vrasin shumë mendjen për paraqitjen. Edhe shakatë ngacmuese se ishte «fëmijë buçko» apo se ka hedhur goxha shtat gjatë adoleshencës, mund të mbjellin farat e së keqes në mendjen e të rejave, që çdo fjalë e marrin shumë seriozisht.

Pasi ta keni shqyrtuar çështjen mirë dhe në lutje, flisni haptas me vajzën.

▪ Planifikoni mirë çfarë t’i thoni dhe kur t’ia thoni.

▪ Shprehjani qartë merakun dhe dëshirën që keni për ta ndihmuar.

▪ Mos u habitni nëse në fillim ajo mbrohet.

▪ Dëgjojeni me durim.

Ç’është më e rëndësishmja, ndihmoni edhe ju që vajza të përmirësohet. Punoni si familje që e sëmura ta mposhtë këtë problem!

[Figura në faqen 21]

Mbase duhet të lutesh që të kesh dëshirë të bëhesh mirë