Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund t’i ndihmoni të vdekurit?

A mund t’i ndihmoni të vdekurit?

Pikëpamja e Biblës

A mund t’i ndihmoni të vdekurit?

«Që në fillimet e saj, Kisha . . . ka ofruar lutje për [të vdekurit] . . . kështu që, duke qenë të pastruar, ata mund të arrijnë gjendjen e lumtur që të shohin Perëndinë.»​—Libri «Katekizmi i Kishës Katolike».

NJERËZIT e të gjitha racave janë në merak për gjendjen e të vdekurve. Mbase jeni hidhëruar dhe jeni ndjerë bosh përbrenda kur ju ka vdekur një njeriu juaj i dashur. Mbase pyetni veten nëse të vdekurit janë të vetëdijshëm, nëse vuajnë o janë në paqe, ose nëse mund të bëni diçka për t’i ndihmuar.

Shumë njerëz fetarë besojnë se mund t’i ndihmojnë të vdekurit. Hinduistët për shembull, besojnë se duke djegur në brigjet e lumit Gang trupin e personit të dashur që u ka vdekur, dhe duke e shpërndarë hirin në ujërat e tij, mund t’i garantojnë lumturi të përhershme shpirtit të të ndjerit. Në Lindje, budistët djegin makina, shtëpi, rroba dhe para, të gjitha prej letre, duke menduar se të vdekurit mund t’i përdorin pastaj këto zotërime në botën tjetër. Në Afrikë, derdhin pije alkoolike anash varrit, me mendimin se kjo do t’i sjellë dobi të vdekurit.

Katolicizmi mëson se në rast se një njeri vdes pa u penduar për ndonjë «mëkat të rëndë», ai e ka humbur me dashje favorin e Perëndisë. Kjo gjendje «quhet ‘ferr’». Nga ana tjetër, mëson se dikush që gëzon favorin e Perëndisë mund të shpresojë të arrijë «lumturinë përfundimtare» me Perëndinë në parajsë, por, më parë duhet të pastrohet në mënyrë të përsosur. Ky pastrim mund të kërkojë që ai të kalojë kohë në purgator e të durojë një «zjarr pastrues», si dënim për mëkatet që mund të falen. Megjithatë, ndërsa është në purgator, ky njeri mund të ndihmohet nga lutjet ndërmjetësuese të ofruara nëpërmjet Kishës Katolike—si edhe nga meshat që mbahen për të. Zakonisht këto shërbesa paguhen nga miqtë dhe nga të afërmit e të ndjerit.

Është e natyrshme të dëshironi të bëni ç’të mundni për të lehtësuar çdo lloj vuajtjeje që mund të kalojë njeriu juaj i dashur. Në qoftë se kjo do të ishte e mundur, a nuk do të na e shpjegonte qartë Perëndia se si të vepronim? Le të shohim çfarë mëson Bibla nëse mund t’i ndihmojmë apo jo të vdekurit.

Gjendja e të vdekurve

Të gjitha praktikat e përmendura bazohen te besimi në pavdekësinë e shpirtit, pra te besimi se një pjesë e njeriut vazhdon të jetojë pasi trupi fizik vdes. A është kjo ajo që mëson Bibla? Në të thuhet: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë; ata nuk kanë më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre është harruar. Po ashtu dashuria, urrejtja dhe xhelozia e tyre tashmë kanë marrë fund dhe nuk kanë më asnjë pjesë në asgjë që ka për t’u bërë nën diell. Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde, sepse nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol, në vendin ku po shkon.» (Eklisiastiu 9:5, 6, 10) Sheol është fjala hebraike për varrin e përbashkët të njerëzve.

Lidhur me pasojat e vdekjes te mendimet e një njeriu, psalmisti i frymëzuar shkroi: «Kur fryma i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet e tij.»—Psalmi 146:4.

Pohimet e Biblës janë të besueshme dhe të arsyeshme. Si mendoni? A do t’u shkaktonte vuajtje fëmijëve të tij një baba i dashur, për shkak të prirjeve të lindura mëkatare? (Zanafilla 8:21) Sigurisht që jo! Pse, atëherë, Ati ynë qiellor do ta bënte një gjë të tillë? Kur disa në Izraelin e lashtë përvetësuan ritin pagan të djegies së fëmijëve të tyre si flijim për perënditë e rreme, Jehovai e dënoi atë praktikë të urryer, duke e përshkruar si një ‘gjë që nuk e kishte urdhëruar dhe nuk i kishte shkuar kurrë ndër mend’.—Jeremia 7:31.

Mëkati i njeriut çon në vdekje, jo në tortura në një jetë pas vdekjes. Siç thonë Shkrimet, «paga që paguan mëkati është vdekja» dhe «kush vdes, shfajësohet nga mëkati i vet».—Romakëve 5:12; 6:7, 23.

Të vdekurit nuk po vuajnë. Përkundrazi, është si të jenë në gjumë të thellë, të pavetëdijshëm; nuk provojnë as kënaqësi, as ndonjë ndjenjë tjetër. Prandaj s’ka pikë dyshimi se të gjitha përpjekjet e njerëzve për të ndihmuar të vdekurit, bien ndesh me mësimet e Biblës.

Çfarë shprese ka për të vdekurit?

Kjo nuk do të thotë se njerëzit tuaj të dashur që kanë vdekur do të mbeten të pavetëdijshëm përgjithmonë. Përkundrazi, kanë një perspektivë të shkëlqyer.

Para se ta kthente sërish në jetë mikun e tij të dashur, Lazarin, Jezui tha se po shkonte ‘ta zgjonte nga gjumi’. (Gjoni 11:11) Në një rast tjetër, ai shpjegoi se «të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin». (Gjoni 5:28, 29) Të ringjallurit do të jenë tashmë të shfajësuar për mëkatet e tyre të mëparshme, kështu që s’do të kenë pse të vuajnë për gjërat që bënë kur ishin gjallë më parë. Do të kenë mundësinë të gëzojnë jetën në kushte të përsosura. Çfarë perspektive e mrekullueshme!

Në rast se ju tërheq kjo perspektivë, mos ngurroni të siguroheni për vërtetësinë e këtyre premtimeve. Dëshmitarët e Jehovait do t’ju ndihmojnë me shumë kënaqësi.

A DONI TË DINI?

▪ A janë të vetëdijshëm të vdekurit?​—Psalmi 146:4; Eklisiastiu 9:5, 6, 10.

▪ A do të lejonte Perëndia që të vdekurit të vuanin në një ferr të zjarrtë?​—Jeremia 7:31.

▪ A ka shpresë për të vdekurit?​—Gjoni 5:28, 29.